
Share This Article
Dedikim për mësuesit e mi të liceut-gjimnaz: Englantina Duka (Nushi), Sotir Vardhami, Vajo Kuka, Rahmi Harxhi, Kosta Makariadhi, Ilir Bashari, Parime Kasoruho, Thanas Koçi, Isuf Zeko, Zhaneta Nova, Muharrem Bejleri, Hulusi Kokalari, Kujtim Kale, Shefqet Shehu, Vangjel Kllapi, Tase Kano, Dhori Kalluci

Hapja e Liceut të Gjirokastrës 100 vjet më parë u shoqërua me një kusht prej profesorëve francezë: – gjetja e vendeve kua ata do të banonin. Pas një shekulli është vështirë të listosh ato shtëpi gjirokastrite që hapën portat për të mikpritur mësuesit francezë dhe zvicerianë. Por pavarësisht kohës së largët, për dy prej tyre gjeta të dhëna. Vendqëndrimin e profesor Goringut na e jep në kujtimet e saj Musine Kokalari:
Ai qëndronte në një shtëpi në sheshin e Çerçizit, dhe duke qënë i apasionuar pas vizatimit, gjithë faqen e murit të odës ku rinte e kishte mbushur me një pamje dyluftimi.

Me sa duket Musinea e vogël ka qënë aty nën shoqërinë e vëllezërve kur ata shkonin për vizitë tek kolegu i tyre, ashtu si ai vizitonte shtëpinë e tyre që ndodhej mbi Lice. Për më tepër që fare pranë sheshit Musinea kishte shtëpinë e gjyshit nga nëna, Hamza Çiço “Mësues i Popullit”. Për banesën ku ishte vendosur profesori Marshand ka lënë të dhëna në kujtimet e tij vëllai i saj, liceisti Hamit Kokalari:
Frederik Marshand banonte në shtëpinë e profesorit Elmaz Çani në lagjen Dunavati i parë.
Por spjegimet dhe përshkrimin më të plotë për banesën ku qëndronte profesori Marshand e ka lënë në kujtimet e tij liceisti Enver Hoxha:
Shkoj tani me sytë e kujtesës sipër mbi Manalat, në Mal të Gjerë, te shtëpia e profesorit tim të vjetër Elmaz Çanit. Në shtëpinë e tij qëndronte një profesor francez që e quanin Frederik Marshand. Ai na mësonte frëngjishten. Ishte edhe piktor i talentuar, portretist. Marshandi e kishte zgjedhur atë shtëpi, megjithëse ishte larg nga Liceu, pikërisht për bukurinë e panoramës që hapej para saj. Që andej shihje gjithë Gjirokastrën dhe Malin e Gjerë. Përveç kësaj si artist që ishte, ai i kishte shumë qejf rrugicat që të çonin në shtëpinë e Elmaz Çanit.

SHTËPIA E MËSUESIT SHQIPTAR TË LICEUT – ELAMZ ÇANI
Kjo është një nga shtëpitë me emër në qytet. Ndodhet në anën perëndimore të tij. Ajo është banesa e fundit e lagjes Dunavat. Rrethohet nga një mur pa llaç i cili i ka rrezistuar kohës mrekullisht. Në anën jugore muret rrethues kufizohen nga anët shkëmbore të përroit të Bufamesë. Porta madhështore e kësaj shtëpie është krejtësisht e mbuluar dhe me sofate të mëdhenj, ku mund të kuvendojnë apo këndojnë një grup burrash. Harku i gurtë i portës është i dekoruar e zbukuruar me disa motive, ndërkohë që në dy krahët e saj janë vendosur në kohë të ndryshme, dy pllaka të shkruara në arabisht. Pllaka e parë tregon vitin e përfundimit të ndërtimit të shtëpisë, 1893.

Mashallah, O Zot që zgjidh çdo hall, na i zgjidh edhe neve gjithë vështirësitë
Qershor 1893

Pllaka e dytë është vendosur gjashtë vjet më vonë dhe në të shkruhet:
“Kjo është dhuratë e Zotit tim”.
Prill 1899

Profesori francez u mikprit nga të zotët, kur shtëpia mbushte 30-vjet nga ndërtimi i saj. Dhoma e profesorit francez ishte e shkëputur nga shtëpia e madhe e familjes Çani. Ajo ishte ndërtuar në pjesën fundore të bahçes së madhe të mulla Latos. Thonë se ai e kishte ndërtuar atë për të veruar. Por dhoma ishte paisur me gjithçka, si për dimër, ashtu dhe për verë. Ajo dhomë është e pozicionuar tamam mbi përrua, dhe është ndërtuar mbi shkëmbinjtë e mëdhenj që bien pingul mbi të. Andej mund të shikosh me sy të lirë urën e bukur me një hark, të Ujësjellësit të Ali Pashës dhe të dëgjosh zhurmën gurgulluese të ujrave të ftohtë të dëborës së shkrirë nga rrezet e diellit pranveror. I vetmi nga liceistët që e ka përshkruar këtë banesë është Enver Hoxha:
Më tutje mbi një shkëmb pak a shumë të bardhë ishte një shtëpi tjetër me përmasa disi të gjata, me penxhere të larta e me çati të ulët, jo me brryle prej trari, por me brryle prej guri.
Ende sot muret e gurta të dhomës ku banoi profesor Marshand 100 vjet më parë janë në këmbë. Në të dy anët e portës hyrëse të kësaj dhome, ashtu si në hyrjen kryesore të shtēpisë së madhe janë të vendosura dy pllaka me mbishkrime. Njera prej tyre ka të njëjtin mbishkrim si pllaka në hyrje të portës së madhe të shtëpisë. Ajo tregon vitin e ndërtimit të saj. Dhoma është ndërtuar në të njëjtën kohë me shtëpinë e madhe. Shkrimi mbi pllakën tjetër afirmon besimin tek Zoti:
Zoti është ai që të siguron suksesin, mashallah!
Prill 1899

Muret e kësaj godine, mbeten sot dëshmia e vetme se ku qëndronte një nga profesorët francezë të Liceut i cili kohën e lirë shpesh e kalonte duke pikturuar. Por ai mbetet i veçantë jo vetëm për banesën ku qëndroi, por edhe për një nga pikturat që na la pas.

PIKTURA E MALËSORIT
Pavarësisht se pikturën e kishin pasion dhe e ushtronin një pjesë e madhe e profesorëve të Liceut, vetëm Marshand mundi të pikturojë portretin e një burri që ka lënë gjurmë në histori. Emrin dhe historinë e shkurtër të tij na e ka sjellë përsëri përmes kujtimesh liceisti Enver Hoxha:
Profesor Marshand pikturonte vazhdimisht, sidomos bënte portrete të fshatarëve dhe të shumë njerëzve që mendonte se ishin interesantë. Ai i vizatonte ata me bojra vaji dhe zakonisht në kartona të trashë të formave të ndryshme që i sillte nga Franca. Ç’do ditë pazari ai dilte dhe zgjidhte fshatarin që do të pikturonte, i blinte këtij fiqtë apo pemët që shiste, i kërkonte leje dhe ja fillonte. Fshatari i buzëqeshte dhe nusëronte. Në se e mbaronte në një senacë mirë, në se jo e pyeste se kur do të vinte përsëri. Mua më merte disa herë si përkthyes.
Por për pikturën për të cilën po flasim, modeli nuk ishte i zakonshëm, nga ata burrat me veshje tradicionale jugore, por me veshje të veriut. Imagjinoni sa përshtypje bënte veshja e një malësori mes fustanellave të shumta që mbanin burrat e djemtë e jugut në atë kohë. Kjo i la mbresë profesorit francez, i cili përmes përkthimeve të liceistit Enver Hoxha e bindi malësorin të pozonte për të. Po kush ishte vallë ky malsor?
PRENG CALI – PORTRETI I PREFERUAR I MARSHAND
Gjirokastra shpesh, për hir të kalasë shekullore dhe kubeve të saj të shumta është përdorur edhe për burgosjen dhe internimin e individëve anti-sistem të ç’do kohë. Mes të internuarve nga kryeministri i asaj kohe, Ahmet Zogu ishte edhe malësori Preng Cali. Për shkak jo vetëm të veshjes por edhe të shtatëlartësisë së tij, ai binte shumë në sy, për më tepër që përherë rrinte i veshur me rroba kombëtare të veriut. Në brez mbante një kobure të ergjëndë me zinxhir të varur në qafë dhe pinte duhan me çibukun e tij prej sermi. Marshand i bëri me dhjetra portrete këtij malësori – pohon liceisti Enver Hoxha. Duke hedhur pikturën mbi karton, profesori francez sigurisht e ka studjuar e parë me dhjetra herë me vëmendje portretin e malësorit shtatëlartë. Të njëjtën gjë me siguri e ka bërë edhe liceisti përkthyes, Enveri. Të dy kanë bashkëbiseduar gjatë përmes pyetjeve që Marshand i drejtonte veriorit. Sigurisht që në ato momente liceisti dhe malësori nuk mund ta imagjinonin se 20 vjet më vonë, jeta do ti vinte përsëri përballë njeri-tjetrit. Por kjo “përballje” e dytë, nuk do të ishte aq e paqtë sa takimi i improvizuar përmes artit të pikturës. Këtë e pohon vetë Enver Hoxha në kujtimet e tij:
Më vonë këtë bajraktar reaksionar që u lidh me fashizmin dhe ngriti dorë kundër partizanëve në Kelmend, ne e kapëm dhe e pushkatuam. Kështu nga ky feudal tradhëtar s’ngelën veçse portretet e Marshandit kush e di se ku, në ndonjë muze provincial të Francës ose në koleksione private.
PIKTURA NË MUZEUN HISTORIK KOMBËTAR
Ka qënë më shumë rastësi sesa rezultat i një kërkimi, përballja me pikturën e një burri malësor në Muzeun Historik Kombëtar. Kjo i takon përgatitjeve të dështuara që sektori i trashëgimisë pranë Bashkisë Gjirokastër bënte në kuadër të festimit të 95 – vjetorit të Liceut në vitin 2018, i cili për shkaqe objektive nuk u realizua. Në këtë institucion, liceisti Hamit Kokalari kishte depozituar një sasi fotografish në shenjë respekti për kontributin e mësuesve francezë dhe shqiptarë në zhvillimin e arsimit në Gjirokastër, por në veçanti si detyrim ndaj historisë – pohon vetë ai në kujtimet e tij. Mes tyre janë edhe dy piktura në akuarel të realizuara në copa kartoni në përmasa të vogla. Në njerën është një portret burri lab, ndërsa në tjetrën paraqitet e plotë pamja e një malësori. Të jetë pikturuar në të vallë Preng Cali? Ky do të ishte një “zbulim i vërtetë”, por unë nuk jam fort i sigurt për këtë gjë. Një nga detajet më të rëndësishme është fakti se të dy pikturat janë realizuar nga profesori Marshand. Këtë detaj nuk ka haruar të na i japë liceisti Hamit Kokalari:
Profesori Marshand kishte pikturuar në një akuarel portretin e një labi dhe një malësori. Këtë pikturë, unë ja kam dhuruar Muzeut Historik Kombëtar.
Të jetë e qëllimtë lënia e emrit të profesorit që i kishte bërë këto piktura? Një detaj që e bën më bindës këtë fakt është se vetë Enveri – përkthyes, e pohon se Marshand e kishte pikturuar me dhjetra herë Preng Calin. Do të ishte fare e lehtë për një piktor të falte një nga kopjet e pikturave të tij, dhe jo atë që ishte e vetme. Me informacionet që qarkullonin në shtëpinë e tij për shkak të Reshatit, babait të tij avokat, Hamiti me siguri të plotë ishte i mirë informuar se kush ishte Preng Cali. Dorëzimi i piktirave të Marshand në Muzeun Historik Kombëtar pas shumë kohësh, më bën të besoj se vonesa është e qëllimtë. Hamiti nuk ka dashur të trazojë ujrat. Enveri besonte se portretet e Preng Calit nga Marshand ndodheshin jashtë Shqipërisë: :

…nga ky feudal tradhëtar s’ngelën veçse portretet e Marshandit në ndonjë muze provincial të Francës ose në koleksione private,
Diktatorit të vendit nuk i shkonte aspak ndërmend sepiktura e njeriut të pushkatuar me urdhër të tij ishte marrë në mbrojtje nga institucioni më i rëndësishëm i kujtesës së kombit, M.H.Kombëtar. Me sa duket për siguri, mbi kartonin e pikturuara mungonte identiteti i malësorit. Jam shumë i sigurtë që kjo është e qëllimtë nga Hamit Kokalari. Me këtë gjest të dorëzimit të kësaj picture në MHK, Hamit Kokalari ka kryer vërtetë një mision fisnik. Kjo pikturë nuk na lidh vetëm me një nga profesorët francezë të liceut të Gjirokastrës dhe pasionin tij për artin, por edhe me një pjesë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Hamiti diti të ruajë me fanatizëm një dhuratë që profesori francez i la familjes Kokalari, kolegëve të tij arsimtarë në lice, Mumtazit dhe Vesimit.

SHTËPIA QË RRËFEN TRE KOHË
Shtëpia Çani është një shtëpi që i bën nder listës së banesave gjirokastrite që kanë fituar statusin “Monument Kulture”. Por ndryshe nga të tjerat unë mendoj se ajo meriton edhe një status krejt të veçantë: atë të “Monumentit historik”. Ajo është dëshmitare për tre periudha delikate të historisë sonë, të cilat kanë lënë gjurmë në të. Largësia dhe rrethimi madhështor dhe pika strategjike ku ajo është ndërtuar, kanë afruar gjithmonë siguri për veprimtaritë ilegale të patriotëve gjirokastritë në ç’do kohë.
- 1905 Mesud Çami në fshehtësi ju mësonte nxënësve gjuhën shqipe.
- 1923 mësuesi shqiptar i Liceut, Elmaz Çani, ftoi të banojë në shtëpinë e tij profesorin francez të liceut, Marshand.
- 1943 në ish dhomën ku banoi mësuesi francez, mblidhej këshilli nac – çlirimtar i qytetit.

Por veç këtyre, shtëpia Çani ndoshta si pak të tilla në qytet, na jep edhe tre detaje të shkëlqyera për mënyrën e jetesës së banorëve të saj dikur:
- pusin me 7 kordhele,
- pllakën e ceremonisë mortore të ritit musliman, dhe
- varrezën familjare brenda bahçes së shtëpisë.
- Pusi me shtatë kordhele
Në hapësirën mes shtëpisë dhe dhomës së mësuesit francez, ndodhet pusi i shtëpisë. Ende ruhen të qarta kanalizimet nga të cilët ai furnizohej me ujrat e shiut të dimrit dhe pranverës. Ai ka një emër të veçantë krahasuar me puset e tjerë, të cilët zakonisht marrin si mbiemër, emrin vendodhjes ose të pronarit të tyre; pusi i nanasë, pusi i beut, pusi i përroit etj. Pusi shtëpisë së Mulla Latos është quajtur nga të gjithë, pusi i “Shtatë kordheleve”. Kordhelet janë shtatë rrathët e gurtë që formojnë grykën e tij. Pas “shtatë krojeve” të lagjes Meçite, pusi i shtëpisë së mulla Latos, me sa duket ishte i dyti objekt i ndërtuar që përmbante numrin shtatë në qytet. Objekti i tretë, burgu i “Shtatë penxhereve” do të ndërtohej 39 vite më pas. E ndërsa dy të parat lidheshin me ujin jetëdhënës, e treta lidhej me kufizimin e dritës së jetës. Por numri shtatë si numur i shenjtë lidhej edhe me hapjen e Liceut. Shtatë nga 9 vajzat që u rregjistruan në hapje të tij, ishin të besimit musliman. Por le të kthehemi tek pusi. Nga pusi i “Shtatë kordheleve” piu ujë edhe profesori francez Marshand. Ai jetoi në Gjirokastër në atë periudhë kur uji mungonte, por edhe ai që sigurohej përmes burimit të “Budukut” ishte i ndotur. Shkaku kryesor i vdekjeve të shumta në qytet në atë kohë, vinte nga ndotja e ujit. Por jo uji i pusit të “shtatë kordheleve”. Ai ishte ujë që vinte nga shkrirja e dëborës dhe rënia e shirave pranverorë. Në se hedh një vështrim sot në sarajet e Mulla Latos, me shtëpinë e madhe, dhomën e vogël në buzë të përroit, pusin dhe varrezat e të parëve, të krijohet përshtypja se ai jetonte i shkëputur dhe në vetmi nga të tjerët. Por në fakt nuk është kështu. Më shumë se porta kryesore me sofatet e mëdha, për zemrën e madhe dhe mikpritjen që afronte i zoti i shtëpisë, flet pikërisht pusi. Në kulmin e verës përvëlonjëse të Gjirokastrës, ai për dy orë ç’do ditë i lejonte gjitonët të mbushnin ujë për të pirë. Këtë kohë e shfrytëzonte edhe profesori – piktor Marshand për të realizuar portretet e banorëve të lagjes së sipërme të qytetit. Sipas kujtimeve te liceistit Enver Hoxha, ai e kishte pikturuar pusin me dhjetra herë:

Por gjëja me e bukur atje ishte pusi. Ishte i ndërtuar nga shtatë rradhë gurrësh të mëdhenj njeri mbi tjetrin. Zakonisht ky pus shërbente për shtëpinë e Elmazit, por edhe për gjitonët se uji atje ishte mjaft i shtrenjtë. Për këtë pus profesori Marshand thoshte se ishte i mrekullueshëm dhe e skiconte me saktësi dy tri herë pusin me ato pllakat prej guri të nxjerra nga dërrasaxhinjtë e Dunavatit e të Manalatit, e të vëna rreth e përqark.

- Ceremonia e varrimit
Pllaka e gurtë ku shtrihej meiti dikur, është sot dëshmitarja e ritit musliman të varimit që ndiqte kjo familje. Një dëshmi kjo unikale e së shkuarës, por me vlerë për të sotmen. Ajo është vendosur mbi një kolonë të gurtë dhe ndodhet pranë vareve të familjes, parcela e të cilave është rreth gjysëm metri më lartë nga pjesa tjetër e bahçes. Një pllakë guri e dalë nga muri shërben si shkallë që të shpie për aty.

- Varrezat familjare
Dikur në Gjirokastër, nuk kishte varreza publike. Të krishterët varroseshin në varrezat e kishës, ndërkohë që banorët e besimit musliman, varroseshin në hapësirat e pronave të tyre. Organizimi i varrezave publike diku nga viti 1925 – 1926 e ndërpreu këtë traditë të familjeve muslimane. Megjithatë në pjesën e sipërme të qytetit, në disa prej shtëpive rrënjëse të lagjes Dunavat, varrezat e vjetra janë ruajtur mrekullisht. Një nga më të veçantat është ajo e shtëpisë në fjalë. Në anën perëndimore të bahçes së madhe shtrihet një varrezë e vogël. Në të ndodhen disa varre, mes të cilëve edhe ai i të zotit të shtëpisë, mulla Latos. Ç’do varr, veç gurrëve “sinorë”, është i rrethuar nga një kornizë e gurtë që përcakton sipërfaqen e tij. Mbi to nuk ka pllaka ku zakonisht shënohen emrat e atyre që tani pushojnë nën tokë. Por nisur nga distanca e “gurëve sinorë” në krye dhe në fund të ç’do varri, e kupton fare qartë se aty veç vareve të të rriturve, ka edhe varre fëmijësh. Në verë varreza e vogël mbulohet nga hija e lofatave që i rinë mbi krye si kurorë.

MUZEU I MUNGUAR
Kremtimi i njëqind vjetorit të Liceut do të ishte i paplotë pa një vizitë në shtëpinë e profesorit shqiptar të Liceut Elmaz Çani. Ky është objekti i vetëm i mbetur në këmbë që dëshmon më së miri ritin e mikpritjes gjirokastrite të një shekulli më parë. Dëshira për të hapur një tjetër mini-muze në pjesën e sipërme të qytetit që lidhej me një ngjarje të madhe historike të arsimit shqiptar, hapjen e Liceut të parë miks në Shqipëri, më shtyu të bisedoj një vit më parë me Drejtorinë e Monumenteve të qytetit për të gjetur një mënyrë restaurimi për dhomën e profesor Marshandit. Fatkeqësisht, heshtjen e saj e pasoi edhe një nga shoqatat që e ka shtrirë veprimtarinë e saj në drejtim të mbrojtjes dhe restaurimit të monumenteve të trashëgimisë. Përgjigja ishte e thjeshtë, nuk kemi fonde. Realizimi i një muzeu të vogël do të kompletonte vizitën në këtë banesë të rrallë ku ndërthuren vlera të trashëgimisë arkitekturore, historike dhe kulturore. Atëherë edhe Ura e ujësjellësit të Ali Pashë Tepelenës, si destinacion turistik në këtë zonë, nuk do të ishte më e vetme.
Ndërkohë që Liceu Francez i Gjirokastrës feston 100 vjetorin, shtëpia Çani feston 130 vjetorin e ndërtimit të saj. Në këtë rast do të shkonte urimi i përbashkët: Edhe 1.000!
Ilirjan Lluri Miçigan 2023
P.s – Përkthimi i shkrimit mbi pllakat e gurta nga Ermal Nurja