
Share This Article
Nga Ilirjan Lluri
7 mars 1914 – 2024
MBRETI I RI I SHQIPTARËVE
Pjesa 1
Në 22 Janar 1914 Qeveria e Ismail Qemalit e cila nuk u njoh nga Fuqitë e mëdha, dha dorëheqjen dhe pushteti kaloi në duart e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (K.N.K). Kjo është edhe një nga arsyet përse u mendua vendosja e një mbreti në Shqipëri. Por për të qënë të saktë, kjo ide kishte lindur disa kohë më parë.

Duka Montpensier ndodhej në Vlorë, dhe Ismail Qemali e kishte projektuar ta vendoste atë në fron, pas shpalljes së Pavarësisë. Godart 1921
Por ndërkohë që nuk kemi ndonjë detaj përse nuk u realizua kjo gjë, kemi informacione për emrat e disa kantidatëve të tjerë për fronin. Aleandro Kastrioti ishte njeri prej tyre. Në gazetën “Liri e Shqipërisë” 5 gusht 1912 në artikullin “Pretendent i fronit të Shqipërisë” mes të tjerash shkruhet:
Aleandro Kastrioti, një pasardhës i mbretit të parë të shqiptarëve, Skënderbeut, shpërndau tek kryengritësit shqiptarë në Shkup një thirrje përmes të cilës kërkonte fronin e mbretit të Historia është e vetmja mësuese e vërtetë Roza Luksemburg
7 marsin e këtij viti ja dedikova në mënyrë të veçantë mësueses sime të historisë, Englantina. Shprehjen “Historia është e vetmja mësuese e vërtetë”, e kam dëgjuar sa e sa herë nga goja e saj. Përkimi i festës së 7 marsit të këtij viti, me përvjetorin e 110 të ardhjes së princ Vidit në Shqipëri në 7 mars 1914, më nxitën drejt këtij shkrimi. Askush nuk e di se përse u zgjodh pikërisht data e 7 marsit për ardhjen e Vidit në Shqipëri, ndërkohë që duhet theksuar se dita e 7 marsit 1887, dita simbol e hapjes së shkollës së parë shqipe të Korçës, do të shpallej festë zyrtare shumë kohë më vonë.
Shqipërisë.

Dy emra të tjerë të përfolur për kurorën e Shqipërisë vinin nga Misiri; Andon Zako Çajupi dhe Jani Vruho. Ndërkohë, vetë ata të dy propozuan për kurorën e Shqipërisë djalin e mbretit të Egjyptit, pasi ishte me origjinë shqiptare. Ata kërkuan edhe mbështetjen e shoqatës “Vatra” për këtë propozim. Ja si e argumentonte kundërshtimin e “Vatrës” Faik Konica:

Me një princ arab në krye, Shqipëria do të shihet nga vendet e perëndimit si një vend oriental në mes të Europës. Shqipërisë i duhet një princ europian i kulturuar, dhe jo një mbret arab me hareme.

ESATI – KANTIDATI NGA SHQIPËRIA
Por emrat e kantidatëve nuk vinin vetëm nga shqiptarët jashtë atdheut. Esat pasha me ndikim të njohur në vend me një aktivitet të dyshimtë si ai i dorëzimit të Janinës dhe Shkodrës, synonte dhe luftonte për zotërimin e fronit të Shqipërisë. Në gazetën “Liri e Shqipërisë” të datës 30 shtator 1913 në artikullin me titull “Një pikë e zezë në historinë e Shqipërisë”, fshikullohet veprimtaria armiqësore e Esat Pashë Toptanit në dëm të Shqipërisë:
Esat pasha që gjashtë muaj e tëhu, në fund i shpalli gjithë të fshehtat e zemrës me një proklamatë ku thotë se nuk e njeh Qeverinë e Vlorës dhe ngrë një qeveri të re, nga lumi i Matit deri në lumin e Shkumbinit. E dinim se Esati se ka në dorë të djegë Shqipërinë, e dinim që si bënte dot dëm tjetër veç përçarjes, e cila do e rrëfejë Shqipërinë të ndarë e të coptuar. Të gjithë kemi thënë kjo është një tradhëti, një tradhëti e madhe kundër Shqipërisë.

Një gazetar francez i gazetës “Lë Matin” i drejtoi këtë pyetje Ismail Qemalit kur ai ndodhej në Paris: Si mendoni ju për lajmin se Esat Pasha u proklamua mbret i Shqipërisë? Ja si u përgjigj Ismail Qemali:
Unë e njoh mirë Esat Pashën. Nuk besoj të jetë proklamuar për mbret, se me këtë do të quhej tradhëtor i atdheut, do të bënte një faj të madh të cilin kurrë nuk do t’ja falnin shqiptarët. Ne nuk duam një mbret nga të vendit. Vetëm një i huaj që ka njohje me shtëpitë mbretërore të Europës mund ti sjellë dobi Shqipërisë. “Liri e Shqipërisë” 22 korik 1913
Austria dhe Italia kishin rënë dakord për kandidaturën e princ Vidit i cili u kurorëzua si Vilhelmi i I-rë. Edhe “Vatra” ra dakord me kandidaturën e tij. Princ Vidi do të ishte mbreti i parë i shqiptarëve pas Skënderbeut.
KËSHILLAT E VILHELMIT
Ish peradori i Gjermanisë Vilhelmi, në librin e tij “Ngajrje dhe portrete” në fund të kapitullit të pestë në cilësinë e protagonistit flet edhe për një faqe të hidhur të Historisë Kombëtare Shqiptare.
“U detyrova të merrem edhe me një çështje që nuk më përkiste, me çështjen e themelimit të Shtetit të ri Shqiptar, dhe të mbretit që do ti zgjidhnin Fuqitë Europiane në shkurt të 1914.
Në librin “Kujtime” të Betman Hollveg, Kaizeri kishte thënë se; Për Shqipërinë dhe për Durrësin do të ishte pro qëndrimit të Parisit dhe Moskës, por çështja e Mbretit shqiptar i interesonte, meqë duke ditur mirë punët orientale dhe karakterin e veçantë të popullit shqiptar, ishte i mendimit se nuk mund të gjëndej në Europë një mbret që i shkonte Shqipërisë. Ja si shkruan Kaizeri:

“Duke u mbështetur në këtë eksperiencë, ngula këmbë të zinte vend influenca ime, që të zgjidhej në se ishte e mundur, një princ muhamedan, më mirë egjyptian, duke mos harruar që ai duhet të kishte shumë të holla, gjë e cila veçanërisht në Shqipëri ishte nevojshme. Këshilla ime nuk u mor parasysh nga Aeropagu i Fuqive.
Kaizeri madje akuzonte edhe qëndrimin që mbanin vendet e Europës;
Ata nuk interesoheshin për interesat shqiptare, por përpiqeshin secila të gjente një shkak dhe një rast për të gjuajtur në ujra të trubullta.
Kaizeri ishte i vetmi që duket sikur parandjeu dështimin e Vidit në misionin e tij;
Zgjedhja e Princ Vidit nuk më kënaqi aspak. Unë çmoja karakterin e tij të lartë, kalorës dhe të hollë, po e gjykoja që nuk bënte për atë vënd. Princi e dinte fare pak situatën e Bakllkanit dhe kështu nuk mund të merte përsipër me sukses këtë barrë me gjëmba.
Në kujtimet e tij Kaizeri pohon edhe mungesën e entuziazmit me të cilin Vidi e kishte pritur detyrën e ngarkuar prej Fuqive të Mëdha;
Pasiguria në sjelljen e princit i cili nuk e merrte përsipër me entuziazëm këtë barrë, më forcoi mua dhe Kancelarit mendimin që ta këshillojmë me këmbëngulje Princin e ri, të mos hypte në Fronin e Shqiptar. Por, pa ndonjë sukses. E shoqja e Princit, me ambicje dhe mendime të errta, pandehte se me vajtjen në Shqipëri do të plotësoheshin dëshirat e saj: ”Atë që do gruaja, e do Perëndia.”

SHQIPËRIA – VENDI I PËRRALLAVE
Sipas Kaizerit ishte edhe një artikull i botuar në një nga gazetat e kohës ai që ia shtoi e nxiti më tepër dëshirën e Vidit për të marrë Fronin e Shqipërisë. Artikulli niste me këto fjalë;
“Vëndi i përrallave, do të ketë princin e tij”
Këbëngulja e Kaizerit që të bindte Vidin për ta rrefuzuar fronin e Shqipërisë vijoi. Ai solli si argument të fortë, mungesën finaciare. Sipas tij, princi nuk duhej të shkonte në Shqipëri pa rregulluar më parë çështjen financiare. Princ Vidi nuk ishte shumë i pasur, dhe shpenzimet duhet ti paguanin Fuqitë e Mëdha. Problemi i financave shkaktoi një debat të gjatë.
ESAT PASHA – RREZIK PËR PRINCIN
Si një faktor shtesë në dështimin e misionit të Vidit, Kaizeri kishte marë në konsideratë edhe ndikimin që kishte në atë kohë në Shqipëri Esat Pashë Toptani.
Një rrezik për Princin e ri dhe për sistemin e qeverimit të tij ishte Esat Pasha, një ushtar i kohërave të mesme, i pa besë, intrigant, i pa ngopur, që dëshironte për vehten e tij Fronin dhe mbështetej mbi një forcë partizanësh të armatosur. Që në fillim ai ishte kundërshtar i Princit të ri. Fshehtazi punonte me Italinë, e cila nuk e simpatizonte aspak Princ Vidin. Pra do të duhej që princi i ri të kishte pranë gjermanë të njohur dhe besnikë. Kjo nuk u bë. Pranë tij si sekretar, pati një anglez dhe një Italian. Këta nuk kishin të bënin gjë më të mirë përveç se, të punonin kundër interesave të tij, duke e këshilluar keq dhe duke e intriguar.

KULETA ME VERDHUSHKA
Atëherë ishte botuar një libër i një oficeri të shtabit Austriak mbi një udhëtim që ai kishte bërë në Shqipëri. Midis të tjerash aty shkruhej se;
“…nga shkaku i mjeteve të komunikimit që në Shqipëri ishin si në kohën e Evës dhe Adamit, Princi do të ishte i detyruar të rinte tërë ditën mbi kalë dhe të udhëtonte gjatë, duke pasur nën shalë të famshmen “kuletë të verdhushkave” … e njohur dhe e dëgjuar në gjithë përrallat orientale, për të fituar menjëherë shpirtrat e vendeve të vizituara, me shiun e florinjtë.”
Sipas Kaizerit, Vidi do të ishte i detyruar të lidhej me disa prej Bajrakëve të vendit që të siguronte një forcë të armatosur mbi të cilën të mund të mbështetej. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të zbatonte vullnetin e tij, dhe të mos linte kundërshtarët të ngrinin krye. Përderisa ushtria mungonte, kjo ishte e vetmja mënyrë.
DURRËSI – QYTETI I PRINC VIDIT
Si njohës i mirë i Ballkanit Kaizeri e këshilloi Vidin të zgjidhte vendin e qëndrimit. Ai i sugjeroi atij që ky vend duhet të ishte sa më larg anijeve luftarake të Fuqive të mëdha. Në këtë mënyrë nuk do të detyrohej të vepronte nën presionin e tyre, dhe nuk do të lindte tek shqiptarët dyshimi se Princi kishte nevojë të mbrohej nga nënshtetasit e tij. Princ Vidi nuk e lexoi kurrë librin që Kaizeri i sugjeroi. Ai zgjodhi si vend banimi Durrësin, pra jo larg anijeve luftarake të aleatëve. Për ironi të fatit, ky ishte qyteti ku ndikimi i Esat pashës ishte pothuajse absolut.

SI U PRIT ZGJEDHJA E PRINC VIDIT NË SHQIPËRI
Lajmërimi zyrtar i zgjedhjes së Princ Vidit si mbret i shqiptarëve, u shoqërua nga urimet që përmes telegrameve mbrinin kryesisht në dy qytete, në Vlorë dhe në Durrës. Ato vinin nga Tirana, Mati, Peqini, Kavaja. Mbritjen e mbretit e prisnin me padurim edhe shtetet e Ballkanit dhe Europës.
SHKOLLAT SHQIP – VATRAT E ATDHEDASHURISË
Procesi i hapjes së shkollave shqip, si vatra të edukimit patriotik dhe atdhetar po ndodhte gati në të gjitha viset e Shqipërisë. Shkolla shqipe e Tiranës kishte 250 nxënës, e Krujës 160, e Shijakut 90, e Durrësit 92, e Kavajës 100 dhe e Ishmit 25. Por megjithatë ende vijonin shkollat greke, dhe kjo ndodhte aty ku komandonte Esat Pasha.

QËNDRIMET PRO – GREKE TË ESAT PASHËS
Në Durrësin e komanduar nga Esat Pasha vijonin ende të hapura shkollat në gjuhën greke. Ato ishin mbyllur në Elbasan, Berat dhe në Vlorë. Ja si e përshkruan këtë situatë një nga gazetat e kohës;
Esat Pasha ka lënë të hapura në Durrës shkollat në gjuhën greke. Duket se Esati nuk do ta prishë as me grekët as me serbët.
Por qëndrimi i tij më antishqiptar, ishte ndalimi i protestave kundër pushtimit grek të jugut. Në shumë qytete të Shqipërisë u organizuan protesta kundër pushtimit grek, ndërkohë që një kërkesë e tillë nga Kruja dhe Tirana u refuzua nga Esat Pasha. I pyetur nga Mitat Frashëri se pse e ndaloi zhvillimin e tyre, Esati kishte dhënë këtë përgjigje:
Nuk i lashë të bëjnë mitingje për shkak se u bënë mitingje në Toskëri. Unë s’dua që të bëj atë që bëhet aty ku urdhëron Ismail Qemali.
Liri e Shqipërisë 27.12.1913
Në 3 shkurt 1914 mbritën në Durrës disa antarë të Komisionit të Kontrollit të cilët filluan punën për të organizuar ceremoninë e mbritjes së princ Vidit. Hapi i parë që ndërmorën ishte përpjekja e kthimit të “armikut” në “mik”. Për të zbutur qëndrimin dhe pretendimet e Esat Pashës për fronin e Shqipërisë, ata e caktuan atë Kryetar të Komisionit të Shqiptarëve që do të shkonin për ti afuar kurorën e Shqipërisë Vidit.

PALLATI MBRETËROR
Për pritjen e Vidit në Durrës po përgatitej një shtëpi e qeverisë (konaku) e cila ndodhej në anë të detit. Për rregullimin dhe përshtatjen e godinës tre katëshe kishin ardhur nga Trieste 20 punëtorë me në krye një inxhinjer. Në katin e parë të godinës po ndërtoheshin sallonet për kabinetin e mbretit dhe sekretarëve të tij. Kati i dytë do të shërbente për dhomat e mbretit dhe mbretëreshës, fëmijëve dhe zonjave shoqëruese të mbretëreshës. Shtëpia mbretërore do të përfundonte krejtësisht në 25 shkurt. Në fillim të muajit shkurt përpara shtëpisë mbretërore u shkarkuan objektet e mobilimit. Lulet e lulishtes u sollën nga Napoli.

DAMES D’ HONNEUR – ZONJAT E NDERIT
Në Shqipëri u përhap fjala se mbretëresha kishte kërkuar tre “zonja nderi” (Dames d’honneur); një muslimane, një katolike dhe një ortodokse. Në mënyrë simbolike mbretëresha kërkonte në këtë mënyrë afrimin dhe mbështetjen nga të tre komunitetet fetare të Shqipërisë. “Liri e Shqipërisë” 18 Janar 1914


LIBRI BIOGRAFIK PËR VIDIN
Për ta bërë të njohur sa më parë dhe sa më shumë princ Vidin, u soll në Shqipëri edhe botimi me titullin “Cili është ky”. Në broshurën dhjetë faqëshe përshkruhej biografia e familjes mbretërore.
DELEGACIONI SHQIPTAR I KURORËS
Në 12 shkurt me një avullore u nisën drejt Posdamit delegatët shqiptarë që do ti afronin kurorën e Shqipërisë princ Vidit. Esat Pasha si Kryetar i Komisionit shoqërohej nga delegatët; Mark Kakariqi, Shefqet Beu, Hasan Beu, Dr. Turtulli, Azis Pashë Vrioni, Adi beu, Sami Beu Vrioni, Kanina, Lef Nosi, Koleka, Abdyl Bej Ypi etj. Delegatët aritën tek Princ Vidi në 21 shkurt në qytetin e tij të lindjes Neuwied të Gjermanisë. Përpara dorëzimit të kurorës, Kryetari i Komisionit të Delegatëve Shqiptarë, Esat Pasha mbajti fjalën e rastit;

“Lartësi!
Delegatët që kam nderin t’ja paraqes Zotërisë Suaj, ju luten në emër të Kombit Shqiptar, të pranoni fronin e Shqipërisë. Kombi ynë kurdoherë ka luftuar për lirinë e tij. Ai ka vuajtur shumë, por kurdoherë ka ditur ta rruajë shpirtin kombëtar dhe gjuhën e prindërve. Ndryshimet që u bënë në Ballkan dhe kujdesi i Fuqive të Europës përcaktuan fatin e këtij kombi. Shqipëria është e nderuar të ketë në krye Lartësinë Tuaj, që jini bir i një kombi kaq të famshëm në punën e përparimit dhe të qytetërimit. Shqiptarët do të jenë gjithmonë besnikë nën urdhërat e Zotërisë Suaj, gati për tju ndihmuar në përpjekjet tuaja për ti prurë Shqipërisë jetë, përparim, lumturi.
Rroftë Madhëri e Tij, Mbreti i Shqipërisë
Pas Esat Pashë Toptanit përshëndeti në gjermanisht Princ Vidi;
Shkëlqesi, zotërinj!
Erdhët këtu si të dërguarit e gjithë Shqipërisë që të më afroni fronin e mëmëdheut tuaj, i cili përmes luftrave e shumë vuajtjeve, më në fund e fitoi lirinë e tij. Erdhët këtu, në qytetin ku unë kam lindur, në kështjellën e gjyshërve të më thoni me gojën tuaj ta pranoj Fronin e Shqipërisë. Fuqitë e mëdha e siguruan gjëndjen e Shqipërisë, e njohën si një shtet independent dhe më propozuan mua për të Parin e vendit tuaj. Jam i lumtur t’ua them, që e pranoj fronin e Shqipërisë. Prncesha dhe unë do të vimë në vendin, i cili do të jetë paskëtaj mëmëdheu ynë. Kam besim dhe shpresoj se gjithë shqiptarët do të jenë njerëz me zell e bashkëpunëtorë të besës për të themeluar kombin për të siguruar zhvillimin dhe përparimin e tij. Të më jepni edhe ju provë për besim, i cili të jetë baras me besimin që jap provë unë, dhe atëherë përpjekjet dhe mundimet tona, me ndihmën e Zotit do të dalin faqebardhë. Me plot besim e mirënjohje e pranoj sigurimin që më jepni për besnikërinë tuaj. Besa shqiptare ka qënë gjithmonë e shenjtë në Shqipëri dhe e famshme në tërë botën. Rroftë Shqipëria!
THIRRJA E PRINC VIDIT
Pas mbritjes në Shqipëri në 7 mars të 1914 Vidi ju drejtoi një thirrje shqiptarëve. Kjo thirrje u botua edhe në gazetën “Liri e Shqipërisë” të datës 20 mars të atij viti.

Thirrje
Sot përcaktimi i fatit mbarohet dhe Shqipëria e lirë dhe më vete, po hyn në histori të re. Fati i atdheut paskëtaj është lënë në duart e Mbretit, në urtësitë e qeverisë dhe në vyrtytet e atdhetarëve. Rruga që kemi përpara është e gjatë dhe e mbjellë me plot pengim, por asnjë ndalim nuk është i pakapërcyeshëm për një popull që ka trashëgimi të famshme të historisë së vjetër, e që si ju, ka vullnetin e fortë të punojë për përparimin e vet. Detyra jonë dhe e trashëgimtarëve tanë do të jetë gjithmonë të kërkuarit e fatbardhësisë së kombit me gjithë fuqitë tona. I inspiruar me këto ndjenja e pranuam nga duart tuaja kurorën e Shqipërisë. Shqiptarë! Në këtë kohë që po hypim në fron, ju presim të gjithëve ju, të bashkuar rreth Mbretit tuaj, për të punuar bashkë për të përmbushur dëshirat kombiare. Vilhelmi i parë

PRIFTI GJIROKASTRIT – MESHA PËR VIDIN
Një nga ceremonitë më të mëdha fetare që janë organizuar për caktimin e Vidit në Shqipëri është ajo e 23 shkurtit 1914 e mbajtur në kishën e Kostancës, Rumani përpara 2.000 besimtarëve shqiptarë dhe vllehë. Ceremonia në gjuhën shqipe u drejtua nga prifti gjirokastrit Stafrovor Papapano;

Perëndi e Atërve dhe Zot i përdëllimit, Mbret i Mbretërve dhe Zot i Zotëronjësve! Ty të lutemi dhe të falemi përunjësisht për Besnikun, Mbretin tonë, Vilhelmin e I, për Mbretëreshën tonë Sofia, dhe për trashëgimtarët e tyre. Ruaji nën hijen e krahëve të tu. Pushtetoje atë mbi të lartin dhe të lavdëruarin fron të Shqipërisë. Forcoje atë që të punojë e të bëjë të mira për popullin e tij. Ruaje atë të shëndetshëm dhe e shpëto nga çdo rrezik e hidhërim duke dërguar ëngjëllin Shenjtëror që të jetë i fortë kundër çdo armiku. O perëndi, dëgjona neve që të lutemi për besnikun Mbretin tonë dhe për Mbretëreshën dhe për trashëgimtarët e tyre… se ti je Mbret i paqes dhe tit ë lavdërojmë. Lavdi Atit dhe Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, tani e për jetë të jetëve! Amin!
Rroftë Madhëria e tij Mbret i Shqipërisë Vilhelmi i I-rë!
Rroftë Madhëria e saj Mbretëresha e Shqipërisë, Sofia!
Rrofshin trashëgimtarët e Tyre, Karol, Viktor dhe Leonora!
Rroftë Lartëmadhëria e tij, mirëbërësi i Shqipërisë dhe Mbret i Rumanisë, Karoli i I-rë!
Rroftë Mbretëresha e Rumanisë, lartëmadhëria e saj, Elisabeta!
Rrofshin trashëgimtarët e tyre, Madhëri e tij Ferdinand dhe Mari me gjithë fëmijën e tyre mbretërore!
Rrofshin fuqitë e Mëdha mbrojtëse të Shqipërisë!
Rrofshi dhe gjithë ata që u përpoqën për Shqipërinë!
Rroftë Shqipëria!

Pas mbarimit të ceremonisë shqiptarët të shoqëruar nga orkestra bënë manifestime duke festuar nëpër konsullatat e Fuqive të mëdha.
Historia është e vetmja mësuese e vërtetë. Roza Luksemburg
Vijon…
ILIRJAN LLURI Miçigan 7 mars 2024