Share This Article
Nga Ilir Lluri
Ngjarje dhe fakte – ndërtimi i sheshit
Xhirua – 100 vjetori i “ritit të shëtitjes”
Imazhi i restaurimit të dikurshëm në sheshin e Çerçizit, më erdhi menjëherë përpara syve sapo lexova vargjet e një kënge popullore fare të panjohur:
Vehipit i ra dilia
Te porta e te avlia
Mirë që shpëtoi shtëpia
Lelasë vanë e i thanë
Mbeti porta me një anë
I dhanë prapë damllanë
Këto vargje janë pjesë e librit të Musine Kokalarit, “Kronikë në Këngë”. Janë krijuar mbi një ngjarje reale të ndodhur gjatë ndërtimit të sheshit të qytetit, përshkrimin e së cilës na e ka lënë Musinea:
Kur do zgjerohej udha tek sheshi i policisë i ra në derë edhe Vehip Harxhit. Lelaja, nëna e Tasim Harxhit qe e damllosur. Kur mori vesh këtë haber të keq, i ra prapë damllaja, sa vdiq nga marrazi.
Ja kështu, kjo këngë u bë shkak për pyetjen: Po pas restaurimit të fundit ka gjasë të ngrihet ndonjë këngë tjetër? E sigurt është që, në çdo investim i cili sjell ndryshime në hapësirat e mëparëshme publike, disa elementë humbasin, apo sakrifikohen për tu përfituar disa të rinj. Po a ka gjasa të na bjerë “damllaja” kur preket prona publike? Deri tani kjo s’ka ndodhur kurrë. Që kurse u rikthye prona private pas 1990, ne vijojmë të ecim pas parimit; “prona e përbashkët, është prona e askujt”.
SHESHI ME SHUMË EMRA
Sheshi i qytetit tonë dikur ka qënë i vogël dhe për ta fituar atë, u ngrit një mur që të nivelohej terreni i pjerët poshtë “Bregut të Bendos” që zgjatej në krahun verior të kalasë. Në atë shesh qëndronin karrocat me kuaj që përdoreshin për transportin e udhëtarëve që bujtnin në hanet e qytetit; Kashahut, Hadërajve apo Zagorisë. Por, po aty qëndronin edhe karrocat që transportonin mallrat për në dyqanet e pazarit. Kisha shumë dëshirë ti mësoja emrat me të cilat sheshi ishte emërtuar dikur, por nuk munda të gjeja detaje. Gjithsesi një e dhënë e përgjithëshme dihet. Në varësi të ngjarjeve historike, dhe pushtimeve të njëpasnjëshme, sheshi ka pasur emra pricash dhe ushtarakësh të ndryshëm. Gjer në Korrik të 1922 sheshi emërtohej, “Sheshi Policisë”. Ishte në nderin e vetë banorëve të Gjirokastrës që në qershor të vitit 1922 sheshit kryesor të qytetit ti vendosnin emrin e rilindasit, heroit dhe qytetarit të tyre më të shquar; Çerçiz Topulli.
OBJEKTET E DALA NË DRITË
Investimi i fundit që po bëhet në shesh, nxori në pah një fragment muri mbajtës i cili ka shërbyer dikur si muri i tij rrethues. Kjo gjurmë jep edhe idenë e sipërfaqes që ai kishte në atë kohë. Një mur i vendosur diku më larg, përcakton kufirin që fitoi sheshi pas zgjerimit të tij, në vitin 1920, nga investimet publike që bëheshin nga drejtuesit italianë që e menaxhonin qytetin. Në atë periudhë u hap edhe rruga e re nga lagjja “Manaj”, nga e cila vullnetarët e “Vatrës” hynë në qytet. Për të fituar sipërfaqen që ka sot sheshi, prerja e pemëve që ndodheshin aty, u pasua nga zvogëlimi i sipërfaqeve të disa pronave private që kufizoheshin me të. Por vetëm shkatërrimi i portës së shtëpisë së Veli Harxhit zuri vend në këngë.
“PLAGËT” E PROJEKTEVE
Zbatuesit e projekteve në përgjithësi, për të mos u vonuar në kryerjen e punimeve, shpesh i shkelin kontratat dhe nuk i njoftojnë specialistët apo institucionet përkatëse, në se gjatë kryerjes së tyre, dalin në pah elementë ndërtimore apo objekte, që i flasin një kohe tjetër.
Guri me kryq…
Në pjesën e poshme të qytetit, gjatë punimeve për ujësjellësin e ri, u nxorr nga nëntoka një gur me kryq. Gërmimi u bë natën. Gjithçka deri në orët e mëngjesit u mbyll dhe vendi nuk u studjua. A kishim të bënim me një kishë, apo me një varr pranë saj? Informacioni mbeti enigmë. Si dëshmi kemi vetëm një fotografi të shkrepur nga celulari i një punëtori. Guri me kryq dhe dherat e gërmuar u hodhën s’dihet se ku…
Pusi i mbuluar…
Që në fillim të punimeve në sheshin e Çerçizit u interesova që firma e ndërtimit të njoftohej për të mos më penguar në fotografimin e elementëve me rëndësi, që sheshi fshihte në thellësi të tij. Kisha dijeni për një pus uji përpara Hotel Çajupit. Ai përmendej edhe në kronikat e kohës. Pusi, ashtu si dhe pritej, doli në dritë, por firma ndërtuese vendosi kovën e eskavatorit mbi grykën e tij, për ta fshehur atë nga sytë e publikut. Megjithëse Drejtoria Rajonale e Monumenteve njoftoi Ministrinë, asaj nuk i lanë kohë për ta dokumentuar siç duhet këtë objekt kaq të veçantë. Ashtu si tek “guri me kryq”, edhe në këtë rast fotot janë bërë përmes një celulari; por jo punëtori por, drejtori. Ndryshe nga rasti i parë, ku veprimet u bënë natën, kësaj here firma kishte mbrojtje. Pusit 150 vjeçar, këtij objekti të rrallë të trashëgimisë, ju “vu kryqi” në mes të ditës. Firma e ndërtimit e mbushi me dhe pusin e ruajtur aq mrekullisht. Ata që ndërtuan turizmin në vitet 1960 dhe shtruan sheshin me asfalt nuk e shkatërruan pusin e lashtë. Ja u lanë këtë “kënaqësi” pasardhësve të tyre të “mençur” që “ndërtojnë” duke shkatërruar. E ç’farë e keqe do të ishte sikur t’ju afronim vizitorëve edhe një pamje të dikurshme të sheshit kryesor të qytetit? Për këtë do të mjaftonin; një foto e vjetër e tij dhe dy apo tri foto nga mënyra e ndërtimit dhe përmasat e atij pusi. Ishte pusi i vetëm i identifikuar si pjesë e sheshit kryesor të qytetit dhe në funksion të lokalit të njohur të kohës, “Shqipja” e më vonë “Bela Venecia”. Ai ju siguronte ujë dikur jo vetëm kafshëve të transportit, por edhe njerëzve. U mbyll pas verifikimit të ndotjes së ujit të tij.
Karburanti në shesh…
Nga një kartolinë e viteve 30 njihemi me egzistencën e një pike karburanti diku pranë rrugës që ngjitet për në Bashki. Pas gërmimit doli në pah vetëm një fragment betoni, i cili me sa duket ishte mbetje nga vendi ku qëndronte depozita e dikurshme.
Strehimi tek ish shtëpia e pionierit…
Ndërtimi i parkikngut të nëndheshëm në sheshin e Çerçizit, përfshiu edhe shkatërrimin e një vendstrehimi, për të mos thënë vendkomande, me tre apo katër dhoma, porta hyrëse e së cilës shikonte nga lindja. Rëndësia e dokumentimit të këtij ndërtimi kishte të bënte me historinë e investimeve mbrojtëse të kryera në qytet në një fazë të hershme, përpara ndërtimit të tunelit të “Luftës së ftohtë” që ndodhet pas godinës së bashkisë.
GODINA E DIKURSHME E BASHKISË
Godina e parë që u ndërtua në shesh, ishte godina e Bashkisë. Ajo u projektua nga një studio e arkitekturës italiane që funksiononte në Gjirokastër me arkitekt Vitalino Poseli. Ata u kujdesën që brenda konceptit arkitekturor të mos mungonte simboli ynë kombëtar, shqiponja. Për këtë arsye ajo ishte vendosur në qendër të kangjellave të hekurta të ballkonit të bashkisë. Në këtë ballkon valvitej njëkohësisht edhe flamuri ynë kombëtar.
HARQET – ELEMENT I ARKITEKTURËS TRADICIONALE
Koncepti arkitekturor i viteve 1955-1970 që u zbatua në Gjirokastër në disa prej ndërtimeve të saj më të rëndësishme, mbetet pa dyshim më i gjeturi, më i frymëzuari dhe më funksionali. Këtë e dëshmoi koha. Zgjidhja e saj u mbështet në arkitekturën e trashëguar. Kjo është arsyeja pse elementët kryesorë arkitekturorë u morën nga kalaja. Ashtu si shtëpitë e dikurshme të banorëve që i ngjanin kështjellës, ashtus si bija i gjan nënës – thotë Kadareja, edhe ndërtimet e reja morën nga ajo, harqet madhështore.
SKËNDER LUARASI
Mjafton të hedhësh një sy në këto institucione të ngritura në këtë periudhë, që të evidentosh fare qartë harmoninë mes tyre, dhe ndërtimeve të hershme në qytet. Madje një projektues brilant si Skënder Luarasi, nuk e përdori elementin e harkut vetëm tek godina qëndrore e sheshit të Çerçizit, hotel “Çajupi”, por e zbriti atë deri poshtë në godinën e spitalit të ri, e cila ndodhej krejtësisht e vetme, në një teritor të hapur dhe larg kompleksit të banesave karakteristike. Megjithatë edhe në kërë rast ky arkitekt i talentuar, diti ta ruajë detajin e bukur e të lashtë, harkun. Ky element i rëndësishëm është përdorur edhe në godinën e Bashkisë, Këshillin e Qarkut dhe tek ish Gjykata. Madje tek ish gjykata harqet madhështore kishin kangjella dhe pasoheshin nga një koridor i gjatë kalimi. Por, a ishte vetëm harku elementi ndërtimor i huazuar nga kështjella? Sigurisht jo.
BEDENAT – STOLAT E SHESHIT
Të gjithë e mbajnë mend pamjen e sheshit dikur dhe stolat që e kornizonin atë në pjesën veriore. Ne dikur i quanim edhe “vagona”, për shkak të lidhjes së tyre varg, njeri pas tjetrit në të gjithë gjatësinë e murit kufizues. Por ato në fakt ju ngjanin bedenave të kalasë madhështore. Sa bukur i kishin “zbritur” ato nga kështjella, dhe i kishin vendosur në funksion të banorëve të qytetit. “Bedenat” e Sheshit të Çerçizit, ashtu si ato të kështjellës kishin funksionin mbrojtës. Ato nuk të mbronin nga një armik real si bedenat e kalasë, por të mbronin nga rreziku i rrëzimit nga lartësia që kishte muri rrethues i sheshit. Ato i jepnin mundësi vizitorit jo vetëm të qëndronte, por edhe të sodiste prej tyre. Të shoqëruara nga pemët dekorative, ato ishin vendqëndrimet e preferuara të vizitorëve vendas dhe të huaj. Në orët e xhiros së mbasdites që bëhej dikur në shesh, në stinët e pranverës, verës dhe vjeshtës, stolat – bedena ishin gjithmonë plot. Njëqind e pesëdhjetë vetë mund të qëndronin në një çast të ulur mbi to. Në sheshin e “Çerçizit”, ballafaqohej jeta e qytetit. Kjo ndodhte përmes shëtitjes apo xhiros që banorët bënin aty.
XHIRUA – 100 vjetori i “ritit”
Janë përsëri vargjet e një kënge popullore nga të cilat mësojmë jo vetëm “moshën” e xhiros në sheshin e “Çerçizit”, por edhe autorët e këtij “riti”.
Sa vete sahati pesë
Dalin djemtë e Licesë
Zbresin poshtë xhadesë
Nëpër togje katër a pesë
Këto vargje të poetit “popull”, e lidhin nisjen e xhiros me djemtë e Liceut Francez të Gjirokastrës, i cili e nisi funksionin në 5 nëntor të 1923. Ajo nisi të praktikohej në pranverën e vitit 1924. Pra ky “rit” i ri, ju shtua qytetit 100 vjet më parë. Pavarësish emancipimit që solli hapja e Liceut të parë miks në Shqipëri, ku hynë në një klasë djem e vajza, xhirua bëhej vetëm prej djemve. Kohë pas kohe asaj ju shtuan edhe vajzat dhe gratë. Ndryshe nga dikur, pas viteve 1970, në xhiro dilnin edhe familje të tëra. Ajo ariti kulmin në vitet 75 – 90 kur në shesh nuk hidhje dot kokrën e mollës? Aty komentoheshin emërimet e funksionarëve partiakë dhe shtetërorë, degët e studimit që vajzat dhe djemtë gjimnazistë kishin fituar për të ndjekur në univesitetet e vendit, të rinjtë apo të rejat që ndiqnin modën “me karar”. Në një faqe muri njiheshe me punëtorët më të dalluar, e diku tjetër me ata që kritikoheshin për shfaqet e huaja. Mbi të gjitha aty zinin fill dashuritë dhe krushqitë e reja. Kur vajza kantidate për fejesë, bënte xhiro shoqëruar nga familjarët e saj, pala e djalit qëndronte ulur në “stolat – bedena”. Rolet ndroheshin pas pak kohe. Të nesërmen kryefamiljarët i jepnin përfundimet njeri-tjetrit. Por ndryshe nga xhirua e djemve të Liceut, ajo e mëvonshmja nuk vazhdonte deri poshtë tek Xhemaliu, (postoblloku), por përfundonte tek Sheshi i mullirit, përpara godinës së ish Degës së Punëve të Brendëshme. Megjithëse ndoshta rastësi, simbolika ishte e goditur. Godina e degës ishte “piramida e kufirit”, për lirinë që gëzonin njerëzit në kohën e diktaturës. Pas viteve 90 ky “rit” u braktis. Tani përdorimi i nternetit e ka thjeshtuar njohjen dhe lidhjen mes të rinjve. Edhe njerzit kanë makina dhe mund të shëtisin kudo. Por megjithatë këto nuk e justifikojnë heqjen e stolave nga sheshi? Ai pa ato dhe gjelbërimin e tyre, duket i ftohtë, i huaj…
VEPRAT E ARTIT
Në sheshin e Çerçizit ngrihen dy vepra të arteve figurative: shtatorja e Çerçizit dhe busti i dy heroinave, Bule e Persefoni.
Shtatorja e Çerçizit
Në 18 mars të vitit 1934, dymbëdhjetë vjet pasi sheshi kishte marë emrin e heroit, u vendos edhe shtatorja e tij. Vendodhja e saj u kushtëzua nga institucioni i Bashkisë. Megjithëse me ndërtimin e Hotel “Çajupit”, godina e Bashkisë u përfshi brenda tij, duke humbur edhe funksionin e saj, shtatores së Çerçizit nuk ju ndryshua vendi. Por ajo mbeti tashmë e xhveshur nga sfondi që kishte dikur. Ky sfond nuk lidhej vetëm me godinën e Bashkisë, por edhe me simbolet kombëtare që ishin vendosur në ballkonin e saj; shkaba e vendosur në qendrën e kornizës së hekurt të saj, dhe flamuri kuq e zi që valvitej mbi të. Projekti i ri i zbatuar në shesh, në vend që të afronte një zgjidhje të re, të ekspozimit të shtatores së Heroit Kombëtar, bëri krejt të kundërtën. Sipas këtij projekti, shtatorja është afruar edhe më shumë me godinën masive të hotel “Çajupit”, duke zvogëluar kështu edhe më shumë monumentalitetin e saj. Që një vizitor vendas apo i huaj, të bëjë sot një foto kujtim parpara shtatores së Çerçizit, pa dashur do të ketë në sfond njerëz që hanë byrek mbrapa shpinës së tij. A nuk do të ishte më mirë ajo e vendosur në qendër të sheshit?
Busti i heroinave
Në anën perëndimore të sheshit, përballë ish mapos, u inagurua para pothuajse gjysëm shekulli busti i dy “Heroinave të Popullit” Bule Naipi e Persefoni Kokëdhima. Dy heroinat, të parat vajza të varura në Europë, u egzekutuan nga pushtuesit gjermanë në sheshin e Çerçizit në vitin 1943.
Retrospektivë…
Në vitin 98 – 99, një nga degët e rrapit ku ishin egzekutuar me varrje heroinat, u thye nga era. Disekulibri që krijoi thyerja e saj, dhe rreziku në ritje i rrëzimit të pjesës së mbetur, nxiti marjen e vendimit nga ana e Bashkisë, për ta prerë fare rrapin. Gjesti i saj ndoshta u paragjykua, por ajo mori masa duke mbjellë një filiz të ri rrapi, duke e ruajtur kështu më së miri simbolikën e ngjarjes më drithëruese të kohës.
Sot…
Projekti i ri i zbatuar në shesh së fundi, e eliminoi përfundimisht këtë objekt simbol,
BETONIZIM APO GJELBËRIM
Projekti i çdo ndërtimi që bëhet sot, ka një kërkesë ligjore që nuk duhet anashkaluar. Kjo ka të bëjë me vendin që zë sipërfaqja e gjelbëruar në raport me atë të ndërtuar. Sfida e projektit të sheshit nuk duhej të ishte thjesht ndërtimi i parkingut të nëndheshëm, por edhe ruajtja e asaj kurore të gjelbërt që e zbukuronte atë dikur. Njëzetë e pemë dekorative pranë stolave dhe rrapi i heroinave tani nuk janë më. Sëmundja e “betonizimit” duket se e ka prekur edhe qytetin e gurit. Stolat – bedena të ndërtuara tërësisht me gur, janë zëvendësuar nga një mur i gjatë betoni. Edhe një apo dy sipërfaqe të gjelbëruara në qendrën muzeale, janë veshur me pllaka. Njeri prej projekteve ku ka ndodhur kjo, është i Skënder Luarasit, këtij arkitekti brilant i cili përmes godinave të projektuara në Gjirokastër, na la në fakt një shkollë arkitekture që duhet shfrytëzuar. Sa keq të cënosh pas gjysëm shekulli projektin e këtij mjeshtri të arkitekturës. Por diçka u “huazua” nga projektet e tij gjithsesi. Në projektin e ri të parkingut të paktën u përdorën harqet. Ato duket sikur kanë zbritur vërtetë nga kështjella në godinën e Bashkisë, pastaj thjesht si reliev në fasadën e murit mbajtës poshtë saj, e më në fund në dritaret e parkingut poshtë sheshit të Çerçizit.
FLAMURI KOMBËTAR
Përpara se të mbaronte mandatin e tretë të kryetarit të bashkisë, Flamur Bime vendosi në shesh një shtyllë gjigande në krye të së cilës valvitej flamuri ynë kombëtar. Dikush me humor më tha një ditë; E di pse e vendosi këtë flamur, Bimja? Dhe përgjigjen e dha po vetë aty për aty: Që të mos e harrojnë njerëzit kurrë. Do thonë; flamuri që vuri Flamuri. Në fakt motivet ishin krejt të tjera. Mendoj se ishin dy: Në sheshin e Çerçizit zhvillohen ceremonitë më të rëndësishme në qytet. Ato nuk mund të zhvillohen pa prezencën e simbolit kombëtar, flamurit kuq e zi. Kanë qënë të shumta festimet e Ditës së Shpalljes së Pavarësisë që janë zhvilluar thjesht me homazhe para bustit të Çerçizit. Vendosja e flamurit kombëtar në shesh i dha ceremonisë tjetër vlerë: i dha ritin e ngritjes së flamurit dhe nderimit të tij. Por kishte edhe një arsye tjetër. Në hyrje të sheshit ndodhet Konsullata Greke. Kushdo që vjen në Gjirokastër përballet së pari me flamurin e shtetit fqinj dhe jo me atë kombëtar. Sigurisht që kjo në një farë mënyre duhej korigjuar. Nuk gjen në asnjë vend të botës një qytet, në hyrje të sheshit qëndror të të cilit, të valvitet një flamur i huaj dhe të mungojë ai kombëtar. A do të rivendoset flamuri Kombëtar në sheshin e qytetit?!
GJELBËRIM APO MASKIM
Ndryshe nga 90 vjet më parë, kur Bashkia qëndronte në sheshin e qytetit, ajo në vitet e demokracisë, u vendos në ish godinën e Komitetit të Partisë, në kodrën e “Bendos”. Gjelbërimi i ambientit përpara saj, i trajtuar fare pak, e ka përfshirë atë brenda pyllit të gjelbërt që zbret që nga kalaja. Në se në kuadër të Luftës së Ftohtë, Komiteti i Partsë kishte si detyrë edhe maskimin, si element mbrojtës ndaj një institucioni të rëndësisë së veçantë, (ku u ndërtua edhe tuneli i Luftës së Ftohtë), Bashkia sot nuk e ka një arsye të tillë. Arkitektura e saj e mrekullueshme fatkeqësisht qëndron e fshehur mbrapa pishave gjigande të cilat e kanë kryer “misionin”. Rrënjët e tyre kanë kohë që janë kthyer në shqetësim. Ato po ç’vendosin pak nga pak shkallët që të ngjisin drejt këtij institucioni publik. A ka ardhur koha të vihet dorë në këtë kurorë të gjelbërt 50 vjeçare? A ka ardhur koha që kjo arkitekturë e mrekullueshme të bëhet e prekshme për syrin e mijra vizitorëve që zgjedhin Gjirokastrën si destinacion turistik? Rishfaqja e plotë e saj, shoqëruar nga investimi i fundit në sheshin e Çerçizit, do ta pasuronte edhe më shumë panoramën arkitekturore të qytetit të UNESKOS.