Share This Article
200 VJETORI I LINDJES SË KOTO HOXHIT 1824 – 2024
Do ta kisha të vështirë ta njihja nga afër Qestoratin, në rast se do të mungonte rruga e asfaltuar për atje. Ishte koha kur Bashkia e qytetit drejtohej nga Zamira Rami dhe investimi për ndërtimin e rrugës, u trajtua si një nga sukseset e administrimit të qytetit prej saj. Po unë do ta çmoja vërtetë të tillë, vetëm pasi vizitova për herë të parë fshatin me histori të madhe. U dashurova me stinën e pranverës dhe të vjeshtës të cilat përcollën tek unë një tjetër emocion nga ai i qytetit të Gjirokastrës. Kjo, për shkak të afërsisë me malin e veshur me shkurrishte, ku dukej se natyra kishte shkundur plot përkushtim mbi to, penelin shumëngjyrësh. Vizita ime lidhej me ideimin e një aktiviteti në kuadër të 110 vjetorit të themelimit të shkollës së parë shqipe dhe 95 vjetorit të hapjes së Liceut Francez në Gjirokastër. Festimi i tyre nuk do të kishte kuptim apo vlerë pa evidentimin e kontributit të rilindasit të shquar Koto Hoxhi. Por fatkeqësisht, studimi i dhjetra materialeve për realizimin e këtij qëllimi mbeti i pashfrytëzuar. Shkak u bë aprovimi në atë kohë i projektit të restaurimit të gjimnazit “Asim Zeneli”. Bashkia Gjirokastër duhej ta bashkëfinanconte atë me një vlerë të konsiderueshme. Ashtu si ndodh rëndom,fondet u siguruan duke i shkurtuar pothuajse fare buxhetin drejtorisë së kulturës. Dhe mirë bënë. Më mirë një shkollë e restauruar, sesa një aktivitet që flet mbi historinë e saj.
2024 – Viti “Koto Hoxhi”
Në kalendarin e aktiviteteve të shumta të muajit maj 2024 të publikuar nga Bashkia Gjirokastër, mungonte ai që lidhet me 21 majin, 200 vjetorin e lindjes së Koto Hoxhit. Ajo ditë duhej të përkujtohej me madhështi, jo vetën nga gjirokastritët, por nga të gjithë shqiptarët. Nismëtar i shoqërisë “Të shtypurit shkronja shqip”, të 12 tetorit 1879, dhe bashkëautor i botimit të Alfabetares së parë, me alfabetin e Stambollit, të cilat i pruri në Shqipëri të fshehura në gji, në hejbe dhe në sëndukë. Shpërndarjen e tyre ai e shoqëronte me fjalët: “Këto janë sytë që ne do të shohim Shqipërinë dhe do ta duam atë.”
150 VJET TEATRI I PARË SHQIPTAR
Viti 2024 shënon njëkohësisht edhe 150 vjetorin e lindjes së teatrit shqiptar. Përpara një shekulli e gjysëm ky burrë i zgjuar dhe atdhetar lunxhot, vendosi në skenë teatrin e parë shqiptar. Ai shkroi dhe vuri në skenë një nga ritet më të bukur të vijimësisë së jetës, “ritin e dasmës”. Drama me titull “Dasma Lunxhote” u shfaq në Qestorat. Për shkak të përdorimit të gjuhës shqipe, Mitropolia e ndaloi dhënien e saj në Gjirokastër. Emri i “babait” të teatrit shqiptar, Koto Hoxhi, duhej të ishte kthyer me kohë në ”titull nderi” nga institucioni i Presidentit të Republikës, për të vlerësuar artistët e skenës së teatrit shqiptar. Asnjëherë nuk është vonë. Ky vit do të duhej të ishte shpallur, “Viti i Koto Hoxhit” nga Bashkia Gjirokastër.
VULA E SHKOLLËS SHQIPE
Pasi kishte ushtruar për një kohë relativisht të gjatë profesionin e mësuesit shëtitës, Koto Hoxhi në vitin 1882 përpiqet të hapë shkollën shqipe në Gjirokastër. Sipas historianit Lefter Dilo, ai e kishte filluar realizimin e saj ilegalisht i ndihmuar nga Ago Topulli, babai i Bajos dhe Çerçizit. Koto Hoxhi kishte mbledhur nënshkrime nga banorë të qytetit. Me këtë mbështetje popullore i shoqëruar edhe nga nipi i tij Koço Vasilondi, ai shkoi në Janinë për të marrë lejen. Por aty i vendosën si kusht që të merrte më parë aprovimin nga Maliq Pashai i Libohovës. Por djali i Shanishasë, motrës së Ali Pashë Tepelenës, i dha këtë përgjigje: “Mjaftojnë shkollat greqishte dhe turqishte”. Sipas kujtimeve të mbesës së Koto Hoxhit, Zogë Zografi, një mik i dhëndrit të tij e këshilloi të largohej sa më parë nga Janina, se rrezikohej për ta internuar përsëri. Lefter Dilo pohon se ai kishte përgatitur edhe vulën e shkollës, zhdukja e së cilës është shoqëruar nga dy rrëfime:
HUMBJA E VULËS
1- Në 1913 Papapano ja dha vulën Mitat Frashërit, i cili i premtoi se do ta dorëzonte në Muzeun Kombëtar që do të çelej në Shqipëri.
Trembëdhjetë vjet më vonë, në vitin 1926 e pyeta Mitatin se ç’kishte bërë me vulën? Ai mu përgjigj se e kishte humbur atë. Vula ishte në formë vezore dhe kishte të gdhendur në mes Shqiponjën me dy krerë.
2- Por një tjetër rrëfim na afron Veli Hashorva, botuesi i gazetës “Drita”, të parës gazetë në gjuhën shqipe në Gjirokastër. Pas pushtimit të Gjirokastrës nga grekët dhe dhunës së ushtruar prej tyre, të cilën e kishte provuar në kurriz ai pohon:
Me frikë gjithnjë se mos më bastisnin shtëpinë, një vulë që më kishte rënë në dorë, (Vula e shkollës Shqipe që donte të hapte Koto Hoxhi nga Qestorati), ja dhashë një fqinji, i cili më vonë më tha se e kishte hedhur poshtë. Unë nuk e besova, por nuk kisha ç’ti bëja. Vula shkruante turiqsht: Lisan Mektebi – Shkolla e Gjuhës. Nuk e mbaj mend në përmendte edhe emrin Ergjëri – Gjirokastër. Në të dy variantet, ajo që bie në sy është se askush prej tyre, nuk jep informacion mbi faktin se, si kjo vulë ju kishte rënë në dorë. Humbja e saj sigurisht ka dëmtuar trashëgiminë historike mbi përpjekjet e bëra për mbrojtjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Sot kemi vetëm një objekt nga Koto Hoxhi, unazën e tij. Besohet se këtë objekt e ka dorëzuar për muzeun e Gjirokastrës mbesa e tij, Zogë Zografi.
BURGU I JEDI KULESË
Dëshminë e burgosjes së Koto Hoxhit në burgun e Jedi Kulesë na i ka sjellë me nota realiste Sevasti Qiriazi, e cila filloi studimet në kolegjin amerikan për vajza në Stamboll në shtator të 1888. Mes shokëve të vëllait të saj, Gjerasimit, ajo u njoh edhe me Koto Hoxhin. Kur patriotin e burgosën, ajo e veshur si djalë, bindi drejtorin shqiptar të burgut Qemal efendiun, ta lejonte ta takonte. Ja si e përshkruan ajo këtë moment në kujtimet e saj:
Tek hyra brënda më doli para një pamje që më futi lemerinë. Po pyesja vehten : A është e mundur që në këtë trup të mjerë, të rrojë shpirti i Kotos, i prijësit të madh shqiptar? Tungjatjeta baba Koto, kam ardhur të të them një fjalë ngushëllimi: Fara që mbolle po jep pemë të mira dhe shpirti yt rron në zemrën e popullit tënd. – Atëherë vetëm trupin më paskan lidhur me hekura, shpirtin e kam të lirë dhe mund të thërras: Shqipëria nuk do të humbasë!
Sulltani i afroi faljen rilindasit, në se ai do të tregonte emrat e patriotëve që punonin për lirinë e Shqipërisë. Prandaj kur Koto Hoxhi e kundërtshtoi këtë propozim, ai e kërcënoi:
“A e di ti që koka jote është në dorën time?” – Po madhëri u përgjigj Koto Hoxhi. Por di gjithashtu që nderin tim, e kam unë në dorë”.
Do të ishte e pafalshme të mos e përfshija në këtë shkrim këtë episod. Dyqind vjetori i lindjes së Koto Hoxhit përkon me 75 vjetorin e vdekjes së “shënjtores” së arsimit, Sevasti Qirjazi.
MITROPOLIA E GJIROKASTRËS
Dëshmia e Sevasti Qiriazit për burgosjen e Koto Hoxhit do të ishte fare pak, në se gjatë kërkimeve në AQSH, nuk do të gjeja një dokument të Mitropolisë Gjirokastër. (besoj se publikohet për herë të parë). Në poskriptum të letrës në faqen me nr. 227 të datës 22 gusht 1893, mitropoliti i shkruan kështu Këshillit Arsimor të Kishave dhe Shkollave greke të Athinës:
Prej kohësh është vënë re shtimi i veprimtarisë së Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, e cila ka qarkulluar një letër në fshatrat e zonës, ku thuhet se bamirësi i madh i kombit, Kostandin Zhapa, ka lënë një trashëgimi për hapjen e shkollave shqipe, ç’ka nuk është e vërtetë. Në Qestorat kanë mbërritur agjentë të kësaj kolonie; Koto Hoxhi, bashkë me dhëndrin e tij nga Krina, Janko Minxha, i cili ka qënë mësues në shkollën shqipe të Korçës. Këta të dy janë rikthyer në Gjirokastër, teksa më herët janë marrë me veprimtari të mësimdhënies shqip në Qeparo, Delvinë, Himarë, Nivan, Karjan, Dhrovjan dhe Lekël.
Në se në mes rreshtave të mësipërm, do të ishte shkruar edhe ndonjë fjalë për shfaqen e teatrit të parë shqiptar, “Dasma lunxhote”, do të kishim në dorë një dokument me vlerë të dyfishtë. Dy vjet pas shkresës së Mitropolitit të Gjirokastrës, Koto Hoxhi do të ndahej nga jeta. Shkaku ishte sa banal aq edhe absurd. Një grua e fshatit e goditi me dru pas koke. U varros në fshatin e lindjes në 1895.
VARRI I KOTO HOXHIT
Vitet 1933 – 1934 sollën një qëndrim të ri ndaj ngjarjeve dhe figurave të historisë sonë kombëtare. Për herë të parë filluan homazhet dhe vizitat në varrin e Koto Hoxhit, në fshatin Qestorat dhe në “Hanin e Mashkullorës”, ku luftoi çeta e Çerçiz Topullit. Nderimin e rilindasit në varrezat e Qestoratit e dëshmojnë dy foto. E para është e një grupi mësuesish të cilët në vitin 1933 kanë shkuar për homazhe në varrin e rilindasit në Qestorat. E dyta është pjesë e arkivit personal të mikut tim më të ri, por të vjetër në moshë, mësuesit pensionist Mihal Gudha. Ky mësues i apasionuar me aparatin e tij fotografik, na ka lënë edhe një foto të realizuar së bashku me nxënësit e shkollës së Qestoratit, përpara portës së shtëpisë së rilindasit të madh, portë e cila sot nuk egziston. Në të dya fotografitë bie në sy muzeologu i njohur Lefter Dilo, nismëtar i vendosjes së eshtrave të Koto Hoxhit në “Memorialin e Rilindasve” ngritur pranë shkollës 8 vjeçare “29 nëntori”, (sot Çajupi).
LOTËT E MIHAL GUDHËS
Vendosja e eshtrave të Koto Hoxhit në “Memorialin e Rilindasve” u krye përmes një ceremonie madhështore. Në fillim ato u vendosën për homazhe në oborrin e shkollës së parë shqipe “Liria”. Eshtrat e rilindasit u vendosën përpara Obeliskut, monumentit kushtuar përpjekjeve të popullit shqiptar për lirinë e gjuhës amtare. Pas homazheve ku bien në sy edhe rojet e nderit, nën tingujt e bandës dhe nën shoqërimin e qindra qytetarëve eshtrat e Koto Hoxhit u përcollën drejt “Memorialit të Rilindasve”. Një foto nga arkivi i dirigjentit të njohur Roland Çene na e përcjell me saktësi madhështinë e kësaj ceremonie. Por edhe fotot sado të përkryera të jenë, nuk e rrëfejnë krejt të vërtetën. Ndoshta një pjesë e pas ceremonisë, e mbetur e fshehtë, nuk do të më ishte besuar as mua, në se mësues Mihali gjatë kohës që më jepte fotografitë për t’i skanuar, nuk do të ndalte në një foto që e kishte bërë vetë ai në shtëpinë e tij. Në të në kishin dalë babai i tij Xha Peçua, dhe im atë. Shtëpia mikpritëse e Gudhajve ishte streha e ngrohtë e tim eti, gjatë turneve të estradës profesioniste në fshat. Kujtova me nostalgji se si gjatë viteve të Gjimnazit, e kemi pasur disa herë mik për drekë xha Peçon në shtëpinë tonë. Mirësia në portretin e tij lexohej që nga larg. Pikërisht kur po skanoja fotografinë përpara varrit të Koto Hoxhit në Qestorat, mësues Mihali mori frymë thellë dhe duke mu drejtuar si një miku të vjetër më tha: Ndoshta do të ishte më mirë që eshtrat e tij të mos i kishin lëvizur nga vendi. Pëpara se të vijonte, ai fshiu sytë e përlotur. Ishte ky çasti kur mësova se procesi i zhvarrimit nuk ishte pasuar edhe me procesin e rivarrimit të eshtrave. Ceremonia madhështore kishte përfunduar vetëm me vendosjen e kutisë metalike të eshtrave mbi, dhe jo brenda varrit të Koto Hoxhit në “Memorialin e Rilindasve”. Gjatë ditëve që pasuan djemtë e prapë të lagjes, e kishin hapur kutinë dhe kishin luajtur me eshtrat duke i shpërndarë gjithandej. Si qestoratas dhe mësues, megjithëse e kishte verifikuar këtë gjë, ai nuk kishte protestuar siç do të duhej, dhe si e meritonte ky rast skandaloz. Por kjo, siç mund të merret lehtësisht me mend, kishte arsyet e veta. Këtë ngjarje kaq tronditëse ai po ma besonte mua i bindur se, unë do ta gjeja mundësinë për ta rrëfyer. Nuk flisje dot në atë kohë, shtoi ai, si për të justfikuar veten. Po e kuptoja se lotët e tij ishin lotët e dhimbjes për ceremoninë gjysmake dhe sjelljen aspak humane ndaj eshtrave të Koto Hoxhit. Por largimi i eshtrave nga varrezat e Qestoratit, u shoqërua fatkeqësisht edhe me largimin e vëmendjes nga shtëpia e tij e lindjes, e shpallur “Monument kulture”. Kjo është edhe arsyeja kryesore që ajo sot është tërësisht e rrënuar, tërësisht e braktisur.
CEREMONIA ZYRTARE 2019
Në vitin 2019, në kuadër të 125 vjetorit të vdekjes së Koto Hoxhit, sektori i trashëgimisë në Bashkinë e qytetit, organizoi një aktivitet në kujtim të veprës së rilindasit në fshatin Qestorat. Pas vitesh e vitesh harrese, më në fund në murin rrethues të banesës Hoxhi, në krah të një porte krejtësisht të re, (e vjetra ishte rrënuar me kohë) u vendos një pllakë me emrin e tij. A është përfshirë sot në edukimin e nxënësve një vizitë në fshatin Qestorat? Deri dje mosvajtja justifikohej nga mungesa e rrugës. Po sot? Do të ishte trishtim i madh në se të paktën një herë gjatë viteve të arsimimit të tyre, nxënësit e shkollave 9 – vjeçare të qytetit, nuk do t’i nderonin rilindasit, e në mes tyre edhe Koto Hoxhin duke vizituar memorialin e tyre. Imagjinoni se si do të duhej të vepronte në këtë dyqindvjetor të Koto Hoxhit, kolektivi i mësuesve dhe nxënësve, shkolla e të cilëve mban emrin e tij.
BURGU I KOTO HOXHIT
Burgu si vend i vuajtjes së dënimit është ngritur që në fazën e parë të ndërtimit të kështjellës. Ai është krejt i veçantë, jo vetëm nga zymtësia dhe siguria që afron, por edhe nga historitë që mbart. Në këtë burg ka qënë i burgosur edhe rilindasi Koto Hoxhi. Vite më parë, ajo ishte pjesë e guidës së kalasë, dhe rrëfente mbi jetën e rilindasit dhe përpjekjet e tij në mbrojtje të gjuhës shqipe. Por me kalimin e kohëve, me amortizimin e sistemit elektrik nga lagështia, kjo dëshmi e çmuar e historisë u la në harresë. Një foto e vitit 1972 ka të fiksuar vizitën e aktorit Bekim Fehmiu nën shoqërinë e regjisorit Bernard Kokalari në burgun ku Koto Hoxhi ju mësonte shqipen të burgosurve. Mendohet se pikërisht në këtë vend të errët kanë lindur vargjet të cilat kanë qënë të gdhendura në një pllakë guri kur muzeu funksiononte:
Ju o djem do më kujtoni
Kur të kthenetë liria
Po ç’të bëj unë i mjeri
Që po mbyllen sytë e mia
Po a mjaftojnë këto vargje për të justifikuar kthimin e këtij burgu nga “muzeu i Koto Hoxhit”, në muze të “Iso-polifonisë”?
MUZEU I ISO – POLIFONISË
Projekti restaurues i kalasë, ka sjellë edhe disa koncepte të reja të shfrytëzimit dhe ekspozimit të hapësirave të saj. Një ndër to, me sa jam informuar, është edhe ngritja e muzeut të “iso – polifonisë” pikërisht aty ku ka qënë burgosur rilindasi ynë. Nuk e di kush dhe pse e ka lidhur si koncept këngën vën(d)çe me bodrumin. Për mendimin tim, përpara se t’i ketë rrënjët në brengë kjo këngë i ka në dashuri. Në dashurinë ndaj natyrës, diellit dhe hënës, fushës dhe malit, dëborës dhe shiut, luleve, cicërimave të zogjve, lindjes së fëmijës, etj. Kënga apo vallja bodrumçe, apo kënga e protestës, lindi më vonë. Ajo lindi kur (njeriut) shqiptarit ja kërcënuan dhe ja morën lirinë. Po nuk është thjesht dhe vetëm kjo arsyeja pse një muze i “iso – polifonisë” nuk duhet ngritur aty. Nuk ka asnjë argument bindës që një projekt i ri, i hartuar ndoshta edhe prej studios më të famshme të botës, të mbulojë apo “varrosë” një histori kaq brilante që rrëfen mundimet, vuajtjet dhe sakrificat për të mësuar gjuhën e nënës, gjuhën shqipe edhe brenda burgut. Kjo nuk duhet lejuar. Këngët labe janë kaq të bukura dhe të holla në ndjenja, sepse vargu i tyre ka brenda dritën, ndërkohë që këngët e burgut kanë brenda tyre aq forcë e protestë shpirtërore, pikërisht për shkak të mungesës së saj. Vetëm kush ka njohur dritën, proteston ndaj errësirës. Është e pafalshme që në emër të projekteve “modene e të kohës”, të mbulohet apo më keq, të tjetërsohet historia kaq domethënëse e burgut të parë të kalasë së Gjirokastrës. E shoqëruar edhe me ngjarjen e njohur dhe unikale të burgosjes së abetares shqipe po në këtë kala, kështjella e qytetit do të kthehej vetvetiu në objektin simbol kombëtar të dëshmive mbi luftën për mbrojtjen e gjuhës sonë amtare. Rëndësia dihet. U fitua kjo luftë, pa u fitua kombi.
145 vjet – ALFABETARE E STAMBOLLIT
Brenda mësimit të shkronjave shqip, rilindasit u kujdesën që në Alfabetare të përfshiheshin edhe disa mesazhe historike. ABC e artikulimit dhe shkrimit të gjuhës shqipe, u shoqërua nga ABC e njohjes së figurave historike dhe hapësirave gjeografike ku jetonin shqiptarët:
Edhe në Epir, a Shqipni të Poshtëme qe një mbret trim i fortë, që ia thoshnin emnin Piro. Luftoj me Maqedonsit dhe Grekët dhe i mundi… Ky Piroja aq shpejt e theu ushtrinë e armiqve të vet, e aq me vrik i muar qytetet dhe katundet e tyre, sa ushtarët e vet i thanë: – More Zot ti fitove e more dhenë me të shpejtë si shqiponja. Dhe Piroja u përgjigj: – armët tuaja ishin flatrat e mia, prandaj fluturova porsi shqipe. Që prej këtyre fjalëve, na ka mbetur ne emri Shqiptarë, dheut tonë i thonë Shqipëri dhe gjuhës sonë Shqipe. Kjo fjalë gjëndet e shkrueme në historitë e grekëve të moçëm. Plutarku e dëfton hollë e hollë se si u bë kjo punë; si i thanë ushtarët Piros dhe si ju përgjigj Pirua.
Kur hedh një sy në Alfabetaren e Stambollit, (Testamentin e rilindasve Sami Frashëri, Koto Anastas Hoxhi – Qestoratasi, Pashko Vasha – Shkodrani dhe Jani Vreto – Postenani) e kupton se prej saj është zbatuar vetëm pjesa e parë. Ajo që lidhet me hapësirat gjeografike që zotëronin shqiptarët dhe kufijtë e vendosur nga “Fuqitë e Mëdha”, ka ndryshuar ndjeshëm. Kjo nuk ka ardhur vetëm si pasojë e rrethanave të caktuara, por edhe e “kontributit” të të shiturve, që asnjëherë nuk kanë munguar mes nesh. Por gjithsesi, tekstin origjinal të “testamentit” të rilindasve, e kemi ne në dorë për ta ruajtur e trashëguar brez pas brezi. Atë nuk mund ta tjetërsojë askush. Herë pas here ne duhet t’i kthehemi atij, si detyrim ndaj të vërtetave historike të shqiptarëve, që fatkeqësisht ndryshojnë dukshëm me realitetin e sotëm. ABC -ja e Kombit, apo Alfabetarja jonë, harmonizonte kufijtë shpirtërorë me ata tokësorë të shqiptarëve. Që ta mësosh këtë të vërtetë sot, nuk përbën asnjë krim. Vetëm përmes analizës të teksteve që janë përfshirë në librin e Alfabetares së Stambollit dhe të Abetareve të mëvonshme shqipe, e kupton se si, me “vullnet të lirë”, shqiptarët kanë hequr dorë nga historia e tyre e lavdishme. Dyqind vjetori i lindjes së Koto Hoxhit përkon edhe me 145 vjetorin e botimit të Alfabetares shqip të Stambollit. A nuk do t’ja vlente ribotimi i saj në kuadër të kësaj dite të shënuar?
GUIDAT E QESTORATIT
Njohja ime me Qestoratin do të ishte e paplotë pa një shëtitje në fshat me një tjetër mik, Viktor Zografon. Prej tij munda të skicoj një pamje të madhështisë që fshati kishte dikur. Një pjesë e banesave të tij, sot janë rrënuar krejtësisht, ndërkohë që tek disa të tjera evidentohen gjurmë nga arkitektura e bukur, ku tërheqin vëmendjen harqet elegante të dyerve, salloneve dhe dritareve të cilat i kanë rezistuar kohës. Viktori më foli për shkollën Normale Greke të Qestoratit, rrënojat e shtëpisë së Kristaq Zografos, arhondit që kishte financuar ngritjen e saj, vendin ku dikur ngrihej kisha e madhe e fshatit, dhe shumë histori mbresëlënëse nga jeta e banorëve. Shënimet e mbajtura nga shpjegimet e tij dhe ato të mbajtura nga vëzhgimet e mia disa vite me rradhë, me siguri do të jenë pjesë e një dokumentari të nesërm për Qestoratin dhe Lunxhërinë. Më herët, me lejen e Viktorit i cili banon në Tiranë, unë kisha parë edhe atë çfarë kishte mbetur nga shtëpia e Koto Hoxhit. Udhërrëfyes në këtë rast kisha një dhoksanjot të njohur, Koço Vasilin. Por gjithsesi, e ndjeja se diçka i mungonte njohurive të mia mbi fshatin famëmadh në histori dhe pasuri. Me historikun e fshatit ishte marrë dikur miku im, mësuesi Mihal Gudha.
MERAKU I MIHALIT
Asnjëherë nuk u bëmë mbarë për të shkuar në Qestorat me Mihal Gudhën. Ai dikur kishte ngritur dhe drejtonte muzeun e fshatit. Isha i sigurtë që gjatë një rrugëtimi me të, do t’i zgjoheshin shumë kujtime dhe të dhëna nga historia e fshatit dhe në veçanti gojdhëna mbi Koto Hoxhin. Isha i bindur për këtë, sepse shumë vite më parë ai i kishte rrëfyer këto histori tek një gazetar francez, i cili i premtoi se dokumetarin apo materialin e përgatitur, do t’ja dërgonte në Shqipëri. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi kurrë. Jo të gjithë francezët e mbajnë fjalën. Por ky fakt më nxiti në pyetjen; çfarë mund ta shtynte një gazetar francez të interesohej për Qestoratin? Të vetmet lidhje njohura të fshatit më Francën ishin ato të Kristaq Zografos dhe Janko Hoxhit. Pas largimit nga Turqia Kristaq Zografo u vendos në Francë. Ai punësoi pranë vetes edhe Jankon, djalin e Koto Hoxhit. Kështu Zografo kishte punësuar dikur edhe Koto Hoxhin, si ekonomat të shkollës Normale Greke të Qestoratit. Por i biri nuk i ngjau të jatit. Janko i ndikuar me siguri nga Zografo, kishte botuar në shtyp një shkrim kundër babait të tij, Koto Hoxhit. Por përgjigjen nuk e mori nga ai, por nga Jani Vreto i cili i dërgoi një letër ku ndër të tjera shkruante:
“Ju shqiptarët që jetoni në Paris, keni harruar vendin tuaj dhe veten që jeni shqiptarë. Ju personalisht kini shkruar në gazetën “THRAQIS” se nuk jemi shqiptarë, në atë gazetë ku babai i juaj ka mbrojtur të drejtat e Shqipërisë.” (1)
Nga kush vallë ishte ngarkuar gazetari francez që të shkruante mbi Qestoratin? Kjo ndoshta do të na mbetet ende enigmë. Sot në dorë kemi vetëm emrin e tij dhe adresën që ai i dha mësues Mihalit. Adresë në të cilën ai nuk gjendet më.
1 – AQSH letër e Jani Vretos drejtuar J.K.Hoxhit në Paris më 25 Gusht 1879)
GJUHA SHQIPE DO TË RROJË
Ashtu si e ka pasur zakon, për heronjtë e vet, populli nuk e la rilindasin Koto Hoxhi pa këngë. Kënga e tij zë një vend të veçantë në programin e ansamblit “Lunxhëria”. Vargjet e saj janë vërtetë të arrira dhe kujtesa ime emocionale mi sjell ato ndërmend të shoqëruara nga timbri i rrallë i zërit të këngëtarit qestoratas Fredi Floku. Ky është për mua i vetmi ngushëllim ndaj harresës fatale zyrtare për kremtimin e 200 vjetorit të lindjes së rilindasit të kombit, Koto Hoxhi.
Të mbyllën dhe në hapsanë
Trupin me pranga ta vranë
Po ty prapë fole me gojë
Gjuha shqipe do të rrojë
Ngreu baba Koto ngreu
Fara që mbolle shpërtheu
Koto Hoxhi u shpall “Nderi Kombit” nga ish Presidenti Ilir Meta disa kohë më parë. Duket krejt paradoksale mungesa e një ceremonie zyrtare në Memorialin e Rilindasve në kuadër të 200 vjetorit të tij të lindjes. Që nga ngjarja e “lojës me eshtrat e rilindasit”, kanë rrjedhur shumë kohë. Është kjo arsyeja që unë ndryshe nga mësuesi i mençur Mihal Gudha, nuk prita gjatë për të artikuluar në gjuhën e bukur shqipe për të cilën luftoi Koto Hoxhi, këtë të vërtetë të dhimbshme.
Ilirjan Lluri
1 Comment
Edlira
Pergezime Ilir. Keto jane veryet pune studimore qe jam e sigurt nje dite do jene referim dhe ndihme per brezat e ardhshem. Do vije koha kur keto shkrime dhe pune do marrin vleren e vertete.