BUDRUM NATË E BUDRUM DITË

Nga Ilirjan Lluri

130 -vjetori i vdekjes së Koto Hoxhit (1895-2025)
120 -vjet shkolla shqipe ilegale e Mesud Çamit në Gjirokastër (1905-2025)

Në kremtimin e madh të 20 vjetorit të hyrjes së Iso-Polifonisë në UNESKO, duhet të ishim ndalur dhe të kujtonim atë moment historik kur nisi një qëndrim brilant ndaj trashëgimisë sonë folklorike. Kjo ndodhi në 1874 kur rilindasi Koto Hoxhi organizoi në Qestorat të Gjirokastrës shfaqjen e parë teatrore në Shqipëri. Pjesa që u interpretua në oborrin-skenë të kishës në qendër të fshatit ishte “Dasma Lunxhote”. Ky mësues i apasionuar, në kohën kur shkolla shqipe ndalohej, zgjodhi që t’ju mësojë nxënësve shkronjat shqipe përmes interpretimit të këngëve dhe valleve popullore. Për të folklori ishte kështjella ku mbrohej gjuha shqipe, gjuha që e mallkonte në atë kohë kisha, xhamia, Perandoria. Emri i Koto Hoxhit është i lidhur fort me luftën për gjuhën dhe shkronjat shqipe, të cilat kremtuan në 22 nëntor 117 vjetorin e tyre.

PRESIDENTI DHE ALFABETI
Presidenti i Republikës mori pjesë në ceremonialin akademik “Gjuha shqipe. identiteti ynë” organizuar nga Shoqata “Labëria” në kuadër të Kongresit të Manastirit. Ceremoniali kombëtar dedikuar shkronjave shqipe, u zhvillua në Universitetin Eqerem Çabej të Gjirokastrës. Prania më në fund e Presidentit të Republikës në qytetin tonë më gëzoi pa masë. Kisha kohë që hamendësoja mbi arsyet që e kishin mbajtur larg Gjirokastrës Presidentin tonë, ndërkohë që qyteti kishte kaluar përvjetorë shumë të rëndësishëm si; 100-vjetori i Liceut Francez të Gjirokastrës (1923-2023), 150 -vjetori i teatrit të parë shqiptar (1874-2024), 145-vjetori i Kuvendit të Gjirokastrës (1880-2025), 145 -vjetori i lindjes së Çerçizit (1880-2025) dhe 110 -vjetori i vrasjes së tij (1915-2025) dhe së fundi 20-vjetori i Gjirokastrës në UNESKO (2005-2025), Por nuk duhen harruar gjithashtu edhe ngjarjet që lidhen me investimet e rëndësishme në qytet si; restaurimi i Kompleksit Muzeal “Qafa e pazarit”, ndërtimi i rrugës së re pas kalasë dhe ndërtimi i parkingut nëntokësor në sheshin e Çerçizit. Gjithsesi, më mirë vonë se kurrë thotë populli, për më tepër që vizita e tij lidhej me Festën e shkronjave shqipe, gjuhës sonë të shenjtë e të shtrenjtë.

KËNGA E SHEMO HAJDUTIT
Në librin e Spiro Dines “Valët e detit” i botuar një shekull e ca më parë, veç poezive të rilindasit Koto Hoxhi, të bën përshtypje edhe një këngë me të cilën identifikohej Gjirokastra e asaj kohe. Kënga i kushtohej trimit Shemo Kasi. Vjedhja e karvanëve për të ndihmuar të varfërit i dhanë atij një mbiemër të ri; “hajduti”. Në fakt me veprimet dhe aktet e tij të bamirësisë Shemo Hajduti ishte një “Robin Hud” shqiptar, prandaj fill pas burgosjes dhe egzekutimit të tij me varrje në Janinë lindi kënga;
O Gjirokastra me vulë
çe bëre Shemo Hajdunë ?
Ishte koha kur kënga i kushtohej këtij rrebeli-bamirës, sepse ende nuk kishim veprime të guximshme dhe të organizuara kundër pushtuesit otoman. Vetëm pak kohë më vonë trimëria gjirokastrite do të frymëzohej nga një tjetër motiv. Kushti i vendosur nga fuqitë e mëdha; “Pa gjuhë të shkruar, nuk ka komb” dhe vrasja e mësuesve të shqipes nga fqinjët, e la pas zakonin e grabitjes së karvanëve dhe nxiti fillimin e luftës për mbrojtjen e gjuhës dhe shkronjave shqipe. Kronika e kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme për kohën u shkrua në këngën “Te rrapi në Mashkullorë”, e cila profetoi Kongresin e Manastirit.

KËNGA PËR ÇERÇIZ TOPULLIN
Kënga mbi një shekullore “Te rrapi në Mashkullorë” e cila këndohet edhe sot, është kronika e një prej betejave më të ashpra që çeta e heroit kombëtar Çerçiz Topulli bëri në mbrojtje të gjuhës shqipe. Në këtë betejë humbi jetën antari më i ri i saj, Hajredin Tremishti. Djaloshi përmetar është dëshmori i dytë që Gjirokastra ka dhënë në mbrojtje të gjuhës shqipe. Dëshmori i parë është Papa Kristo Negovani nga Humelica, vrasja e të cilit nga grekët, ishte kambana që dha alarmin se në krah të penës duhej vënë edhe pushka. Kështu u formua Komiteti i Fshehtë i Manastirit me në krye Bajo Topullin dhe më pas mori jetë çeta e Çerçiz Topullit. Lufta e Mashkullorës, ku çeta e Çerçizit megjithëse e rrethuar, luftoi dhe mbijetoi kundër ushtrisë turke në 18 mars 1908 ka zënë vend në vargjet.
Te rrapi në Mashkullorë
foli Çeçua me gojë!
Mylazim largo taborrë
se ju kuq ju bëj më bojë.
Kënga lindi në burgun mesjetar të kalasë së Gjirokastrës ku ishin burgosur babai dhe vëllai i Hajredin Tremishtit. Për Shemo Hajdutin filloi të këndohej gjithmonë e më rrallë, sepse qyteti dhe vendi anë e mbanë u “pushtuan” menjëherë nga kënga “Te rrapi në Mashkullorë” kushtuar trimave që luftonin për shqipen dhe Shqipërinë. Kënga e vendit e njohur si kënga vëndçe, nuk ndali edhe gjatë punimeve të Kongresit të Manastirit.-Kongresit të shkronjave.

KONGRESI I MANASTIRIT DHE KËNGA
Punimet e Kongresit të Manastirit u ndoqën me kuriozitet nga shumë atdhetarë. Në gazetën “Liria” Nr. 15 pohon Bajo Topulli i Riu në librin e tij, Topullarët e Gjirokastrës shkruhej:
Gjatë punimeve nuk munguan këngët e trimërisë që Çerçiz Topulli dhe Mihal Grameno këndonin me aq shije dhe lezet e që përziheshin edhe me zëra grash të disa atdhetarkave.
Në momentet e lira të punimeve të Kongresit të Manastirit organizoheshin festime spontane ku buçisnin këngët dhe vallet shqiptare:
Pastaj Çerçizi hoqi një valle gjirokastrite të shoqëruar me këngë, që i mahniti të gjithë me bukurinë dhe elegancën e tij:
Ma mbani vallen; ma mbani!
Ma mbani se m’u dogj xhani.
Na bashkoi jatagani;
nuk na ndau dot shejtani
as ungjilli, as kurani,
as greku, as turkomani.
Pas “Dasmës lunxhote” të Koto Hoxhit, këto “spektakle popullore” që shoqëruan punimet e Kongresit të Manastirit, ishin shfaqjet më masive të folklorit tonë popullor. Por do të duhej kohë deri në atë organizim, ku folklori popullor nga veriu në jug, do të ngjiteshin në një skenë po si ajo e Koto Hoxhit, në skenën e kalasë së Gjirokastrës.

FESTIVALI I PARË FOLKLORIK KOMBËTAR 1968
Festivali i parë Folklorik Kombëtar mbetet festa më madhështore dhe që bëri traditë në rrugëtimin e folklorit tonë kombëtar. Në vitin e largët kur ai nisi rrugëtimin, 1968 më çoi një mesazh i rregjisorit Bernard Kokalari. Pas leximit të broshurës mbi historikun e Festivaleve Folklorike botuar në kuadër të FFK 2023, ai nuk ma fshehu trishtimin:
Më kanë lënë në harresë. Nuk përmendet askund emri im.
Broshura “Historiku i festivaleve të Gjirokastrës” u financua nga Këshilli i Qarkut me mbështetjen e çmuar të kryetares Lindita Rova. Kishim punuar gjatë me Gentiana Brahimin për grumbullimin e materialeve të kësaj broshure, dhe e ndjeja si detyrim plotësimin me të dhënat e reja mbi festivalin e parë folklorik. I premtova Bernardit se korrigjimin e duhur do ta bëja në momentin më të favorshëm. Njëzet vjetori i hyrjes së këngës vëndçe në UNESKO është momenti i duhur për ta bërë këtë gjë, për më tepër që këtë fillim dhjetori Bernardi mbush një vit i ndarë nga jeta. Në festivalin e 1968 ai përcaktoi përmasat dhe vendin ku u ndërtua skena në kalanë e qytetit. Në stafin drejtues bënin pjesë skenografi Vaso Lili, korrektori i teksteve letrare, shkrimtari Agim Shehu dhe konferencieri Viktor Zhusti. Skena e Festivalit u ndërtua nga ndërmarja e marangozisë, ndërkohë që për ndriçim u përdorën prozhektorët e pallatit të kulturës të cilët Bernardi i montoi me duart e tij. Kuadri elektrik u realizua nga elektriçisti Elmaz Zhuli. Rregjisor Bernardi merrej edhe me përgatitjen e grupit përfaqësues të Gjirokastrës, ku midis numrave të përzgjedhur ishte edhe kënga: “Te rrapi në Mashkullorë”. Nga mesazhi i tij i gjatë po shkëpus këto 3 fjali;

Artistët e grupit folklorik të Gjirokastrës i kisha shpërndarë në tre vende për të bërë prova. Në palestrën e gjimnazit, në shtëpinë e pionierit dhe në shtëpinë e kulturës. Për t’i kontrolluar, fluturoja sa në një vend, në tjetrin.
Bernardi ishte rregjisor edhe i Festivalit të dytë Folklorik Kombëtar. Në Festivalin e tretë drejtimi u mor nga rregjisori Note Buzo dhe udhëheqësi artistik Naxhi Kasoruho, ndërkohë që Bernardi dhe Roland Çene morën drejtimin e koncertit të mirseardhjes. Një foto e djalit të tij Iglit me kostum kombëtar, është dokumentimi i veshjes së kostumit kombëtar nga një fëmijë në historinë e Festivaleve Folklorike Kombëtare.

KËNGA QË LA NË MES PRESIDENTI
Eshtrat e Urani Rumbos (M.Popullit) duhet të prehen në atdhe.
Ceremoniali akademik i organizuar nga shoqata “Labëria” ishte për mua një këngë e bukur vendçe që antarët e kësaj shoqate nisën ta këndojnë në nderim të Festës së Shkronjave shqipe. Në këtë këngë kaq të veçantë ata ftuan edhe Presidentin e Republikës, z. Begaj. Në iso u bashkuan edhe intelektualë, mësues dhe të ftuar të shumtë, që i dhanë shkëlqimin e duhur këtij ceremoniali. Por vijimi i aktivitetit të Presidentit, më la një shije të hidhur. M’u duk sikur ai e braktisi dhe e la në mes këtë këngë. Në axhendën e vet ai ndoshta nuk mund të përfshinte një vizitë në Qestoratin e Koto Hoxhit, as në Humelicën e të parëve të Papa Kristo Negovanit, as në Selckën e Pandeli Sotirit, mësuesit të shkollës së parë shqipe të Korçës (tashmë pjesë e Bashkisë Dropull), dhe as në Stegopulin e Urani Rumbos që megjithëse e çalë, nuk pati kurrë drojë të hiqte me nxënëset e saj vallen; “Nusja jonë arbërore” në sheshin e Çerçizit. Ma donte zemra dhe arsyeja që ndoshta pikërisht gjatë një vizite të tij në Stegopul mund merrej inisiativa për kthimin e eshtrave të kësaj mësuese të nderuar nga Korfuzi në Gjirokastrën që ajo e deshi aq shumë. Viti 2026 shënon 90-vjetorin e ndarjes së saj nga jeta. Një ndalesë e Presidentit në Obeliskun e qytetit, që ka mbetur si zogu pa krahë pas mbylljes së muzeut të arsimit vite më parë, nuk mund ta justifikojë mungesën e homazhit presidencial në Memorialin e Rilindasve. Në këtë memorial gjënden edhe eshtrat e vëllezërve Topulli, në shtëpinë e të cilëve Muzeu i Rilindjes Kombëtare qëndron derë-mbyllur krejt pa arsye. Po në këtë lagje 120 vjet më parë në shtëpinë e mulla Latos atdhetari Mesud Çami jepte në fshehtësi mësimin e gjuhës shqipe. Një homazh sado modest mund të ishte bërë edhe në varrezat e dëshmorëve ku prehen eshtrat e dëshmorit të gjuhës shqipe Hajredin Tremishti, i cili e meritonte një kurorë me lule në kuadër të Festës së Alfabetit. Por nuk ishin vetëm këto mundësi vlerësuese të munguara në vizitën e presidentit, ishin edhe titujt e nderit.

Tituj të munguar
Është në traditën e shqiptarit që aty ku e ftojnë të mos shkojë kurrë duarbosh. Gjatë kësaj vizite të vonuar presidenti mund të kishte akorduar tituj nderi për disa personalitete të mësuesisë gjirokastrite. Këta personalitete i gjen jo vetëm në rradhën e atyre mësuesve që mbollën me shpirt e sakrificë dashurinë për shkronjat shqipe në zemrat e nxënësve të tyre, por edhe në rradhën e atyre mësuesve që mbajtën lart traditën e Liceut të parë miks në Shqipëri, Liceut Francez të Gjirokastrës. E meritonte komuniteti mësuesve të Gjirokastrës një vlerësim të tillë, për më tepër që i fundmi “Mësues i Popullit”, Tajar Kokalari ka kohë i ndarë nga jeta. Motivi që do të shoqëronte këto tituj nderi do të ishte krejt i veçantë, sepse ai do jepej në kuadër të tre përvjetorëve: – 130 vjetori i vdekjes së Koto Hoxhit, – 117 vjetori i Kongresit të Manstirit, dhe – 20 vjetori i Iso-Polifonisë në Unesko. Për arsyet e rreshtuara më sipër mendoj se Presidenti ynë, e la në mes këngën e bukur vëndçe që nisi shoqata “Labëria” me ceremonialin akademik për kremtimin e festës së Alfabetit Shqip. Gjirokastra ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtje të gjuhës shqipe, kontribut që duhet të vlerësohet nga të gjithë dhe në ç’do kohë, për më tepër nga të gjithë funksionarët shtetërorë, pavarësisht hierarkisë. Por në këtë rast, Presidenti nuk erdhi për të dhënë, po për të marrë një titull. Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria” (Nder i Kombit) i akordoi atij titullin: “Antar Nderi”. Urime.


MUZEU KOTO HOXHI
Dita e hyrjes së Iso-Polifonisë në UNESKO më kujton vetvetiu atë moment të 151 viteve më parë, kur nxënësit e Normales Greke të Qestoratit interpretonin këngët dhe vallet e mrekullueshme të “Dasmës lunxhote” nën drejtimin e mësuesit Koto Hoxhi. Në një foto të vitit 1972 aktori i madh Bekim Fehmiu gjatë vizitës në kala ndali për ta parë qelinë kolektive ku ishte burgosur dhe vuajti dënimin ky mësues shëtitës i rrallë. Në 1972 aty fuksiononte muzeu dedikuar rilindasit të njohur. Në fotografi bashkë me Bekim Fehmiun është edhe rregjisori i Festivalit të Parë Folklorik dhe njëkohësisht ish rregjisori i teatrit profesionist të Gjirokastrës Bernard Kokalari. Gjeta rastin ta pyes atë rreth këtij momenti, por përgjigjja e tij më trishtoi;
Nuk mundëm të shihnim asgjë. Muzeu i Koto Hoxhit ishte i mbyllur.
Mendoj se një fotografi si ajo e aktorit Bekim Fehmiu në harkun e gurtë të këtij burgu, do të përcillte një mesazh atdhetar, në se publikohej në faqen e Presdiencës Shqiptare. Publiku ashtu si fëmijët, më shumë se për këshilla, ka nevojë për shembuj. Ndoshta Presidenti nuk e di që kalaja e qytetit tonë është unike në raport me qëndrimin ekstrem që është mbajtur ndonjëherë ndaj Abetares shqipe në vilajetet e Perandorisë. Në këtë kala vuajti dënimin me burg jo vetëm Rilindasi Koto Hoxhi, por edhe libri i Abetares shqipe. Ndryshimi ishte vetëm vendi i dënimit. Ndërsa mësuesi e vuajti atë në një qeli kolektive, librin e Abetares e mbyllën në një dollap, të cilin pasi e kyçën edhe e dyllosën.

NGREHU BABA KOTO NGREHU, FARA QË MBOLLE SHPËRTHEU
E kisha vizituar me dhjetra herë këtë burg, nga ku del i bindur se shanset për t’u arratisur prej tij kanë qënë zero. Në nderim të rilindasit Koto Hoxhi në bashkëpunim me Ansamblin “Lunxhëria”, drejtuesin e tij Koço Vasili dhe ndihmën e çmuar të arkitektit të talentuar Reshat Gega, realizova një filmim të shkurtër. Disa informacione mbi funksionimin e këtij burgu i kisha siguruar nga ish drejtori i muzeumeve, miku im Sedat Kale. Këtë filmim të realizuar me ndihmën e operatorit Aurel Lulo dhe montazhierit Vilson Kuçi nuk e publikova dot as në kuadër të 200 vjetorit të lindjes së Koto Hoxhit (1824-2024) dhe as në kuadër të 150 vjetorit të teatrit Shqiptar (1874-2024). Mendoj se 20 vjetori i Iso-Polifonisë në UNESKO është momenti i duhur që përmes këtij filmimi të përulemi me nderim para rilindasit tonë të ndarë nga jeta 130 vjet më parë (1895-2025). Mirënjohje për jetë Koto Hoxhi! Ai mbetet mësuesi i parë që e ngjiti gjuhën shqipe në skenën e teatrit. Nëse kisha e ndalonte gjuhën shqipe në ceremonitë fetare, ai përmes shfaqjes teatrore e foli shqipen në oborrin e saj, duke e shenjtëruar gjuhën tonë në mënyrë të tërthortë. Koto Hoxhi në një farë mënyre i dha folklorit popullor emrin; Kështjellë e Gjuhës Shqipe. Kjo mbeti kështjella e vetme e pamposhtur në shekuj. Qofsh e përjetëshme gjuha jonë e shtrenjtë dhe e shenjtë! U pasurofsh ngaherë folklori ynë! Të bekuar ngaherë mësues dhe artistë popullorë!



Be the first to know the latest updates
Whoops, you're not connected to Mailchimp. You need to enter a valid Mailchimp API key.