Share This Article
Nga Ilir Lluri
E quajta veten me fat kur kr. e Këshillit të Qarkut Lindita Rova më bëri pjesë të grupit të punës për përgatitjet e FFK mbarëkombëtar 2023. Shpesh krijuesit nuk do të konkretizonin dot asgjë në rast se ata nuk do të mbështeteshin financiarisht. Sot që leximi dhe dashuria për librin ka rënë ndjeshëm, është shumë e vështirë që të gjesh mundësinë për ta financuar botimin e tij. Por më shumë se argumentimi, pse duhej një botim i tillë, ishte dashamirësia e saj, që Gjirokastra të linte një gjurmë ndryshe. Një gjurmë që ndryshonte nga shkëlqimi i zakonshëm, që grupet e folklorit të qarkut tonë kanë lēnë në ç’do festival. Ja kështu erdhi në dritë edhe ky botim. Falë dashurisë për kontributin e artistëve të dikurshëm, të atyre të sotëm, dhe për të gjithë ata të rinj që kanë nisur të ecin në lēmin e folklorit.
Prandaj pra është e natyrshme dhe tepër korrekte që falënderimi i parë të shkojë për Lindita Rovën dhe stafin e saj të mrekullueshëm që na mbështetën me gjithçka për realizimin e këtij botimi.
Kalaja e Festivaleve
Është krijuar përshtypja që kalaja madhështore e nisi rrugëtimin e saj si “Kalaja e festivaleve” në vitin 1968 me zhvillimin e Festivalit të parë Folklorik Kombëtar. Por në fakt nuk është kështu. Një foto e siguruar nga arkivi i menaxherit të kulturës, “Stefo Arseni” na sjell në vëmendje se festivali i parë është ai i Rinisë së Qarkut i vitit 1957.
Ruho Bineri, artizania artiste
Në këtë fotografi bien në sy dy figura të njohura të Gjirokastrës: Dhosi Margariti e Ruho Bineri. Ndërsa Dhosi njihet si një nga aktorët më të mirë të humorit gjirokastrit, Ruho Bineri është e njohur si artizania e parë në Gjirokastër e cila ngriti avlëmendin e saj në Qafën e Pazarit.
Një ditë përmes telefonit ajo më tha: Ilir më është prishur ora. Më ble të lutem një tjetër diku. Nuk ri dot pa orë. I premtova se bashkë me orën do ti çoja edhe fotografinë nga rinia e saj në të cilën ajo ishte e veshur me kostumin popullor. Ju bë qejfi. Por të nesërmen e asaj dite më mori përsëri: – Ilir, ora filloi të punojë. E përplasa pak, dhe duket se erdhi në vete. Bëra siç bënim me radion dikur.
Disa ditë më vonë artizania e njohur, Ruho Bineri u nda nga jeta. Tek lexoja shpalljen mu kujtua historia e orës së saj me akrepat ndaluar, dhe nuk di pse ndalja e orës mu duk si paralajmërim për fundin e jetës së saj. Ruho e nisi rrugëtimin si artiste popullore dhe u bë ndër vite një artizane e shkëlqyer. Sot artizanet e qytetit bashkë me qepjen e kostumeve të traditës, marin pjesë edhe në interpretimet e këngëve dhe valleve popullore. Falë indiferencës së dikujt prej tyre, ato nuk u bënë dot pjesë e grupit përfaqësues të qarkut. Prej kohësh Gjirokastra përfaqësohet në këngën polifonike vetëm me grupe burrash dhe djemsh, dhe mua kjo më duket krejt e pa vend.
Disa foto nga Festivali Folklorik 1968 na njohin më së miri me dy detaje interesante:
1. Skena e festivalit të parë, ndryshe nga skena e sotme ishte portative, jo një ndërtim solid dhe e spostuar disa metra majtas.
2. Në foto është fiksuar edhe logo e festivalit të parë realizuar nga piktori i njohur Vaso Lili.
Pirpiria e Gjirokastrës
E realizuar nga artizania, Lizeta Hatika pirpiria e Gjirokastrës u kthye në një lajm shumë tërheqës për të gjithë etnografët, artizanët e kostumeve, qytetarët gjirokastritë dhe jo vetëm. Për herë të parë ajo u përdor në xhirimin e një filmi: “Zbukuruesja e nuseve, Kako Pino”, ndërkohë që botohet për herë të parë në një libër. “Historiku i Festivaleve Qarku Gjirokastër”. Në të dy rastet pirpiria, ky element i rrallë i veshjes sonë kombëtare, u prezantua nga kr. e Këshillit të Qarkut Lindita Rova, si një dëshmi më shumë, për dashurinë e saj ndaj trashëgimisë materiale të popullit.
Grupi miks i Xhevat Avdallit
Këngëtari i njohur Xhevat Avdalli e kishte furrën e pjekjes pranë gjimnazit “Asim Zeneli”. Njëherë jo vetëm i lagur por edhe i ngrirë nga të ftohtit, u futa të ngrohesha deri në mbarimin e orës sē mësimit. I qeshur furrtari shtatlartë që ashtu si kishte shtatin, kishte edhe zemrën, më ftoi pranë furrës që ishte mbushur me tava për tu pjekur. Hapi portën e saj të hekurt dhe një afsh ajri i zjartë më përkëdheli fytyrën. Kanë kaluar vite.
… Një ditë në zyrën time trokiti një burrë i qetë e simpatik. Ishte Agron Avdalli, djali i korifeut të njohur të këngës.I kisha dërguar lajm se doja të përgatisja një propozim për titull nderi për këngëtarin virtuoz. Agroni më solli disa fotografi të panjohura më parë nga aktiviteti artistik i babait të tij. Mes tyre në këtë botim është vendosur edhe ajo fotografi që afron informacion për grupin miks (burra e gra) të pa përmendur deri tani nga askush. Korifeu i këtij grupi ishte Xhevat Avdalli të cilin më së shumti ne e kemi njohur si korifeun e Grupit të pleqve. Agron Avdalli duke parë që unë nuk i kushtova vëmendje aq sa duhet fotografisë më tha: – shikoje edhe njëherë me vëmendje atë foto. Ke nënën tënde aty. Shtanga. Në krahun e djathtë të fotografisë, në këmbë qëndronte nëna ime. Ndoshta prej saj “prushëzonte” tek unë në mënyrë të pakuptueshme deri vonë, dashuria e madhe për folklorin. Nuk gjeja fjalë falënderimi për këtë kujtim kaq të rrallë. Po ndjeja që faqet nisën të më përvëlonin ashtu si dikur nga afshi i ngrohtë në furrën e pjekjes së babait të tij.
…Festivali Folklorik 2023 përkoi me 95 vjetorin e rregjistrimit të diskut të parë nga këngëtari i njohur Xhevat Avdalli. Ai u rregjistrua në Sarandë në vitin 1928. Kontributi i legjendës së këngës polifonike, Xhevati, meritonte një vlerësim presidencial jo vetëm në kuadër të 95 vjetorit të rregjistrimit të këngëve polifonike gjirokastrite, por edhe në kuadër të 55 – vjetorit të FFK. Por kjo fatkeqësisht nuk ndodhi.
Studimi brilant i Stavri Çatit
Kushdo që futet në studjon e piktorit dhe etnografit Stavri Çati do të “qeraset” me një super informacion të detajuar të zonave etnografike të Gjirokastrës. Të pikturuara në ç’do detaj dhe të shoqëruara nga spjegimet përkatëse, ato janë arkivi i modeleve burimore të veshjeve popullore të zonës. Këto modele “etalon” mbrojnë veshjet tona popullore nga deformimet e mundshme në kohë. Ky studim i përkryer është puna shumë vjeçare e këtij “Mjeshtri të madh”. Ky thesar studimor vijon të mbetet ende, jashtë programeve botuese të Ministrisë së Kulturës. Por edhe më i keqardhur ndjehesh kur mëson se asnjë nga nxënësit e tij të dikurshëm të shkollës artistike të qytetit, nuk e ka ndjekur rrugën e mësuesit të tij.
Skulptori mëngjërosh
Askush nuk do ta kishte menduar se pas sëmundjes së gjatë skulptori i njohur Gori Kostaqi do të vijonte artin e tij. Vullneti bën gjithçka dhe falë tij, Gori siç e thërrasin të gjithë, mësoi të gdhendë me dorën e majtë. Memoriali i tij, “Vallja labe” e cila gjendet diku mbi ish repartin zjarrfikës të qytetit, mbetet e vetmja vepër arti dedikuar folklorit popullor në Gjirokastër. Sikur nga një vepër arti të kish financuar Ministria e Kulturës për ç’do Festival Folklorik, me siguri që do të kishim sot një pasuri të pa çmuar.
Mikpritja gjirokastrite
Tashmë ka kohë që në shtëpitë e qytetit nuk shkojnë më festivalistë. Askush nuk di të thotë se kush ishte ai që e prishi ritin magjik të mikpritjes gjirokastrite. Miqtë e këngës dhe valles shqiptare ardhur nga brenda e jashtë vendit, mjaftohen tashmë me emocionin që fal skena e kalasë mesjetare. Fëmijët e qytetit ndryshe nga dikur, nuk garojnë mes tyre për tu mburur, se nga cili qytet ishte festivalisti që fjeti në shtëpinë e tyre një natë më parë; ndërkohë që ekranet e vogla të mediave të mëdha (kombëtare) vijojnë të bëjnë humor me “kopracinë” e gjirokastritëve.
Kronikë në Këngë
Botimi i librit “Historiku i FFK, Qarku Gjirokastër” nuk është kontributi i vetëm i Këshillit të Qarkut Gjirokastër në fushën e botimeve. Dyzetë e pesë ditë më parë u promovua libri “Kronikë në Këngë” i Musine Kokalarit, ç’ka dëshmon mbi vlerësimin e jashtëzakonshëm që ky Këshill përmes drejtueses së vet i bën intelektualëve qē kanë kontribuuar në fushën e folklorit. Për herë të parë shkrimtarja e njohur gjirokastrite, studiuese dhe grumbulluese e apasionuar pas folklorit, erdhi me një botim në vigjilje të FFK 2023.
Përpara se të ishte një sjellje thjesht korteziale në prag të 55 vjetorit te FFK 2023 dhe 40 vjetorit të ndarjes nga jeta të shkrimtares, ajo ishte një shenjë e dashurisë dhe vlerësimit të autores martire, e cila nuk mundi të ndiqte asnjë nga Edicionet e FFK, të cilat në kohën kur ajo jetoi, i dedikoheshin persekutorit të saj, Enver Hoxha. Intelektualizmi, nuk ka brirë – thotë shpesh një miku im. Edhe njëherë faleminderit Lindita Rova.
Mëngjeset tani i shty në vetmi shumë larg vendlindjes. Jam i qetë që Stefua u sigurua që botimi i librit më në fund u realizua. Ç’ do mēngjes pyetja e tij rutinë ishte: – do bëhet libri? Ti sill ç’ke marrë përsipër të tjerat i zgjidhim unë, Iliri dhe Sonia, ja kthente Gentiana. “Thesari” i nxjerrë nga sepetet e tij të rëndë nuk shkoi dëm. Ashtu si dhe unë, Stefua duhet të falënderojë dy antarët e tjerë të grupit të punës, Gentiana Brahimi Lili dhe Vilson Kuçi për realizimin e këtij botimi cilësor, pa harruar kursesi bashkëpunimin e shkëlqyer me drejtuesin e kulturës së qarkut, Anesti Shupuli.