Share This Article
Në kuadër të 100 vjetorit të mardhënieve SHBA – Shqipëri.
Hysen Hashorva – zbulimi i një historie të parrëfyer amerikane në Gjirokastër.
100 vjetori i vendosjes së mardhënieve SHBA – Shqipëri kishte kohë që më shtynte në ideimin e një aktiviteti ndryshe, larg formalizmit me të cilin përcillen shpesh ngjarjet e kësaj natyre. Dëshiroja që në qendër të këtij përvjetori, të dilnin në pah (në se kjo do të ishte e mundur), gjurmë që kishin lidhje drejpërdrejt me vendlindjen time, Gjirokastrën. Shumë shpejt u binda se isha i pari që po interesohesha për diçka kaq specifike, ndërkohë që më duhet të pohoj se, kalendari i gjurmëve amerikane në qytet ka nisur me shënimet e dy djemve gjirokastritë nga i njëjti fis, HASHORVA; Veli Hashorva, botues i gazetës kombëtare DRITA, të parës gazetë shqipe në Gjirokastër dhe mësuesi Hysen Hashorva. Në se me veprimtarinë e Veli Hashorvës më kishte lidhur festimi i 100 vjetorit të botimit të gazetës Drita dy vjet më parë (27 mars 2020), me mësuesin Hysen Hashorva u njoha përmes djalit të tij, Fatosit. Koha që ndante informacionet mbi amerikanët që kishin vizituar Gjirokastrën mes dy intelektualëve Hashorva, ishte 20 vjet.
Vizitorët amerikanë sipas gazetës “DRITA” të Veli Hashorvës.
1919, Toësend – konsulli Amerikan në Romë viziton Gjirokastrën.
1920, Përfaqësues të Kryqit të Kuq Amerikan mbritën në Gjirokastër nga Saranda.
1920, Havente – konsulli amerikan në Torino viziton Gjirokastrën
1921, Profesori E. Jones i bordit të Kishës Metodiste të Neë Jorkut viziton Gjirokastrën.
1922, Pritet të mbrijë për herë të dytë në qytet gjenerali amerikan Scriven.
Mëngjes i bekuar
Ka qënë mëngjes i bekuar ai kur pensionisti Fatos Hashorva më ftoi për një kafe në lokalin e njohur “Gjirokastra” në lagjen “Bashte e Teqesë”. Në pyetjet rutinë mbi punën, i fola mbi përpjekjet për të ideuar një aktivitet në kuadër të 100 vjetorit të vendosjes së mardhënieve mes SHBA-së dhe Shqipërisë. I gjendur në vështirësi për zbulimin e fakteve historike mbi këtë temë, e prita disi me dyshim por edhe me një gëzim të brendshëm premtimin e tij se mund të më ndihmonte përmes disa shënime të lëna në një ditar nga babai i tij, mësuesi i nderuar Hysen Hashorva. U surprizova. Tre datat që mbanin informacion mbi amerikanët që kishin vizituar Gjirokastrën i takonin viteve 1943 dhe 1945.
1943, Një grup prej 27 amerikanësh mbrijnë në Gjirokastër.
1945, Në 14 qershor erdhi në Gjirokastër një mision amerikan. U pritën nga kryetari i Këshillit
të Qarkut Haki Toska. Turma kërkoi njohjen e Qeverisë nga Aleatët.
1945, Në 22 qershor dy amerikanë shkuan nëpër të gjithë katundet e pyetën Këshillat; – sa Kv
miell e ushqime të tjera kanë marrë nga Prefektura?
Nga ky kalendar modest në dukje, unë u ndala në informacionin e vitit 1943. Shumë shpejt do të kuptoja se mbritja e 27 amerikanëve në Gjirokastër për aryse që meren me mend, ishte mbajtur e fshehtë jo vetëm gjatë kohës së Luftës, por edhe pas mbarimit të saj. Por në zbulimin e mëtejshëm të kësaj historie u bë nxitje edhe një pyetje e lindur aty për aty; – Përse edhe pas ndryshimeve demokratike në Shqipëri, askush nuk e solli në vëmedje të publikut këtë ngjarje?
Përjetimi se pas 80 viteve do të isha i pari që do të pasuroja historinë e qytetit me një ngjarje të parrëfyer mbi vizitorët amerikanë në rajon, dhe për më tepër që kjo do të ndodhte në kremtimin e 100 vjetorit të vendosjes së mardhënieve SHBA – Shqipëri, ishin motivi kryesor që më nxitën në realizimin e këtij misioni. E ndjeja veten të përkëdhelur nga fati që përmes meje banorët e Gjirokastrës dhe fshatrave përreth do të mësonin se, falë mikrpitjes së të parëve të tyre, 27 amerikanë gjetën mbrojtje dhe strehë në dimrin e ashpër të vitit 1943, ndërkohë që përpiqeshin për tu evakuuar drejt Italisë.
Hysen Hashorva – Ditar, e hënë 16 dhjetor 1943
Ngjarja për të cilën interesohesha mbante datën 15 dhjetor 1943. Ja si e përshkruan mësuesi Hysen Hashorva këtë moment në ditarin e tij;
“Prëmë erdhën këtu ora 6 e ca 30 amerikanë me gjithë disa vajza amerikane mes tyre. Këta siç meret vesh ishin nisur me aeroplan për në Itali nga Siçilia, por kaçatorët gjermanë i ndoqën aty-këtu dhe aeroplani që mbante këta vjen në Berat. Zbresin këta dhe nga Berati erdhën në qarkun tonë prëmë. Erdhën nga Sheperi dhe sot ikën për në Kurvelesh. Në Berat ju mbenë tre shoqe. Ardhja e amerikanëve këtu bëri që të qeshin fytyrat e popullit me shpresë se si erdhën këta do të vinë edhe të tjerë, d.m.th. do të zbarkojnë edhe të tjerë. Kështu do të mbaronin vuajtjet e popullit që pret nga njera ditë në tjetrën zbarkimin e tyre, por ata s’kanë ndërmënd.”
E njohur si një nga historitë e bujshme të kohës së luftës, ngjarja u vesh me mister veçanërisht pas pushkatimit nga rregjimi komunist të përkthyesit beratas që ju shërbeu amerikanëve, Kostaq Stefa. Por edhe rrëfimtarët e mëvonshëm janë përqëndruar kryesisht me kohën e qëndrimit të amerikanëve në qytetin e Beratit, duke “harruar” se zhvillimi i kësaj ngjarjeje preku edhe Gjirokastrën. Në përpjekje për tu larguar drejt Italisë amerikanët udhëtuan 62 ditë nëpër Shqipërinë e jugut duke u mbrojtur, fshehur dhe ushqyer nga partizanët dhe populli shqiptar. Trajtimi i kësaj ngjarjeje përpara se të jetë çështje thjesht kurioziteti, është çështje dinjiteti dhe krenarie, sepse Gjirokastra dhe disa fshatra të saj, u kthyen në strehë të sigurt për grupin e amerikanëve në dimrin e ashpër të vitit 1943. Shumë shpejt dëshmia e rrallë e Hysen Hashorvës nga mori shkas edhe ky shkrim u pasurua me disa informacione të tjera.
B. Tilman – “Atje ku njerzit dhe malet takohen”
Ja ç’farë informacioni na jep rreth kësaj ngjarjeje majori anglez Tilman (i cili aso kohe drejtonte misionin anglez në Sheper të Zagorisë) në librin e tij: “Atje ku njerëzit dhe malet takohen”
“Për problemin e 30 amerikanëve ishte njoftuar edhe presidenti SHBA, Ruzvelt i cili kishte kërkuar gjetjen dhe evakuimin e vajzave dhe djemve të mbetur në Shqipëri. Ai e monitoronte ç’do ditë situatën e tyre.
Tilman ishte njoftuar se në rrugën drejt Sheperit ishin nisur për tu evakuuar nga deti, një grup amerikanësh i përbërë nga 7 infermiere dhe 20 pastrues spitalesh. Avioni i tyre, DUGLAS për shkak të motit, u detyrua të ulet afër Beratit në 8 nëntor 1943. Hyrja e gjermanëve në qytet i detyroi amerikanët të udhëtojnë drejt Sheperit të Zagorisë për të vijuar rrugëtimin drejt bregut në përpjekeje për tu evakuuar për në Itali. Në Sheper vetëm veterani 90 vjeçar Foto Bici të flet mbi mbritjen e tyre në fshat, pa harruar të tregojë edhe shtëpinë e kushëririt të tij ku u strehuan 12 prej tyre. Një pjesë e vogël e rinisë zagorite kishin emigruar në Amerikë qysh nga vitet 1920 – 1928. Ndjenjat miqësore drejt kombit të madh kishin kohë që ishin rrënjosur në popullin e kësaj zone.
Agnna Jensen Magerich – “Arratisja shqiptare”
Për udhëtimin e amerikanëve drejt Gjirokastrës na informon edhe autorja e librit “Arratisja Shqiptare” Agnna Jensen Magerich e cila ishte njera nga dhjetë infermieret e grupit.
Ishte ditë e mërkurë 15 dhjetor 1943 kur grupi i amerikanëve nga Sheperi u nis për në fshatin Mashkullorë. Rënia e muzgut i detyroi të qëndrojnë në Gjirokastër.
…u ngjitëm drejt qytetit përgjatë disa shkallëve me kalldrëm. Kur aritëm në majë na çuan në një ndërtesë të errët. Ngjante me një shkollë fillore pasi në të kishte tavolina të vogla.
Në këtë ambient shkollor banorë të qytetit i morën amerikanët të ndarë në grupe në shtëpitë e tyre. Autorja e librit e përshkruan kështu shtëpinë gjirokastrite ku qëndroi me një nga shoqet e saj.
…Shtëpia ishte shumë më e rehatshme se ç’do shtëpi në të cilën kisha qëndruar më parë. Kishte edhe karike. Një vajzë e re e shtëpisë u shfaq me një tas me vezë dhe një tigan të madh e të rëndë hekuri. Ajo hodhi lugë të mëdha yndyre në tigan dhe theu vezët në të. Falënderova Zotin që më strehuan në një shtëpi e cila e kishte banjën brenda.
Meret lehtësisht me mënd se Jensen ka qëndruar në një nga shtëpitë e mëdha karakteristike të qytetit. Për arsye të të misionit ushtarak ajo ka qënë e detyruar të mos na lërë asnjë detaj tjetër mbi adresën e shtëpisë apo emrin e të zotit të saj.
Në mëngjesin e dt 16 dhjetor në orën 9.15 minuta grupi i amerikanëve nga Gjirokastra u nis drejt fshatit Zhulat. Përgjatë rrugës ndeshën rrënoja dhe tym në fshatin Mashkullorë. Ndoshta rastësi po pikërisht një natë më parë në këtë fshat, kishin qënë gjermanët të cilët pasi ju kishin marrë banorëve ushqime, pesë pula dhe dy dhi, ju vunë zjarrin shtëpive nga brenda. Pas tre orë e gjysëm ata mbritën në fshatin Zhulat.
Qëndrimi në Zhulat ishte më komodi. Në shtëpi kishte mangall me qymyr dhe shtretër të vërtetë. Në Zhulat shijuam patatet e para të skuqura që pas mbritjes në Shqipëri.
Në përpjekje për tu evakuuar amerikanët udhëtuan drejt Progonatit.Për shkak të situatës ata nuk e vijuan rrugën për në Kuç. U kthyen mbrapsht dhe u vendosën në Dhoksat.
Krishtlindjet – amerikanët që festuan në një fshat të krishterë
Në 23 Dhjetor 1943, amerikanët u strehuan në fshatin Dhoksat të krahinës së Lunxhërisë.
Ata e kaluan festën e Krishtlindjeve të gjithë bashkë në shtëpinë ku ishin strehuar pilotët e tyre.
Ashtu si rruga që të çonte aty, edhe shtëpia ku qëndronin pilotët ishte e errët.
…Dhoma ku do të festonim u zbukurua me një degë të vogël bredhi që e vendosëm mbi një tavolinë. Mbi bredh vendosëm copëza kordele të kuqe në formë harku.
Ishin amerikanët e parë që po i kalonin Krishtlindjet në një fshat të krishterë të Gjirokastrës. Ata kënduan në grup shumë këngë.
Ceremonia në kishën e Dhoksatit
Disa nga amerikanët ndoqën edhe ceremoninë e organizuar për Krishtlindje në kishën e vogël të fshatit, ku at Jani Teli i shoqëruar nga ndihmësit e tij predikoi në shqip dhe greqisht. Disa muaj më vonë prifti u vra nga ballistët. Në mëngjesin e ditës së premte të 25 dhjetorit amerikanët ndoqën me dylbi nga dritaret e shtëpive të Dhoksatit automjetet gjermane që hynin në Gjirokastër, duke u habitur se si mund të hynin makinat në atë qytet me rrugë të ngushta.
Fusha e aviacionit Gjirokastër
Në 29 dhjetor pas një jave qëndrimi në Dhoksat, amerikanët u bënë gati të udhëtonin drejt Gjirokastrës. Pas dhjetë ditësh kjo ishte e para herë që kushtet e motit lejonin një pamje të qartë që ju mundësonte evakuimin. Sipas njoftimeve nga qendra operacionale, pikërisht atë ditë një apo dy avionë C- 47 do të vinin për ti evakuuar. Drejt fushës së aviacionit amerikanët u shoqëruan nga kryeplaku i fshatit Dhoksat Nako Puleri dhe nga djaloshi korier Foto Prifti. Para se të hypi në avion do të puth tokën shqiptare, deklaroi njeri nga amerikanët e grupit. Sipas planit të hartuar katër burra do të shtriheshin në njërin kënd të fushës së aviacionit duke vendosur mbi trup shirita të verdhë të parashutave që të mund të shiheshin nga pilotët.
21 avionë mbi qiellin e Gjirokatrës
Ja si e përshkruan autorja Jensen, mbritjen e avionëve të evakuimit.
Papritur tre P-38 u futën poshtë mbi fushën me bar. Njëri fluturoi drejt dhe dy të tjerët fluturuan në drejtime të kundërta – njeri mbi Gjirokastër dhe tjetri mbi kokën tonë.
Kjo është dëshmia e parë kur mbi qiellin e qytetit të Gjirokastrës fluturuan njëkohësisht njëzetenjë avionë: 18 prej të cilëve ishin LAJTNINGS, një UELLINGTON dhe dy DUGLLAS. Gjithçka ngjante me një spektakël ajror. 21 avionë për të evakuuar 27 persona. Mbi Gjirokastër fluturonte një bombardues. Por avionët C- 47 u larguan ashtu siç kishin ardhur, duke fluturuar ulët nëpër luginë. Evakuimi i amerikanëve dështoi. Gjatë kohës që amerikanët po prisnin evakuimin, tre kamionë dhe një makinë e armatosur gjermane kishin zbritur nga Gjirokastra dhe ishin vendosur në rrugën kryesore pranë fushës së aviacionit. Pikërisht për këtë arsye majori Tilman anulloi planin e evakuimit.
Viti i Ri 1944
Viti i Ri 1944 i gjeti amerikanët përsëri në fshatin Dhoksat. Por kjo mbeti një natë e trishtë. Aty rreth zjarrit të dimrit në natën e ndrimit të viteve ata ëndëronin familjet e tyre mijra kilometra larg nga Shqipëria, pa pasur mundësi të dërgonin së paku një kartolinë urimi.
Saraqinishta – streha e fundit e amerikanëve në Gjirokastër
Në ditën e dytë të Vitit të Ri 1944 në orën 13.30 amerikanët mbritën në fshatin Saraqinishtë. Dy nga familjet që i strehuan ata janë familjet Neti dhe Boga.Tetëdhjetë e pesë vjeçarja, Froso Boga na sjell një detaj interesant. Në familjen e saj, infermjeret amerikane ndihmuan në lindjen e vogëlushes Polikseni. Praninë e amerikanëve në Saraqinishtë e dinin edhe banorët e fshatit Tranoshishtë. Kjo jo vetëm se përkthyesi i amerikanëve, Pano Dusha ishte nga ky fshat, por edhe sepse kryetari i Këshillit ju jepte letra fëmijëve – korierë ti shpërndanin në fshatrat përreth. – “Por si të gjithë fëmijët ne grindeshim kush të shkonte në Saraqinishtë për të parë nga afër amerikanët, pohon veterani 90 vjeçar Qëndro Qurku”. Në fshatin Saraqinishtë amerikanëve ju erdhi njoftimi për evakuim. Kësaj here misioni përfundoi me sukses. Ishte data 6 janar 1944. Përjetimi i këtij suksesi mund të ndjehet edhe sot përmes një fotoje të realizuar nga infermjeret amerikane pas mbritjes së tyre në Bari të Italisë. Mbi këpucët e tyre ushtarake janë gdhendur jo vetëm gjurmët e ashpra të maleve shqiptare, por edhe gjurmët e pragjeve të portave të shtëpive tona, ku ata u pritën si miq të vërtetë, ndërkohë që në fytyrat e vajzave nëntogere, ndihet triumfi i mbijetesës njerëzore, pas këtij rrugëtimi të gjatë që griu dhe hekurin e vënë në shojet e këpucëve të tyre.
Kartolina e “vonuar”
- Dhoma ku do të festonim u zbukurua me një degë të vogël bredhi që e vendosëm mbi një tavolinë. Mbi bredh vendosëm copëza kordele të kuqe në formë harku.
Festave të fundvitit të kaluara nga amerikanët në Dhoksat të Gjirokastrës në 1943 ju mungoi vetëm kartolina. Është kjo arsyeja që në festat e fundvitit 2022 ky shkrim shpresoj ti ngjajë më shumë vërtet një kartoline. Një kartoline që u “nis” drejt SHBA 79 vite më parë, por që kushtet e Luftës e lanë të fshehur diku, sirtarëve të zyrave postare të kohës. Më mirë vonë se kurrë, thotë populli. Ajo do të mbrijë në destinacion në vigjilje të 80 vjetorit të kësaj ngjarjeje 1943 – 2023. Veç familjarëve të 27 amerikanëve që u strehuan në Gjirokastër ajo do tu shkojë edhe pasardhësve të autorëve Tilman e Jensen. Por mbi të gjitha ajo do t’ju shkojë edhe pasardhësve të ish mësuesit të nderuar Hysen Hashorva dhe fëmijve të mikut tim pensionist Fatos, të cilët sot jetojnë në SHBA. Ky është gjesti më modest falënderues për pasurimin e trashëgimisë historike të qytetit me një ngjarje krejtësisht të panjohur më parë. Është e natyrshme që pas një vonese kaq të gjatë, kartolina të ketë mbi vete edhe një urim tjetër të madh:
Gëzuar 100 vjetorin e mardhënieve SHBA – SHQIPËRI!
Mbështetur në: “Fletë ditari” – Hysen Hashorva”
“Arratisja Shqiptare”- Agnna Jensen Magerich
“Atje ku njerëzit dhe malet takohen”- B. Tilman“
Ilirjan lluri