Share This Article
Nga Ilirjan Lluri
NJË KAFE MIQSH
Telefonatat e shkrimtarit dhe gazetarit Thanas Dino në mbrëmje përgjithësisht ishin të rralla. Ndodhnin vetëm kur kishim për të udhëtuar drejt Përmetit, Dropullit apo Mesopotamit. Atë mbrëmje më njoftoi se një mik i tij, të cilin edhe unë e njihja, kishte ardhur nga Anglia dhe dëshironte të më takonte. Në orën 10.00 Thanasi mbërriti me mikun e tij Kostaq Dodo, ish drejtor i shkollës “Koto Hoxhi”. Kostaqi, hyn në ata individë që ta imponojnë respektin për së largu. Pasi u përshëndetëm ai më vuri në dijeni se dikur gjatë procesit restaurues të shkollës së re “Koto Hoxhi” në lagjen “18 Shtatori”, kishte gjetur dy dokumenta të vjetra që ishin bërë gati për tu flakur së bashku me mbetjet e tjera. – Të kam ndjekur që meresh me trashëgiminë më tha. – Të vlerëson për seriozitetin, ndërhyri Thanasi i cili e nxiti mikun të futej drejt e në temë. Ai hapi çantën dhe nxorri dy dokumenta. Mund t’i mbaj t’ju hedh një sy i thashë? Nesër kalo përsëri nga kafe “Gjirokastra” dhe flasim.
KADARE NXËNËS I SHKËLQYER
Lexova me kërshëri njerin prej dokumentave. Ishte një proces-verbal i disa mbledhjeve në shkollën e vjetër “Koto Hoxhi” që ndodhej në mes të lagjes “Varrosh”. Në një nga faqet e fundit të tij, emri i Kadaresë, ishte ndër tre nxënësit e dalluar të klasës së VI – A.
Klasa e VI – A
- Harillaq Kekezi
- Ismail Kadare
- Nezaqet Malile
Kisha kërkuar gjatë mbi fëmininë e Kadaresë dhe ky ishte dokumenti i vetëm që fliste për shkollimin e tij të hershëm. Mezi prisja të ritakoja dy miqtë. E ke lexuar këtë dokument, – e pyeta Kostaqin? – Jo mu përgjigj. Ky është një dokument me shumë vlerë për qytetin i thashë. Unë nuk do të doja thjesht ta skanoja, dua origjinalin ta vendos bashkë me disa objekte që po mbledh për muzeun “Kadare”. Jam i sigurtë që në të ardhmen vizitorët do të duan të shohin dokumenta origjinalë nga jeta e tij. Pranoi menjëherë. Këtë dokument gjatë një dreke në Durrës në gjirin e familjes Kadare, Thanasin dhe bashkëshorten e tij, Rina, ja treguam Kadaresë dhe Elenës. U surprizua. Por gjithsesi diçka mbeti e pathënë gjatë asaj mikpritje të mrekullueshme. Por kjo nuk kishte lidhje direkte me Kadarenë.
AGIM SHEHU, NXËNËSI “REBEL”
Në të njëjtin proces-verbal në kolonën me titulli: Disiplina, flitet edhe për një nxënës të zotin dhe inteligjent që kishte bërë një gabim. Nxënësi Agim Shehu ju kishte shpërndarë shokëve tezat e provimit që i kishte dhënë mësuesi i letërsisë, duke shpërdoruar kështu besimin e tij. Në proces-verbalin e mbledhjes bie në sy propozimi që drejtori i shkollës bën për këtë rast:
Ti thyet nota e sjelljes dhe ti lëshohet një çertifikatë në vend të dëftesës së lirimit.
Propozimi i tij, u pranua nga gjithë këshilli pedagogjik, si dhe nga përfaqësuesi i Seksionit të Arsimit.
GODINA E PARË E LICEUT
Shkolla e vjetër “Koto Hoxhi” është një godinë dy katëshe në mes të lagjes “Varrosh”, përballë shtëpisë “Monument Kulture” Cico. Kjo ishte godina e parë ku çeli dyert Liceu Francez i Gjirokastrës në 5 nëntor 1923. Shumë vite më vonë nga kjo shkollë do të niseshin drejt Liceut, dy nxënës e nesërmja e të cilëve do të linte gjurmë nê letërsinë shqiptare. Ishin Ismail Kadare dhe Agim Shehu. Të dy bënin pjesë në të njëjtin rreth letrar, i cili drejtohej aso kohe nga profesori i njohur, Vehbi Bala. Pjesë e tij ishin edhe dy shkrimtarë të tjerë, Bekim Harxhi dhe Dritëro Agolli i cili ishte nxënës i pedagogjikes. Shkolla Pedagogjike e zhvillonte mësimin në të njëjtën godinë me gjimnazin. Nga të katër shkrimtarët e ardhshëm i vetmi që mbeti mësues në Lice (gjimnaz) ishte Agim Shehu. Jo vetëm kaq, po si krijues i talentuar ai është edhe autori i vargjeve të hymnit të shkollës: “Asim Zenelasit”. Këtë këngë e këndonim edhe ne kur filluam Gjimnazin në vitin 1975 sa herë përkujtoheshin ngjarje nga lufta Nacional Çlirimtare.
KADARE – FOTO NGA LICEU
Po merresha me organizimin e një koncerti në vitin 2000, pasi Kadaresë i akordohej nga Këshilli Bashkiak i Gjirokastrës titulli, “Nderi i Qytetit”, kur Kristaq Kola, vjerri im i ndjerë më tha: – kam nja dy foto nga gjimnazi me të. I mora si të kisha në dorë një thesar. Ajo që bie në sy në ato foto është se Kadare, veç Agim Shehut, kishte miqësi edhe me Bekim Harxhin, edhe ky një shkrimtar i së nesërmes dhe një mësues dhe pedagog i shkëlqyer, i vlerësuar me titullin, “Mësues i Popullit”. Në një nga fotot djemtë gjimnazistë kanë dalë me “Mësuesin e Popullit”, Thoma Papapano.
“GJENERALI” KADARE
Në fotografinë e realizuar në shkëmbinjtë e Kërcullës, Kadare shihet me veshje ushtarake. Kanë kaluar 23 vjet nga koha kur i pashë për herë të parë këto fotografi, por ajo e Kadaresë me veshje oficeri, ashtu si atëherë, më jep të njëjtën ndjesi. Ajo më ngjan si vegimi i personazhit kryesor tek libri “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Megjithëse e pa imagjinueshme, ajo mua më jep ndjesinë e diçkaje të pa ngjajshme më parë. Në mënyrë të paspjegueshme, Kadare, e ka interpretuar shumë kohë më parë personazhin që do të krijonte vite e vite më vonë. Gjenerali – Kadare, me gishtin drejtuar drejt tokës, duket sikur po tregon plot bindje vendin ku janë varrosur trupat e ushtrisë së tij. Në skenën e improvizuar marrin pjesë me të njëjtën dinamikë e plastikë trupore edhe miqtë e tij të rinisë. Ne nuk e dimë domethënien e vërtetë të kësaj skene, por nuk dimë gjithashtu edhe emrin e personit që i huazoi Kadaresë kapotën dhe kapelen ushtarake.
GAZETA E MURIT
Kështu quhej ajo pjesë e faqes së murit në korridorin e shkollës ku vendoseshin krijime artistike, vlerësime apo kritka për nxënësit. Sigurisht është e vështirë sot për të sjellë ndonjë shkrim nga një gazetë e cila nuk botohej. Shkrimet në të ishin në fleta fletoresh dhe shumica griseshin sa mbyllej java. Por dy vargje të atyre viteve ruhen ende në kujtesën e ish gjimnazistit D. Selimi i cili një ditë më tha: – Ilir, mbaj mend nga gjimnazi dy vargje humoristike që dolën në gazetën e murit. I dëgjova me kërshëri. Vargjet thumbonin një nxënës i cili më vonē që do të bëhej një nga artistët e njohur të qytetit me kontribut të çmuar në aktivitetet e orkestrave profesioniste, si banda, orkestra simfonike dhe ajo e estradës. Vargjet ishin për një nga miqtë e mi, njeriun plot humor e me zë kumbonjës, burrin simpatik Niko Naka. Djali i bukur dhe çapkën i Palortosë bënte shumë mungesa në shkollë. I duhej qëndisur një “fletërrufe”. Me sa duket në rrethin letrar të shkollës ja ngarkuan Kadaresë, të kritikonte vesin e tij të mungesës së shpeshtë në shkollë. Kadare e ngriti kritikën në dy vargje të vetme:
Mungesat e Niko Nakës
Si dhëmbët në gojë të plakës
Por fati e kishte shkruar që përmes vargjeve të Kadaresë të mos njihesha vetëm me çapkënllëqet e rinisë së mikut tim të ndjerë tashmë, Niko Naka, por edhe me dashurinë platonike të vetë Kadaresë. S’kish si të ndodhte ndryshe. Në moshën e gjimnazit shkruajnë vargje pothuajse të gjithë nxënësit, e jo më ata që bënin pjesë në elitën e krijuesve, ku hynte dhe Kadareja
KUR KADARE THOSHTE, TË DUA!
Rënia në gjurmën e vargjeve të panjohura të Kadaresë për dashurinë ishte më shumë se çështje fati. Po shkruaja një skenar mbi 100 vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri – SHBA, kur vendosa një kontakt me mësuesin pensionist Vasil Ferro, babai i të cilit kishte marrë pjesë në Luftën e Dytë Botërore si pilot i USA. Bota është vërtetë e vogël. Vasili e njihte fare mirë rrethin tim familjar, teksa më kujtoi dhe gjyshin tim që çonte qereste në fshatin e tij. -Nuk ka shtëpi në fshat më tha, pa qereste nga të Majko Llurit. Pikërisht në këto biseda si mes miqsh të vjetër mes të tjerash më pohoi se kishte qënë shok klase me Kadarenë. Madje ruante ende në memorje një poezi të tij, dedikuar vajzës së klasës për të cilin Kadare kishte simpati. Tashmë ajo është një nga personazhet e dashur për lexuesin në librin “Koha e shkrimeve” dhe njihet si Eliana, vajza e doktorit. Kërshërisë sime Vasili ju përgjigj në çast, duke më artikuluar ç’do varg të poezisë. Ajo që të bie në sy është teknika e përdorur, ku shkronjat e fillimit të çdo vargu, në se lexohen vertikalisht, të japin emrin e personit të cilit dedikohet poezia:
Era pranverore
Le të fryjë në pyje
Edhe ti ke dalë
Natënë me yje
I dëgjon bilbilat..
Tek ri në një përrua
Edhe rri e vetme
Duke pritur mua
Unë jam larg teje,
Apo ti pranë meje
Nuk e di në se ky detaj, i leximit vertikalisht të shkronjave të fillimit të çdo vargu e ka fillesën tek kjo poezi e Kadaresë apo jo, por ky “stil” u kthye në një modë e cila u ndoq edhe 25 vjet më vonë në maturën time të vitit 1979. Kam përshtypjen që duhet të vijojë ende në letrat elektronike që shkruajnë të rinjtë sot.
LIBRI I LOGARITMEVE
Libri i logaritmeve me të cilin ka studjuar edhe Kadareja, nuk mund të ishte një nga të zgjedhurit e tij për tu ruajtur si kujtim nga koha e gjimnazit. Kjo për shkak se vetë ai është shprehur se nuk e kishte qejf matematikën. Por ky libër është ruajtur në raftet e bibliotekës së ish-drejtorit të gjimnazit, Dhimitraq Qurku. Sot ky libër përfaqëson një nga më të rrallët e asaj serie librash që erdhën nga Franca kur u hap liceu. Ato janë shtypur në shtëpinë e njohur botuese franceze, “Hashette”. Ajo ç’ka e bën të veçantë librin është fakti që në faqen e tij të parë ka një shkrim poshtë të cilit është nënshkrimi, I. Kadare. Ky libër ashtu siç ndodhte atëherë ju ka shërbyer disa brezave. Por e veçanta e tij është se rrugëtimin e tij, ai e përfundoi aty prej nga ishte nisur; nga shtëpia QURKU. Kristaq Qurku ishte një nga 30 djemtë që u zgjodhën nga Hysni Babameto kur u hap Liceu. Libri kaloi më pas në duart e dy vajzave të tij, Flora dhe Eleni, e më vonë në familjen Kadare ku e përdorën, motra dhe vëllai i Kadaresë, Kakuja dhe Shahini dhe më pas vetë Ismaili. Pas Kadaresë, libri u kthye në familjen QURKU për tu përdorur nga dy djemtë e kësaj familje; Stefo dhe Dhimitraqi të cilët ushtruan profesionin e mësuesit deri sa dolën në pension. Basho Kristaqi, brezi i parë i liceistëve të Liceut Frëng të Gjirokastrës, nuk arriti të krenohej me djalin e tij të vogël, Dhimitraqin, i cili vite më vonë drejtoi liceun – gjimnaz të qytetit. Teksti i shkrimit të Kadaresë mbi libër është i vështirë për tu lexuar i plotë, por gjithsesi përmes tij mësojmë qëndrimin jo miqësor që nxënësi Kadare kishte ndaj matematikës.
O logaritmi im i “dashur”
Gjithmonë kur të shoh
Sjell ndërmend ……………
se ti …………… si libri
i llogarive të Djallit ku janë shënuar
gjynahet e kësaj jete.
LICEISTËT MË TË FAMSHËM
Është e vështirë të listosh pas 100 vjetëve liceistët më të famshëm përgjatë një shekulli. Ata janë disa dhjetra, për të mos thënë qindra, dhe me kontribute të çmuara në shumë fusha të jetës. Por unë do të ndalem në katër “kohët” në të cilat ka kaluar veprimtaria e kësaj shkolle: Koha e çeljes, koha e luftës, koha e diktaturës dhe koha e demokracisë.
1923 – Në kohën e çeljes së Liceut, shkëlqen Hamit Kokalari, Ai mbetet i vetmi liceist i dekoruar nga Ministria e Jashme Franceze për rezultatet e tij të larta në mësime.
1941-1944 – Periudhës së luftës i takon “Heroina e Popullit” Bule Naipi, një nga dy femrat e para të varura në Europë e cila la bangat e shkollës dhe u hodh në ilegalitet në përkrahje të lëvizjes për çlirimin e vendit.
1945 – 2023 Periudha e diktaturës dhe demokracisë mbulohet prej shkëlqimit të shkrimtarit më të madh shqiptar të të gjitha kohërave, Ismail Kadare.
Nga të tre licesistët e dikurshëm, dy prej tyre janë përjetësuar në veprat e artit figurativ të ekspozuara në sheshin qëndror të qytetit. Bule Naipi në bustin e dy heroinave dhe Kadare në memorialin “Nderi i Qytetit”. Fatkeqësisht, shkëlqimi i nxënësit Hamit Kokalari, ruhet vetëm në kujtesë. Një pllakatë me medalionin e tij në godinën e Liceut, do ti bënte nder këtij të fundit.
“Ky gjimnaz ka qënë dhe vazhdon të mbetet kështjella e dytë e qytetit të vjetër, kështjella e diturisë dhe e dijes.”
Ismail Kadare
HESHTJA E PRESIDENCËS SHQIPTARE
Ardhja e Presidentit francez Manuel Makron dhe nderimi i shkrimtarit Kadare me gradën “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”, pavarësisht se nuk lidhet drejtpërdrejtë me liceun, e kornizoi bukur 100 – vjetorin e tij. Një shekull më parë nga Franca u dërgua dekorata për liceistin e shkëlqyer Hamit Kokalari, ndërkohë që 100 vjet më vonë po Franca dekoroi me titullin më të lartë të saj, shkrimtarin më të madh shqiptar, ish-nxënësin e Liceut Ismail Kadare. Gjesti i Presidencës Franceze na i lehtëson sadopak dhimbjen për heshtjen e pakuptimtë dhe indiferencën e plotë që tregoi ndaj ditës më të shenjtë të Liceut, Presidenca Shqiptare. Asnjë fjalë dhe asnjë vlerësim për Liceun, hapja e të cilit kishte jo vetëm rëndësi politike për kohën, por edhe rëndësi historike. Ajo është e para shkollë miks në Shqipëri. Liceu Francez i Gjirokastrës dha shenjën e parë në emancipimin e shkollës shqiptare, kur për herë të parë vajzat dhe djemtë hynë për të ndjekur mësimin në të njëjtën klasë.
Ilirjan Lluri – Miçigan