Share This Article
Nga Ilir Lluri
Dedikim aktorëve dhe regjisorëve shqiptarë.
GËZUAR FESTËN E TEATRIT SHQIPTAR
Vjeshta e dytë e këtij viti, ndoshta do më kishte kaluar pa ndonjë gjë të veçantë, në se në 15 tetor mbesa ime nuk do ta kishte festuar 5-vjetorin e lindjes, në parkun e Madison Heights Miçigan USA. Ngjyrat e vjeshtës i kishin veshur pemët e tij me një bukuri të rrallë. Duke e pasur pranë pas më shumë se 15 muajsh, dashurinë time më të madhe si gjysh, ishte e vështirë të përqëndrohesha tek vendlindja, Gjirokastra. Por vjeshta mbi këtë park, më emocionoi aq shumë, sa fillova të kërkoj i malluar, të paktën një gjë të ngjashme nga vendi im, ku në pamundësi për t’ja “kaluar”, të paktën të kishte të krahasuar me Miçiganin, vend-qëndrimin tim të ri. E gjeta pa shumë mundim. Ishte vetë stina e vjeshtës. Në Gjirokastër ajo është më e magjishme. Për shkak të thyerjes së terenit, atje mund ta ndjekësh vjeshtën në lëvizjen e saj mahnitëse. Ajo nis nga qyteti, ku pemët i rrëzojnë gjethet e verdha mbi kalldrëmin gri, dhe më pas ngjitet drejt malit të Lunxhërisë i cili vishet i gjithi në të kuqëremtë.
GRIGOR GJIROKASTRITI – DHIATA E RE
Viti 2024 shënon 200 vjetorin e përkthimit nga greqishtja në shqip të “Dhiatës së Re” prej Grigor Gjirokastritit nga lagja “Pazar i Vjetër”. Në përkthim të bie në sy përdorimi i dialektit gjirokastrit. Por ajo që mbetet e veçantë është se përkthimi në shqip, është realizuar duke huazuar shkronjat e alfabetit grek. Data 21 maj e 2024 shënonte gjithashtu edhe 200 vjetorin e lindjes së Koto Hoxhit. Ky detaj i përkimit të dy përvjetorëve, duket si shenjimi i misionit të Koto Hoxhit; lufta për gjuhën dhe shkronjat shqipe.
SOKRATI, SINKRATI – QESTORATI
Lunxhëria apo Linguria siç thërritej dikur për shkak të emrit të malit Lingon, përbëhej nga 9 fshatra, ku më i rëndësishmi ishte Qestorati, (Sokrati apo Sinkrati dikur). Në një ikonë të “Shën Triadhës” në Manastirin “Shpërfytyrimi i shpëtimtarit” të Nokovës shkruhej:
Lutje e shërbëtorit të zotit, Nikolla, birit të Koço Stojës nga Sinkrati (Qestorati) 1803.
Vetëm 6 vjet më vonë nga lënia e këtij shkrimi, Lunxhëria do të vizitohej nga poeti anglez Bajron dhe miku i tij Hobhauz. Gjatë rrugëtimit ata ndaluan edhe në Qestorat. Habhauz ka lënë këtë shënim:
Në Qestorat, gjithçka ishte në një pozitë shumë më të mirë e të ndryshme nga ajo që kishim parë në fshatrat greke. Ne përjetuam një vëmendje e mirësi të madhe nga banorët, strehuesit tanë. Jemi marrë vesh mirë me ta, ndërsa fytyra e shoqëruesit tonë grek, Vasilit nuk shprehte asgjë. Ai përjetonte me dëshpërim, turpin për gjendjen e fshatrave greke. Gjatë përshëndetjes me të, banorët nuk flisnin gjatë greqisht. Shtëpia e strehuesit tonë ishte e suvatuar mjeshtërisht. Ajo ishte shumë e rehatshme, dhe në të kemi kaluar një natë më të mirë se në ndonjë vend tjetër, qysh prej largimit tonë nga Janina.
Banorët e Lunxhërisë kishin si burim të ardhurash kryesisht emigrimin. Ata ishin mjeshtra të ndërtimit të ujësjellsave pohon Pukvili:
Banorët e këtyre fshatrave ushtrojnë në Perandorinë Turke prej kohëve të lashta mjeshtërinë e Terezitjes, ose të çezmaxhinjve publikë.
Nga 400 çezmaxhinj publikë që kishte Stambolli në fillim të shekullit të XIX, 100 ishin Lunxhotë. Për shkak të pasurisë, fshati u bë pre e hajdutëve. Grabitja e 28 shkurtit 1871 u trajtua edhe në shtypin e kohës:
Të dielën më 28 shkurt në orën 3 pas mesnate, banda e hajdutëve me rreth 20 veta, rrethoi shtëpinë e Koto Dudës. Pasi ngarkuan plaçkat e vjedhura në kafshë, në orën 5 të mëngjesit ata u larguan duke kënduar.
Zuri Prilli butësinë
Zgjoi bilbili, bilbilë
Ku e ka Kotua shtëpinë?
Te porta me llamarinë
Në divan tek Koto Duda
Luan valle Hamit Guga
Moj glikoja kupa-kupa
Ç’e ka bërë Kaço Shkurta
Moj Kaço dilberia (zonja)
Dole nga penxhereja
Por nuk ishte vetëm pasuria që e vendosi këtë fshat në qendër të vëmendjes.
QESTORATI – “RINGU” I DY GJUHËVE
Qestorati duhet të mbetet gjatë në kujtesën e ç’do shqiptari për një ngjarje të madhe e të pazakontë. Ky fshat i vogël u kthye në “ringun” ku u ndeshën dy gjuhë; shqipja dhe greqishtja. Ishte koha kur Perandoria Osmane i kishte ndaluar me ferman shkollat shqipe. Por emigrantët shqiptarë të Bukureshtit, Stambollit dhe Sofjes në përpjekje për të ruajtur gjuhën, zakonet dhe traditat shqiptare, u bashkuan në “Vëllazëri”. Mes lunxhotëve që bënin pjesë në vëllazëri, Koto Hoxhi kontribuoi në Edrene, Bullgari e Rumani. Përgjatë viteve 1864 -1867 në Vëllazërinë e emigrantëve shqiptarë bie në sy edhe aktiviteti i bankierit Kristaq Zografo. Në një prej takimeve Zografo, premtoi një ndihmë financiare prej 1.000 lirash turke në vit për hapjen dhe mbajtjen e shkollave shqipe. Jani Vreto shkruan:
Sulejman Pasha dhe Seit Beu prej Tirane, Rustem Pasha prej Leskoviku, Kristaq Efendiu (Zografo) nga Qestorati i Gjirokastrës, Ismail Beu nga Vlora, Pashko Vasa katolik prej Shkodre, Hasan Tahsimi nga Filati, Kostandin Kristoforidhi nga Elbasani, mblidheshin herë pas here dhe diskutonin bashkërisht për krijimin e një alfabeti për gjuhën e tyre.
Është kjo arsyeja që në lutjen dërguar Ali Pashës për lejimin e shkollave shqipe, mes firmëtarëve të tjerë ishte edhe Kristaq Zografo. Angazhimi i bankierit në dobi të shqipes gëzoi shqiptarët, por alarmoi armiqtë e tyre. Në vitin 1867 ata themeluan në Stamboll organizatën e shenjtë “Vëllazëria Qëndrore Kulturore”, që synonte përhapjen e kulturës greke në Perandori, e sidomos në Ballkan. Në krye të saj ishte Patriarkana e Stambollit. “Çuditërisht” edhe kjo “Vëllazëri” e kërkoi mbështetjen financiare tek bankieri Zografo. I vendosur mes shqipes së burgosur, dhe greqishtes të konsoliduar, bankieri shqiptar zgjodhi greqishten.
SHKOLLA (A)NORMALE E QESTORATIT
Anullimi i premtimit për dhënien e 1.000 lirave turke në vit nga Zografo, krijoi një pengesë serioze në përpjekjet për hapjen e shkollave shqipe. Kërkesa e drejtuar Pashait të Janinës ku kishte firmosur edhe Zografo, u pasua nga heshtja. Shkolla “Normale” e Qestoratit e financuar nga Zografo, u hap në 1869, në kulmin e përpjekjeve të atdhetarëve për gjuhën shqipe. Në këtë kuptim ç’do hapje shkolle, jo domozdoshmërisht është dritare dijeje. “Normalja” greke e Qestoratit, në fakt ishte (A)Normale. Me hapjen e saj u mor përsipër “varrosja” e gjuhës vendase, gjuhës shqipe. Këtë fakt nuk e ç’bën asnjë listë individësh apo personalitetesh që u arsimuan në këtë shkollë. Shkëlqimi i tyre nuk e shpërndan dot terrin që kjo shkollë hodhi mbi gjuhën shqipe. Në kujtimet e tij të lëna në AQSH mësuesi i shkollës së parë shqipe “Liria” në Gjirokastër, Thoma Papapano shkruan:
Silogu Epirot i Stambollit për të zgjeruar sa më shumë veprimtarinë e tij, për të realizuar sa më shpejt qëllimet e tij të pan-helinizimit në qytetet dhe katundet shqiptare, i mbushi kokën injorantit por shumë të pasurit në Stamboll, Kristaq efendi Zografos nga Qestorati i Lunxhërisë, që në katundin e tij të hapte një shkollë greke.
Përpjekjet kundër gjuhës shqipe kulmuan në vitin 1871, kur në Stamboll u formua “Sillogu Kulturor Epirot”, me synim përhapjen e kulturës dhe shkencës në të gjithë Epirin e pushtuar nga turqit. Këtu përfshihej edhe zona e banuar nga shqiptarët e krishterë. Sillogu kishte degë në Gjirokastër, Delvinë, Korçë dhe Berat. Në vitin 1871 në jugun e Shqipërisë kishte 163 shkolla greke, 20 shkolla turke dhe asnjë shqiptare. Po këtë vit Zografo i dërgonte një letër kryetarit të Sillogut, J.Vasiliadhi;
Duke dashur të kontribuoj në forcimin e gjëndjes së Sillogut, ofroj 200 lira turke që të përfundojë ndërtimi i tij pa vonesë. Jam i bindur se duke u çliruar nga problemet e ndërtimit ekonomik, do të përqëndrojë të gjithë aktivitetin dhe energjitë në veprën e tij mendore, arsimore dhe morale.
Për shërbimet e tij kundër shqipes, Zografo u zgjodh President nderi i “Sillogut Kulturor Epirot”. Sot çuditërisht ka ende njerëz që firmën e Zografos në një dokument të mbuluar nga pluhuri i arkivave osmane, e tundin si flamur të “kontributit” të tij bamirës në dobi të gjuhës shqipe, ndërkohë që ju verbohet syri dhe nuk shohin se ende në mes të fshatit, ja bën …muuu… ndërtesa e shkollës greke (A) Normale e financuar prej tij, në dëm të shqipes. Investimi gjigand i Zografos, i bënte karshillëk edhe Perandorisë Osmane, e cila vetëm pas 35 vjetësh mundi të ndërtojë një gjysëm gjimnaz turk në Gjirokastër. (edhe kjo me kontributin e banorëve të zonës)
KUNDËRSHTARI I “NORMALES”
Me gjithë madhështinë dhe jehonën e këmbanave të kishave të zonës për inagurimin e saj, Normalja e Qestoratit, fatmirësisht nuk e realizoi dot qëllimin e saj të zi. Nga betejat e mëdha dalin dhe heronjtë e mëdhenj. Ja kështu ky fshat i vogël, por i famshëm për investimin milionësh të Zografos, u kthye në “ringun” ku gjuha shqipe u ndesh me atë greke. Dy personazhet; ai pozitivi dhe negativi, ishin jo vetëm nga i njëjti fshat, por edhe në lidhje krushqie me njeri tjetrin. Përballë shkollës të financuar nga Zografo, vepronte Koto Hoxhi (ekonomat) i shkollës Normale. Ai ju mësonte fshehtas nxënësve gjuhën shqipe. Aktiviteti i tij në mbështetje të saj, kulmoi me realizimin e shfaqes së parë teatrore në Shqipëri. Në kohën kur shqipja ndalohej, ai zgjodhi ti japë asaj jo vetëm jetë, por edhe “krahë”, duke e ekspozuar bukurinë dhe madhështinë e saj përmes artit teatror, i panjohur në Shqipërinë e asaj kohe. Si zotërues dhe përkthyes nga gjuha greke, Koto Hoxhi kishte dijeni për tragjeditë antike. Por ai qëllimisht zgjodhi të vendosë në skenë një dramë ku të tingëllonte gjuha shqipe. Për këtë arsye ai shkroi dramën “Dasma Lunxhote”.
DASMA LUNXHOTE
Ne sot e kemi të thjeshtë për të hamendësuar se përse Koto Hoxhi zgjodhi të vinte në skenë “Dasmën Lunxhote” dhe jo diçka tjetër. Motivi kryesor lidhet me faktin se dasma shqiptare në vetvete është një spektakël. Përmes dasmës, gjuha shqipe do të vinte e gjallë dhe plot ngjyra mes traditave dhe zakoneve.
1. Dasma dikur ka qënë i vetmi spektakël që familja dhe fisi, në fshat apo qytet, e festonin me madhështi.
2. Dasma ishte jo vetëm ceremonial i vijimësisë së jetës, por edhe i trashëgimisë së vlerave kulturore dhe historike të mbartura nga brezi në brez.
3. Riti dasmës shpalos një seri ngjarjesh dhe faktesh, aq të domosdoshme për ndërtimin e një shfaqeje teatri: përgatitja e pajës, ndezja e zjarrit, therrja e mishrave, hollimi i petëve, zbukurimi i nuses, mikpritja e të ftuarve, qerasja, kurorëzimi, këngët edhe vallet e burrave dhe grave.
4. Riti dasmës mbart edhe lojra plot humor të cilat shpesh shoqërohen me këngë.
5. Dasma si ngjarje mundëson prezantimin e shumë personazheve.
6. Dasma ishte e lehtë për tu realizuar si shfaqe, sepse një pjesë e mirë e nxënësve të shkollës Normale, ishin banorë të Lunxhërisë. Ata njihnin zakonet, këngët, vallet, dhe po kaq lehtë siguronin edhe kostumet e shfaqes. Nga listat e nxënësve të kësaj shkolle në arkivat greke, mund të mësohen emrat e nxënësve lunxhotë të kësaj periudhe, mes të cilëve ndodhen edhe aktorët e parë të teatrit shqiptar.
7. Dasma si ngjarje në vetvete, mbart edhe të papriturën, element ky i domozdoshëm për veprën dramatike.
8. Dasmat organizoheshin në stinën e vjeshtës, kur ishin marë të gjitha prodhimet dhe ishte siguruar zahireja e dimrit si për njerzit, ashtu edhe për kafshët shtëpiake. Por vjeshta kishte edhe diçka tjetër të veçantë. Ajo e vishte malin me një bukuri të rrallë. Ky ishte një dekor natyror ku ngjyrat e larmishme të vjeshtës, përziheshin me ato të kostumit të gruas lunxhote. Në dasëm nusja shpaloste bukurinë, hijeshinë dhe zotësinë e saj. Kjo është arsyeja pse përgatitja e vajzës për të shkuar tek dera e burrit merte shumë kohë. Në pajë bënte pjesë edhe edukimi i vajzës – nuse, e cila përveç dijes mbi punët e shtëpisë, duhet të ishte e zonja për këngë e për valle. Portretizimi i gruas së Koto Hoxhit, Vasillo Spiri, në dasmën e tyre, e jep qartë si duhet të ishte vajza që do të martohej:
Kur u martua Vasillua ishte e bukur. Edukimi i saj, ishte pak a shumë i plotë. Asaj i kishin mësuar “Gramatikën”, vargjet e “Ervehesë” të kënduarit dhe të hequrit e valles.
Koto Hoxhi e kishte të përjetuar në forma të ndryshme ceremonialin e dasmës Lunxhote; si fëmijë, si dhëndër dhe si krushk. Mbresat për të janë gdhendur në vargjet:
Moj unaza rreth flori, rreth flori
More burrin trim të ri, trim të ri
Moj unaza rreth me ar, rreth me ar
More burin kordhëtar, kordhëtar
Trimëria dho zotësia, ishin cilësitë më të mira të një burri në atë kohë.
KOTO HOXHI – MISIONARI
Koto Hoxhi ishte mësues shëtitës. Si misionar i gjuhës shqipe, ai trokiste derë më derë për të mbjellë dashurinë për të:
Gjuha shqipe se ç’ka hije
Porsi dielli në mes të yje
Si filxhani i zotërive
Sakrifica e tij si mësues shëtitës dhe pasioni për përhapjen e gjuhës shqipe, nxitën krijues të tjerë ti dedikojnë Koto Hoxhit poezi. Përmes tyre pikturohet plot dashuri e realizëm portreti i këtij rilindasi të madh, aktiviteti i tij si mësues, dhe cilësitë e tij morale.
Vjeç do të jetë gjashtëdhjetë
Perëndi lere në jetë
Sikur është vjeç tridhjetë
Përpiqet me të vërtetë
Për të gjorën Shqipëti
Sy shkruarë, sy mëshqerë
Lesh përhimë e ballë – gjerë
Si shëtitës derë më derë
Zoti Koto Hoxhi, i nderçur
Vetull gjatë e buzëqeshur
Dole me duar përveshur
Si trimi me kordhë zhveshur
Përpiqe në Ergjëri
Përpiqu Koto, përpiqu
Si qiriri tretu, digju.
Punësimi i Koto Hoxhit në shkollën greke “Normale” të Qestoratit i dha atij mundësinë që ti kishte nxënësit për herë të parë bashkë, dhe jo ti kërkonte ata portë më portë, si në Gjirokastër. Kjo i krijoi kushtet që ai të luftonte ndryshe për përhapjen e shqipes.
SKENA E SHFAQES
Vendet më të frekuentuara dikur ishin objektet e kultit, kisha dhe xhamia. Aty vendoseshin njoftimet për ç’do gjë që ndodhte në fshat apo qytet. Koto Hoxhi zgjodhi për skenë natyrën, sheshin e kishës në mes të fshatit. Ajo ishte pothuajse ngjitur me shkollën “Normale”. Zgjedhja e saj nuk krijonte probleme, pasi ay ishte vendi i zakonshëm i ceremonive të kurorëzimit të martesave, dhe një dasëm e improvizuar (lojë), nuk krijonte shqetësim. Kjo e lehtësoi vendosjen në skenë të dramës “Dasma Lunxhote”. Tingëllimi i gjuhës shqipe i artikuluar nga goja e personazheve; gjyshe, gjysh dhe nënë, të ardhura kaq natyrshëm brenda ngjarjes së martesës, u prit mirë edhe nga autoritetet. Ndoshta Koto Hoxhi ka pasë në dramën e tij edhe personazhin e priftit, i cili e drejtonte ritualin e kurorëzimit në gjuhën greke, si faktor lehtësues për realizimin e qëllimit. Por kërkesa e tij për ta shfaqur dramën edhe në Gjirokastër, u refuzua nga Mitropolia, për shkak gjuhës shqipe. Shfaqja e parë e teatrit shqiptar, shënon edhe shfaqen e parë teatrore të çensuruar në Shqipëri. “Dasma Lunxhote” u interpretua katër vjet përpara Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhe pesë vjet përpara krijimit të Alfabetit shqip të Stambollit. Ngjitja në skenë e gjuhës shqipe ishte e paimagjinueshme. Koto Hoxhi, ky profet i gjuhës sonë kombëtare, u kthye kështu në dramaturgun, rregjisorin dhe aktorin e parë të teatrit shqiptar. Dhe këtë gjë, ai e bëri të mundur pikërisht aty, ku u investua më shumë që kjo gjuhë të shuhej. Në fshatin e tij të lindjes. Në Qestorat. Në Epir. Përmes subjektit të dramës “Dasma Lunxhote”, Koto Hoxhi evidentoi lashtësinë dhe autoktoninë e banorëve të Lunxhërisë, besën, mikpritjen, trimërinë, dhe bukurinë e kostumit të vajzës dhe gruas lunxhote.
SHKRONJAT QË I MUNGUAN DHIATËS SË RE
Pesë vjet pas Dramës “Dasma Lunxhote”, Koto Hoxhin e gjejmë në kryesinë e “Shoqërisë së të Shtypurit të Shkronjave Shqip”, e cila u themelua në 12 të vjeshtës së dytë (tetor) të 1879. Puna e kësaj shoqërie do të finalizohej me krijimin e Alfabetit dhe Alfabetares së Gjuhës Shqipe. Përkimi i vitit të lindjes së Koto Hoxhit (1824) me vitin e përkthimit në shqip të Dhiatës së Re nga Grigor Gjirokastriti (1824), duket se afron një argument më shumë të shenjimit të misionit të tij në jetë. Komisioni i alfabetit ra dakort për të hartuar atë sipas parimit: “një tingull, një shkronjë”, i cili e përjashtonte mundësinë për përdorimin e një alfabeti latin apo grek, të cilët disa tingujt të veçantë të shqipes i jepnin me dy shkronja. Alfabeti i Stambollit ishte alfabeti që i mungoi Grigor Gjirokastritit gjatë përkthimit të Dhiatës së Re.
MBYLLJA E NORMALES SË QESTORATIT
Motivet e mbylljes së shkollës “Normale” të Qestoratit janë të shumta. Më kryesori lidhet me ndërprerjen e financimit nga Zografo. Për ta mbajtur hapur Normalen u kërkua edhe mbështetja nga trashëgimia e bamirësit Kostandin Zhapa. Por prej administruesve të pasurisë së tij, nuk u kthye kurrë përgjigje. Aktiviteti i shkollës u shoqërua edhe nga problematika të moralit. Kronika e kohës përmes këngës së popullit, na njeh me një ngjarje ku personazhet janë drejtori i Normales, Aleks Zamaria dhe një mësuese. Kisha e mbylli problemin duke i martuar:
O ju të parët e fshatit
Parësi e Qestoratit
A si bini telegrafit
Në dorë të qir Kristaqit
Se i pru prozvoli fshatit
Fshatit i pru prozvoli
Pusulla nga Dhespoti
Te qir Gaqe Janaqi
Me suvari seç e zunë
Dhaskaleshën se ç’ja prunë
Me Lekon dorë për dorë
Në qishë vunë kororë
Koto Hoxhi punoi pa rreshtur për ta mbyllur shkollën Normale të Qestoratit. Lefter Dilo tek “Gjirokastra në shekuj” pohon se ai kishte deklaruar:
Ja e mbyll këtë shkollë, ja të mos më quajnë Koto Hoxhi.
Shkolla Normale e Qestoratit u mbyll përpara se të mbyllte sytë rilindasi i madh.
KRONIKË NË DRU
Se sa rëndësi kishte vendosja në skenë e “Dasmës Lunxhote”, mund ta gjykojmë nga veprimet e Mitropolisë së Shenjtë. Ajo e ndaloi shfaqen në Gjirokastër, ndonëse Lefter Dilo diku pohon se, një fragment i saj u dha ilegalisht në lagjen “Pazar i Vjetër” të Grigor Gjirokastritit. Në këtë lagje Koto Hoxhi si mësues shëtitēs jepte mësim për disa fëmijë. Po në cilën shtëpi u shfaq fragmenti i “Dasmës lunxhote” ne nuk e dimë. Në këtë lagje ndodhej Mitropolia e Gjirokastrës që e pamundësonte dhënien e saj në sheshin para kishës ashtu si në Qestorat. Por po të hamendësojmë disi, ajo mund të jetë dhënë në një nga shtëpitë e familjeve të pasura si: Lito, Papadhopulli, Maliko, etj. Si mesazh për ti kushtuar vëmendje kësaj ngjarjeje të madhe të teatrit shqiptar, Idriz Guri ideatori i dhomës së parë muze në Gjirokastër, “Dodona”, kronikën për tetarin e “shkroi” në dru. Ai gdhendi mbi të inicialet e titullit të dramës dhe vitin e dhënies së shfaqes (D.L – 1874). Si objekt gdhendjeje, Idriz Guri zgjodhi bastunin. Ai kishte përdorim të gjerë, dhe “Kronika” (gdhendja) mbi të, mund ti tregohej kujdo rrugëve apo kafeneve të qytetit. Por besoj që nuk ishin vetëm këto arsyet e zgjedhjes së tij. Bastuni është objekti ku ne mbështetemi për të ruajtur ekulibrin në pamundësinë tonë fizike. I njohur për simbolikat e përdorura nga Idriz Guri, bastuni u zgjodh prej tij për ti përcjellë një mesazh brezave: “Dasma Lunxhote” është ngjarja e parë artistike në luftën për mbrojtjen e gjuhës shqipe. Gdhendja mbi të, D.L – 1874, është thirrja për të memorizuar dhe vlerësuar njëkohësisht këtë akt të rëndësishëm, që ka shërbyer si një nga shtyllat që mbajti në këmbë gjuhën dhe më vonë kombin.
FESTA E MUNGUAR E TEATRIT
Koto Hoxhi dhe “Dasma Lunxhote” e vjeshtës së dytë të vitit 1874, janë gurët e themelit të Teatrit Shqiptar. Çuditërisht kjo ngjarje nuk është festuar kurrë, si festë e madhe e gjuhës shqipe dhe Historisë së Teatrit Kombëtar. Është fakt që në praktikat e studentëve të Universitetit të Arteve të Bukura nuk është parashikuar asnjëherë një vizitë në fshatin e vogël ku lindi teatri ynë. Kjo nuk ndodhi as me kursin tonë në Institutin e Lartë të Arteve përgjatë viteve 1980-1984. Të vjen keq që aktorë të shkëlqyer të teatrit tonë lokal dhe kombëtar nuk e kanë parë kurrë skenën e parë ku lindi profesioni që ata zgjodhën për ta ushtruar në jetë.
SHENJTORI KOTO HOXHI
Populli përgjatë viteve diti të zgjedhë mes individëve të tij të spikatur, shenjtorin e tij. Në 1934 mësuesit e Gjirokastrës filluan nderimin e Koto Hoxhit me vizitat e organizuara në shtëpinë e tij, dhe në varrezat e fshatit. 80 vjetori i çlirimit të vendit 1944-2024, më sjell ndërmend edhe një detaj tjetër kuptimplotë: çeta partizane që mori emrin “Koto Hoxhi”, e filloi aktivitetin duke u betuar përpara varrit të tij në Qestorat. Diktatura i vendosi eshtrat e tij në memorialin e Rilindasve, ndërkohë që ne në Demokraci, nuk i kemi kushtuar asnjë aktivitet në kuadër të 200 vjetorit të tij të lindjes dhe 150 vjetorit të themelimit prej tij të teatrit shqiptar. Sigurisht që këto veprimtari duhet të kenë karakter kombëtar. Por edhe intelektualët e qytetit tonë, nuk duhet të rinë duarkryq. Një Festival Teatri me emrin “Koto Hoxhi” do të ishte në nderin e qytetit të dijes, Gjirokastrës tonë për ta organizuar, ndërkohë që në sheshin ku ndodhet busti i tij, në fshatin Qestorat, mund të vihet një tabelë e thjeshtë ku të shkruhet: 150 vjet më parë në këtë vend Koto Hoxhi me dramën “Dasma Lunxhote” hodhi themelet e Teatrit Shqiptar. Një fragment folklori nga “Dasma Lunxhote” e interpretuar nga Asambli “Lunxhëria” do ta nderonte Rilindasin tonē në këta dy përvjetorë.
MBYLLJE
Nën një pemë të kuqëremtë, ashtu si ngjyra që vesh malin e Lunxhërisë në vjeshtë, mbesa ime interpretoi në anglisht këngën e njohur, “Happy Birthday” në një nga parqet e Miçiganit, me të vetmit njerëz të dashur që kishte pranë dhe e uronin; mamin, gjyshin dhe gjyshen e saj. Ndoshta kjo ngjyrë vjeshte, i dha krahë mallit tim, teksa aty për aty më lindi një dëshirë e papëmbajtur, që më shtyu befas ta ndjeja veten fajtor. Mos vallë do të ishte më mirë ta festoja ditëlindjen e mbesës sime të shtrenjtë, në atmosferën e vjeshtës shqiptare? Në se do të kishte ndodhur kështu, atëherë mes peshqesheve të shumta, mbesa do kishte edhe një dhuratë tjetër të paçmuar nga gjyshi i saj; Vizitën në Qestorat mes atmosferës që të fal aty vjeshta e dytë. Një ndalesë në ish sheshin e kishës, aty ku rilindasi Koto Hoxhi me nxënësit e shkollës “Normale” greke, vendosi në skenë në gjuhën shqipe “Dasmën Lunxhote”. Sa unike do të ishte dhe sa bukur do të festohej datëlindja e saj në fshatin e vogël, por me histori të madhe. Nën tingujt e këngës sē njohur; “Në përvjetor të datëlindjes tënde”, bashkë me 5 vjetorin e lindjes së saj, gjyshi dhe gjyshja, si ish aktorë të teatrit profesionist të Gjirokastrës, do të kremtonin një festë të pafestuar ndonjëherë; 150 vjetorin e datëlindjes së teatrit shqiptar. Kjo do ta bënte edhe më të pakonkurueshëm, vjeshtën e dytë të Qestoratit, ku ngjyra e kuqëremtë e këtij viti, është më domethënëse dhe më emocionuese se ajo e Miçiganit.
29 tetor 2024
P.S – Falënderoj studiuesin Niko Kotherre për faqet e librit të shenjtë “Dhjata e Re” përkthyer nga Grigor Gjirokastriti.