
Share This Article
115 vjet shkolla “Liria“ 1908 – 2023
Nga Ilirjan lluri
Dedikuar mësueses së klasës së parë, Klementina Abazi.

Gjirokastra është cilësuar shpesh si një qytet legjendash, megjithëse njihet vetëm një e tillë: Princesha Argjiro. Akti i vetësakrifikimit fizik të saj, në mbrojtje të nderit, në kohën e sotme fatkeqësisht për disa ngjan krejt i pabesueshëm, ndërkohë që për disa të tjerë, si gjest i dalë mode. Ky qëndrim i ri ndaj legjendës, më nxiti të kërkoj diçka origjinale në historinë e qytetit, e cila të mund ti fliste edhe kohës sonë. Aq më tepër që ky vit përkon me 1455 vjetorin e themelimit të Gjirokastrës. Por që në fillim të kërkimit tim, po e ndjeja se kështjella më kishte pushtuar të gjithin. Po më brente dyshimi se asnjë rezultat nuk do të ishte pozitiv në këtë mision, në se do të largohesha prej saj. Unë e quaja krejt të pa mundur faktin që rreth të njëjtës kështjellë, të vërtiteshin dy legjenda. Befas më lindi një mendim: po sikur në qytet të kishte egzistuar edhe një tjetër kështjellë? Ku mund të ishin vallë themelet e saj?
“Gjuha është një bari, që ruan berat (delet) e tij”.
Ky nëntitulli i librit “Valët e detit” të shkrimtarit Spiro Dine, orientoi rrugëtimin tim. Nisa të mendoj se me pushtimet e shpeshta të kështjellës prej armiqve, të parët tanë na ardhmëruan duke gjetur strehë në një tjetër të tillë, në “Kështjellën e gjuhës”. Fillova të kërkoj me mundim “themelet” e saj.

Shkolla e parë në Gjirokastër i takon vitit 1633. Ajo u hap në lagjen “Pazar i vjetër”. Ishte shkollë për djem në gjuhën greke. Në vitin1672 gjatë vizitës së tij në Gjirokastër historiani turk Evlia Çelebi ka dëshmuar se përveç shkollës greke në qytet ishin edhe dy shkolla të tjera në gjuhën turke; Medresea e Bajazit Khanit dhe ajo e Memi Pashës. Në vitin 1753 po në lagjen “Pazar i vjetër” u hap shkolla e dytë për djem në gjuhën greke pohon në kujtimet e tij mësuesi Thoma Papapano.Në vitin 1778 u hap një shkollë greqisht për djem në lagjen “Varrosh”. Në 1818 Vangjel Meksi hartoi një gramatikë në gjuhën shqipe, një alfabet dhe një mënyrë për drejtshkrimin e saj. Në 1824 Grigor Gjirokastriti ish banor i lagjes “Pazar i vjetër” dhe një nga figurat ikonë të besimit ortodoks, pas një pune 4 vjeçare në Korfuz, përktheu në shqip Dhjatën e re. Shkolla e parë për vajza në gjuhën greke u hap në lagjen “Varrosh” në vitin 1851. Në 1862, Jani Vaja hartoi një fjalor me shkronja latine në tre gjuhë. Në vitin 1870 në Gjirokastër përdoreshin tre alfabete:
Alfabeti i Hormovës i Vangjel Meksit,
Alfabeti i Labovës së Madhe i Hasan Tahsinit dhe Alfabeti i Nikolla Çakos.
Në vitin 1874 mësuesi shëtitës i shqipes, rilindasi i madh Koto Hoxhi e ngriti në piedestal gjuhën shqipe. Megjithëse nëpunës i Shkollës Normale, greke të Qestoratit, ai vendosi në skenë shfaqen teatrale: “Dasma Lunxhote”. Kjo është drama e parë në historinë e teatrit shqiptar. Për shkak të përdorimit të gjuhës shqipe, Mitropolia e Shenjtë e ndaloi dhënien e saj në Gjirokastër. Në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në krahinat e Gjirokastrës, Vlorës dhe Beratit kishte 80 shkolla turke dhe 163 shkolla greke. Në vitin 1880 u organizua Kuvendi i Gjirokastrës ku foli vetë Avdyl Frashëri. Kjo ngjarje e madhe kombëtare është gdhendur në vargjet: Kurvelesh e Gegëri/Ç’u mblodhën në Ergjëri. Në 7 mars 1887 mësuesi Pandeli Sotiri nga Selcka e Gjirokastrës, hapi shkollën e parë shqipe në Shqipëri; “Mësonjtoren e Korçës”. Në vitin 1905 mësuesi patriot Mesud Çami, çeli një shkollë klandestine në gjuhën shqipe në lagjen Dunavat. Në 12 shkurt 1905 u masakrua nga grekët mësuesi i shqipes, prifti Papa Kristo Negovani me origjinë nga fshati Humelicë i Gjirokastrës. Në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe mësuesve të saj të paktë, u formua Komiteti i Fshehtë i Manastirit, në krye të të cilit u vendos gjirokastriti Bajo Topulli. Ai krijoi dhe çetën e parë luftarake aksioni i parë i së cilës ju dedikua hakmarrjes për vrasjen e Papa Kristo Negovanit. Në vitin 1907 luftëtarët e çetës së Çerçiz Topullit në nisje të rrugëtimit të tyre nga Italia për në Shqipëri kënduan këngën “Për mëmëdhenë”. Këtë këngë Mihal Grameno ja dedikonte Bajo Topullit i cili në ato momente i përshëndeste nga bregu i detit. Në mars 1908 mes 30 të burgosurve si përkrahës të shqipes, ndodheshin në kala edhe babai dhe vëllai i antarit më të çetës Hajredin Tremishtit. Çeta shpalli dënimin e bimbashit përmes një deklarate të shkruar me bojë të kuqe:
“Marrim nesër hakun e shokëve tanë që u kalbën burgjeve të Beratit dhe të kalasë së Gjirokastrës. Me mereqep të kuq u shkrua ky vendim, dhe me gjak do ta paguaj Halil Boshnjak lugati, gjakun e mëmëdhetarëve tanë.”

Në 9 mars Bajram Prongjia dhe Hito Lekdushi vranë bibmashin në krye të lagjes “Meçite”. Në 18 mars çeta e rrethuar në hanin e Mashkullorës, pas shumë orësh luftimi doli nga rrethimi i ushtrisë turke. Në këtë luftë dha jetën luftëtari më i ri i çetës, Hajredin Tremishti. Në korrik të vitit 1908
Sulltan Abdyl Hamiti shpalli Konstitucionin.Kombet kishin të drejtën e arsimimit në gjuhët e tyre. Në këtë kohë u themelua në qytet klubi “DRITA” i cili numuronte 260 antarë. Po këtë vit Andrea Konomi i dërguar nga patriotët e Egjiptit, hapi një shkollë private ilegale në lokalin e klubit Drita të Gjirokastrës. Në 19 maj patriotët e klubit “Drita” çelën shkollën e parë në gjuhën shqipe të cilës i vunë emrin, “LIRIA”. Mësuesit e saj ishin Thoma Papapano, Basri Beqiri, Iljaz Hoxha, Kapo Topulli Shemsho Hajro dhe Andrea Konomi. Viti 1908 është viti i parë i përdorimit ndërkombëtar të gjuhës shqipe. Kjo ndodhi në drekën ceremoniale ndërkombëtare të organizuar në Selanik për festimin zyrtar të shpalljes së Konstitucionit. Në krye të tryezës festive qëndronte vetë Ataturku.Mihal Grameno i veshur si komit u ngrit dhe tha në një shqipe të kulluar këto fjalë:
“Pesëqind vjet e tëhu ç’do faqe e historisë turke është zbukuruar me emrat e shqiptarëve, të cilët janë bërë therror për këtë mbretëri. Liria e fituar tani, i detyrohet më shumë kombit shqiptar”.
Nuk e di pse mendoj se këto fjalë duhet të ishin të gdhendura me gërma ari në institucionin tonë të diplomacisë.


Nga dt 14 deri në 22 nëntor u zhvillua në qytetin e Manastirit, Kongresi për njëhësimin e gjuhës shqipe. Në 1909 në Parlamentin Xhonturk u votua mbyllja e shoqërive dhe guvernatori i vilajetit të Janinës urdhëroi që në shkollat shtetërore të Janinës, Prevezës, Gjirokastrës, Beratit dhe Vlorës mësimi i gjuhës shqipe të bëhej me alfabetin Arab. Gjatë vitit 1910 filluan protestat kundër futjes së alfabetit arab në shkollat shqipe.
Pengesat artificiale kundër shkollës së parë shqipe “Liria”, i shtyu mësuesit dhe dhe gjithë antarët e klubit që përmes shtypit, deputetëve të Gjirokastrës dhe Hasan Prishtinës, të kërkonin që shkolla të njihej me dekret sulltanor. Dhe kështu ndodhi vërtet. Dekreti mbriti në 1911. Po lufta e ashpër kundër shqipes vazhdoi. Në 12 korrik 1912, armiq të deklaruar të saj vranë në Janinë patriotin Kadri Gjata (Kumbaro). Në 6 gusht 1912 gjatë marshimit nga Manastiri i Cepos për tek shkolla “Liria”, një pjesë e luftëtarëve të Pavarësisë Shqiptare, mbi tytat e pushkëve kishin vendosur në mënyrë simbolike penat e shkrimit. Deklarata e Pavarësisë së vendit shpallur nga Ismail Qemali në 28 nëntor në Vlorë, është dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe i shtetit shqiptar. Gjirokastra ka dy patriotë të ndritur që kanë firmosur mbi të: Elmaz Boce dhe Veli Harxhi. Por lufta për Shqipërinë e lirë do të vazhdonte. Shkolla Liria funksionoi vetëm 5 vjet. Pas pushtimit të Gjirokastrës nga Greqia në 6 mars 1913 ajo u mbyll. Dekreti sulltanit që lejonte çeljen e saj, u dogj. Në 1917 në lagjen Palorto u çel shkolla “DRITA”. Në 1919 pas vonesave objektive mësuesi i shkollës së parë shqipe të Gjorokastrës, Thoma Papapano botoi abetaren e tij që njihet me emrin “Abetarja Gjirokastrite”. Jo ç’do qytet e kishte këtë fat. Po ndjehesha krenar që këta patriotë të mëdhenj të gjuhës shqipe shumica gjirokastritë, kishin vënë gurë të rëndë në themelet e kështjellës që unë po kērkoja.


Pas këtij rrugëtimi ndërtesa e shkollës së parë shqipe në Gjirokastër, mu shndrua vetvetiu në kështjellën e dytë të qytetit, në “Kështjellën e gjuhës shqipe” e cila tashmë e kishte “legjendën” e vet. Pozicioni dhe arkitektura e ndërtimeve të ngritura mbi kodrën ku ndodhet ajo, i siguronin një mbrojtje të shkëlqyer. Ashtu si në kështjellën mesjetare, edhe aty mund të hyje përmes portave të rënda, duke kaluar poshtë kubeve me harqe të forta prej guri, njera prej të cilave e ruan ende origjinalitetin e vet. Vetëm armët e përdorura në këto dy kështjella ndryshonin ndjeshëm. Në kalanë e gjuhës shqipe, shpatë ishte abetarja dhe plumba ishin shkronjat e saj. Riti nderues dedikuar kësaj ngjarje në 115 vjetorin e saj, nga Zyra Arsimore Rajonale, ishte ceremonia më domethënëse e homazhit që nxënësit dhe mësuesit i adresuan figurave më të ndritura të arsimit gjirokastrit me rrezatim kombëtar. Duke asistuar në këtë ceremonial të rrallë, mu duk se fleta e gurtë e memorialit u ç’mbështoll, dhe për një çast sheshi i vogël i Obeliskut u mbush me ish mësuesit dhe nxënësit e shkollës së parë shqipe. Mes tyre papritur e gjeta veten dhe unë. Bashkë me zilen e parë të shkollës, në vesh filloi të me kumbojë kënga e njohur “Për mëmëdhenë”. Për një çast ndjeva mbi sup dorën e mësueses sime të parë, Klementina Abazi. Ajo dorë çuditërisht ka mbetur po aq e ngrohtë, po aq e dashur, megjithëse kanë kaluar 55 vjet nga koha kur unë u ula në bangën e klasës së parë. Sa shumë dëshirë e mall kisha për ta përqafuar përsëri mësuesen time të dashur, ashtu si dikur… Po jetoja çaste magjike në kështjellën nga e cila drita e dijes, ra mbi qytet.

“Një popull që nuk njeh të shkuarën e tij, është duke jetuar fëmijërinë e vet.”
7 mars 2023