Share This Article
100 vjet 27 gusht 1923 – 2023
Nga Ilirjan Lluri
Të parët tanë janë kujdesur që ngjarjet e rëndësishme historike që kishte kaluar Gjirokastra, të na i përcillnin jo vetëm përmes historisë, por edhe përmes lojrave fëminore. Në Gjirokastrën me kalanë madhështore nuk mungonte loja me shpata, e as ajo me pushkë. Por unë do të ndalem sot në një lojë tjetër, shumë më të veçantë;
LOJA E KUFIJVE
Sipas numrit të lojtarëve, në tokë vizatoheshin katrorë të mëdhenj e të barabartë. Secili prej fëmijve zgjidhte emrin e një vendi dhe e shkruante mbi të. Loja ishte në fakt një garë të cilën e fitonte ai, i cili e riste sipërfaqen e vendit të vet, në kurriz të të tjerëve. Kush humbiste tokën e vendit të tij, dilte nga loja. Më kujtohet se si njëherë, babai i një shokut tim më të vogël në moshë nga unë, më ndali në rrugë dhe më tha:
- Të keqen xhaxhi, lereni të fitojë ndonjëherë edhe djalin tim, se ç’do mbasdite më vjen me lotë në sy e më ankohet, ma rrëmbyen Çamërinë.
- Lojë është, u justifikova unë.
- Po pse është lojë ta kërkoj. Hë të keqen xhaxhi.
Mu bë koka tym, por gjithsesi e tunda pa thënë asnjë fjalë. Unë mezi mbroja vendin tim. Në lojën tonë humbësit ishin gjithmonë më të vegjëlit në moshë, e sidomos në shtat. Dorra e gjatë e më të riturve rrëmbente më shumë tokë nga të tjerët me shkopin e hollë, maja e të cilit duke u gërvishur mbi dhe, shenjonte kufirin e ri mes fituesit dhe humbësit. Në fakt, të therrte në shpirt ai tingull i mprehtë që shkaktonte kjo gërvishje, kur ajo pjesë toke që rrëmbehej ishte e vendit tënd. Megjithëse ka kohë që kjo lojë nuk luhet më nga fëmijët, ngjarjet rreth nesh, jo vetëm që ma sjellin shpesh ndërmend atë, por më nxitën të kërkoj diçka rreth kohës se si mbriti ajo gjer tek ne.
VIJA E KUFIRIT DHE GJIROKASTRA
Në 19 gusht të vitit 1921 në Kryekatundarinë e Gjirokastrës (bashki) mbriti një telegram nga Parisi. Ishte dërguar nga Mitat Frashëri. Njoftimi që përmbante telegrami ishte i një rëndësie të veçantë:
Zyrtarisht Anglia i njohu Shqipërisë Gjirokastrën. Uroj nga zemra se tani s’ka rrezik për kufijtë e 1913. Falëndëroni me telegram Anglinë, Italinë, Francën për lirinë e plotë.
METAT
Dy ditë më vonë, telegrame që përcillnin të njëjtin lajm mbritën edhe nga Këshilli i Naltë i Shtetit Shqiptar nën emrin e Aqif Elbasanit dhe nga kryeministri Iljaz Vrioni.
Në një version më të zgjeruar Këshilli i Naltë i shtetit, informonte se Anglia më në fund e kishte hequr veton e saj, që Korça dhe Gjirokastra ti mbeteshin Greqisë. Por një nga informacionet e pa shprehura në telegramet e mësipërme ishte se, propozimi që Shqipërisë ti mbeteshin kufijtë e 1913 ishte bërë nga Qeverisë Italiane. Ja si shprehet përfaqësonjësi i Italisë Castoldi në telegramin e tij:
Lajmërohemi zyrtarisht që eksperti anglez për çështjen e Shqipërisë, i ka deklaruar delegatit Italian se Qeveria Angleze ka rënë dakord që kufiri i jugut të mbetet ai i 1913, simbas propozimit të Qeverisë Italiane. Urojmë që vështirësitë teknike të vërejtura për tërësinë tuaj kombëtare të kurorëzohen me fitimet më të mira
CASTOLDI
FESTIMET PËR LAJMIN E KUFIJVE NË JUG
Gjirokastra ne festë
Gjirokastra e festoi në mënyrë madhështore lajmin për sigurimin e kufijve të jugut. Festa e filluar ditën e shtunë, vazhdoi deri ditën e hënë në mëngjes. Të dielën në orën 4 pasdite, populli u përshëndet në sheshin para bashkisë nga deputeti i saj Bahri Omari. Që andej turma popullore u drejtua për urime në prefekturë. Në orën 6 mbasdite nga kalaja e qytetit festimi i ngjarjes së madhe u finalizua me të shtënat e topave.
Poliçani në festë
Data 22 gusht do të mbahet mend si një nga kremtimet më të rralla në Poliçan. Këmbanat ranë që nga mëngjesi duke marrë pjesë në kremtimin e ditës së shenjtë të kufijve. Festa filloi që në orën tetë të mëngjesit. Shumica e të moshuarve uruan në zyrë përfaqësuesin e qeverisë. Populli kishte prurë me vete pije dhe gatime të ndryshme. Kryeplaku i fshatit me gotë në dorë ngriti këtë dolli:
E pimë për këtë ditë. Përëndia e dhëntë që kufijtë tona, të jenë më tutje!”
Jashtë në sheshin e tregut u shtruan tavolinat. Flamurin dy krenor e tunde era e Nemëçkës. Nga Sopiku erdhën në festë komandanti i stacionit dhe përfaqësues të fshatit, ndërkohë që përfaqësuesit e fshatit Skore me priftin përpara, mbritën në shesh në orën 10, kur vallja dhe kënga kishin pushtuar vendin. Folën në këtë festë Dhimosten Haxhollu, Niko Kaliva dhe Gligor Babakas.
Kufijtë e jugut vijonin të ishin shqetësim shumë i madh në vitin 1923. Lajmet se, ku do të kalonte vija e kufirit, ç’mbetej brenda e ç’farë lihej jashtë trupit të Shqipërisë ishin në rendin e ditës. Përmes shtypit të kohës, mësojmë se komisioni i kufijve do të mbrinte në Shqipëri në 27 prill dhe në 1 maj ai do të niste nga puna.
DITA TERS E SHQIPTARËVE
Komisioni i Kufijve nën kryesinë e gjeneralit Italian Telini mbriti në Sarandë të premten e 27 prillit 1923. Dita e zgjedhur për mbritjen e komisionit, i ka bërë përshtypje me siguri ç’do shqiptari që e lexonte shtypin. E trashëguar prej kohërash të largëta, dita e premte ishte për shqiptarët një ditë “tersi”. Flitej se shkak për këtë ishte bërë një nga reformat e Perandorisë Osmane që në vend të ditës së diel, vendosi si ditë pushimi ditën e xhuma (të premten),
VRASJA E TELINIT
Çuditërisht, “tersi” i të premtes, fatkeqësiht u vërtetua. Katër muaj pas nisjes së punës në teren, në afërsi të Kakavijes, gjatë kthimit nga Janina për në Gjirokastër, misioni italian ra në një pritë ku mbetën të vrarë të gjithë antarët e tij:
Enrico Telini – Kryetar i Komisionit të Lidhjes së Kombeve për përcaktimin e kufijve
midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Luixhi Korti – major
Mario Bonaçini – Tenente
Rexhino Farneti – Shoferi i Misionit
Thanas Gjeziri – përkthyesi shqiptar
Nga vend i krimit gjeneralit i ishte rrëmbyer çanta me hartat dhe studimet e tij. Kjo tregonte më së miri planin e hartuar me kujdes.
RASTËSI?!
- Në muajin gusht, të dy viteve më vonë 1923, u krye atentati ndaj misionit Italian.
- 27, por me një diferencë katër mujore nga njera-tjetra. Msioni nisi punë në 27 prill, krimi u krye në 27 gusht.
- ç do të shohim më poshtë edhe afati i përfundimit të hetimeve kishte të njëjtën datë kalendarike 27. Ato duhet të mbylleshin në datën 27 shtator.
Në pikpamjen humane kjo e bën edhe më të dhimbshme vrasjen e tij. Ai u vra dy ditë pasi kishte festuar 52 vjetorin e lindjes së tij. Këto fakte, të rastësishme në dukje mund të jenë edhe elementët që pasqyrojnë hartimin e një plani të mirëstudjuar për vrasjen e Telinit. Rrëmbimi i çantës me hartat e kufijve të vendeve të studjuara, dhe vrasja e gjithë antarëve të misionit, tregoi se vrasësit nuk donin asnjë dëshmitar të gjallë që të mund të ridokumentonte përsëri rezultatet e gjeneralit. Pas vrasjes së Telinit Komisioni i kufijve e transferoi qendrën nga Janina në Sarandë. Në krye të tij u vendos gjeneral Guzzera.
Zoti ju dhëntë mënd grekëve, se e kanë për palikarllëk të vrasin pabesisht – do të shkruhej në një nga gazetat e kohës.
REAGIMI I MUSOLINIT
Reagimi i Qeverisë Italiane pas vrasjes së Misionit Italian ishte i menjëhershëm dhe i ashpër. Musolini përmes ambasadorit Italian në Athinë i dërgoi Qeverisë Greke një notë ultimative me 7 pika.
- ë Qeverisë Greke për Qeverinë Italiane.
- , gjatë imbarkimit të tyre për në Itali.
Musolini la vetëm 24 orë afat për zbatimin e kërkesave ultimative të Qeverisës Italiane. Madje në shenjë hakmarrje Italia pushtoi ishullin e Korfuzit. Qeveria Greke pranoi menjëherë zbatimin e disa prej pikave të ultimatumit, duke lënë disa të tjera hapur, madje depozitoi edhe shumën e kërkuar nga Italia në një bankë zviceriane deri në përfundim të hetimeve.
NDERIMI I TË RËNËVE
Në nderim të antarëve italianë të vrarë u bë një meshë në sallonin ku ishin vendosur trupat e të vrarëve. Morën pjesë zyrtarë grekë, komisioni hetues dhe konsulli Italian. Më pas trupat e të vrarëve u përcollën jashtë qytetit të Janinës drejt Prevezës.
Në Prevezë përmes nderimeve ushtarake, trupat e të vrarëve u ngarkuan në dy anije ushtarake italiane të cilat i transportuan trupat e të rënëve drejt avullores “San Marko”. Qeveria Italiane kishte vendosur ndërkohë që trupin e dragomanit (përkthyesit) shqiptar Thanas Gjeziri (Leskoviku) ta dërgonte në Sarandë, për ta sjellë pranë familjes së tij. Prandaj qeveria shqiptare i kërkoi Qeverisë Greke, ndëshkimin e fajtorëve dhe dëmshpërblim për familjen e përkthyesit të ndjerë.
Me 21 të shtëna topi forcat greke nderuan flamujtë aleatë të skuadrave detare italiane, franceze dhe angleze të cilat mbritën në Faliro të Greqisë. Në avulloren “San Marko” të admiralit Italian, Imzot Galluci, dha një meshë për shpirtin e të vdekurve të Janinës.
QËLLIMI I VRASJES
Sipas shtypit shqiptar të kohës, plumbat që qëlluan mbi misionin Italian ishin drejtuar në gjoksin e shqiptarëve. Grekët donin të tërhiqnin vëmendjen e ndërkombëtarëve për ti treguar, se opinioni publik grek s’ishte i kënaqur nga kufiri i vendosur me Shqipërinë, dhe nga ana tjetër të përgatisnin një tjetër komplot kundër Shqipërisë, e cila që në ngritjen e saj si shtet, iu ishte bërë halë në sy.
Tani ju mbetet grekeve te na bejne edhe një të keqe të fundit; të na akuzojnë përpara botës si vrasësit e misionit Italian. Duke ditur mirë karakterin e politikës greke, duhet të dimë se përtej kufirit kemi një armik i cili nuk lë rast për të na luftuar me ç’do mënyrë.
E vërteta është se pas këtij krimi makabër, Greqia në vend të simpatisë fitoi antipati, por ndoshta kjo kishte pak rëndësi për të në atë periudhë. Synimi i saj kryesor ishte toka shqiptare.
NISJA E HETIMEVE
Komisioni i hetuesve ndërkombëtarëmbriti në Sarandënë mbrëmjen e 17 shtatorit. I kryesuar nga një kolonel japonez, ai kishte në përbërje; një kolonel francez, një kolonel italian, dy majorë dhe një marshall. Komisioni shoqërohej nga dy sekretarë një femër e një mashkull. Antari anglez i komisionit kishte shkuar drejt e në Janinë. Delegacionit italian në Sarandë ju bashkua konsulli i Vlorës dhe konsulli i Janinës, Viskonti. Komisioni e kaloi Kakavijen të martën e 18 shtatorit, ndërkohë që afati i përfundimit të hetimeve ishte data 27 shtator. Komisioni hetimor në dt 20 shtator dëgjoi autoritetet gjyqësore, Boçarin dhe krerët e xhandarmërisë së Janinës. Ata panë vendin e vrasjes. Por italianët ndodheshin përherë, përpara kundërshtimeve të rrepta të delegatit anglez, i cili hapazi mbronte grekët. Rolin e ndërmjetësit për ti pajtuar e luante delegati francez. Autoritetet greke të Janinës u munduan ti fshehnin gjurmët dhe shenjat e vrasjes. Por ashtu siç ndodh në ç’do krim, faktet nuk mbulohen me gënjeshtra. Shtypi paralajmëronte,
Grekët do ta kenë të vështirë, t’i fshehin duart e tyre të gjakosura!
ASKUSH NUK MUND TË AKUZOJË SHQIPTARËT
Komisioni i hetimit ishte i autorizuar që, në se e shikonte të arsyeshme ti shtrinte ato edhe në Shqipëri. Kjo gjë nuk u prit aspak mirë në vendin tonë. Për më tepër që propozimi për këtë gjë, u bë nga pala greke. Në shtyp shkruhej,
Greket kërkojnë të lyejnë shqiptarët, me gjakun e viktimave të Janinës.
Shtypi akuzonte ndërkohë edhe përpjekjet e autoriteteteve greke të Janinës, për humbjen e gjurmëve të vrasësve dhe zhdukjen e shenjave. Njeri prej artikujve përfundonte me shprehjen e njohur popullore, Dielli nuk mbulohet dot me shoshë! Konferenca e ambasadorëve me këtë autorizim kishte vënë në dyshim nderin dhe fisnikërinë e Kombit Shiptar që i ka respektuar gjithmonë miqtë dhe të huajt me kodin e tij të Besës.Prandaj në një tjetër artikull vendimi i Konferencë së Ambasadorëve sulmohej hapur;
Është turp i këtij shekulli të bëhemi viktimë ne, për fajet që ka Greqia. Hidhërohemi si ata që e dinë të vërtetën lakuriq rreth vrasjes së Janinës, pranuan pikpamjen Greke dhe i japin të drejtë komisionit të vijë edhe në Shqipëri, kur vrasja u bë në tokën greke. Por jo vetëm kaq, viktimat ranë dëshmorë të çështjes shqiptare!
GREKËT SAJOJNË DËSHMITARË TË RREMË
Grekët filluan të ideojnë një zgjidhje për të dalë nga situata e krijuar. Në gazetat e kohës në Greqi shkruhej se vrasja ishte kryer nga disa vlonjatë, të cilëve Gjenerali ju kish dënuar kushurinjtë. Më në fund si çelës për të dalë nga situata u gjet prej tyre hajduti dhe vrasësi shqiptar, Koço Memo.
Koço Memo
Koço Memo i dënuar për një vrasje në Libohovë, ishte arratisur nga burgu i kalasë së Gjirokastrës. Ai ishte dënuar në Greqi me vdekje për krime të ndryshme, por kjo se pengoi të hyjë në pazar me grekët për të shpëtuar kokën. Më premtimin se do ta falnin, ai u la i lirë rrugëve të Janinës. Pikërisht këtë hajdut dhe kriminel nxorën grekët përpara Komisionit Hetues ku ai mes të tjerash deklaroi:
Në Gjirokastër më thanë të vras Gjeneral Telinin, po unë nuk pranova. Vrasjen e bënë disa çamë.
ARRESTOHET FANE CAREA – KOROFILLAKU VRASËS
Fane Carea nga Nivicë-Bubari i Delvinës, njihej në jug si vrasës serial. Ai kishte vrarë dy progonatas, dy zhulatas, dy fshatarë e një fshatare të tij, ndërkohë që në vitin 1918 kishte vrarë në Delvinë Nasho Hariton, të vëllanë e z. Koço Harito. Tre muaj para vrasjes së misionit italian, Careja kishte qënë në ushtrinë greke dhe ishte bërë korofillak. Sipas shtypit të kohës kjo ishte e dokumentuar. Fania pas vrasjes së misionit Italian, kaloi në teritorin shqiptar i shoqëruar me të tjerë ushtarë grekë. Ata ishin parë në disa vende, ku Fania ishte prezantuar si vrasës i Misionit Italian. Ai u arrestua në fshatin Qestorat në portën e Dr. Vito Zografos, ku ishte duke kërkuar bukë. Të gjitha shenjat dhe dëshmitë tregonin se ai me disa shokë të tjerë të fshehur, kishin qënë vrasësit e misionit Italian.
KOMISIONI HETUES NË GJIROKASTËR
Në 25 shtator para dreke Komisioni Hetues, pas pritjes në Kakavije nga Dimitri Berati (antari shqiptar i komisionit të kufijve) dhe nga komisari i policisë së qytetit, mbriti në Gjirokastër. Në qytet komisioni u prit prej gjithë autoriteteve civile dhe ushtarake. Antarët e tij u strehuan në shtëpitë e caktuara për ta në qytet. Komisioni filloi punë në orën 4 të pasdites nën drejtimin e kolonelit japonez Sheboya. Së pari u pyet Dimitri Berati i cili kishte bashkëpunuar me Telinin në Komisionin e Kufijve. Pas tij u pyet edhe Kol Tromara, prefekti i qytetit. Të nesërmen komisioni thiri kryetarin e bashkisë, Javer Benë (Hurshiti). Më pas u pyetën major, Ahmet Lepenica, Muhamet Karagjozi, i burgosuri Fane Carea nga Nivicë – Bubari që u zu i armatosur në Qestorat, Thimjo Loli dhe disa dëshmues të tjerë. Tre ishin pyetjet e komisionit
- Ç’ farë dinin mbi vrasjen e misionit Italian.
- Ç’ farë dinin mbi Koço Memon, i arratisur nga burgu i Gjirokastrës, të cilën pala greke e akuzonte si vrasës?
- Ç’ farë dinin mbi të burgosurin Fane Carea, që ndodhej i burgosur në Gjinokastër?
Hollësitë mbi vrasjen u dhanë në dëshmitë e Dimitri Berati dhe Kol Tromarës, ndërkohë që për pyetjet e tjera u përgjigjën të tjerët. Komisioni i hetimit të cilit i kishin humbur gjurmët e krimit në Greqi, fitoi në Gjirokastër një ide krejt të qartë. Ai pasi priti me rradhë dëshmuesit, të nesërmen në 3 pas dreke shkoi përsëri në Janinë i përcjellë prej autoriteteve qeveritare të vendit. Komisioni në raportin e parë kishte fajtoruar Greqinë.
LUTJE PËR PËRKTHYESIN SHQIPTAR
Pas mbritjes në Sarandë trupi i dragomanit të vrarë shqiptar Thanas Gjeziri u nis me nderime drejt Leskovikut. Nderime ju bënë në ç’do vend që kaloi. Në Gjirokastër makina ku u vendos trupi i tij, ishte stolisur me shenja zie prej popullit dhe zyrtarëve. Kleri ortodoks vendor bëri një lutje për shpirtin e tij.
MUSOLINI NË CEREMONINË E ROMËS
Në dt 23 shtator trupat e të vrarëve të Janinës u pritën në Romë, prej gjithë popullit. Morën pjesë në nderime duka d’ Aosta, Duka i Gjenovës, konti i Torinos, Princi i Udines, Musolini, gjithë ambasadorët dhe përfaqësues të ndryshëm. Trupat u sollën me një tren të posaçëm dhe në ç’do stacion u bënë nderime të mëdha prej popullit. Në shenjë zie të gjitha shtëpitë e Romës ishin stolisur me flamurë të zi dhe të gjithë dyqanet u mbyllën. Pasi u bënë vajtimet zyrtare me nderime të jashtëzakonshme në kishë, trupat u nisën për në vendet ku ndodheshin familjet e tyre .
NDËSHKIMI I GREQISË
Ishte shtypi francez ai që njoftoi se, Greqia pagoi shumën prej 50 milionë liretash. Pasi erdhi raporti i parë telegrafik i komisionit hetues në Greqi, ambasadori Italian i përkrahur edhe nga përfaqësuesi francez kërkoi ti jepen Italisë 50 milionët e depozituara në Zvicër. Ky ndëshkim ndaj Greqisë erdhi si rezultat i dy fakteve:
Grqia nuk mori asnje mase per te zbuluar komplotin kunder Telinit
Nuk arrestoi asnje te dyshuar ao fajtor.
Ishte Kuvendi i Ambasadorëve ai që vendosi shumën financiare si ndëshkim. Greqia duhet ti paguante Italisë 50 milion lireta si shpërblim dhe si gjobë.
VRASËSI I TELINIT U KAP!?
Si për ta ruajtur edhe fundin e zhvilimit të kësaj ngjarjeje në muajin gusht, Athina telegrafoi Romën në ditët e para të këtij muaji. Ishte fillimi i gushtit të një viti më vonë, 1924. Ja si e pasqyron gazeta “Dielli” e datës 9 gusht këtë fakt:
- Telegrafojnë nga Athina në Romë (sipas gazetës Atlantis, të New Yorkut), se policia e Athinës paska zënë hajdutin Lappa, që ka qënë i kallzuar si vrasës i Telinit.
Ky lajm gushti mbylli njeherë e përgjithmonë historinë mbi vrasësit e vërtetë të Misonit Italian të kufijve të Jugut. Ata nuk u ndëshkuan kurrë.
NDERIMI I GJIROKASTRITËVE DIKUR …
Bashkia Gjirokastër në vitet 1920 – 1924 e ktheu në një traditë të shkëlqyer vlerësimin e atyre personaliteteve të huaja, të cilët duke qënë të përkushtuar ndaj të vërtetës, mbështetën krijimin dhe më pas e mbrojtën pa kursyer Kombin e brishtë Shqiptar. Katër rrugë të qytetit morën emrat:
- Aybrey Herbert
- D’ Esturnelles de Constant
- Justin Godart
- Edit Duram
Po ai kryetar bashkie, patrioti Javer Hurshiti dhe Këshilli bashkiak i qytetit, vlerësuan edhe kontributin deri në flijim të gjeneral Telinit. Një nga rrugët e qytetit mori emrin e tij, rruga Telini. Gjeneralit më vonë ju ngrit një shtatore në Tiranë dhe një lapidar në Kakavije, i cili sigurisht nuk egziston më. Sot pak vetë e dinë këtë gjë, ashtu si fare pak banorë të qytetit kanë dijeni për vendndodhjen e shtëpisë ku Telini qëndroi disa ditë gjatë misionit të tij. Jeta ka provuar se ka mjaft personalitete që me largpamësinë dhe humanizmin e tyre, kanë dalë shpesh jashtë kornizave të politikës së cilës i shërbenin. I tillë ishte gjenerali italian dhe ekipi i tij. Çanta e grabitur e Telinit, i ngjan sot një amaneti të pa çuar deri në fund.
KUR LINDI LOJA E KUFIJVE?
Kufijtë e vendit tonë, fatkeqësisht kanë qënë gjithmonë në lojë. Ndoshta nga kjo situatë lindi edhe loja jonë fëminore, “Loja e kufijve”. Mos vallë në thelb të saj qëndronte qesëndisja shqiptarçe ndaj fuqive të mëdha, të cilat lojtën si deshën me kufijtë e vendit tonë? Kjo shtrihet në një periudhë 10 vjeçare, 1913-2023. Mos vallë gjyshërit tanë, përmes saj kërkonin që të na mëkonin dashurinë për to, e bashkë me të, rëndësinë që ka mbrojtja e tyre? Pas gjithë kësaj historie jam i sigurtë që “Loja e kufijve” ka lindur në Shqipëri; ndoshta edhe në qytetin tonë, ku u shënua ngjarja më e dhimbshme gjatë përcaktimit të kufijve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ka një moment si ky, kur fëminia përzihet me historinë, që të ndjej në sy pikëzat e lotit tek riten. Dhe nuk di vërtetë të ndaj, në se shkak për këtë, është historia e dhimbshme e gjeneralit të vrarë, kufijtë e rinj që lanë jashtë një pjesë të vendit, apo nostalgjia për vitet e fëminisë, ku shoku im i vogël humbiste gjithmonë Çamërinë. Por një gjë di ta them me siguri, një tjetër fëmijë, në një tjetër gjuhë, ashtu si dikur miku im i vogël, do ti ankohet përsëri prindit të tij: Babi më morën Ukrahinën… Babi më morën…
26 shtator 2023
p.s- ndihmoi me foto Konsullata Italiane e Nderit.