Share This Article
Nga Ilirjan lluri
40 -vjetori i vdekjes 1983 – 2023
Mirse erdhët! Urdhëroni, hyni brenda! Me këtë urim dhe ftesë na priti znj. Bibika Kokalari në shtëpinë e saj në Tiranë, gjashtë vjet më parë kur së bashku me Stefo Arsenin shkuam për të siguruar disa foto dhe materiale letrare që disidentja dhe shkrimtarja e njohur i kishte lënë trashëgim djalit të xhaxhait të saj, Platonit. Pregatiteshim për një aktivitet kushtuar 100 vjetorit të lindjes së saj. E thjeshtë dhe e përkushtuar Bibika e shoqëroi rrëfimin rreth Musinesë në pjesën më të madhe mes emocionesh të shumta.
Një shkrim i 45 viteve më parë…
Duke kërkuar një foto nga takimi ynë me Bibikën, të shoqen e Platon Kokalarit, ndesha papritur një faqe e skanuar gazete të 45 viteve më parë. Së pari më tërhoqi vëmendjen një skicë e Gjirokastrës mbi faqen e saj me autor piktorin Jorgo Kokalani e më pas sigurisht edhe shkrimi e autori i tij. Gjirokastra, qyteti im i fëminisë ishte pjesa më e rëndësishme e qënies sime, ndërkohë që autori i shkrimit, gazetari Thanas Dino kishte kohë që zinte vend në rradhën e parë të intelektualëve të qytetit dhe konsultat me të ishin pjesë e “rutinës” sime krijuese. E lexova me një frymë shkrimin me titull “Në qytetin e festivalit” i shkruar për Festivalin Folklorik Kombëtar të vitit 1978. Më tërhoqi vëmendjen një detaj në dukje i zakontë i këtij shkrimi:
- Për herë të parë gratë e qytetit do të ngjisnin në skenën e kalasë një këngë të dasmës gjirokastrite të kënduar 60 vjet më parë, pra diku në vitin 1918.
Brenga dhe këngë
Shkrimtarja e parë shqiptare që shkroi për këngët e dasmës së vajzës gjirokastrite është Musine Kokalari. E dashuruar që në fëmijëri me këngët e popullit e të qytetit ku u rit, ajo i dha shpirtin e vet përshkrimit deri në detaj të këngëve të dasmës. Madje edhe dënimi dhe internimi i saj nuk ja zbehën raportet me magjinë Gjirokastër. Por këngët e grumbulluara prej saj, nuk mund të interpretoheshin në kalanë e festivaleve, ndërkohë që ajo nuk mund të ndiqte si spektatore Festivalin që kishte ndoshta më për zemër, ndërkohë që ai i dedikohej njeriut që ishte shkaktar i vuajtjeve të saj, Enver Hoxhës. Por asnjëherë një individ, pavarësisht funksioneve dhe detyrave shtetërore që kryen, nuk mund t’ja tjetërsojë apo t’ja largojë një njeriu kujtimet e fëmijërisë. Ndryshe nga njerëzit e zakonshëm Musinea i kishte “pikturuar” ato jo vetëm në memorje, por edhe në tre librat e saj të botuar përgjatë viteve 1939-1945. E përmalluar për Gjirokastrën ajo ndoshta e mbante atë faqe gazete për qetësi të shpirtit të saj, ashtu si besimtarët ortodoksë faleshin e luteshin përpara ikonave të fshehura, kur feja u ndalua me ligj. Pas dënimit dhe internimit, libri i saj dedikuar Këngëve të dasmës së vajzës gjirokastrite i ngjante një “ikone” të ndaluar të fshehur në raftet e Biblotekave anë e mbanë Shqipërisë.
Trashëgimia folkorike e Musinesë dhe FFK
Tre vjet pas Festivalit Folklorik të 2015, i bindur se zhvillimi i tyre i mëtejshëm do të ndiqte rrugën normale, një herë në katër vjet, me disa nga grupet folklorike të Gjirokastrës përgatita ceremonialin e “Ditës së kënasë”, mbështetur në krijimtarinë e Musine Kokalarit. Por siç dihet ky festival nuk u zhvillua. Një vit përpara shpalljes së FFK 2023, me një grup të madh artistësh popullorë përgatitëm “Ritin e mërgimit” mbështetur po në krijimtarinë e saj. Interpretimi i këtij riti në skenën e kalasë në festivalin e këtij viti “dështoi” për disa arsye, ku më kryesorja është tërheqja nga angazhimi i disa artistëve të njohur popullorë. Fatkeqësisht disa prej tyre, pavarësisht talentit të spikatur, egoizmi dhe protagonizmi i tepëruar nuk i lë të dalin mbi veten. Në katër minuta e gjysëm përmes këtij riti do të interpretonin si marrësa të këngës edhe tetë artistë të tjerë të polifonisë, burra, gra, vajza dhe djem. Ngushëllimi i vetëm sot është fakti se të dy ritet e mbështetura në krijimtarinë e saj, janë të realizuara edhe filmikisht. Në muzeun etnografik të qytetit, në këndin e materialve filmike, vizitorëve vendas dhe të huaj ju afrohet riti i mërgimit si një aset i rëndësishëm i trashëgimisë folklorike grumbulluar nga shkrimtarja e parë shqiptare që lëvroi letërsinë etnografike. I ngritur në ish shtëpinë e diktatorit Hoxha, kjo ngjan me një “hakmarrje” që koha ka bërë ndaj veprimeve të tij. Këngët që ai ndaloi dikur përmes librave të saj, ishin në fakt këngët e dala nga gjiri i popullit. Duke goditur Musinenë, Enveri kishte goditur një pjesë të trashëgimisë folklorike të popullit të tij.
Foto nga ceremoniali i dasmës gjirokastrite
Miku im Kimir një ditë në servisin e vëllezërve “Kristo” më surprizoi me disa foto të realizuara nga FFK 1978.Ishin foto të ceremonialit të dasmës së vajzës gjirokastrite të realizuara nga festvali Folklorik midis lagjeve. Nga konkurimi mes lagjeve zgjidheshin dikur grupet që do të përfaqësonin qytetin në Festivalin Folklorik Kombëtar. Ceremoniali ishte përgatitur nga banorë të dy lagjeve: Varrosh dhe Palorto. Me siguri brenda saj kishte këngë, zakone e rite të përshkruara edhe në botimet e Musinesë e cila fëmininë e kaloi në lagjen Palorto, ndërkohë që shkollën fillore e kreu në lagjen Varrosh. Fotot e realizuara në skenën e teatrit profesionist të qytetit, pjesë e arkivit të Kimir Kristos (dhëndri në këtë dasëm) botohen për herë të parë. Ato janë realizuar nga fotografi i njohur gjirokastrit, Leonard Qendro.
Kronikë në Këngë
Si të parandjehej “dështimi” i pjesmarrjes në FFK 2023 i një riti të lënë trashëgimi nga Musinea, me iniciativë të trashëgimtarëve të krijimtarisë së saj, Bibika e Rozeta Kokalari, Këshilli i Qarkut Gjirokastër mbështeti botimin e librit “Kronikë në këngë” me material folklorik të grumbulluar nga Musinea. Mbështetja e Kryetares së Qarkut, Lindita Rova ishte mbreslënëse. Gjirokastra, dhe përmes saj Shqipëria dhe trashëgimia e saj folklorike, ka sot një vlerë të shtuar në arkivin e vet. Libri hapet me këtë dedikim domethënës:
“Ruajtja dhe përcjellja e trashëgimisë së qytetit të gurtë, ishte një ndër amanetet e saj. Thonë që vepra e mban gjallë një shkrimtar, ndërkohë që vepra e Musinesë, mban gjallë një trashëgimi, e cila do të kishte humbur pa të.”
Të ndriçoftë shpirti Musine Kokalari!
Bibika e Rozeta Kokalari
O shokë vdeksha nga kënga
“O shokë vdeksha nga kënga”, ky është titulli i tekstit të një kënge popullore krijuar nga i papërsëritshmi, Lefter Çipa. Shkak i ndarjes nga jeta të Musinesë nuk u bë kënga por sëmundja e saj e pashërueshme. Por dhimbjet e vdekjes së saj në mënyrë të paimagjinueshme u lehtësuan prej këngës. Miku i rinisë së saj, studjuesi i njohur Ramadan Sokoli, gjatë një ekspedite të Institutit të Folklorit në Gjirokastër, inçizoi këngët e Dasmës së vajzës gjirokastrite, sipas librit të botuar prej saj. Të shoqëruar nga një diktofon i vogël këtë kasetë ai ja çoi Musinesë në spital. Përmes zërave të Xhevat Avdallit, Majnure Kadënës, Xhevahire Xhikut dhe këngëtarëve të tjerë, ajo u end dhe vrapoi sokakëve të qytetit si dikur në fëmini. Me dhjetra fytyra vajzash – nuse të zbukuruara nga duararta Kako Pino i janë shfaqur para syve me siguri. Mes tyre ka munguar vetëm portreti i saj, i nurtë dhe i paqtë.
Ajo vdiq në datën 13 gusht të vitit 1983, disa muaj përpara Festivalit të rradhës dedikuar udhëheqëit komunist E. Hoxha. E përhumbur ndoshta duke dëgjuar këngët e grumbullura prej saj që nga fëminia, ndoshta ka “përjetuar” disa çaste edhe si spektatore në sheshin e kalasë së festivalit, në të cilën ishte ngjitur në një kohë të largët, atëherë kur ju shpinte bukën vëllezërve të saj të burgosur.
Do të mjaftonte qoftë edhe vetëm ky fakt që të gjithë të luftonim të ngjisnim në skenën e FFK 2023 diçka nga arkivi i saj i pasur folklorik. Kjo në respekt të punës së saj të përkushtuar në drejtim të grumbullimit të folklorit, të vuajtjes së saj të padrejtë, të një ndjese për këtë “harresë” kaq të gjatë. Por ndoshta edhe në respekt të ëndrrës e përjetimit magjik, dhe të udhëtimit të shpirtit të saj drejt parajsës. Udhëtim që kishte si shtrat harmoninë e madhërishme të këngëve popullore. Kjo është arsyeja pse mendoj se ngjitja e krijimtarisë së saj në skenën e kalasë duhet të kishte ndodhur në Festivalin Folklorik të këtij viti. Studjuesi Ramadan Sokoli e gjeti kurajon megjithëse rrezikonte burgun, t’ja lehtësonte dhimbjen martires së gjallë, ndërkohë që disa artistë popullorë në mbrojtje të egos dhe protagonizmit, dyzetë vjet më vonë, zgjodhën të silleshin krejt ndryshe. Përpara se të jetë individuale, përgjegjësia dhe sjellja ndaj figurave me rrezatim lokal e kombëtar si ajo e Musinesë, duhet të jetë kolektive. E renditur krah Eqerem Çabejt dhe Ismail Kadaresë ajo është një emblemë e Gjirokastrës. Lexuesit, fatkeqësisht aq të rrallë në ditët e sotme, ndoshta duhet ti kthehen krijimtarisë së saj. Ikonat (librat) e saj tashmë i kanë shpëtuar ndëshkimit përgjithmonë, ndërkohë që unë vijoj ta kthej në bindje mendimin e lindur herët, se Musinea veç të tjerash është një “shenjtore” e këngës gjirokastrite, një shenjtore e folklorit shqiptar. Le të shpresojmë se Bashkia e qytetit së shpejti do ti ngrejë muzeun shenjtores së tij.