
Share This Article
100 vjetori i lindjes 10.01.1924 – 2024

Pas ndarjes së tij nga jeta në 21 tetor të 2006-ës e kisha bërë zakon që në çdo 10 janar, në datën e tij të lindjes, të ulesha me ish kolegun dhe shokun e tij, aktorin e njohur Teli Stefani e të çmallesha me tim atë, përmes kujtimeve të tij të gjalla, jo vetëm mbi aktivitetin e Estradës dikur, por edhe mbi krijimtarinë e tim eti në atë trupë.

TELI STEFANI REGJISORI YNË
Teli Stefani në sytë e mi ishte një aktor brilant, interpretimet e të cilit lanë gjurmë në estradë, teatër, kinematografi dhe folklor. Por mbi të gjitha, ai ka qenë regjisor i babait tim, Ruzhdiut, por edhe regjisori im i parë, kur bëja pjesë në rrethin e teatrit pranë shtëpisë së pionierit. Kjo ishte edhe një nga arsyet përse me Teli Stefanin mund të qëndroja dhe komunikoja më lirshëm, krahasuar me shumë të tjerë. Mund të duket e çuditëshme, por gjatë rrëfimeve të tij mbi shfaqjet e estradës dhe turnetë e saj, në Shqipëri e në fshatrat e Qarkut të Gjirokastrës, gjatë kohës që Teli fliste, më dukej se diku aty fare pranë nesh, ishte duke na soditur e dëgjuar plot kënaqësi edhe im atë. Kaq bukur e me dashuri rrëfente ai. Fatkeqësisht për ata që kanë ikur nga kjo jetë, nuk ka kush të flasë më. Institucioni i dikurshëm i të qeshurës në qytet, Estrada, ka humbur përgjithmonë. Megjithëse qyteti dhe jeta nuk na lanë pa buzëqeshje, ky nuk është gjithsesi ngushëllim, po të marrësh parasysh faktin se me mbylljen e estradës profesioniste, humbi një traditë 35 vjeçare e ngritur me aq e aq sakrifica.

Është kjo arsyeja përse 100 vjetori i lindjes së tim eti, më nxiti për të shkruar disa rradhë jo vetëm mbi aktivitetin e tij, por edhe atë të kolegëve të tij. Kjo trupë për 20 vjet me rradhë, 1970 – 1990, realizoi 60 premiera, tre të tilla në vit. Vetëm përgjatë këtyre viteve me një mesatare 3 – 4 role në ç’do premjerë, im atë ka interpretuar në skenë mbi 200 personazhe.

KRIJIMI I ESTRADËS SË GJIROKASTRËS
Trupa e Estradës profesioniste u krijua në 21 nëntor të vitit 1955. Brenda saj u aktivizuan në fillim aktorë, të cilët e kishin shpërfaqur talentin e tyre përmes aktivitetit të trupës amatore të qytetit. Në listën e regjisorëve të kësaj trupe bëjnë pjesë artistë të njohur, si Prokop Mima, Petro Kosta, Bernard Kokalari, Teli Stefani, Dhimitër Dhima, Andon Pilo e Arqile Garo. Regjisori më jetëgjatë dhe më produktiv i saj, sigurisht ishte i madhi Dhimitër Dhima. Ai diti të mbledhë në trupë aktorë nga zona të ndryshme të rrethit të Gjirokastrës të cilët sollën humorin plot ngjyra të qytetit, Labërisë, Lunxhërisë, Zagorisë dhe Libohovës. Në vite emrat e këtyre aktorëve dikur amatorë, u rritën dhe u bënë të njohur edhe në rang kombëtar si; Izet Mato, Teli Stefani, Dhosi Margariti, Merjeme Mevlani, Nebahet Skëndi, Krisanthi Femra, Polo Ndreu, Rustem Asqeri, Petro Kuci, Jorgo Nano, Petraq Qurku, Edmond Kore dhe Klement Konomi.
Im atë u përfshi herët në aktivitetet kulturore të qytetit. Ai ka interpretuar në dramë dhe komedi. Regjisori Bernard Kokalari më kujtoi dy nga shfaqjet e tij; dramën “Zemra e ushtarit” dhe komedinë “Martesa” e autorit rus Gogol.

MATERIALI LETRAR
Materiali letrar i trupës sigurohej nga botimet e ndryshme, ndërkohë që për të shkruanin edhe shkrimtarë të njohur si Agim Shehu, Tasim Gjokutaj, Bekim Harxhi, Pëllumb Kulla, Tasim Aliaj, Gjergj Vlashi, Dionis Bubani, Gaqo Veshi, Hysni Koka, Petraq Qurku e Dhimitraq Konomi. Suksesi i tyre qëndronte në faktin se ata i njihnin më së miri kapacitetet interpretative të aktorëve. Ata shkruanin për ta. Në një korrespodencë me ish mësuesin e gjimnazit Agim Shehu në kuadër të 95 vjetorit të Liceut të Gjirokastrës, ai më pohoi se kishte ardhur disa herë në shtëpinë tonë si mik i tim eti, dhe gjatë kohës që shkruanin materialin që babai do të interpretonte në premierën e re, nëna ime ju servirte petulla me mjaltë. S’i harroj ato kohë të bukura – nënvizonte plot nostalgji profesor Agimi nga emigracioni. Vite më vonë kur unë vijoja gjimnazin, do të gjeja duke punuar në dhomën tonë të pritjes babanë së bashku me Dhimo Dhimën e Dhosi Margaritin. Kështu shkonin ata herë pas here tek njeri – tjetri dhe jepnin mendime mbi materialet që do të interpretonin. Dhimo Dhima ka qënë dhe mbetet një emër i rrallë i humorit. Si regjisor dhe krijues ai shkroi materiale të shkëlqyera duke i lënë hapësirë të gjithë aktorëve dhe duke krijuar kështu, ato segmente të shfaqjes që i jepnin asaj ritmin dhe dinamikën e duhur si; skeçi, parodia, intermexo, monologu, grimca humoristike e pantomima. Im atë ishte korrespodent vullnetar i gazetës “Bashkimi”, ndërkohë që shkruante edhe për revistën e njohur kombëtare të humorit ,“Hosteni”. Diku në një bllok shënimesh kisha shkruar dikur edhe pseudonimin që ai përdorte në shkrimet e tij kritike. Më vonë ai u mor edhe me krijimin e teksteve të këngëve popullore, disa prej të cilave janë kënduar edhe nga grupi popullor i fshatit të tij, Prongji, nga korifeu i grupit, legjendari Sabri Skëndo.

KOMPLEKSI KULTUROR – PALLATI I KULTURËS
Aktivitetin më të madh im atë dhe kolegët e tij e ushtruan në skenën që ndodhej në pjesën e sipërme të qytetit, e cila bënte pjesë në kompleksin e njohur me emrin Pallati i Kulturës, për ndërtimin e të cilit punuan edhe vetë. Brenda këtij ndërtimi të shkëlqyer arkitekturor, bënin pjesë salla e shfaqjeve Teatër – Estradë, salla e kërcimit, biblioteka e qytetit, ateljeja e skenografit të parë të estradës e më vonë edhe të teatrit, Vaso Lili dhe kabinat e grimit të aktorëve. Në krah të saj ishte kinemaja verore e ngjitur me të, godina e kinemasë së qytetit. Pas vdekjes së Enver Hoxhës godina u shkatërrua dhe në sipërfaqen e fituar u vendos busti i tij.



AKTOR, SI BABAI
Aktor si babai… Kjo ishte shprehja që shoqëroi zakonisht urimet që më dhanë të njohur e të panjohur pas shpalljes time fitues, për të ndjekur studimet në degën e aktrimit në Institutin e Lartë të Arteve Tiranë. Mbaj mend se im atë nuk u interesua fare për përgatitjet e mia për konkurimin. Madje ai dëshironte që unë të kërkoja për të vijuar studimet në degën e mjekësisë. Por gjithsesi një ditë përpara nisjes sime në Tiranë më tha, – hajde t’i dëgjoj njëherë materialet që ke përgatitur. Unë në atë periudhë i bëja provat përpara pasqyrës së madhe të dhomës së gjumit. Disa herë e kisha parë fshehtas tim atë kur bënte prova për rolet që do të interpretonte në premierën e re. Atë ditë që kërkoi të më dëgjonte interpretimet e materialeve, ishim përsëri në dhomën e gjumit, por tani “pasqyra”, ishte im atë. Pasi më dëgjoi më tha qetësisht, – do ta fitosh konkursin. Nuk e falënderova për mbështetjen që më dha, por brenda vetes u ndjeva mirë që ai po besonte tek unë. Nuk e di nëse i ka ndjekur ai interpretimet e mia të fëmijërisë, në Tabllot e Vitit të Ri. Këto shfaqje i përgatiste regjisori Teli Stefani, me ne fëmijët e rrethit të teatrit pranë shtëpisë së pionierit. Shfaqjet jepeshin në shtëpinë e vjetër të Kulturës. Ne aktorët e vegjël, falë regjisorit tonë, kishim fatin të bëheshim gati për shfaqen në kabinat e aktorëve profesionistë, të cilat ndodheshin poshtë skenës.

Nga materialet aktoriale të babait unë kam përdor në skenë vetëm një palë mustaqe, dhe pak ton, megjithëse ai më këshillonte të mos e përdorja tonin se ai të shkatërronte lëkurën. Në shumicën e rasteve ato ishin disa tubeta me ngjyra dhe sipër tyre kishte të shkruara fjalë në gjuhën ruse. Aktorët e estradës dikur nuk përdornin ngjitës për mustaqet, por një lloj kapse teli të përgatitur vetë. Me atë kapse mustaqet ishin shumë të sigurta e nuk të binin gjatë interpretimit, por nganjëherë kapsja lëvizte dhe mustaqet të rrinin shtrembër. Nga këto kujtime të largëta ruaj ende një fotografi të madhe të një prej tabllove të Vitit të Ri, të cilën ma fali profesori i dikurshëm i shtëpisë së pionierit ku bënim rrethin e fotografisë, Zihni Sinani. Sa herë e shikoj atë foto, mendoj se diku në një cep të sallës së spektatorëve ka qënë duke më parë gjatë interpretimit edhe im atë. Ndoshta edhe më ka duartrokitur.

ZHEVAKINI – KOMEDIA “MARTESA”
Në fillim të vitit të dytë në Institutin e Lartë të Arteve ne vendosëm fragmente nga drama apo komedi të ndryshme. Kur u ktheva me pushime për festat e nëntorit në Gjirokastër, im atë më pyeti se si kaloja me studimet? I thashë se ishim duke vënë në skenë një fragment nga komedia, “Martesa” e autorit rus Gogol. Kemi si pedagog Misto Zoton – i thashë. – Kë rol të kanë dhënë, më pyeti? – Rolin e Zhevakinit, ju përgjigja. Atë rol e kam interpretuar edhe unë, – tha ai. Në albumin tim ke një fotografi nga ajo shfaqe që e vuri në skenë regjisori Teli Stefani. E pashë që po i qeshnin sytë, dhe mu kujtua urimi; – aktor si babai. Më në fund ndoshta po i vinte mirë që po ndiqja profesionin e tij. Fati e solli që ashtu si ai, edhe unë të kem nga kjo shfaqe si kujtim dy apo tri fotografi. Për veshje u shfrytëzua garderoba e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Disa kohë më parë ky teatër e kishte pjesë të repertorit këtë komedi.




PUSHKA E BABAIT
Në kujtimet e tij Teli Stefani më fliste edhe për turnetë që nganjëherë zgjasnin plot një muaj. Kur dilnim turne, – më thoshte Teli, Ruzhdiu merte me vete edhe pushkën, se udhëtonim në këmbë nga një fshat në tjetrin dhe ruheshim nga ujqërit. Pushkën e mbaja unë, po fishekët i mbante në xhep Ruzhdiu.

100 vjetori i lindjes së tim eti, përkon edhe me tetëdhjetë vjetorin e çlirimit të vendit. Kjo ka rëndësi për tu theksuar se, im atë doli partizan dhe ishte pjesë e Brigadës së VI sulmuese. Ai ishte krenar për këtë fakt, por gjatë gjithë jetës e shoqëroi modestia. Nuk varte në xhaketa as medaljon kujtimi e as ndonjë vlerësim tjetër me të cilin ishin nderuar pjesëmarrësit e rradhëve partizane gjatë ceremonive të ndryshme. Kujtimet e Luftës së Dytë Botërore ai i ruante përmes disa fotografive që i mbante të mbyllura në një valixhe të sajuar nga një arkë municioni e luftës, e cila qëndronte e mbyllur me një dryn. Por objektet kryesore që e lidhnin rrënjësisht me luftën, ishin dy armë që ai i mbante në shtëpi që nga ajo kohë; një pushkë dhe një pistoletë. Pikërisht pushkën që kishte përdorur në luftë e merrte në turnetë e fshatrave. Udhëtimet e trupës së estradës në këto turne dhe pushka e babait të cilën e mbante aktori Teli Stefani kanë mbetur të stampuara në dy fotografi të cilat ashtu si shumë të tjera janë siguruar përmes albumit fotografik të Telit. Në turnetë nëpër qytetet e vendit, ai dhe im atë ndanin së bashku dhomën e hotelit.


PROGRAMI I PREMIERËS “LARTËSI TË REJA”
Dy fletë programi të ruajtura nga babai të premierës “Lartësi të reja” ku peshën kryesore e kishte trupa e cirkut drejtuar nga mjeshtri Sotiraq Paskali, më tërhoqën vëmendjen. Në to u ndesha me emrat e një grupi të tërë artistësh, një pjesë e të cilëve tashmë janë ndarë nga jeta. Ata kontribuan në vite cilësisht në fushën e Varietesë Gjirokastrite ku bënin pjesë akrobatët, trupa e aktorëve, formacioni orkestral dhe këngëtarët. Por mua më tërhoqi gjithashtu vëmendjen, edhe një material ku ka interpretuar dhe im atë, me titullin domethënës: “Gjysma e deputetëve, janë hajdutë”. Kur personazhi që kishte thënë këtë shprehje, vendosej përpara presionit të madh që të pohonte të kundërtën e saj, se ndryshe do të dënohej, ai e korrigjonte shprehjen duke thënë: “Gjysma e deputetëve, nuk janë hajdutë”!







TIFOZI I SËMURË
Pas daljes së tij në pension babain e thërritën pranë trupës së estradës në kuadër të festimit të 30 vjetorit të krijimit të saj që i takonte vitit 1985 -së. Artisti mjeshtër i karikaturës, Panajot Vasili i njohur me pseudonimin “Sinapi”, me këtë rast realizoi edhe nga një karikaturë për disa nga artistët veteranë. Ishte një ngacmim miqësor për ata aktorë që përmes humorit të tyre fshikulluan në vite me dhjetra fenomene negative të shoqërisë dhe vese individësh problematikë. Në këtë shfaqje im atë interpretoi rolin e tifozit në skeçin “Tifozi i sëmurë”. Ka qënë një nga materialet që është pritur me ovacione nga publiku gjirokastrit. Sot pak mund të besohet që duartrokitjet e zgjatura dhe thirrjet; – edhe njëherë! edhe një herë! – i detyronin aktorët të interpretonin materialin për herë të dytë. Ishte koha kur ekipi i futbollit të qytetit “Luftëtari” po shkruante historinë e tij, dhe një humbje apo padrejtësi në gjykim e bënte gjithë stadiumin të oshëtinte nga thirrjet në kor; Luftëtari – Luftëtari! Mes atij kori prej mijëra tifozësh kishte edhe disa kryetifozë. Im atë e kishte pasuruar rolin e tij në estradë, me disa detaje të marra nga më tipiku prej tyre. Megjithëse pa shkollë, aktorët e estradës dikur i “gjuanin” tipat dhe karakteret e roleve të tyre nga personazhet jetësorë që endeshin ngado në qytet. Kjo e bënte personazhin e interpretuar prej tyre më të dashur për publikun e qytetit të vogël, ku të gjithë, njiheshin prej të gjithëve. Madje kishte disa raste që gjatë interpretimit të personazhit të tifozit prej tij, nga salla të thërritej emri i tifozit të vërtetë. Edhe nga kjo shfaqje, ku bashkëregjisor ishte edhe shoku im i Institutit të Lartë të Arteve Arqile Garo, ruhet një foto shumë e bukur, ku në krah të aktorit është edhe karikaturra e tij. Estrada profesioniste e qytetit të Gjirokastrës ja doli të fitojë vendin e dytë në republikë në një nga takimet kombëtare të asaj kohe. Ajo është nderuar edhe me tituj nderi si: “Flamuri i garave” si kolektiv (teatër – estradë – cirk) në 1976, dhe me titullin “Naim Frashëri” – Klasi i Tretë. Në vite nuk ka munguar edhe vlerësimi i rregjisorit Dhimitër Dhima dhe i disa prej artistëve të Varietesë Gjirokastrite ku bëjnë pjesë aktorët, këngëtarët, akrobatët dhe orkestrantët: Aktorët: Izet Mato, Merjeme Mevlani, Teli Stefani, Dhosi Margariti, Rustem Asqeri, Mehdi Baduni, Nebahet Skëndi, Polo Ndreu. Mes emrave të këtyre artistëve të nderuar ishte edhe ai i aktorit Ruzhdi Lluri i vlerësuar nga Presidenca me titullin “Naim Frashëri”. Dirigjentët: Roland Çene, Jorgo Roze, Naxhi Kasoruho, Saimir Skënduli. Këngëtarët: Petrit Lulo, Eftimi Llambro, Maliq Çomo. Akrobatët: Sotiraq Paskali, Frida Paskali, Miço Kasapi, Kastriot Meçe. Skenografët: Vaso Lili e Bashkim Ahmeti. Me jetëshkrimin artistik të tim eti mbrojti diplomën studenti i I.L.Arteve aktori i njohur, i estradēs Klement Konomi.





ROLE EPISODIKE NË KINEMATOGRAFI
Babai nuk pati ndonjë aktivizim të rëndësishëm në kinematografi. Gjithsesi ai mundi të lërë dy personazhe në dy filma xhirimet e të cilëve u bënë në Gjirokastër; “Një emër midis njerëzve” dhe “Liri a Vdekje”. Isha viti i katërt gjimnaz kur në qytet xhirohej filmi “Liri a Vdekje” kushtuar Heroit Kombëtar Çerçiz Topulli. Pas trokitjeve që ranë në portën e shtëpisë, qëndronin dy burra. Ata kërkuan babanë i cili i ftoi menjëherë brenda. Në dhomën e pritjes qëndrova edhe unë. Ishin dy regjisorët e filmit, Ibrahim Muça dhe Kristaq Mitro. Ata kërkonin ndonjë detaj për Çerçizin dhe çetën e tij nga im atë, pasi babai i tij, Majko Lluri kishte qënë korrieri i saj, gjatë kohës që çeta qëndroi e fshehur në këtë zonë, pas Luftës së Mashkullorës. Ata kërkuan ndonjë detaj edhe për atentatorin nga Prongjia, Bajram Ligu, i cili vrau Bimbashin së bashku me Hito Lekdushin. Ndoshta kjo, dhe profesioni aktor i babait i nxiti dy regjisorët t’i besonin atij rolin episodik të hoxhës. Fati e solli që në sekuencën e xhiruar, babai të dialogonte fare shkurt me aktorin e madh Kadri Rroshi, i cili një vit më vonë do të ishte edhe pedagogu im i mjeshtërisë së aktorit në Institutin e Lartë të Arteve, ndërkohë që me dy regjisorët e filmit, u ritakova gjatë praktikës si student i rregjisë në filmin e tyre Apasionata.


FESTIMI I 80 VJETORIT TË LINDJES
Një karafil për çdo 10 vjeçar jete, ky ishte detaji që Piro Qiqi dhe Stefo Arseni zgjodhën për ceremoninë e festimit të 80 vjetorit të tim eti. Atij ju dhuruan tetë karafila nga aktorët dhe artistët pjesmarrës në ceremoni. Brenda këtij aktiviteti regjisori Pirro Qiqi ringriti në interpretim edhe materialin e sukseshëm, “Nusja dhe vjehrri”. Për shkak të moshës, babai interpretoi i ulur, ndërkohë që herë pas here Dhosi Margariti dhe Merjeme Mevlani, veç roleve që interpretonin krah tij, ju duhej të bënin me rradhë edhe suflerin duke i kujtuar babait tekstin. Por pavarësisht kësaj, personazhi i interpretuar prej tij erdhi i plotë, ashtu si dikur kur publiku e kishte duartrokitur gjatë. Ky ishte edhe interpretimi i tij i fundit.




Ekspozita fotografike
Menxheri i njohur i artit Stefan Arseni hapi në hollin e turizmit një ekspozitë fotografike nga rolet që im atë kishte interpretuar në vite. Bashkë me të, aty ishin të eksopzuar edhe ai grup i shkëlqyer aktorësh, të cilët me talentin dhe me raportet shoqërore e miqësore që kishin ndërtuar mes tyre, ditën ta rrisnin njeri – tjetrin profesionalisht. Në to ishin stampuar çaste të rralla nga interpretimi i tyre në vite, realizuar nga fotografët e njohur të qytetit; Filip Vito, Leonard Qendro, Viktor Vito, etj.
NDARJA E DYTË NGA IM ATË
Pas disa vitesh edhe aktori Teli Stefani u nda nga jeta. Një nga shenjat paralajmëruese të ikjes së tij, ishte një rritje e beftë tensioni. E gjeta krejt rastësisht të ulur dhe mbështetur tek pezuli i farmacisë në lagjen “18 shtatori”. E çova në spital dhe prita deri sa tensioni t’i stabilizohej. U duk se e mori veten. Por, pak kohë më vonë u rëndua përsëri. Një jetë të tërë im atë dhe Teli punuan bashkë dhe nuk u ndanë nga Estrada. Muajt e lindjes së njeri – tjetrit, u kthyen papritur në muajt e vdekjes së tyre. Kur kujton njerin, vetvetiu të shkon mendja edhe tek tjetri. Im atë lindi në janar, muaj ky kur Teli u nda nga jeta, ndërkohë që Teli lindi në tetor, muaji kur mbylli sytë im atë. Prandaj ikja e Teli Stefanit nga jeta, ishte si një ndarje e dytë nga im atë. Ishte pikërisht ai, që përmes kujtimeve të tij të çmuara, më plotësoi mallin dhe boshllëkun që mu krijua pas ndarjes së tij nga jeta.

MBYLLJE
Hajde pak më shpesh – më tha babai duke më përcjellë tek dera e jashtme e shtëpisë, dhe pasi më pa me vëmendje drejt e në sy, shtoi: – S’kemi shumë kohë. Sytë e tij të vegjël atë çast i ngjanin një zjarri që po shuhej.
Një vit më pas ai u nda nga jeta. Gjatë ceremonisë mortore më shkoi ndërmend të ndërhyja një çast e të thosha; ju lutem një duartrokitje! Dëshiroja ta përcillnim me durtrokitje tim atë, se pikërisht ato janë dhe mbeten jeta e një aktori. Por diçka më frenoi. Papritur mu rikujtua shprehja e tij; – S’kemi shumë kohë!
Mu duk sikur diçka më shkundi. Në ato momente po e kuptoja vërtetë se, për ata që e ndjejnë ikjen e tyre nga jeta, koha për tu ç’mallur ka një kufi, ndërkohë që për ata që mbeten pas, malli nuk shuhet kurrë.
Ilirjan Lluri – Miçigan 14 janar 2024







