Share This Article
Nga: Ilirjan Lluri
Varri është një monument mes dy botëve
Bernardin de ST. Pierre
Në Gjirokastër ka katër lloje varrezash; Memoriali i Rilindasve, varrezat e dëshmorëve, varrezat familjare dhe varrezat publike.
Në Memorialin e Rilindasve zhvillohen homazhe zyrtare në ditën e Shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor. Në varrezat e dëshmorëve ato zhvillohen në çdo 5 maj dhe në 29 nëntor, përkatësisht në Ditën e Dëshmorëve dhe në ditën e çlirimit tē Shqipërisë. Varrezat familjare kanë kohë që nuk funksionojnë. Ato janë të shpërndara aty – këtu si një kujtim i së shkuarës. Ndryshe ndodh me varrezat publike. Aty homazhet nuk kanë një datë të përcaktuar. Ato zhvillohen në varësi të ceremonive që familjarët ju bëjnë të afërmve të tyre të ndarë nga jeta.
MEMORIALI I RILINDASVE
Në Memorialin e Rilindasve respektohet kontributi i rilindasit Koto Hoxhi, i themeluesit të shkollës së parë shqipe Pandeli Sotiri, i kryetarit të Komitetit të fshehtë të Manastirit Bajo Topulli, i luftëtarit të Rilindjes Kombëtare Çerçiz Topulli dhe i poetit dhe dramaturgut Andon Zako Çajupi. Emrat e tyre janë përjetësuar në disa institucione shtetërore, me përjashtim të emrit të Bajos. Shkolla që dikur mbante emrin e tij, tashmë është krejtësisht e braktisur dhe e lënë në harresë prej kohësh.
VARREZAT PUBLIKE
Të sigurtë se banesa e tyre e përjetësisë nuk do të jetë në asnjë nga varrezat e sipërpërmendura, të gjithë autoritetet në përgjithësi janë kujdesur për të realizuar investime mirëmbajtëse më shumë në varrezat publike. Por, pavarësisht kësaj, ato historikisht janë përjashtuar nga ceremonitë zyrtare. Këtu lind një pyetje, në dukje e pazakontë; A duhet të organizohen ceremoni zyrtare në varrezat publike? Unë them po. Duam apo s’duam atje është një tjetër qytet, veçse i vdekur. Duke qënë një “qytet”, ai mban brenda tij të njëjtat kategori të shoqërisë njerëzore që ka “qyteti i gjallë”, Gjirokastra. Aty ka ish deputetë, ish prefektë, ish avokatë, ish mësues, artistë inxhinjerë, zejtarë burra, gra dhe fëmijë.. Shpesh ne e harrojmë numrin e madh të atyre personaliteteve që janë bërë banorë të përjetësisë në varrezat e “Vasilikoit”. Por ka disa ngjarje të cilat na detyrojnë të kthejmë kokën edhe në këto varreza, ku hierarkia profesionale dhe klasat e shoqërisë duket sikur janë shkrirë në një. Porta e varrezave publike ndryshe nga ato të varrezave të tjera të përmendura më sipër, nuk mbyllet kurrë. Një nga ato ngjarje që më shtyn të kthej vështrimin drejt tyre sot, është 100 – vjetori i çeljes së Liceut në Gjirokastër. Me pak përjashtime, në kētë varrezë prehen të gjithë mësuesit shqiptarë dhe të gjithë nxënësit që u ulën të parët në bangat e kësaj shkolle. Unë sot do të ndalem në tre varre të “qytetit të vdekur”. Kontributet e njerzve që prehen në to, lidhen me hapjen e shkollës së parë shqipe në vitin 1908, me çeljen e Liceut në vitin 1923 dhe me funksionimin e tij, deri në prag të çlirimit të vendit.
Varri i Hysen Hoxhës
I njohur si baba Ceni, Hysen Hoxha është një nga themeluesit e klubit “DRITA” dhe shkollës së parë shqipe “LIRIA” në Gjirokastër. Ai u zgjodh përfaqësuesi i qytetit për të marrë pjesë në ceremoninë e Shpalljes së Pavarësisë, por për shkak të vështirësive të rrugës, mbërriti në Vlorë me vonesë, në datën 3 dhjetor. Kjo është arsyeja përse firma e tij mungon në dokumentin zyrtar të këtij momenti të shenjtë për Shqipërinë. Gjithësesi ishte ai që telegrafoi dhe i përcolli patriotëve gjirokastritë vendimin e Ismail Qemalit për shpalljen e pavarësisë në çdo qytet të vendit. Hysen Hoxha u ngarkua me detyrën e kryetarit të bashkisë nga Qeveria e Vlorës. 115 vjetori i themelimit të klubit “Drita” dhe i hapjes së shkollës së parë shqipe “Liria” në Gjirokastër, duhet të na sjellin vetvetiu ndërmend këtë patriot të madh. Përmes guximit dhe kurajos së tij, qyteti u shpëtua nga djegia pas pushtimit grek të Gjirokastrës në 16 mars 1913. Ndjenja patriotike e ktheu përsëri në Vlorë në “Luftën e madhe” të 1920. Varri i tij i thjeshtë ndodhet në krahun e majtë të portës së dytë të “Varrezës së Vasilikoit”. Është një nga varret e harruara prej kohësh. Arsyeja dihet: Hysen Hoxha ishte xhaxhai i Enver Hoxhës. I shpallur diktator, udhëheqësi komunist Enver Hoxha duket se i ka “prishur” punë edhe xhaxhait të tij, mbi pllakën e varrit të së cilit, emrit kanë filluar ti zbehen shkronjat aty – këtu. Lufta e klasave që mbolli në Shqipëri i nipi i tij, Enveri, me sa duket ka “pushuar” vetëm në botën e të gjallëve, por jo në atë të të vdekurve. Dy 115 – vjetorët, e themelimit të klubit “Drita” dhe çeljes së shkollës së parë shqipe “Liria” në Gjirokastër, nuk mund të kuptohen pa kontributin e këtij patrioti. Mos harrojmë që kur u hap Liceu, Hysen Hoxha ishte antar i kryesisë së klubit “Drita”. Jam i sigurtë që askush nuk do të mund të etiketonte me termin “Enverist”, atë njeri, shoqatë, apo institucion që do t’i pastronte pllakën e varit këtij patrioti dhe ish kryetari bashkie, emri i të cilit, duam apo s’duam lidhet me ato momente të mëdha kur vendosej jo vetëm fati i Gjirokastrës por edhe i Shqipërisë.
Varri i Thoma Papapanos
Themeluesi i shkollës së parë shqipe të 1908 dhe ish mësuesi i Liceut apo gjimnazit të Gjirokastrës, Thoma Papapano prehet në varrezat publike të qytetit. Kontributi i tij i njohur dhe i spikatur, e kthyen atë në një nga personalitetet më të dashura për shumë breza nxënësish. Ai është organizatori dhe drejtuesi i kurseve për përgatitjen e arsimtarëve në Labovë të Zhapës. Eshtë i vetmi mësues që u mor në provim nga Drejtoria Arsimore e Janinës me shpresën se duke mos e fituar atë, do të mbyllej shkolla e porsa hapur “Liria” në 1908. Fitoi ai, fitoi dashuria për gjuhën e nënës, fitoi gjuha shqipe. Madje kjo dashuri e shtyu të hartojë edhe abetaren e tij, të njohur ndryshe si: “Abetarja gjirokastrite”. Ishte i vetmi mësues që këmbënguli që me hapjen e Liceut Francez të Gjirokastrës, bashkë me djemtë të shkonin në të njëjtën shkollë edhe vajzat. Dhe ashtu ndodhi vërtetë. Është pikërisht ky detaj që e bën Liceun Francez të Gjirokastrës, shkollën e parë miks në Shqipëri. Dikur përvjetori i Liceut nuk festohej asnjëherë i shkëputur nga ai i shkollës së parë shqipe “Liria”. Kjo për faktin se të dya ngjarjet i kishin rrënjët në aktivitetin patriotik të klubit “Drita”. Papapano kishte fatin e madh të ishte jo vetëm antar i kryesisë së klubit “drita” në të dy kohët; 1908 dhe 1923, por edhe mësues në të dy shkollat e hapura prej aktivitetit të saj. Në kuadër të 115-vjetorit të shkollës së parë shqipe “Liria” dhe 100 – vjetorit të Liceut të Gjirokastrës, tingujt e fanfarës së qytetit dhe një flakëz e vogël qiriri do të ishin mirënjohja më e thellë për dritën e madhe që shpërndau ai në dhjetra breza nxënësish.
Varri i Tare Kalos
Disa metra në veri të varrit të Hysen Hoxhës, ndodhet varri i ish mësuesit të Liceut, Tare Kalo. Ai kishte mbaruar universitetin “La sapienca” të Romës. Ishte djali i një patrioti të njohur, pjesmarrës në Luftën e Vlorës, Boço Kalo. Qëndrimi i tyre nacionalist i kushtoi jetën babait dhe të birit. Ata u vranë nga forcat partizane kur ato hynë në qytet. Boço Kalo u vra diku pranë liceut ku jepte mësim i biri. Ishin momentet kur ambientet e Liceut ishin vënë në funksion të komandës partizane. Djali i tij, mësuesi Tare Kalo e humbi jetën në prag të shtëpisë së tij. Për ndarjen e tij nga jeta ka disa variante, por unë po sjell atë që ka lënë në kujtimet e saj, ish gjimnazistja dhe mësuesja Nezaqet Skënduli:
I pari që u pushkatua në Gjirokastër ishte Boço Kalo. …donin t’i vrisnin edhe djalin, Taren. Taria ishte shumë i zgjuar, ishte balli i fëmijve, i bukur me shtat e surrat, dhe komunikues. Kishte mbaruar universitetin në Itali për letërsi. Ishte profesor në gjimnazin e Gjirokastrës. Partizanët e rrethuan shtëpinë për ta arrestuar. Motrat dhe nëna ju thanë partizanëve që nuk është në shtëpi, ka ikur. Partizanët filluan ti vënë zjarrin shtëpisë dhe ato thërritën: Tare dil, se po djegin shtëpinë! Ai zbriti me rroba shqiptare, me revole në dorë dhe flamurin në dorën tjetër. Eci disa hapa, ngriti lart flamurin duke thirrur: Rroftë Shqipëria! Vrau veten.
Në 100 vjetorin e çeljes së Liceut, mund të kujtohej me një ceremoni sado modeste edhe ky mësues, faji i vetëm i të cilit ishte se e donte Shqipërinë ndryshe nga komunistët. Shenjat e plumbave mbi varrin e tij të betontë, gati 80 vjet pas vrasjes së tij, të bëjnë të kuptosh se dikush është kujdesur për ta vrarë për së dyti këtë mësues të nderuar. O zot, ç’farë mllefi! Varret e babait dhe të birit pranë njeri – tjetrit janë shenja e vetme e mbetur nga kjo familje patriote gjirokastrite, shtëpia e të cilëve një nga monumentet e rralla të ikonës së Gjirokastrës “Kodrës së Bashtesë së Teqesë” u rrënua plotësisht pas djegjes së saj.
Shenjtëria e profesionit …
Në varrezat publike sigurisht që ka edhe dhjetra mësues të tjerë të Liceut – Normales apo Gjimnazit, sipas emrave që ajo mori në vite, të cilët meritojnë vëmendjen tonë në shkrimet apo edicionet informative. Mësuesi është profesioni më i shenjtë që Zoti i dha njerëzimit. Është kjo arsyeja që mësuesit në fillesat e tyre ishin ose priftërinj ose hoxhallarë. Nuk ishte thjesht rastësi që mësuesi i parë i masakruar i gjuhës shqipe, ishte prifti papa Kristo Negovani me origjinë nga Humelica e Gjirokastrës. Nuk ishte rastësi që për të marrë hakun e tij u ngrit një tjetër mësues, që i thërrisnin edhe “hoxha”. Ai ishte Bajo Topulli. Nderim për të gjithë ata mësues që e ushtrojnë këtë profesion të shenjtë, me shenjtëri!
Ilir lluri
Miçigan 11 nëntor 2023