Share This Article
Pjesa II
Nga iLIR llURI
7 mars 1914 – 2024
Historia është e vetmja mësuese e vërtetë. Roza Luksemburg
7 marsin e këtij viti ja dedikova në mënyrë të veçantë mësueses sime të historisë, Englantina. Shprehjen “Historia është e vetmja mësuese e vërtetë”, e kam dëgjuar sa e sa herë nga goja e saj. Përkimi i festës së 7 marsit të këtij viti, me përvjetorin e 110 të ardhjes së princ Vidit në Shqipëri në 7 mars 1914, më nxitën drejt këtij shkrimi. Askush nuk e di se përse u zgjodh pikërisht data e 7 marsit për ardhjen e Vidit në Shqipëri, ndërkohë që duhet theksuar se dita e 7 marsit 1887, dita simbol e hapjes së shkollës së parë shqipe të Korçës, do të shpallej festë zyrtare shumë kohë më vonë.
PRINC VIDI NË VLORË
Princi gjerman von Vid mbriti në Shqipëri në një situatë të vështirë të saj. Ai duhet të luftonte jo vetëm me të huajt që po e zaptonin vendin e shqiponjave, por edhe me ata shqiptarë që ishin jo vetëm kundër tij, por edhe kundër Shqipërisë. Kufijtë e njohur të Shqipërisë nga Fuqitë e mëdha në Konferencën e Londrës 1913 kundërshtoheshin nga shtetet fqinje. Grekët kishin hyrë ushtarakisht në Gjirokastër dhe Korçë. Nga sulmet e tyre barbare shumë banorë të këtyre zonave shkuan drejt Vlorës. Një pjesë e muhaxhirëve gjeti strehë në shtëpitë e braktisura, ndërsa një pjesë tjetër jetonte nën qiell të hapur në ullishtat e Vlorës. Një muaj pas mbritjes në Shqipëri, princ Vidi vendosi të shkonte në Vlorë.
MARIGO POZIO – ORGANIZATORE E MIKPRITJES
Ceremoninë e mirseardhjes të mbretit në Vlorë, e organizoi qëndistarja e flamurit Kombëtar të 1912, Marigo Pozio. Përshkrimi i kësaj ceremonie është gdhendur nga pena e gazetarit dhe atdhetarit të njohur Mustafa Qulli:
“Skela e Vlorës ishte mbushur me njerëz. Ismail Qemali, prefekti, kryekatundari, oficerët organizatorë të ardhur prej Hollande dhe konsujt e Italisë dhe Austrisë, kishin zënë vendin qëndror. Pranë tyre vinte grupi i madh i grave të veshura me petkat më të bukura, nëpër mëngët e në kraharorët e të cilave ishin qepur kordele të kuqe e të zeza. Porsa u duk në horizont yacht-i mbretëror, një mori barkash të vogla mbushur me popull të thjeshtë e me përfaqësonjës, shkuan drejt tij. Kur yacht-i u ndal 100 metra larg nga toka, vetëm një barkë e vogël u drejtua nga shkallët e tij dhe disa gra u ngjitën në të. Mbreti dhe mbetëresha pranuan përpara të gjithëve, përfaqësinë e shoqërisë “Shpresa Kombëtare”. Zonja Marigo e mallëngjyer, me lot ndër sy i dorëzoi mbretëreshës një tufë të madhe lulesh të zgjedhura. Mretëresha e puthi në ballë.
KARROCA MBRETËRORE TËRHIQET NGA POPULLI
Se me sa dëshirë e kishin pritur shqiptarët mbretin e tyre, e tregon jo vetëm entuziazmi dhe brohoritjet, por edhe një gjest i pazakontë i tyre. Kur familja mbretërore zbriti në tokë, populli brohoriti në mënyrë të stuhishme. Fjalimi i mirseradhjes u mbajt nga mësuesi Jani Minga. Por e jashtëzakonshmja ndodhi kur karoca Mbretërore u nis drejt qytetit, pohon gazetari:
Kur karroca mbretërore po nisej për në qytet, populli zbërtheu kuajt e saj, dhe e tërhoqi vetë Mbretin gjer sa e çoi në banesën që ishte caktuar.
FAMILJA MBRETËRORE NDIHMON MUHAXHIRËT E VLORËS
Kishte pak kohë që qëndistarja e flamurit Kombëtar, Marigoja, kishte themeluar shoqërinë “Shpresa Kombëtare” dhe kishte nisur aksionin për mbledhjen e ndihmave për muhaxhirët e mbritur në qytet. Në Vlorë, familja Mbretërore bëri dhe gjestin e parë publik humanitar. Ajo dha donacione në mbështetje të muhaxhirëve. Mbretëresha Sofi i dhuroi kryetares së kësaj shoqërie, gruas së Surja Bej Vlorës, 3.000 franga ari dhe disa topa basme e pëlhure, ndërkohë që princ Vidi, vizitoi muhaxhirët në banesat e tyre të shkreta dhe ju fali atyre 1.000 napolona. Dita e mbritjes së familjes mbretërore në Vlorë u kthye në një ditë të mbledhjes së ndihmave për muhaxhirët. Ajo u mbyll me organizimin e një llotarie për një qostek të falur nga zonja Bukuroshe Qazim Kokoshi. P.s Mbeshtetur tek Jakov Milaj
FAMILJA PAPAPANO MES MUHAXHIRËVE
Mes muhaxhirëve të Vlorës ndodhej edhe familja Gjirokastrite Papapano, e cila e la qytetin pas hyrjes së forcave greke në Gjirokastër në mars të 1913. Nga kushtet e vështira dhe sëmundjet mësuesi i shkollës së parë shqipe të Gjirokastrës, varrosi në Vlorë nënën dhe gruan e tij shtatzanë. Në Gjirokastër u kthye vetëm babai dhe i biri, prifti dhe mësuesi.
QEVERIA EPIROTE
Ardhja e Vidit në Shqipëri duket se nxiti më shumë vendet fqinje të Shqipërisë që të nxitojnë për të realizuar ëndrrat e tyre për rrëmbimin e trojeve shqiptare. Sulmet greke në Jug, në Korçë dhe Gjirokastër dhe sulmet e tjera në veri, u shoqëruan nga vrasjet dhe nga djegja e gjallë e burrave dhe grave shqiptare. Por kulmi arriti në Jug të Shqipërisë ku grekët shpallën qverinë dhe ngritën flamurin e Vorio – Epirit në Gjirokastër. Pas marrjes së Janinës, Zografo u vendos prej tyre vali i këtij qyteti. Tashmë me ngritjen e flamurit të Vorio – Epirit, Zografo u vendos në krye të Qeverisë Epirote. Në gazetën “Liri e Shqipërisë” 19 maj 1914, Zografos i dedikohet edhe një karikaturë për tradhëtinë e tij.
SULMI KUNDËR VIDIT
Organizimi i forcave kryengritëse kundër princ Vidit ju faturohet shteteve fqinje. Madje ushtarakët që drejtonin kryengritjen ishin pothuajse që të gjithë të huaj. Ngjarjet që ndodhën në Durrës u ndoqën edhe nga sytë kureshtarë të një bujtësi në hotelin “Adriatik” të qytetit. Shkurtimisht po sjell përmes këtij shkrimi, disa detaje nga shënimet e tij të botuara në gazetën “Liri e Shqipërisë”
E hënë 14 qershor 1914
Sot në mëngjes në orën 4.30 krisi lufta jashtë Durrësit midis reaksionarëve dhe ushtrisë shqiptare. Midis 200 apo 300 xhandarëve dhe reaksionarëve të shumtë. Durrësi është i rrethuar nga një si gjol, dhe ka vetëm një udhë hyrëse brenda në qytet, “Urën e Dajlanit”. Kjo urë ruhet nga xhandarët por, tani në behar gjoli nuk është i thellë. Ai ka ujë deri në mes dhe kështu kryengritësit kishin hyrë natën në rrethina të Durrësit dhe ishin fshehur nëpër drizat pranë dhe rrotull Durrësit. Kur ata nisën të qëllonin me armë gjithë bota ishin në gjumë. Pas betejës rreth 500 kryengritës të Tiranës metën të vrarë. Nga ana e xhandarmërisë mbretërore mbetën të vrarë 20 vetë dhe u plagooswn 30 vetw. Midis të vrarëve ishte edhe koloneli Tomson. Nuk besojmë se do të gjendet në vend të tij një organizator kaq i zoti dhe aq i dhimbshur për Shqipërinë.
Mbreti doli në shesh të luftës dy herë, hipur mbi kalë.
Unë sot kam qënë brenda hotel Adriatikut dhe kam bërë sehir luftën që bëhej përpara penxhereve rreth 1 km larg.
E martë 15 qershor 1914
Tellalli thiri që të hapen dyqanet.
E mërkurë 16 qershor 1914
Malësorët dhe kosovasit vanë të goditnin dhe të zaptojnë Shijakun. Kjo fuqi përbëhej prej 1000 gjer në 1200 vetë. Shijakasit ishin 500 vetë. Malësorët u thyhen dhe humbën. Lanw 100 tw vrarë e të plagosur. Isa Buletini me 150 vetë qëndroi deri në fund dhe nuk humbi asnjë luftëtar. Malësorët humbën prej intrigave të Italisë. Ajo vuri njerëz dhe ju thanë malësorëve aty ku luftonin se, kryengritësit hynë në Durrës brenda dhe ju do të jeni mes dy zjarreve. I shkuan dhe i thanë edhe Isa Buletinit se “Urën e Dajlanit” e thyen kryengritësit. Brenda në Durrës vendosën një shqiptar të shtinte me mitraloz për të ngjallur frikë anë e mbanë.
E enjte 17 qershor 1914
Qeveria mori me qera një vapor tregëtar, i vuri dy topa të vegjël brenda dhe natën e datës 16, bombardoi Kavajën mbi të cilën hodhi 100 gjyle.
DËSHMORËT E MBRETËRISË SË VIDIT
Në luftë për mbrojtjen e Mbretërisë Shqiptare, ranë dëshmorë, Haki Glina, Ceno Cara, Xhezo Harremi, Agostin Prizrendi dhe koloneli hollandez Tomson. Koloneli Tomson u vra duke luftuar në ballë të trupave shqiptare. Plumbi e mori në zemër. Për të nderuar Tomsonin trupi i tij i pa jetë u mbajt një natë në pallatin mbretëror. Ceremonia fetare ju bë në kishën katolike të Durrësit. Aktit heroik të kolonelit Tomson populi i dedikoi këngë;
VDEKJA E TË MADHIT DËSHMOR, TOMSON
-O Tomson, o luftëtar
Emri yt i dëgjuar
Do të mbetet i paharruar
Në atdhenë e liruar
Shtati yt do të ngrihet
Në kërthizë të Shqipërisë
Emri yt do të shkruhet
Në ballë të historisë
O Zot o perëndi
Ndjeje shpirtin e tij
Që ra dëshmor në dy qershor
Për liri të Shqipërisë
Për shpëtim të mbretërisë.
ESAT PASHA ZIHET ROB
Në 19 maj 1914 Esat Pashë Toptani nxiti forcat e tij në përleshje me xhandarmërinë shqiptare. Në përfundim të kësaj përleshjeje të armatosur Xhandarmëria mundi të arrestojë Esat pashën. Ndonëse nacionalistët shqiptarë e gjykuan dhe i dhanë dënimin me varje, princ Vidi e fali. Sipas artikullit me titull “Poshtë politika italiane që mban në gji të saj, gjarpërin e Shqipërisë” ishte ndërhyrja e Italisë ajo që i shpëtoi jetën Esat pashës, i cili u burgos në anijen e Austro-Hungarisë “Zejgenar”, ndërkohë që shtëpia e tij u hodh në erë. Gazetari i kujton Italisë se i kishte një borxh Shqipërisë;
…po të mos qe Skënderbeu, Sulltani do ta kishte bërë “Shën Pjetrin” Xhami.
Esat pasha ende nuk e kishte haruar me sa duket ëndërrën e tij për të zënë fronin e Shqipërisë. Besnikëria e shprehur përmes fjalës së tij si kryetar i delegacionit shqiptar kur i afruan kurorën Vidit, ishte një nga mashtrimet që trondi ritin e “besës” së shqiptarit” të cilën mbreti i parë pas Skënderbeut vlerësoi gjatë ceremonisë së pranimit të kurorës së Shqipërisë.
E SHKUARA NË TË TASHMEN
Në ngjarjet e së shkuarës, shoh kohën e sotme. Kjo vihet re nw dy fakte të thjeshta:
- Akuzat që ngriheshin dikur kundër elementëve kryesorë të politikës shqiptare.
Në artikullin “Nga Shqipëria” lexojmë:
Në shqiptarët nuk përparojmë sepse tërë parësija, janë të shitur.; dikush në Itali, tjetri në Serbi, e tjetri në Junian (Greqi).
A nuk ndodh e njëjta gjë aktualisht në vendin tonë. A nuk e akuzojnë politikanët njeri-tjetrin si të shitur tek vendet fqinje e madje deri tek rusët.
- Akuzat kundër diplomatëve të huaj:
Në artikullin me titull “Grekët dhe avokati i tyre Xhorxh Uliams” anatemohet ish ambasadori i SHBA – ve në Athinë. Sipas artikullit, ambasadori Uliams udhëtoi drejt Shqipërisë dhe takoi në Gjirokastër kreun e Qeverisë së vetshpallur të Epirit, Zografon. Ai shkoi edhe në Vlorë e më pas në Durrës ku i dorëzoi një letër Kontrollit Ndërkomëtar të Kufijve. Ambasadori amerikan botoi edhe një raport në gazetën grekë “Neë Elas”. Në këtë raport ai shprehej i pakënaqur në shtetin e ri të Shqipërisë që themeloi Europa dhe këshillonte:
U takova me shumë njerëz në Vlorë, bisedova gjatë e gjerë, u thashë të veprojnë me Epirotët dhe të bashkohen me kryengritësit e veriut. Të bashkohen të gjithë së bashku.
Së sa individual ishte qëndrimi i këtij diplomati, artikulli i gazetës e sqaron më poshtë kur shkruan se:
Qeveria e Uashingtonit pas urdhërit të Willsonit i vari një teneqe në bisht këtij nëpunësi qesharak.
Akuzat e përdorura njw shekull e ca më parë, janë të njëjta me ato tw politikws sot. Ndryshimi është se akuzat e para 110 viteve kanë marë vulën e historisë. Një pjesë e tyre janë vertetuar, ndërkohë që një pjesë tjetër janë të mjegullta edhe sot. Po akuzat e sotme a kanë brenda tyre të vërteta? Shqiptari është mësuar të presë… për ta marrw vesh të vërtetën.
DURO GURI – PORTRETI I VIDIT
Mesha e Papapanos më e madhja dedikuar princ Vidit, nuk është e vetmja ngjarje që e lidh Gjirokastrën me mbretin e ri të shqiptarëve. Ceremonia e rrallë fetare u pasua edhe nga një vepër arti. Ajo ndodhet sot në muzeun etnografik të Gjirokastrës. Për egzistencën e saj më kishte folur shumë herët etnografi i njohur “Mjeshtri i madh” Stavri Çati, kur pas një seminari në ambientet e muzeut më tha;
Jam i mërzitur që ç’të të thom. Si e kanë lënë në atë gjendje portretin e Princ Vidit. Ai është unikal në Shqipëri.
Mjeshtri Çati ishte marë me ngritjen e muzeut etnografik dhe i njihte objektet në detaj. Ai ishte i trishtuar dhe i befasuar për lënien e saj në harresë të plotë. Kjo kishte sjellë edhe dëmtimin e portretit. Duke e njohur dhe praktikuar qëndisjen, madje duke fituar edhe çmime në konkurset kombëtare të arteve figurative, Çati e dinte se sa vlerë dhe mjeshtëri mbarte brenda një realizim i tillë. Vepra me moshë mbi 100 vjeçare është bërë pjesë e trashëgimisë kulturore nga muzeologu i madh gjirokastrit, Lefter Dilo. Ajo është gjetur në qytetin e Lushnjës, por ne fatkeqësisht nuk e kemi sot adresën e familjes që e kishte bërë pronë të saj këtë vepër arti. Ajo është unikale në llojin e vet, jo vetëm për mënyrën e realizimit, por edhe sepse është e para vepër arti dedikuar mbretit të parë të shqiptarëve pas Skënderbeut, princ Vidit. Ky portret është realizuar nga artizani i njohur Duro Guri.
Restaurimi i Muzeut Etnografik të Gjirokastrës përfshiu edhe restaurimin e dhjetra objekteve të tij. Lista e këtyre objekteve kryesohej nga portreti i Vidit. Artizania duarartë Burbuqe Muka e quan veten me fat që pati rastin të njihet me këtë portret dhe me punën e një artizani gjirokastrit i cili e ushtroi mjeshtërinë e qëndisjes një shekull më parë:
Punimi është qëndisje me dorë, punë me mbushje …në një mënyrë fantastike. Ngjyrat në të janë hedhur si në një pikturë.
Sot kushdo që e viziton Muzeun Etnografik të qytetit nuk e ka fatin ta shohë të ekspozuar portretin e princ Vidit. Arsyet i dinë ata që u morën me organizimin e tij. Por kjo nuk më pengon të shpreh opinionin tim se; janë disa vepra arti, apo objekte të rralla etnografike, përmes të cilave spjegohet bukur edhe rrugëtimi ynë historik. Kjo vepër na afron informacion të dyfishtë; 1. për artizanin mjeshtër gjirokastrit, Duro Guri dhe 2. Për atë moment të madh historik të 114 viteve më parë, kur Europa e zgjodhi Shqipërinë ta bënte pjesë të saj, duke dërguar në krye të Shqipërisë për mbret, princ Vidin.
ËNDËRR E PARË NGA TRE BREZA
Në tre shtator 1914 princ Vidi u largua nga vendi ynë. 110 vjet më parë kur ai erdhi në Shqipëri, gjyshi im ishte një djalë 22 vjeçar. Si të gjithë shqiptarët edhe ai e duartokiti mbretin e ri pas Skënderbeut. Në se heroi ynë e mbrojti Europën duke i mbyllur portat dhe duke e shpëtuar nga pushtimi otoman, Vidi ishte e para shpresë për ti hapur ato porta për Shqipërinë e shumëvuajtur. Por, bashkë me largimin e tij , humbi dhe mundësia jonë e parë për të qënë pjesë e Europës. Gjithsesi fati trokiti përsëri 30 vjet më vonë. Në vitin 1944, rreshtimi i Shqipërisë në koalicionin e vendeve fituese të Luftës së dytë Botërore, ishte një ngjarje e shënuar. Vendi i shpëtoi një coptimi përfundimtar nga fqinjët e pangopur, dhe mundësia për tu bërë pjesë e Europës ishte shansi ynë i dytë që na trokiste në derë. Gjyshi im ishte krenar, se në rradhët partizane ndodhej edhe djali i tij i madh. Im atë në atë kohë 20 vjeçar dhe plot energji, sa herë që gjyshi e pyeste; a do hapen ndonjëherë kufijtë mo djalë? i kthente gjithmonë të njëjtën përgjigje; … duro dhe pak baba! Por, pazari i Fuqive të mëdha e la Shqipërinë përsëri jashtë atyre portave që kishte mbrojtur heroi ynë kombëtar. Sikur mos mjaftonte kjo, udhëheqja e re e vendit, i mbylli portat nga brenda kështjellës së saj, duke e kthyer Shqipërinë në “fanarin ndriçues” të Europës. Ardhja e demokracisë, e rizgjoi përsëri ëndrrën europiane në shtëpinë tonë. Tashmë për të flitej hapur edhe nga unë në televizionin dhe radion lokale “Antena Jug”, madje flitej kundër asaj ruge që kishte ndjekur brezi i tim eti. Ndërkohë, gjyshi ishte ndarë nga jeta. Në vitin 1994 kur u ktheva nga emigracioni dyvjeçar në Greqi, i fola tim eti mbi kohën që kishim humbur për të ecur krah vendeve europiane, dhe mbi perspektivën e artë që kishim përpara pas ardhjes së demokracisë. Fare pa entuziazëm, por edhe për të mos ma prishur qejfin ai më tha me gjysëm zëri: mbase… mo djalë, mbase. Erdhi koha që edhe im atë të ndahej nga jeta, dhe dëshira për të hyrë në Europë, ashtu si babait të tij, dhe atij i mbeti ëndërr deri në fund. Ajo, tashmë jeton tek unë.
110 vjet pas duartrokitjes së gjyshit për ardhjen e Vidit në Shqipëri, 80 vjet pas krismës së pushkës së tim eti për të festuar çlirimin e vendit në nëntor të 1944, dhe 34 vjet pas brohoritjes sime për “Shqipërinë si gjithë Europa” në vitin 1990, ëndrra për tu bërë pjesë e saj, vijon të mbetet e tillë. Pas tre sistemeve shoqërore, Monarkisë, Diktaturës dhe Demokracisë, Shqipëria ende mbetet në dyert e Europës. Është një pyetje shumë e sinqertë që i duhet ti drejtojmë vetes; A duam vërtetë të hymë në Europë? Në se po, dhe sa breza duhet të kalojnë që kjo ëndërr të bëhet realitet. Megjithë pesimizmin që më pushton shpesh herë, gjej forcë dhe vijoj ti flas plot shpresë për këtë gjë mbesës sime 4 vjeçare, Eissit.
MBYLLJE
Shpesh e kujtoj se si ne, nxënësit e gjimnazit, e vlerësonim mësuesen tonë të historisë, Englantinën: Je mësuesja më e mirë e historisë, i thoshnim çiltërsisht. Ajo duke buzëqeshur na kujtonte shprehjen e njohur të Roza Luksemburg:
Historia është e vetmja mësuese e vërtetë.
Po, sigurisht mësuese. Por ajo është e tillë vetëm për ata që duan të mësojnë prej saj.
ILIRJAN LLURI – Miçigan 7 mars 2024