Share This Article
Nga Ilirjan Lluri
90 vjeçari Asllan Dalipi surprizon në 100 vjetorin e Liceut
Liceu i Gjirokastrës përpara se të gjente strehë përfundimtare në ish godinën e gjysëm
gjimnazit turk e kishte zhvilluar aktivitetin edhe në dy godina të tjera në qytet. Se cila
ishte pamja e godinës së shkollës në kohën e perandorisë e kemi të fiksuar në disa
fotografi. Ajo ka qënë dy katëshe. Shkallët e gurta që të ngjisnin në katin e dytë ishin të
mbështetura në qendër të fasadës së jashme të ndërtesës.
AMBIENTET E BRENDSHME TË SHKOLLËS
Vendi ku ishte ngritur gjysëm gjimnazi turk ishte i njohur si sheshi “Kokona” për shkak të
familjes së njohur që banonte aty pranë. Godina e ngritur në kohën e Turqisë kishte
përmasat 40x10x10 m. Ishte prej guri, ashtu si ndërtoheshin edhe shtëpitë e
Gjirokastrës. Godina ishte një katëshe me depo poshtë. Çatia e saj ishte e mbuluar me
tjegulla. Shkolla kishte dy korridore. Koridori në pjesën e brendshme kishte përmasat 5
x 2 m. Mbas një të ndare vazhdonte një koridor tjetër i gjatë 35 metra. Në të majtë dhe
të djathtë të këtij koridori kishte nga pesë dhoma të paisura me aneks nga fundi i tyre.
Dyshemetë e korridorit dhe klasave ishin të shtruara me dërrasa druri.
NDRYSHIMET NË ARKITEKTURËN E GODINËS
Godina e ish gjysëm gjimnazit turk ashtu si për Liceun, nuk i plotësonte kushtet edhe
për funksionimin e shkollës teknike të hapur në vitet 1929 -30, pas mbylljes së liceut.
Kërkesat e vazhdueshme për dhënie fondi për shtim kati apo riparime të ndryshme të
godinës, kishin rrënë në vesh të shurdhër. Më në fund në vitin 1936 ndeshim një
dokument i cili flet për një përpjekje serioze për shtimin e një kati dhe ndryshime të tjera
në arkitekturën e godinës dhe përreth saj.
VENDIMI PËR NGRITJEN E KATIT TË DYTË
Përpjekjet e gjirokastritëve për zgjerimin e hapësirave të shkollës nuk rreshtën në asnjë
moment. Por problemet e degradimit të godinës të evidentuara që me hapjen e Liceut,
me sa dukej po mernin zgjidhje vetëm 10 vjet më vonë. Nga një përgjigje e Ministrisë së
Arsimit, dërguar Drejtorisë së gjimnazit mësojmë edhe emrin e autorit të projektit dhe
vlerën financiare të tij. Projektuesi ishte inxhinjeri Vinjahu, ndërkohë që vlera e projektit
shkonte në 22.000 franga. Por ajo që bie në sy është edhe fakti se ndryshe nga sa
thoshte ligji, që për shkollat e mesme përgjigjej buxheti i shtetit dhe vetëm për shkollat 8
vjeçare bashkitë, Ministria e Arsimit një pjesë të lekëve i kërkonte nga qytetarët e
Gjirokastrës. Kjo pjesë e kërkuar nuk ishte e vogël, ajo kapte shifrën e 12.000 frangave.
Le të njihemi me përmbajtjen e shkresës të datës 16 qershor 1936:
Përgjigje e Ministrisë së Arsimit dt. 16.VJ.1936
Drejtorisë së gjimnazit
Preventivi i përgatitur prej inxhinjer Vinjahut, është 22.000 fr. Na njoftoni sa më
parë në se ajo drejtori në lidhje me shoqërinë DRITA, me parinë dhe me autoritetet
do të mund të mbledhë shumën 12.000 fr. Nëqoftëse drejtori garanton se kjo
shumë do të mblidhet, vetëm atëhere kjo ministri çel kredinë 10.000 fr. Ari.
Ministri
Sigurisht që etja për dije e Gjirokastritëve dhe rethinave të saj bëri të vetën. Drejtoria e
garantoi Ministrinë që shuma do të mblidhej. Kjo reflektohet në vendimin Këshillit të
Ministrave të datës 1 gusht 1936, përmes të cilt autorizohet Ministria e Arsimit të
shpenzojë nga buxheti i saj shumën prej 10.000 frangash për ngritjen e katit të dytë të
liceut.
Nr 561 dt.1.VIII.1936
Autorizohet Ministri e Arsimit me shpenzu nga buxheti i saj një shumë prej 10.000
fr për ngritjen e katit të dytë të gjimnazit të Gjirokastrës.
R. Harxhi
TROKITJA QË ZBULOI NJË HISTORI
Tokitja në derën e zyrës sime ishte shumë e lehtë. Aq, sa për një çast mendova se më
bënë veshët. Mbajta frymën si për të mos e trembur atë trokitje, në se ishte e vërtetë.
Ajo u dëgjua përsëri. Ngrita zërin dhe thërrita, hyni! Në zyrë hyri një burrë i qetë, i
ndrojtur por që unë e njihja mirë. Jo vetëm se ishte banor i hershëm i qytetit, por ishte
nga ata të paktë qytetarë që emrin e xhaxhait të tij, pjesmarrës në Lufën e Vlorës të
1920 e kishte ngritur tek i biri, Çaçi. Ai ishte pasradhës i një fisi të nderuar të qytetit.
Ishe Asllan Dalipi. Kishim rregjistruar në video me të disa kujtime në lidhje me festimet e
dikurshme të përvjetorëve të Luftës së Madhe të Vlorës. Po përpiqesha në atë kohë për
të dokumentuar për herë të parë me foto dhe me audio, portretet e luftëtarëve
gjirokastritë pjesmarrs në këtë luftë dhe kujtimet e familjarëve të tyre për ta. Në vlerësim
të kësaj pune ky burrë i nderuar erdhi në zyrë për të më surprizuar me diçka krejt tjetër,
e cila ma zbukuroi krejt atë ditë, dhe jo vetëm. Asllan Dalipi është një nga banorët më të
vjetër të lagjes Palorto. Banesa e tij madje është në kufirin ndarës midis lagjeve
“Bashtea e Teqesë” dhe “Palorto”. Arsimin fillor e mori në shkollën “Drita” pothuajse
ngjitur me shtëpinë e tij. Shkolla me emër të madh në historinë arsimore të zonës ju
shtua qytetit në vitin 1917. Ngjitur me të ishte edhe ndërtesa që njihej me emrin; gjysëm
gjimnazi turk i Gjirokastrës. Duke zgjatur dorën ai më afroi një album të vjetër fotografik.
Mbeta i shtangur. Para syve mu shfaq një pjesë e “fshehur” e historisë së ndërtimit tëLiceut të qytetit. Them e fshehur sepse nuk kisha hasur më parë asnjë fotografi ku të
ishte fiksuar qoftë edhe një moment i vetëm nga procesi i ndërtimit të kësaj godine
madhështore. Vetëm ata që meren me ngjarje historike e kuptojnë gëzimin që ndjen kur
fati të vendos përpara një gjetje të tillë. Fati im dhe i historisë së qytetit në këtë rast
ishte i nderuari Asllan Dalipi, ky burrë i urtë dhe modest.
DJEGJA E GJIMNAZIT NË 1943
Besoj se të gjithë e dinë faktin që në vitin 1943 Liceu apo gjimnazi, u përfshi nga flakët.
Shkolla nuk fuksiononte. Vizitorët më të hershëm dhe më të shpeshtë në ambientet e
braktisura si mbeti edhe kjo shkollë pas djegjes, janë fëmijtë. I shtyn kurioziteti. Më të
“prilegjuarit” sigurisht janë ata fëmijë që gjënden më pranë objekteve të tilla. Ata që e
kishin shkollën gati ngjitur me shtëpinë. Një vizitë të tillë bëri edhe Asllani 10 vjeçar në
godinën e gjimnazit. Në shkatërrimin masiv të lënë pas djegjes, diku mes rrëmujës së
përgjithshme, ai gjeti albumin që unë po mbaja në duar, të cilin e mori për ta shpëtuar
nga shkatërrimi. I ruajtur si një kujtim i largët i viteve të fëminisë, të duket sikur Asllani
dhe Albumi kanë diferencë të vogël në moshë nga njeri – tjetri. Duke e kuptuar
rëndësinë e një dokumenti të tillë, ai pati mirësinë të ndante me mua disa kujtime të
fiksuara nga detyrat dhe funksionet që ushtroi në jetë, ndërkohë që unë po e skanoja
albumin në ç’do faqe të tij.
PËRMBAJTJA E ALBUMIT
Albumi ka 22 faqe në të cilat ekspozohen 84 fotografi. Pas një studimi të hollësishëm të
këtyre ditëve unë i ndava ato në disa kategori:
1- Pamje të Gjirokastrës
Në fotot e përfshira në këtë kategori jepet pamja e qytetit në ato vite dhe godina e
institucionit qëndror të qytetit, Prefektura. Në një tjetër foto tregohet pozicioni që ka
shkolla në raport me banesat e lagjes në të cilën ajo ndodhet.
2- Pamja e godinës
Në këto foto shikon se si ishte godina e ish gjysëm gjimnazit turk.
3- Momente nga ndërtimi
Në këto foto dukumentohet jo vetëm fillimi i procesit të ndërtimit, por edhe ecuria në
faza të ndryshme deri në përfundimin e plotë të objektit.
4- Laboratorët
Në këto foto jepen dy laboratorët kryesorë të shkollës. Ai i drurit ku zhvillonin mësimin
ata që do të fitonin profesionin e marangozit dhe ai i hekurit, ku mësohej profesioni i
mekanikut.
5- Në disa foto shihen veglat e punës që përdoreshin në praktikat mësimore.
6- Stacioni i metereologjisë
Nga një foto e shkrepur diku në oborrin e shkollës mësova se dikur aty funksiononte një
stacion metereologjik.
Foto kolektive
Në këto foto njihemi me grupet e nxënësve që ndiqnin mësimin në këtë shkollë
profesionale, me ekipin e gjimnastikës, si dhe me stafin petagogjik; drejtorin dhe
mësuesit.
GUIDA E NJË GODINE SHKOLLORE
Kushdo që kalon në rrugën e lagjes Palorto për të shkuar drejt Muzeut Etnografik, i
tërheq vëmendjen godina hijerëndë e gjimnazit të qytetit. Arkitektura e tij e huazuar nga
ndërtimet e shkollave italiane të asaj kohe, ka zënë vend mes shtëpive karakteristike të
qytetit. Vizitorëve të shumtë të cilët interesohen për të, në më të shumtën e rasteve ju
afrohet një informacion i thatë, duke ju thënë se kjo është godina e gjimnazit të qytetit.
Por në fakt godina duhet të afrojë për të gjithë të interesuarit një informacion shumë më
të gjerë se kaq. Në mënyrë të sintetizuar mund ti thuhet kujdo se në këtë vend dhe në
këtë godinë të transformuar nga koha në kohë, kanë funksionuar tre shkolla që ju
përkasin tre kohëve të ndryshme:
- Gjysëm gjimnazi turk – Shkolla e kohës së Perandorisë Turke.
- Liceu francez – shkolla në fillimet e funksionimit të Shtetit Shqiptar.
- Shkolla teknike italiane – shkollë që filloi pas shpalljes së Zogut Mbret i
Shqiptarëve.
Në guidën e mësipërme sigurisht janë anashkaluar ato funksione publike që godina ka
pasur në kohë të ndryshme: si spital, komandë ushtarake apo shtypshkronjë.
FALEMINDERIT ASLLAN DALIPI
Kur përfundova së skanuari albumin që Asllan Dalipi e ruajti me fanatizëm që nga
fëminia e tij, ngrita vështrimin por pa gjetur dot fjalët e duhura për ta falënderuar për
gjestin e tij fisnik. Ashtu si atëherë kur ai erdhi në zyrë, edhe sot e ndjej veten njësoj të
privilegjuar që më zgjodhi për të më bërë pjesë të një historie të humbur; historisë së
ndërtimit të godinës së liceut apo gjimnazit të qytetit. Por, jo vetëm kaq, por edhe për
faktin se ai besoi tek unë diçka që nuk më përkiste vetëm mua, por të gjithëve ne. I
dhashë fjalën që gjithçka do ta bëja publike vetëm në kohën e duhur. Mendova se 100
vjetori i Liceut Frëng të Gjirokastrës duhej shoqëruar me një surprizë të mrekullueshme,
përmes së cilës sheh si ka hedhur shtat një ndërtim arkitekturor që është bërë pjesë e
historisë arkitekturore të qytetit. Publikimi i këtij albumi sot, 80 vjet pas gjetjes së tij,
është urimi më i mirë që mund të japë ky burrë 90 vjeçar, për Liceun e Gjirokastrës.
Duke qënë gjiton i jetës me këtë shkollë, duket sikur zilja e saj e ka shoqëruar në
mënyrë të pandërprerë që nga lindja e deri tani. Jam i bindur që falënderimet e mia janë
shumë pak për gjestin e këtij gjirokastriti “24 karatësh”. Faleminderit Asllan Dalipi!
Ilir Lluri
Miçigan 20.11.2023