Share This Article
115 vjet – Lufta e Mashkullorës
18 mars 1908 – 2023
Nga Ilirjan Lluri
Unë kthehem shpesh në vitet e fëminisë. Sigurisht që në këto vizita në dikurshmërinë time, përpara më del njeriu më i dashur, gjyshja. Ja kështu ndodhi edhe këtë herë, kur u ula të shkruaj diçka mbi 115 – vjetorin e Luftës së Mashkullorës. Mu rikujtua një moment kur i sapo kthyer nga ora e fundit e mësimit në shkollë, nga ora e muzikës, e pyeta gjyshen: Mana, (kështu e thërrisja gjyshen nga ana e nënës), di ndonjë këngë patriotike ti? Në përkundjen e djepit të kushurinjve të mi shumë më të vegjël se unë në moshë, e kisha dëgjuar qartë të nanurisurën e saj, por këngë patriotike, asnjëherë. Pasi më pa në sy gjithë dashuri, që edhe nipi i saj dinte diçka mbi këngët patriotike, ajo nisi të këndojë, “Për mëmëdhenë”. Kjo është kënga që më riti mua – më tha. Është këngë me histori të madhe të keqen mana. Por ajo asnjëherë nuk ma tregoi atë. I rënë në mendime mbi historinë e këngës, nuk e shoqërova gjyshen tek këndonte atë këngë që mësuesi i muzikës, Kujtimi na i kishte mësuar atë ditë në klasë. …
PËR MËMËDHENË
“Për Mëmëdhenë” është padyshim një nga këngët tona më të njohura patriotike, por pak kush e di se ajo u krijua si dedikim i Mihal Gramenos për Bajo Topullin. Me këtë këngë -hymn e nisi rrugën çeta e parë luftarake për mbrojtjen e gjuhës shqipe nga brigjet e Brindisit të Italisë për në Shqipëri. Të vdesim sot/ me besa besë, bënte thirrje antari dhe kronikani i çetës Mihal Grameno në vargjet e saj.
Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë
Vraponi burra se s’ka me prit
Të vdesim sot me besa-besë
Pranë flamurit të kuq që u ngrit
Por koha do të vërtetonte se, jo të gjithë ata që u rreshtuan në rradhët e çetës dolën të besës.
TRADHËTARËT E ÇETËS
Gjatë gjithë veprimtarisë së saj çeta e Çerçizit u tradhëtua 8 herë dhe në tetë vende të ndryshme. -Në Korçë nga rradhët e çetës së sapo krijuar u larguan tre nxënësit që erdhën me Bajon nga Manastiri: Selim Pojani, Qamil Panariti, Hysen Dishnica.
– Para nisjes nga Brindisi çeta u braktis nga tre antarë; Veli Bej Këlcyra, Naum Trebicka dhe Hasan Tolari.
– Në Kolonjë u largua nga çeta Qamil Be Starja.
– Në Gjirokastër, pasi la shokët në gjumë u largua nga ceta Rrapo Mashkullori.
– Në fshatin Dhërmi çeta u tradhëtua nga Ilo, çobani nga Lushnja
– Në malet e Nestramit çeta u tradhëtua nga Thanas Nastoja.
-Në Selenicë të Korçës çeta u tradhëtua nga ushtari turk Bash Çaushi.
-Në Mashkullorë në fshatin e antarit të cetës Zeman Mashkullora, ceta u tradhëtua nga Vehip Xhaferri. Kjo tradhëti u bë shkak për Luftën e Mashkullorës.
Shtatë nga tetë tradhëtitë që ju bënë çetës, erdhën nga brenda rradhëve të saj, ndërkohë që nga të gjithë tradhëtarët vetëm një ishte i huaj, ushtari turk Bash Caushi.
Tradhëtitë që shkaktuan pasojat më të rënda ishin: – Tradhëtia e Rrapo Mashkullorit që solli shpërbërjen e çetës në shtator 1906.
– Tradhëtia e Ilo çobanit nga Lushnja solli dënimin me një vit burg në kalanë e Gjirokastrës të Birçes, dhjetë fshatarëve dhe priftit të Vunoit.
-Tradhëtia e Vehip Xhaferrit, e cila u bë shkak për Luftën e Mashkullorës në 18 mars 1908, ku mbeti i vrarë antari i çetës, Hajredin Tremishti.
Nga të gjithë tradhëtarët, vetëm njëri e tradhëtoi çetën dy herë brenda 24 orëve, Vehip Xhaferri. Nga të gjithë tradhëtarët, vetëm njeri u ndëshkua me plumb ballit, Vehip Xhaferi.
Për të mbajtur popullin e bashkuar Çerçizi porosiste:
“Më të madhe detyrë kemi të vdesëmë njëqind shqiptarë muhamedanë për të shpëtuar një shqiptar të krishterë, se të derdhmë një pikë gjaku për të shpëtuar një mijë turq. Të vdes për një shqiptar të krishterë se ai është gjak prej gjakut tonë, se ka eshtra prej eshtrave tona, tek nga turqit ndryshojmë si drita nga errësira, sa jeta nga vdekja. Po kështu duhet të bëjnë të krishterët, për të qënë të gjithë tok në luftë kundër okupatorit.”
AKSIONET e ÇETËS
– 9 shtator 1906, vrasja e dhespotit të Korçës, Fotit.
– 8 shkurt 1908, betejë mali i Ivanit.
– 9 mars 1908, vrasja e Bimbashit.
– 18 mars 1908, lufta në Mashkullorë – 18 qershor 1908, lufta e Labovës.
– 1 korrik 1908, lufta e Kallabarit.
– 3 korrik 1908, beteja e Selenicës.
– 1908, goditja e Sarandës.
KËNGË PATRIOTIKE NË DASËM
Por le të kthehemi edhe njëherë tek kënga. “Për mëmëdhenë” nuk u këndua nga çeta vetëm para apo pas betejave siç e kishin zakon në përgjithësi luftëtarët shqiptarë. Ajo u këndua edhe në dasmën e Kiços nga fshati Zervat.
ÇETËS I MBYLLEN DYERT
Pas Luftës së Mashkullorës çeta, me propozim të Mihal Gramenos u kthye për tu fshehur aty ku nuk mund ti shkonte mendja askujt, në Gjirokastër. Por luftëtarët u zhgënjyen. Ata u pritën me dyer të mbyllura.
Ja si e përshkruan Mihal Grameno këtë moment: Zbritëm ashtu të zbathur për në Gjirokastër. Por askush nuk hapte dyert. Tmerri ju kish ngrirë gjakun të gjithëve. Vrasja e Bimbashit dhe lufta e Mashkullorës i kishte bërë që as emrat mos na zinin në gojë le të na qasnin në shtëpi. Trokitmë, trokitmë dhe trokitmë në shumë dyer, por asnjë nuk na qasi brënda. Kishin arsye të plotë se po ta merrte vesh qeveria ishin të dënuar me vdekje e me djegje të shtëpisë. Më në fund të dëshpëruar vamë në shtëpinë e Resul Berberit i cili na priti brenda. Porta e dytë që u hap ishte ajo e Rusto Lloçkos ku lamë Myftarin e plagosur për të cilin kujdesej doktor DINUA. Të nesërmen pasi u njoftuan erdhën motrat e Çerçizit bashkë me të ëmën e Myftarit dhe na sollën të ngrëna, opinga, fishekë, qylafë dhe duhan. Ato na puthën në ballë në emër të nënës së Çerçizit.
Pas Luftës së Mashkullorës çeta u fsheh në pyllin e fshatit Llovinë të Dropullit të sipërm. Lidhjet me Komitetin e Gjirokastrës i mbante përmes Hetemit dhe minoritarit trim nga Vanistra Polizoi Gjini.
KËNGA NË GJIROKASTËR
Lufta e çetës u finalizua me shpalljen e Konstitucionit turk në korrik të 1908, përmes të cilit popujt e Perandorisë Osmane lejoheshin të mësonin në gjuhën amtare. Kjo është koha kur kënga u këndua në mënyrë masive nga djemtë e qytetit të cilët organizuan ceremoni madhështore për mbritjen e Bajos dhe të Çetës së Çerçizit në Gjirokastër. Në duar kalorsit gjirokastritë mbanin flamurin kombëtar.
KËNGA NË KONGRESIN E ALFABETIT
Në Kongresin e Manastirit të organizuar nga klubi “Bashkimi”, nga 1 deri në 14 nëntor 1908, mes përfaqësuesve ishin; Bajo Topulli, Rauf Fico, Mihal Grameno Parashqevi Qiriazi e shkollës së çupave të Korçës. I ftuar ishte edhe Çerçiz Topulli i shoqëruar nga Myftari që u plagos në Luftën e Mashkullorës. Çerçizi dhe Mihal Grameno nuk mund të mos e këndonin këngën “Për Mëmëdhenë”, për më tepër që në Komisionin e alfabetit ishte vetë Bajo Topulli, të cilit i dedikohej kënga. Por Çerçizi si valltar i zoti, nuk mund të rinte pa hedhur edhe një valle të kënduar gjirokastrite:
Mesaplik tek rrapi i thatë
Në vitin dyzetë e shtatë
U mblodhën gjithë kazatë
Vjen Himara si rrëgatë (*)
Ma mbani vallen ma mbani
Ma mbani se mu dogj xhani
Na bashkoi jatagani
Nuk na ndau dot shejtani
As ungjilli as kurani
As greku, as turkomani
(*) Himara nënkupton Labëria
FATI I LUFTËTARËVE
1- Idriz Jakovi u nda nga çeta pas mbritjes në Gjirokastër. Ai nuk e duronte dot jetën maleve se ishte delikat. Atdhetarët e nisën nga Gjirokastra drejt Elbasanit por e zunë dhe e dërguan në Manastir. Qëndroi i burgosur deri kur u shpall kushtetuta. Nuk e gëzoi dot lirinë se pak ditë pas lirisë u nda nga jeta nga një sëmundje e keqe. Ai vdiq në lule të rinisë, 28 vjeçar.
2- Abdyl Mersini pas shpalljes së Konstitucionit hyri në Teqe të Baba Manes në Gjirokastër për të veshur rrobat e dervishit, por Bajo Topulli nuk e la se kishte fëmijë. U kthye në shtëpi ku u mësonte fëmijve abc dhe ndjenjat kombëtare.
3- Malo Çami u vra në përpjekje me turqit kur ishte me komitët bullgarë.
4- Hasan Nikolica u burgos në burgun e kalasë.
5- Apostol …… u burgos në burgun e Manastirit.
6- Bajo Topulli vdiq i sëmurë në qytetin e Sarandës në 1931. Kryetarit të “Komitetit për Lirinë e Shqipërisë” ja nxorrën pensionin 25 ditë para se ai të vdiste
7- Gruas së Çerçizit (teto vogla) në kohën e Zogut nën presionin e popullit ju dha një pension 40 franga. Gazeta “Demokratia” shkruante midis të tjerave : “Është mëkat e madhe dhe aqë më tepër turp që së shoqes së martirit të kombit ti jepet një shumë fare e vogël, mund të themi qesharake, kurse ka shumë veta që hanë në kurris të shtetit.”
8- Bajram Prongjia vdiq në varfëri në Delvinë, sot i është ngritur një bust në fshatin e tij të lindjes.
…
Nuk e di pse e ndjeja si një detyrim madhor shkrimin e një artikulli për çetën e Çerçizit dhe bëmat e saj. Kjo ndoshta e nxitur edhe nga qëndrimi shpesh mohues e denigrues ndaj historisë i një kategorie “studiuesish” post-diktaturë, që nga fryn era e kthejnë gunën, por edhe i mungesës së vëmendjes së brezit të ri ndaj ngjarjeve historike me karakter kombëtar. Lufta e çetës lidhej me hapjen e shkollës së parë shqipe në Gjirokastër me emrin “Liria”. Ashtu si Lufta e Mashkullorës edhe shkolla e parë shqipe feston 115 vjetorin e çeljes së saj. Po kështu edhe Kongresi i Manastirit ka të njëjtin “vitlindje”..
Këta tre përvjetorë kishin rëndësinë e tyre në nxitjen time për ta realizuar këtë shkrim, i cili me thënë të drejtën po i ngjante një filmi “aksion”, kolona zanore e të cilit ishte kënga e njohur, “Për mëmëdhenë”.
E kuptova se si padashur kisha shkruar historinë e madhe të kësaj kënge, të cilën gjyshja nuk ma tregoi dot. Mallin tim në këto çaste për të, po e shoqëronte njëkohësisht edhe një brengë e madhe. Mora mbesën në krahë dhe e përqafova fort. Fillova të këndoj “Për mëmëdhenë” me shpresën se ajo do të më shoqëronte në këngën time, ashtu siç nuk bëra dot unë me gjyshen time dikur. Por duke qënë e vogël ajo vetëm po më buzëqeshte.
18 mars 2023