Share This Article
Nga Ilir Lluri
Manushaqja, lulja lajmëtare e Pranverës
E para lule që ndjen fillimin e ngrohjes së motit, është manushaqja. Jo vetëm lulëzimi i saj, por edhe aroma, e bëjnë atë lulen më të dashur të fëmijve. Por ka edhe një tjetër arsye të lidhjes që ata kanë mes tyre. Kjo lule e rrallë, dikur ishte dhurata më e mirë për mësuesit në ditën e festës së tyre, 7 mars. E ritur në hije dhe e mbrojtur nga shkurishtet e mëdha, kjo lule e vogël dhe e brishtë është e vështirë për tu mbledhur. Prandaj dashuria me të cilën fëmijët e mblidhnin manushaqen aromëmirë, shoqërohej shpesh me gërvishje deri në gjakosje të duarve të tyre të vogla.
Hapja e Liceut Frëng
5 nëntor 1923 – 2023
Dita e 5 nëntorit 1923 do të mbetet një ditë e shënuar jo vetëm për Gjirokastrën, por edhe për Shqipërinë. Të hënën e 5 nëntorit të 100 viteve më parë, në qytet hapi dyert Liceu Frëng, i pari lice miks në Shqipëri. Këtë status të veçantë kjo shkollë e mori nga pjesmarja në të e vajzave. Sipas drejtorit të Liceut, Kutan, vajzat e rregjistruara në Lice ishin dhjetë. Por në fotografinë e klasës së VIII – B, të shkrepur në vitin 1924 ndodhen vetëm nëntë prej tyre. Gjykuar me ç’ndodhte 100 vjet më parë, kur vajzat në moshën 12 apo 13 vjeçare mbylleshin brenda mureve të shtëpisë, vetvetiu të lind një pyetje: ku e gjetën guximin ato familje gjirokastrite që shkelën aq papritur zakonet shekullore dhe ju kundërvunë opinionit të kohës, duke na dhënë një shembull emancipimi të pa imagjinueshëm? Liceu i Gjirokastrës u hap 6 vjet pas atij të Korçës. Ajo që në këtë lice, nuk po ndodhte ende përgjatë gjashtë viteve, në Gjirokastër ndodhi që në ditën e parë të hapjes së tij. Si kishte mundësi të ndodhte kjo?
Pak histori
Në fakt në bazë të shembujve nga historia, një shenjë e tillë emancipimi mund dhe duhej të lindte vetëm në Gjirokastër, sepse në këtë qytet dhe rrethinat e tij, sinjale të tilla ishin dhënë prej kohësh. Në 4 prill 1910 kur u hap shkolla shqipe “Lidhja ortodokse” e Labovës, mes djemve u pa edhe një vajzë e vogël, Katerina Cica. Me këtë sfidë të rrallë ndaj shkollës greke të fshatit, vogëlushen guximtare që nga ajo ditë filluan ta thërrisnin “Kato shqiptarja”. Por gjirokastritët e kishin akoma më të hershme shkëndijën emancipuese në këtë drejtim. Nxënësja e parë e shkollës shqipe të Korçës të 7 marsit 1887 Polikseni Anastas Dhespoti (Polikseni Kristo Luarasi), rridhte nga familja gjirokastrite Kekezi. Dy nga mësuesit që ndikuan ndjeshëm në emancipimin e një pjese elitare të familjeve gjirokastrite ishin Urani Rumbo dhe Thoma Papapano.
Urani Rumbo
Urania mësuesja e njohur gjerësisht në jug, kishte shkruar në murin e brendshëm të shkollës së vajzave në lagjen “Varrosh” parullën: “Për vajzën, shes kalin”, duke sfiduar mentalitetin e kohës që përmblidhej në shprehjen e njohur: “për djalin, shes kalin!”. Me punën e saj të palodhur ajo solli edhe një ndryshim të dukshëm në sjelljen dhe shoqërimin mes vajzave të besimeve të ndryshme fetare. Pas shumë përpjekjesh, ajo ja doli të ulë në krah të njera-tjetrës në bangat e shkollës, vajzën muslimane të lagjes “Dunavat” me atë ortodokse të lagjes “Pazari i vjetër”. Një pjesë e bejlerëve dhe agallarëve e shihnin me dyshim punën plot pasion të drejtoreshës së shkollës së vajzave të Varroshit. Nëpër tavolina kafenesh ata e akuzonin Urani Rumbon:
- Ajo ka në bark Greqinë!
Thoma Papapano
I pari mësues që luftoi që bënte të mundur që vajzat të shkonin në një shkollë me djemtë ishte mësuesi i shkollës së parë shqipe në Gjirpokastër, Thoma Papapano. Veprimtaria e tij për kohën u cilësua e dyshimtë. Sigurisht që pjesa më e madhe e opinionit e kundërshtonin pikpamjen e Papapanos për hapjen e një shkolle mikse. Madje një letër – ankesë ju dërgua edhe Ministrisë së Arsimit:
“Papapano jep urdhëra për ndjekjen e shkollës nga vajzat, pa u mbështetur mbi frymën e zakonit të vëndit. Ky urdhëron vajza 11 e 12 vjeçare të mësojnë tok me djem të kësaj moshe dhe me më të mëdhenj.”
Ministria e Arsimit dha udhëzimin që të ruheshin zakonet e vendit, pra që vajzat mos shkojnin në shkollë bashkë me djemtë. Idetë emancipuese të dy mësuesve të njohur, të cilat dilnin nga “shinat” shekullore të moralit të Perandorisë Osmane, u gjykuan të rrezikshme edhe nga pushteti. Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu në një dokument e cilësoi të rrezikshme veprimtarinë e Papapanos:
Informacionet që kemi na sigurojnë se inspektor z.Thoma Papapano me të vërtetë asht tue ba propagandë të damshme.
NËNTË VAJZAT E LICEUT
Pavarësisht ndjeshmërisë që ka shoqëria jonë sot ndaj ngjarjeve të mëdha që kanë shoqëruar jetën e qytetit tonë, duhet theksuar me forcë se vajzat që u ulën të parat në bangat e Liceut Francez të Gjirokastrës, tashmë janë pjesë e historisë jo vetëm të arsimit lokal por edhe atij kombëtar. Me gjestin e tyre ato nuk bënë krenarë vetëm familjet dhe fiset të cilëve ju përkisnin, por edhe qytetin e tyre, Gjirokastrën. Ato i takonin dy besimeve fetare. Shtatë ishin muslimane dhe dy ortodokse.
Nasibe Kokalari
Athina Koça
Meleqe Qadhimi
Mine Ciu
Penellopi Karajani
Shuqurie Kavo
Zejnepe Beqiri
Merzo Shupo
Ixhlal Kumbaro
Zejnepe Beqiri – nxënsja elitare e Liceut
Pjesmarrja e vajzave në Liceun Frëng të Gjirokastrës në fillim u përcoll përmes dyshimit të ecurisë dhe rezultatateve të tyre në mësime krahasuar më djemtë, për të cilët shoqëria gjirokastrite ashtu si ajo shqiptare në përgjithësi sakrifikonte më shumë për ti arsimuar. Por përfundimi i vitit të parë dhe të tretë të Liceut rreshtoi krahas djalit fitues edhe njerën nga nëntë vajzat. Në ceremoninë e organizuar në përfundim të vitit të parë mësimor 1923 – 1924, nxënësit më të mirë të Liceut u shpallën Zejnepe Beqiri dhe Hamit Kokalari. Ja si e përcolli botuesi dhe gazetari Veli Hashorva këtë moment:
Minuta më e mallëngjyer ishte kur u thir nxënësja Zejnepe Beqiri që të marrë bashkë me nxënësin Hamit Kokalari dhuratën si të parët e shkollës. Erdhi në mes me një çap të hijshëm e të turpshëm dhe qëndroi përpara profesoreshës së saj madamë Coutant. Kjo e puthi me mallëngjim, teksa sallla oshëtinte nga duartrokitjet e gjalla të së ftuarve. Zejnepe Beqiri atë minutë simbolizonte në gjithë sublimitetin e saj, gruan ideale të Shqipërisë së re. Dhe shumë lot u derdhnë. Lot gëzimi, ëndërash shpresash.
MONUMENTI I MUNGUAR
100 – vjetori i themelimit të Liceut të parë miks në Shqipëri mendoj se veç të tjerash, do të duhej të kremtohej edhe me një vepër arti. Një basoreliev i vendosur para gjimnazit “Asim Zeneli” vite më parë, na sjell në vëmendje një nga momentet brilante të historikut të tij: protestën e gjimnazistëve kundër pushtuesit italian në 6 mars të vitit 1942. Ishte koha kur idetë komuniste ishin përhapur tek rinia shkollore, një pjesë e së cilës vetëm pak kohë më vonë do ti bashkohej ushtrisë partizane. Më duket e pafalshme që fillesa, çelja e Liceut të mbetet pa asnjë gjurmë të tillë. Historia e nëntë vajzave që shkuan në një shkollë me djemtë për herë të parë në Shqipëri, është në fakt një betejë po aq brilante dhe ndoshta shumë më e vështirë nga ajo e liceistëve të vitit 1942. Në se Nurie Çiço, Firdes Toto dhe të rinjtë e tjerë gjimnazistë u ngritën kundër një armiku që e kishin përballë dhe kishte pushtuar vendin në vitin 1939, nëntë vajzat e Liceut u ngritën dhe triumfuan kundër një armiku të brendshëm e shekullor. Një armiku që ndryshe nga i pari, strehën nuk e kishte vetëm në disa institucione, por në ndërgjegjen e njerëzve. Ai ishte bërë pjesë e ritualeve dhe zakoneve vendore të imponuara nga reformat e Perandorisë Osmane në shekuj në gjirin e familjeve muslimane. Në mbrojtje të tij ishte ferexheja që ju binte në sy vogëlusheve, ishte llozi i portave të rënda gjirokastrite që e mbyllnin vajzën 13 vjeçare brenda shtëpisë, ishte “Juku i jorganëve” apo “Pusi nanasë”, vendet e ndëshkimit fatal (me mbytje) në rast të shkeljes së “nderit”. Megjithëse të ndara në fe, këto vajza dhe familjet e tyre e gjetën një arsye për të dalë mbi moralin e kohës. Thonë që beteja më e vështirë është beteja me veten. Ato dhe familjet e tyre e fituan atë. Nuk kam gjetur askund asnjë dokument në se gjesti i tyre sa i rrallë, po aq kurajoz, edhe fisnik, të jetë çmuar e vlerësuar ndonjëherë gjatë festimit të përvjetorëve të Liceut në vite. Duke e parë në vazhdimësi jetën e liceut tonë, besoj se edhe heroina e popullit Bule Naipi, edhe “vajza e flamurit kombëtar” Nurie Çiço, edhe të gjitha ato gjimnaziste që braktisën bangat e shkollës dhe u bashkuan malit me çetat partizane, janë vazhdimësi e kurajos dhe guximit që na lanë si mesazh nëntë vajzat e para të Liceut, por me një ndryshim të në dukje të vogël: të parat e fituan “luftën” duke u ulur në bangat e Liceut, të dytat duke i braktisur ato, për tu ngjitur maleve të atdheut.
…
Si lule manushaqet të lidhura ngushtësisht me festën e mësuesit, edhe nëntë vajzat e Liceut të Gjirokastrës lajmëruan ardhjen e një stine tjetër por krejt të panjohur më parë në arsimin shqiptar. Kjo “buqetë” e vogël vajzash u mblodh me vështirësi ashtu si manushaqet, dhe po ashtu si ato edhe ajo la gjurmë. Por ndryshe nga të gërvishurat në duart e fëmijve, këto gjurmë tronditën ndërgjegjen e shoqërisë patriarkale gjirokastrite dhe shqiptare. Ishte një natë e gjatë ajo e “luftës” që ndodhi brenda shtëpive hijerënda të qytetit, i cili mbeti i pagjumë pas përshëndetjes së mirseardhjes që ju bëri mësuesve të huaj në mbasditen e 4 nëntorit në sheshin “Çerçiz Topulli”. Kjo betejë e gjatë u fitua vetëm në nëntë prej familjeve gjirokastrite. Ishin ato që pritën syzgjuar lindjen e një dite ndryshe mbi Gjirokastër. Ato nuk e dinin në fakt se me gjestin e tyre në dukje modest, prunë një ndryshim të madh për të gjithë Shqipërinë. Aroma e “buqetës” së vajzave të liceut të Gjirokastrës, ndryshe nga ajo e manushaqeve të 7 marsit, është e përherëshme. Viti i njëqintë i kësaj ngjarjeje meriton gjithë mirënjohjen dhe respektin tonë. Faleminderit vogëlushe për gjestin tuaj të madh!
Miçigan 4 nëntor 2023