Share This Article
Nga Ilir LLuri
Vrasja e Avni Rustemit 1924 – 2024
Vrasja e dy amerikanëve 1924 – 2024
Gjyqi i parë ndaj një politikani shqiptar
KRISMA E PARË E LUFTËS SË VLORËS
Kur atdheu po coptohej
Dhe kish humbur ç’fardo shpresë
Kur dhe kombi ish përfytur
Përpëlitej si një shpesë
Kur vullneti kombëtar
Ish i shembur, i dërmuar
Del gjahtori, shkrep mbi djallin
Befas shkrepet drit’ e shquar
Këto vargje brilante kanë gdhendur aktin heroik të vrasjes së Esat Pashë Toptanit nga Avni Rustemi.
Heronjtë lindin në një shekull. Ishte e thënë që Avni Rustemi kishte lindur me atë detyrë të shenjtë. Ai pati fatin e bardhë të zhdukë frikën e zezë.
Kështu do të shkruante Veli Hashorva pas dy krismave të Parisit në mesditën e 13 Qershorit 1920, ku u “shtri” përdhe ana e zezë e fatit të Shqipërisë. Vlerësimin për aktin e Avni Rustemit ai e mbyllte me fjalët:
I dashuri Avni, s’kam si t’ju mburr veçse t’ju përunjem botërisht, duke e çmuar atdhetarinë tuaj, që ju fali atë guxim dhe lartësove emrin shqiptar përpara botës.
Në kujtimet e tij Hashorva nënvizon edhe faktin se Avniu ishte i bindur që vrasja e Esatit nuk e kishte shpëtuar përfundimisht Shqipërinë nga rreziku.
PËRSE AVNIU NUK E VRAU AHMET ZOGUN
Vrasja e Esatit nuk e kishte bindur Avni Rustemin, se të gjitha pengesat ishin larguar nga rruga e shpëtimit të Shqipërisë. Në kujtimet e tij Veli Hashorva pohon se:
Dukej se Avniu e kish vendosur me vete se Zogu duhej zhdukur për të mirë të Atdheut. Ai një ditë më pat thënë: – Po të mos kisha vrarë Esat Toptanin, vetë do t’ja drejtoja koburren Ahmet Zogut. Ai nuk e dëshironte një vrasje të dytë, që të mos quhej vrasës profesionist. Ndoshta për këtë gjeti Beqir Valterin, i cili nuk qëlloi i zoti ta qëllonte Zogun në zemër.
Atentati i dështuar ndaj Zogut u bë në 23 shkurt 1924. Ditën e atentatit, Veli Hashorva qëndronte në tavolinë me Avni Rustemin. Madje kur deputetët, nga restoranti ku qëndronin u nisën drejt sallës së parlamentit, me ata të dy u bashkua edhe Bahri Omari. Krismat e armës së Beqir Valterit mbi Zogun, tronditën sallën e Parlamentit shqiptar. Në këmbim të rrëfimit për të vërtetën Zogu e fali atentatorin. I frikësuar nga organizimi i një komploti të ri, ai filloi të thurrë planin për vrasjen e Avni Rustemit. Sipas Hashorvës,
Zogu ishte i bindur se pasi të vriste Avni Rustemin, do të flinte rehat, mbasi nuk kishte njeri më si Avniu që ti prishte gjumin.
Por përpara kësaj vrasjeje, Zogu nxiti një akt vrastar të pashembullt në historinë e Shqipërisë…
VRASJA E DY AMERIKANËVE
Prilli i 1924 hyri me një ngjarje tronditëse për Shqiptarët. Ishte ngjarja e parë kur dikush theu “mitin e besës shqiptare”. Në datën 6 prill të vitit 1924 në Mamuras u vranë dy shtetas amerikanë; Coleman, djali i një amerikani të pasur nga Kalifornia, dhe George De Long nga New Yorku. Në vendgjarje mbeti i plagosur edhe shoferi i tyre Lluka Roskoviç. Ngjarja e rëndë u shoqërua nga kjo deklaratë:
“Qeveria Shqiptare është e bindur se ky krim është bërë me qëllim politik, për të na diskretituar përpara të huajve”. Populli shqiptar e përcolli përmes dhimbjes së thellë humbjen e jetës së dy tregëtarëve amerikanë. Pesë mijë vetë e pritën në Tiranë makinën ku u transportuan trupat e tyre. Asambleja Kombëtare mbajti 5 minuta zi në nderim të dy viktimave të pafajshme.
QËLLIMI I VRASJES DHE AUTORËT
Vrasësit ishin katër vëllezër nga “Mali i Bardhë” dhe vinin nga një familje e pasur. Ishin djemtë e Ram Tuf Likës; Demiri, Veliu, Cani e Shabani. Ata kishin rrëmbyen valixhet, varset e floririt dhe kuletat e amerikanëve. Por pavarësisht aktit të plaçkitjes, qëllimi i vrasjes nuk ishte grabitja. Ajo kishte qëllim politik. Gjatë një përpjekje me armë në “Malin e Bardhë” në datën 8 prill, forcat e xhandarmërisë kishin asgjësuar tre prej tyre. I katërti Shabani, mundi të arratisej.
Prishja e qetësisë publike
Qëllimi ishte që i arratisuri Bazi Canit të siguronte influencë për zgjedhjet e ardhshme në funksion të një politikani, i cili në këmbim do t’i falte kriminelit lirinë. Amerikanët u vranë për të diskretituar Qeverinë e Nolit, si të paaftë për të vendosur rendin dhe qetësinë në vend.
PLAGOSJA E AVNI RUSTEMIT
Një javë përpara vrasjes Avniu kishte shkuar në Vlorë. Ai u kthye përsëri në Tiranë i thirrur nga miqtë që të merte pasaportën për të shkuar në Amerikë, ku do të mblidhte ndihma për organizatën “BASHKIMI”. Ditën e diel të 20 prillit duke qënë nën shoqërinë e tre personave ai u qëllua me armë nga millonai tiranas Sali Isuf Reçi. Megjithëse i plagosur, Avniu shtiu katër herë mbi vrasësin. Por millonai – vrasës mundi të largohej. Plumbi e mori Avniun në krah të majtë duke i kaluar midis brinjës 7 dhe 8. Ai i goditi mushkrinë dhe ndali mbi stomah. Me plagën e rëndë jetoi 40 orë. Avniu vdiq ashtu si jetoi, si një Hero. Atentati ndaj Avniut u gjykua në fillim si hakmarrje, për gjakun e Esat Pashës. Por më vonë u vërtetua që ai ishte viktimë e një komploti politik.
LAJMIN MBRIN NË GJIROKASTËR
Të dielën në mbrëmje në orën 9.30 Veli Hashorva mori një telegram nga Tirana ku u njoftua për plagosjen e Avni Rustemit. E dërgonte miku i tij Bahri Omari. Telegrame u dërguan edhe nga gazeta “POLITIKA” e Vlorës dhe Shoqëria “BASHKIMI” që drejtohej nga Avniu.
- Avni Rustemi u qëllua prej një Tiranasi. Plaga e lehtë. Vrasësi nuk u zu
BAHRI OMARI Tiranë 20.4.1924
- Sot në Tiranë u plagos tradhëtisht Avniu. Populli i këtushëm shumë i alarmuar. Gazeta “POLITIKA”Vlorë 20.4.1924
- Me hidhërim të thellë lajmërojmë atentatin e bamë kundra jetës dhe plagosjes të rëndë të Avni Rustemit, kryetar i Shoqërisë “BASHKIMI”, Heroit të Kombit dhe shtyllës idealizmës, prej plumbit të një dore tradhëtori. Jeta e tij në rrezik. Gjakësori në mënyrë të çuditëshme u aratis. Shoqëria “BASHKIMI” Tiranë 21.4.1924
Ja si e përcillte atmosferën e kësaj ngjarjeje miku i Avni Rustemit, gazetari Veli Hashorva;
Tani nuk kishte mbetur më dyshim. Avni Rustemi, Heroi i Kombit kish rënë viktimë e plumbit të tradhëtarit. Ç’mynxyrë o zot! Ç’ish ajo dorë që u zgjat prapa krahëve të Avniut! Avniu shtylla e idealizmit kombëtar dergjesh në një nga dhomat e spitalit të Tiranës, dergjej si burrë, dhe priste vdekjen tmerrësisht me zemër të fortë, me shpirt të qetë. Gjaku i tij i shenjtë shkruan jetën e tij, dhe rilindjen e një kombi të tërë. Zot shpëto Avninë!
Nga Gjirokastra në mes të natës u nisën dy telegrame urgjente drejt Tiranës, por përgjigjet e tyre ishin shumë trishtuese. Avniu kishte fare pak shpresë.
GJIROKASTRA NË ANKTH
Pas përhapjes së lajmit populli i Gjirokastrës u mblodh ditën e hënë në një meting në mes të tregut të qytetit. Janë brilante fjalët e gazetarit Veli Hashorva drejtuar popullit, ku ankthi dukej sikur mbante pezull ç’do frymëmarje njeriu;
Aleksandri i Madh kur vizitoi varrin e Akilit thirri: Lum ti o Akil që gjete një Homer, i cili këndoi për trimëritë e tua… Në vënd që edhe për Avniun të gjëndesh një vjershëtor që të këndonte trimëritë e tij, e plagosën rëndë, si “shpërblim” të shërbimit të madh që ai i bëri Shqipërisë.
Fjala e Veli Hashorvës u pasua nga një poezi e shkruar për të nga Ramiz Harxhi. Populli shprehu me zë dakortësinë e tij për telegramet që do ti bëheshin Qeverisë dhe Kryesisë së Asamblesë. Mes tyre dënohej akti i plagosjen tradhëtisht të Heroit të Kombit dhe kërkohej arrestimi i atentatorit. Telegrame u nisën edhe nga disa qytete:
SHKODRA PROTESTON
Një plumb tradhëtar plagosi shokun tonë, fatosin e madh, Avniun në atë moment kur shokët e tij u larguan për pak pushim. Ky plumb qëllon jo vetëm Avniun tonë, shpëtimtarin e Atdheut po ul përtokë nderin e gjithë përfaqësuesve të Kombit. Protestojmë me zëmërim kundër këtij atentati të kobshëm. Kërkojmë të meren masa kundër këtyre ngjarjeve të përgjakshme, vijimi i të cilave e çon shtetin në greminë.
ZYRA E SHTYPIT TË QEVERISË
Vetëm zyra e shtypit pranë Qeverisë qëndroi indiferente ndaj ngjarjes së rëndë. Ajo shkroi vetëm tre ditë pas plagosjes së Avniut, kur Heroi mbylli sytë. Por edhe në këtë rast, ngjarja e dhimbshme përcillej përmes një teksti të thatë;
Antari Kushtetues Avni Rustemi, i cili të dielën u plagos prej një farë Isuf Reçi nga Tirana, vdiq sot në spitalin e Shtetit. Për varrimin e tij pregatitet një ceremoni e madhe. Dervish Hima Tiranë 22.4.1924
Ky telegram kaq i ftohtë për humbjen e jetës së Avni Rustemit e detyroi Veli Hashorvën ti tërhiqte vëmendjen ashpër ish shokut të tij të Çetës “Studenti” të 1912, Dervish Hima;
Po cili ish Avniu mor i uruar; vetëm antar i Kuvendit? Jo mor jo! Avniu ish ai që i detyrojmë jetën të gjithë; ai që sakrifikoi jetën e tij për të mirën e lumturinë e Kombit. Telegrame të thata si ky bëhen kur vdes në burg ndonjë tradhëtar, e jo kur martirizohet Avniu ditën, në rrugën e kryeqytetit prej duarsh barbare.
Atmosferën e vërtetë që mbizotëronte pas vdekjes së Avniut e dhanë telegramet e Ali Këlcyrës dhe shoqërisë “Bashkimi”.
Shtylla e idealizmës Kombëtar Avniu vdiq viktimë e plumbit të tradhëtisë. Populli, burra, gra manifestoi përpara Ministrisë. Ngado vinë protestime të rrepta për zbulimin e atentatit që goditi nacionalizmën në zemër. Ali Këlcyra Tiranë 22.4.1922
Me hidhërim e dëshpërim të plotë ju lajmërojmë se Avni Rustemi, lulja e e djelmërisë shqiptare tash u vjeshkë dhe u rrëmbye prej mortjes së pamëshirshme. Shoqëria “Bashkimi” sek. H. Stërmilli
PRINDRIT E AVNIUT
Ditën që Avniu mbylli sytë, prindrit e tij që nuk e dinin gëmën e ndodhur, kishin mbritur në Gjirokastër për tu nisur drejt Tiranës. Me justifikime të ndryshme i rikthyen në Libohovë. Aty e mësuan lajmin e rëndë.
VLORA NËN PESHËN E RËNDË TË LAJMIT
Me mijra vlonjatë u mblodhën përpara Bashkisë duke derdhur lotë për atë që shpëtoi në 1920 Shqipërinë. Populli mallkoi shtytësit e vrasësit. Po atë ditë kryetari i bashkisë Q. Kokoshi deklaroi;
Mbas dëshirës së popullit të Vlorës dhe në mbështetje të autorizimit të prindërve të Avniut, trupi i Heroit të Kombit, dëshmorit të Idesë-Kombëtare, do të varroset në Vlorë pranë Ismail Qemalit. Funerali do të bëhet të martën datë 29. Është detyra e ç’do kombëtari të urdhërojë në Vlorë dhe të marrë pjesë në funeralin e Avni Rustemit.
NËNA E AVNIUT AKUZON ZOGUN
Sipas Veli Hashorvës, nëna e Avni Rustemit akuzoi Ahmet Zogun për vrasjen. Ajo kërkonte gjakun e të birit.Sipas zakonit shqiptar, Zogu duhej të shfajësonte veten përpara prindërve të Avni Rustemit, por kjo nuk ndodhi. Qeveria duhet të zbulonte organizatorët e këtij komploti, të zinte vrasësin të gjallë dhe të dënonte fajtorët. Vrasja e dy amerikanëve dhe e Avni Rustemit shënoi nivelin më të lartë të pasigurisë në Shqipëri, si për të huajt ashtu edhe për vendasit.
CEREMONIA MORTORE
Ceremonia mortore e Avni Rustemit filloi në orën 14.20. Në të morën pjesë 10.000 vetë. Në këtë ceremoni lamtumire madhështore, kishin dërguar përfaqësues 300 krahina. Folën 16 oratorë. Në emër të ushtrisë foli Major Ibrahim Prishtina. Ceremonia zgjati katër orë. Mbi varrin e Avniut u vendosën 200 kurora. Ashtu si në rastin e njoftimit të vdekjes edhe ceremonia e varrimit të Avni Rustemit u përcoll krejt ftohtë nga Zyra e Shtypit të qeverisë.
Lajmërohemi se në Vlorë me një shumicë të madhe u varros dëshmori Avni Rustemi. Mbi varrin e tij u vendos një sasi e madhe kurorash dhe u mbajtën ligjërata mbi jetën dhe veprimatrinë e tij.
Por vrasja e Avniut nuk i siguroi qetësinë që priste, Ahmet Zogut.
PARALAJMËRIMI I DELEGATËVE
Në datën 2 maj Delegatët e të gjithë krahinave të ardhur në Vlorë, në një mbledhje të përgjithshme ku ishin të pranishëm edhe antarët e Asamblesë Kushtetuese, i shfaqën Qeverisë indinjatën për mos arrestimin e vrasësit të Avni Rustemit. Kjo vonesë sipas tyre do të shtonte egërsimin e popullit dhe mund të kishte zhvillime të rrezikshme, përgjegjësia e të cilave do ti ngarkohej drejt për drejt Qeverisë. Në krye të vendit duhet të jenë ata që e meritojnë e që janë të zotët ta sigurojnë jetën e qytetarëve shqiptarë dhe të mysafirëve të huaj.
Emrat e Asamblistëve: Fan Noli, Pietër Ambroz Marllaskaj, Sulejman Delvina, Sejfi Vllamasi, Qazim Koculi, Spiro Koleka, Ali Këlcyra, Bahri Omari, Rasim Babameto.
Përshpejtimi i ndryshimeve në qeveri u pralajmërua nga një telegram që mbriti në Vlorë po atë ditë:
Ceno Begë Jakova, kunati i Ahmet Zogut, kryetar i Bashkisë së Jakovës dhe agjent i famshëm i huaj, i cili po punon për shkatërrimin e Shtetit Shqiptar, me një shumicë percenarësh të armatosur, ka hyrë në Krumë, kryeqyteti i Prefekturës së Kosovës, dhe nga lëvizjet e tij merret vesh që do ti turret Tiranës. Toleranca e Qeverisë edhe pas vrejtjeve që i janë bërë në Asamble, përbën një akt antikonstitucional dhe antikombëtar. Vazhdimi i shkeljes së Statutit ka për të autorizuar e për të detyruar popullin të aplikojë nenin 127 të Statutit, për mbrojtjen e shpëtimin e Atdheut.
Kështu nisi lëvizja popullore që mori emrin “Revolucioni Demokratiko – Borgjez i qershorit” që solli në krye të qeverisë Fan Nolin.
CV e AVNI RUSTEMIT
Avniu 34 vjeç i biri i Neim Rustemit nga lagja Marinë e Libohovës ndoqi rrugën e arsimimit në shkollat e mesmë të Janinës e Stambollit. Ai vijonte shkollën Normale Superiore në Romë. Kishte marrë pjesë në ç’do lëvizje kombëtare. Në 1908 ai u largua nga shkolla në Janinë, në përpjekje për tu bashkuar me çetën e Çerçiz Topullit. Në 1920 shkoi në Paris dhe vrau tiranin e Tiranës, Esat pashë Toptanin. Juria e Parisit e nxori të pafajshëm. Ai u kthye në Shqipëri ku u prit me madhështi dhe u quajt Hero i Kombit. Veli Hashorva nga emigrimi i tij i gjatë në Stamboll dërgonte këtë portretizim të Avniut përmes kujtimeve të tij, arkivuar në AQSH në vitin 1973:
Ai ka qënë një djalë trim me karakter, guximtar që nuk i trëmbesh syri. Gjithnjë kryelartë, i drejtë, mik i mirë për shokët, serioz kur duhesh, nuk e kursente fjalën. Dukesh i qetë, po brënda i ziente kazani. Ish kundër bejlerëve, po nuk i shfaqi kurrë mendimet politike.
Avniu zotëronte gjuhët Frëngjisht, Italisht dhe Turqisht. Në zgjedhjet e fundit LUMA e votoi për antar të Kuvendit Kushtetues.
VOTO PËR KULMIN E KASOLLES
Kur malësorët e Lumës do të votonin për Avni Rustemin i thanë një vocërraku të shkruante; “Voto për kulmin e kasolles teme”, pasi A-ja gërma e parë e emrit të Avniut kishte ngjashmëri me të.
Për kulmin e kasolles teme
Voto! – tha njeri atë ditë
Në afër ndjemë Avni Rustemin
Çdokush mbi letër pikoi sytë
Vocrraku kulme ngriti shumë
Dhe një këngë nisi e nuk meni
Hala këndohet nëpër Lumë:
“Lum Luma që të kemi…”
DËNIMI I POLITIKANIT TË PARË SHQIPTAR
Zogu nuk u hetua kurrë si porositës i vrasjes së Avni Rustemit. Por hetimet për ngjarjen e Mamurasit vijuan. Ato përfunduan në datën 25.8.1924 dhe aktet ju dhanë Prokurorisë. Ahmet Zogu – u akuzua si nxitës i vrasjes së amerikanëve me qëllim prishjen e qetësisë. Mes të akuzuarve ishin n/prefekt i Krujës Sadik Metra, kapedan Topallaj si dhe vrasësit e arrestuar të amerikanëve: Lam Hidri, Elez Hasani (të arrestuar) dhe Halil Qinami, Hasan Keçi, Cup Sul Cani, Vesel Idrizi (të arratisur). Dëshmimtari Vesel Idrizi kishte pranuar marjen e një letre nga Ahmet Zogu i cili i jepte porosi të godisnin një makinë kundrejt një shpërblimi prej 20 napolonash për çdo njeri. Zogu u akuzua edhe nga dëshmimtarët; Vejsel Lam Hidri, N/Toger Ali Nishica, nga Rreth Komanda e Krujës, N/toger Pjetër Ndue Doci, Mehmed Mizini dhe aspiranti Riza Tefiku. Ai u dënua me 10 vjet burg.
POLITIKANË TË SHTREMBËR – AVOKATË PALAÇO
Faik Konica nuk e la pa komentuar vendimin e këtij gjyqi me kaq rëndësi. Në shkrimin me titull “Drama e Mamurrasit” mes të tjerash ai shkruante:
Ndonëse ideali i filozofëve ka qënë gjithmonë që e drejta dhe kanuni të jenë një, që kanuni të mos jetë veçse shfaqja praktike e së drejtës, ka pasur gjithmonë politikanë të shtrembër dhe avokatë-palaço që ta bëjnë kanunin vetëm një sistem grackash dhe kleçkash për fitim të fajtorëve që kanë pasuri dhe miq.
Të nxitura nga Ahmet Zogu, në vend kishin filluar lëvizjet për një kryengritje.
KUNDËREVOLCIONI
Dënimin e dhënë nga gjyqi, Zogu nuk e kreu kurrë. I ndihmuar nga të huajt ai u rikthye në krye të vendit në vigjilje të Krishtlindjeve, të 24 dhjetorit 1924. Të parin që liroi nga burgu, ishte njeri prej vrasësve të amerikanëve. Në vend të tij dënoi me burg të rëndë gjykatësin – hetues Ali Tabaku. Pak më vonë urdhëroi edhe egzekutimin e tij. Gjykatësi – hetues vdiq i helmuar në burg.
GJYQTARI MODEL – ALI TABAKU
Drejtësia është pasqyrë e dinjitetit që ka një individ apo një shoqëri e caktuar. Vetëm një gjykim i drejtë, mund të zbehte sadopak krisjen e madhe që kishte pësuar politika dhe opinioni publik amerikan për shqiptarët dhe politikanët e tyre, pas ngjarjes së rëndë të Mamurasit. Faik Konica e vlerësonte “Gjyqin e hetimeve” si çelsin e suksesit të nisjes dhe mbylljes së procesit gjyqësor.
Është mirë që shqiptarët të dinë emrin e gjykatësit “hetues” që e shpuri mbarë këtë investigim të vështirë. Ai është Ali Tabaku. As lutjet, as frikësimet, as rreziku në të cilën ndodhej jeta e tij, nuk e tronditën këtë gjykatës me ndërgjegje dhe nuk e pakësuan energjinë e tij. Ai vazhdoi hetimet dhe kur u hap gjyqi i madh në Tiranë, gjykatësit kishin përpara një raport të mbushur me fakte dhe me zbulime pa hatëre e pa trëmbje. Shqipëria do të forcohet e përparojë po të shtohen shokët e z. Ali Tabaku.
100 vjet pas përgjakjes së prillit të 1924, në memorjen tonë kolektive emri i gjyqtarit Ali Tabaku duhet të zerë një vend të veçantë. Ai duhet të kthehet në një “simbol vlerësimi” dhe “model” për ata pak prokurorë apo gjyqtarë kurajozë të sistemit të sotëm të drejtësisë shqiptare, të cilët po përballen ashtu si ai, me gjykime politikanësh të lartë. Vlerësimi i Konicës për Ali Tabakun, duhet të jetë “teksti i betimit” për prokurorët dhe gjyqtarët e rinj, në se do të kish një të tillë. Me profesionalizmin e tyre ata duhet të dëshmojnë se drejtësia në këtë vend nuk është e vrarë si një shekull më parë.
P.S – Për shkrimin e këtij materiali u shfrytëzuan kujtimet e gazetarit Veli Hashorva dhe gazeta “Dielli”
Falënderoj studiuesin e pakursyer Niko Kothere për ndihmën e dhënë në sigurimin e materialit fotografik.
Ilirjan Lluri 20.04.2024