Share This Article
Nga Ilir Lluri
Kështu vendosa, të bëj dy urime të tjera para atij tradicional të Vitit të Ri. Viti që sapo mbyllim kishte dy përvjetorë të rëndësishëm: 55 vjetorin e Festivalit Folklorik Kombëtar dhe 55 vjetorin e themelimit të Teatrit të Gjirokastrës. Dy ngjarjet e rëndësishme i ka përcjellë i njëjti personalitet i artit gjirokastrit, rregjisori i njohur Bernard Kokalari. Edicioni i parë i FFKombëtar u bë në muajin tetor të vitit 1968. Gjatë kohës së botimit të librit “Historiku i Festivaleve Folklorike Kombëtare” në kuadër të FFK 2023, megjithëse kërkuam, nuk mësuam dot emrin e rregjisorit dhe spikerit të festivalit të Festivalit. Këtë gjë e mësova kur erdha në USA, ndaj mendoj se është ende koha të bëj një korrigjim edhe pse jo në librin tashmë të botuar.
Skena u ndërtua nga ndërmarja e marangozëve në zbatim te idesë time. Edhe me driçimin u mora po vetë. Mora prozhektorët e skenës në shtëpinë e kulturës dhe i montova me duart e mia në skenën e kalasë. Kuadrin elektrik e bëri elektriçisti Muhamet Zhuli.
Bernard Kokalari
Por zgjidhja e problemeve teknike nuk la pas atë më kryesorin, përgatitjen e grupeve popullore.
Me grupin e konkurimt bëja prova si për vallet ashtu dhe për këngët në vënd. Ata i kisha shpërndarë në sallat e shtëpisë së pionierit, në palestrën e gjimnazit dhe në dhomat e shtëpisë së kulturës. Fluturoja nga njeri grup te tjetri. Ministria qëndroi shumë indiferente.
Bernard Kokalari
Festival i Parë Folklorik Kombëtar u moderua nga aktori i njohur Viktor Zhusti, ndërkohë që Agim Shehu ishte krijues dhe redaktor i teksteve të këngëve dhe valleve.
A mund të bëhej koncerti pa drejtim regjisorial?
Këtë pyetje ngrinte në një mesazh të dërguar drejt meje rregjisori i njohur disa ditë pasi kishte marrë dhuratë po nga unë, librin e botuar nga Këshilli i Qarkut në korrik të 2023. E ndjeja si obligim jo vetëm korrigjimin e këtij “lapsusi” nga ana e grupit që u mor me hartimin e librit, por edhe ngritjen e një gote për ta uruar regjisorin Kokalari në 55 vjetorin e FFK.
Një muaj e disa ditë më vonë, në datën 28 nëntor do të themelohej në Gjirokastër teatri Profesionist i qytetit. Rregjisori i parë i saj ishte përsëri Bernard Kokalari. Askush nuk e kujtoi 55 vjetorin e krijimit të teatrit. Fatkeqësisht projekti aq i bukur i nisur në 50 vjetorin e tij, “Festivali Teatrit Gjirokastër” nuk u zhvillua në këtë vit jubilar. Unë fatmirësisht ndodhem sot pranë dy prej themeluesve të teatrit të qytetit, bashkëshortëve Bernard dhe Bukuroshe Kokalari. Ky është urimi i dytë që shkon tashmë jo vetëm për ta, po për të gjithë artistët që kontribuan ndër vite në atë skenë.
Këto dy urime i bashkohen urimit të datëlindjes së rregjisorit, 30 dhjetorit.
Gëzuar! Edhe 100!