Share This Article
Nga Ilirjan Lluri
Urimet për datëlindjen e shkrimtarit më të madh shqiptar, gjirokastritit Ismail Kadare, më kujtuan padashur, urimet e munguara për 100 vjetorin e bibliotekës së Gjirokastrës një vit më parë. Kjo për faktin e thjeshtë se, i vetmi urim që nuk mungoi, ishte urimi i tij. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Vepra e tij e parë “Frymëzime djaloshare” u bë pjesë e fondit të saj në vitin 1954 kur 18 vjeçari Kadare ishte maturant në Liceun e qytetit.
SHTATA E TRETË NË QYTET
Jam i sigurtë se pavarësisht stilit dhe formës artistike të përdorur nga autorë të ndryshëm për përshkrimin e arkitekturës së ndërtimit të qytetit, dy ndërtime do të kenë gjithmonë një vend të veçantë brenda tyre dhe brenda ç’do guide turistike. Ato janë monumentet “shtatë kronjtë” e lagjes Meçite dhe “burgu i shtatë penxhereve” në kalanë e qytetit. Askush nuk mund ta imagjinonte se shtata e tretë do të lidhej me emrin e Kadaresë. Lajmin për të e dha botuesi Bujar Hudhri ditën e mërkurë të 17 majit të vitit 2023. Ndryshe nga dy shtatat e tjera, kjo shtatë e re, nuk lidhej me konstruktin ndërtimor të qytetit dhe monumentet e tij, por me “konstruktin” e shpirtit njerëzor. Shtatë dekada krijimtari të Ismail Kadaresë ishin mbledhur në shtatë vëllime, ku secili prej tyre përfaqëson 10 vjetë krijimtari të autorit. Shtatë vëllimet e Kadaresë apo shtata e tretë e qytetit erdhi si dhuratë për dy pëvjetorë të rëndësishëm: – 100 vjetorin e themelimit të bibliotekës së qytetit dhe – 100 vjetorin e thmelimit të Liceut të Gjirokastrës, të liceut ku Kadare nisi rrugën e profesionit të shkrimtarit. Madje sipas botuesit të “Onufrit” Hudhri, vetë Kadare njeh si shkrim të parë të tij por të pabotuar më parë, atë me titull; “Në dheun e panjohur” e cila në faqen e parë të dorshkrimit mban datën 8 tetor 1953, kur Kadare kishte filluar vitin e maturës në Lice. “Mjeshtrat e ndërtimit” të qytetit të gurtë, Gjirokastrës, e kanë marrë vlerësimin e tyre me pranimin e saj në UNESKO. “Mjeshtri i krijimit”, Kadare, dhe bashkë me të, të gjithë ne dashamirësit, jemi në pritje të akordimit të çmimit “Nobël” për të.
VITI I MBARË 1923
Viti 1923 mbetet një nga vitet e mbara për Gjirokastrën. Themelimi i Liceut francez në këtë vit u parapri nga dy ngjarje të tjera që përcaktuan në një farë mënyre fatin e vetë liceut;
- 100 vjetori i rithemelimit të Klubit “Drita”
- 100 vjetori i themelimit të bibliotekës.
Shoqëria “Drita” e 2 dhjetorit 1920 ishte pasuese e klubit “Drita” të 1908. Dihet se vitet e pas Konstitucionit turk 1908 – 1912 u shoqëruan në fillimin e tyre me një aktivitet të dëndur në drejtim të mbrojtjes dhe përhapjes së gjuhës shqipe dhe rritjes së ndërgjegjes kombëtare. Përpjekjet e antarëve të klubit “Dtrita” të 1908 sollën edhe hapjen e shkollës së parë në gjuhën shqipe në Gjirokastër, me emrin “Liria”. Por situata e pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u shoqërua nga pushtimet e njëpasnjëshme, (greke dhe italiane), të cilat e zbehën punën e patriotëve dhe antarëve të këtij klubi, një pjesë e të cilëve, për ti shpëtuar ndëshkimit të pushtueve, morën rrugën e mërgimit.
SHOQËRIA “Drita” 1920
Pas fitores së Luftës së Vlorës, një pjesë e mirë e patriotëve të emigruar u rikthyen në vendlindje. Është pikërisht kjo koha, kur Klubi “Drita” i 1908 zëvendësohet nga Shoqëria “Drita” 1920. Pavarësisht këtij riorganizimi, shoqëria “Drita” rruajti pothuajse të njëjtën kanonizmë (rregullore) si ajo e para dymbëdhjetë viteve. Në se Klubi “Drita: 1908 hapi shkollën e parë shqipe “Liria”, Shoqëria “DRITA” e 1920 dha kontributin kryesor në hapjen e Liceut Francez të Gjirokastrës. Antarë të kësaj shoqërie ishin personalitetet më të shquara të kohës. Integrimi i të huajve në shoqërinë gjirokastrite, kalonte përmes vlerësimit apo pranimit në rradhë të parë nga kjo përfaqësi elitare. Në varësi të qëndrimit të saj, përcaktohej madje edhe qëndrimi që do të mbanin banorët e qytetit dhe vetë pushteti vendor. Antar i kësaj shoqërie ishte edhe kryetari i Bashkisë, Javer Hurshiti dhe funksionarë të tjerë vendorë.
FOTOGRAFIA NJË SHEKULLORE
Pas hapjes së Liceut Francez të Gjirokastrës, Kryesia e Shoqërisë “Drita” i shpalli mësuesit francezë, antarë nderi të saj. Ky moment historik ka mbetur i memorizuar në një fotografi në oborrin e selisë së Shoqërisë, e cila ka qenë e vendosur aty ku sot ndodhet Obelisku i qytetit. Fotografia madje mban përsipër edhe vulën e shoqërisë “Drita”. Ajo është një vulë e rrumbullakët në sipërfaqen e së cilës në formë harku janë shkruar fjalët: Shoqëria – lart dhe Gjinokastër – poshtë. Në qendër me gërma kapitale është shkruar emri i shoqërisë, “Drita” dhe poshtë viti 1923. Vula në pjesën e saj të pasme ka edhe emrin e artizanit i cili e ka prodhuar. Ajo është realizuar në Tiranë nga duart e mjeshtrit Mehmet Daja. Në mungësë të fotografive nga dita e parë e hapjes së Liceut në 5 nëntor 1923, kjo fotografi është fakti i vetëm i ceremonialit zyrtar të mirseradhjes së profesorëve francezë në Gjirokastër, dhe pranimit të tyre si antarë nderi të shoqërisë. Ajo ishte shoqëria më e njohur dhe më me influencë e kohës. Në këtë moment historik ajo drejtohej nga patrioti Beso Gega.
BIBLOTEKA E PARË
Tre vjet pas riorganizimit të Shoqërisë “Drita” u themelua edhe biblioteka e parë në qytet. Njoftimi i parë publik për hapjen e saj nga Shoqëria “DRITA” u dha në muajin Prill 1923. Salla e parë e saj u ngrit pranë selisë së shoqërisë dhe shfrytëzonte atë ambient, ku sot ngrihet hotel “Kekezi”. Biblioteka e Gjirokastrës u largua prej andej kur përfundoi ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në vitin 1960. Por prishja e këtij institucioni kulturor dhe fillimi i zbatimit të projektit të vendosjes së bustit të Enver Hoxhës në këtë vend, u shoqërua edhe me transferimin e Bibliotekës. Ajo u vendos në lagjen “Varrosh”, në godinën kur dikur funksiononte shkolla e djemve “Ndre Mjeda”. Aty ndodhet edhe sot.
LIBRI I PARË I BIBLIOTEKËS
Ne nuk jemi në gjëndje të flasim sot për librin e parë në gjuhën shqipe me të cilin nisi inventarin e saj kjo bibliotekë, por e dimë që titujt e librave që pasuruan raftet e saj, ishin të lidhura me botimet e pakta në gjuhën shqipe që realizoheshin në atë kohë. Sot fatmirësisht njeri prej këtyre botimeve është pjesë e fondit të saj. Është drama e Viktor Eftimiut “Nusja e Kuqe” e shtypur në Bukuresht. Sipas informacioneve, ai është libri i dhjetë që vinte përmes asaj që quhej “Bibloteka Albania”. Unë nuk munda të dokumentoj dot të nëntë librat që kishin parë dritën e botimit më parë, por drama e Viktor Eftimit e panjohur për shumëkënd, mban mbi shpinë edhe vitin e botimit të saj, 1923. Por biblioteka u pasurua ndjeshëm edhe me librat e sjella nga gjirokastritët që ushtruan detyra e funksione në vise të ndryshme të Perandorisë Osmane.
PLAGOSJA E LIBRIT
Viti i mbrapshtë 1997 veç të tjerash, solli edhe zaptimin e një pjese të institucioneve apo godinave shtetërore. Parrullat e shkruara në fasada godinash që mbanin emrat e fshatrave rrotull qytetit; “e zënë Kardhiq” apo e “zënë Picar”, mbinë si kërpudha pas shiut. Për të qënë realist, një pjesë e tillë parullash u shkruan edhe nga disa gjirokastritë të cilët gjetën shesh, për të bërë përshesh. Një përpjekje e tillë zaptimi ndodhi edhe me godinën e bibliotekës, por fatmirësisht nuk u finalizua dot. Ishte familja Çakalli ajo që i doli në mbrojtje këtij institucioni të rëndësishëm të qytetit, duke shpëtuar me mijra tituj librash, e bashkë me to edhe sakrificën e dhjetra punonjësve të saj në vite. Kjo familje nuk la të humbte pa nam e nishan, kontributi i dhjetra dhuruesve, të cilët e kanë pasuruar në vite fondin e saj me libra të falur nga biblotekat e tyre personale. Por nuk ishte thjesht dhe vetëm akti i tentimit të kthimit të shtëpisë së librit, në banesë familjare, plaga morale që la koha e anarkisë në Gjirokastër. Ky akt i turpshëm, u shoqërua edhe me “plagosjen” e njerit prej librave të saj. Ndryshe nga plagosja e një njeriu, e cila është e njëkohëshme, në plagosjen e një libri përfshihen simbolikisht njëherazi të tria kohët; e shkuara e tashmja dhe e ardhmja.
POEZIA – “Titull Nderi”
Në librin e tij me titull “Dheu njerëzor”, autori gjirokastrit Gentian Çoçoli i ka kushtuar një poezi shpëtimit të librave të bibliotekës së qytetit në vitin 1997. Ishte koha kur drejtori i saj Petraq Qurku, u detyrua të flinte brenda ambienteve për ta shpëtuar këtë pasuri të paçmuar të qytetit. “V. 1997”, ky është titulli i poezisë e cila shoqërohet nga ky shënim i autorit:
Në vitin 1997 biblioteka e Gjiroksatrës u rrezikua të bastisej nga disa të panjohur, të armatosur. Shpëtoi falë heroizmit të drejtorit të atëhershëm, Petraq Qurku dhe disa banorëve aty rreth. Atyre ua kushtoj:
V. 1997
“Me pushkën pa plumb në dorë, i prisja të vinin
Njëqind mijë libra vënë krah meje, shtrëngonin rradhët
Kapluar nga një frikë e kuqërremë, flakëruese
Mora kot në shenjë një si yll – Saturnin, për hir të armës
Në heshtjen e oborrit, dhashë shenjë tip (Ed Harris tek Snajperi)
Me një lëvizje boshe libri, ç’më kapi dora
Që më shumë qe shpend, se dorë që dridhej
Pas një katraure, plumbash, xhamash, klithmash, ngjirjesh
Si të binte në çast, tërë ajo kreshtë unazash, kuturu, me librin mbi kokë
të shpuar e qorruar tej e tej nga një plumb syçelë,
pluhur qetësues gëlqereje mi mbronte tiparet për më vonë
u ngrita pastaj gjunjë – prerë, e prej një ngazëllimi kallp
që më shkelmonte barkun si birth, e vura nën sqetull atë libër
e një çast bëra të dal me vrik jashtë me idenë fikse:
t’ia shpija atë libër autorit, vetë unë, bash në dorë”
Ngjarja e 100 vjetorit të themelimit të bibliotekës së qytetit duhej të ishte festuar madhërishëm. Brenda këtij festimi do të kujtoheshin e vlerësoheshin jo vetëm themeluesit dhe kontribuesit e pasurimit të fondit të saj, por edhe ata drejtues e punonjës që e shpërndanë librin tek lexuesit dhe restauruan plot përkushtim librat e dëmtuar nga koha dhe keqpërdorimi. Në këtë vlerësim fatkeqësisht të munguar, do të duhej të përfshihej edhe familja e nderuar Çakalli, e cila në kohën kur prona e përbashkët u la në mëshirë të fatit, ajo me guxim doli në mbrojtje të saj. Duke mbrojtur bibliotekën në prag të shtëpisë së vet, ajo mbrojti edhe dinjitetin e qytetit të dijes dhe të librit, Gjirokastrës sonë. Po kaq i vlerësueshëm mbetet edhe gjesti i ish drejtorit të saj, Petraq Qurku. Si dëshmi e asaj kohe, në raftet e bibliotekës një nga librat e shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli, ka mbetur i “plagosur”. Ai është i tejshpuar nga plumbi i një nate marsi 1997. Poeti Gentian Çoçoli si ta parandjente këtë indiferentizëm të pafalshëm të pushtetit vendor në vite, për të vlerësuar aktin e mbrojtjes së “jetës” së librave, nga familja e nderuar Çakalli dhe drejtori Petraq Qurku, ju dha atyre një çmim shumë më të lartë dhe plotësisht të merituar nga ç’mund të kishte dhënë Këshili Bashkiak i qytetit; poezinë me titull “V.1997”.
BIBLOTEKA “APOSTOL MEKSI”
Vendosja e emrit “Apostol Meksi” bibliotekës së qytetit disa vite më parë befasoi shumë nga banorët e tij. Shumë pak intelektualë dhe qytetarë kishin dijeni për aktivitetin e tij. Por pavarësisht respektit dhe konsideratës për aktivitetin e tij në dobi të gjuhës shqipe, jam i sigurtë se, në se do të kërkohej një mendim nga opinioni publik, emri i bibliotekës do të ishte krejt tjetër. Ai nuk do ti takonte të shkuarës, por të sotmes. Pa dyshim opinionet do të fokusoheshin në emrin më të madh shqiptar të të gjithë kohrave, shkrimtarit gjirokastrit Ismail Kadare. Në raftet e Bibliotekës Kombëtare dhe lokale ai është autori që përfaqësohet sot me më shumë tituj librash nga të gjithë autorët shqiptarë dhe të huaj. Libri i tij i parë “Frymëzime djaloshare”, zuri vend në bibliotekën e qytetit kur ajo ndodhej tek kompleksi “Obelisk”, aty ku e kishte vendosur shoqëria “Drita”. Sot është shumë domethënës fakti që biblioteka është vendosur në një godinë pranë shkollës ku ndoqi mësimet e shkollës fillore Kadare, dhe në të njëjtën lagje ku ndodhet edhe shtëpia e tij e lindjes, në lagjen “Varosh”. A do të marë në të arthmen biblioteka e qytetit emrin e shkrimtarit më të madh të të gjithë kohrave, gjirokastritit Kadare? Për këtë jam më se i sigurtë.
DHURATA E DITËLINDJES – LIBRARIA KADARE
Kompleksi muzeal “Qafa e Pazarit” ka pasur dikur dy librari. E para dhe më e frekuentuara ndodhej në rrugën kryesore të qëndisur me motiv. Ajo ishte libraria e librashitësit të njohur, Alizot Emiri. Tjetra ndodhej në rrugën që zbret nga “Qafa e Pazarit” në drejtim të klubit të pleqve, ku punonte librashitsja Drita. Tashmë ndoshta mbushen 25 vjet që qendra muzeale e qytetit nuk ka asnjë të tillë. Fatkeqësisht duke u trajtuar ashtu si gjithë mallrat e tjerë, libri ka sot më pak lexues. Gjithmonë e më pak njerëz i hedhin sytë drejt “ushqimit shpirtëror”. Por pavarësisht kësaj, qyteti i dijes, Gjirokastra e ka për detyrë të rikthejë në pjesën muzeale një librari. Në shenjë mirënjohje për shkrimtarin e dalë nga gjiri i saj, ajo duhet të marë emrin “Libraria Kadare”. Megjithëse Bashkia e qytetit në vitin 2000 e ka vlerësuar Kadarenë me titullin “Nder i qytetit” dhe emrin e shkrimarit e ka sot edhe një nga rrugët e tij, është e pafalëshme që në zonën muzeale, qytetit të dijes ti mungojë libraria me emrin e shkrimtarit.
Një nga asetet më të rëndësishme të qytetit është shtëpia e shkrimtarit e kthyer pas restaurimit të fundit në muze. Vizitorët pyesin se ku mund të gjejnë librat e Kadaresë? Megjithëse librat e tij mund ti blesh në ç’do qytet të Shqipërisë apo vend të Europës, ai më shumë se kudo do të vlerësohej në se do të blihej në vendlindjen e tij. Ky do të ishte suveniri më i çmuar që do të mernin nga Gjirokastra të gjithë lexuesit dhe admiruesit e Kadaresë dhe Gjirokastrës. Që pas festimit të 80 vjetorit të lindjes së shkrimtarit, ku u inagurua rindërtimi i shtëpisë së tij të lindjes, Kadare ka marë nga vendlindja thjesht urimet: Edhe 100! Hapja e librarisë Kadare në kompleksin muzeal “Qafa e Pazarit” do të ishte dhurata më e çmuar që jo vetëm shkrimtari, por dhe banorët e qytetit do të mernin në 88 vjetorin e lindjes së tij. Financimi i rikonstruksionit të ambientit nga TID dhe suporti që do të mund të jepte Bashkia e qytetit për qeranë e ambientit, do ta zgjidhnin lehtësisht këtë propozim që na nderon të gjithëve.
MBYLLJE
Në një situatë pas zgjedhore, në dyert e bibliotekës së qytetit “Apostol Meksi”, u shfaq një nga fituesit, një nga zyrtarët e rinj të emëruar. Me një ton urdhërues ai ju drejtua punonjëses që ndodhej aty: – mbushma me libra! Por çanta i mbeti varur për disa sekonda në dorën e tij të shtrirë. Ato sekonda në ato momente ngjanin si orë. Ky episod më kujtoi padashur ngjarjen e vitit 1997. Ashtu si atëherë libri përsëri po ndihej i rrezikuar. Kësaj here nuk ishte kallashnikovi, por kollarja e pushtetit. Gjirokastrës, qytetit ku lindi Ismail Kadare, një pjesë e rëndësishme e veprës së të cilit flet pikërisht për të, i takon të jetë gjithmonë në pararojë jo vetëm të vlerësimit të shkrimtarit por edhe në mbrojtje të jetës së librave në ç’do kohë. Nuk është e padëgjuar; Ç’do kohë ka armiqtë e saj të dijes, të librit.
Ilirjan Lluri Michigan 28 janar 2024