Share This Article
105 -vjet Parti Politike Shqiptare 1921-2026
Nga Ilirjan Lluri
SAZANI
Italianët e lanë Vlorën, jo pa dhimbje. Po pikëllimi i tyre më i madh ishte Sazani. Në mbrojtje të ishullit u ngrit edhe populli i Gjirokastrës. Në vjeshtën e tretë të vitit 1921 në orën 11.00 në kopshtin e Katundarisë patrioti dhe gazetari i njohur Veli Hashorva deklaroi: Populli Shqiptar s’do të durojë kurrë një shkëputje toke, sa më tepër Sazanin që e lyp shteti mik përtej Adriatikut. I shpëtuar një shekull më parë, a rrezikohet përsëri Sazani? Nga një pikë e rëndësishme strategjike ushtarake, tashmë ishulli është vendosur në fokus të një projekti turistik të dy biznesmenëve amerikanë. Pas shkatërrimit absurd të mijra bunkerëve anë e mbanë vendit, Shqipëria po çarmatoset edhe nga Sazani. A nuk mund të ishte ishulli një aset për NATON?! A nuk mund të jetojnë në harmoni cilësitë mbrojtëse me ato turistike të ishulit?

PARTITË E PARA SHQIPTARE
Por viti 1921 nuk ishte i veçantë vetëm në lidhje me Sazanin, por edhe me lindjen e partive politike në Shqipëri. Idea për krijimin e një partie në Shqipëri u shfaq në 1920 kur u fol se Federata, VATRA kishte ngarkuar Mehmet Konicën të hartonte pikat kryesore të programit të një partie Progresive. Por si konceptohej një parti politike një shekull më parë?! Këtë na e afron shtypi i kohës;Sot na duhet medoemos një Parti Kombëtare në Shqipëri e cila të ketë rreth saj të gjithë patriotët e vërtetë, të rrinj dhe të zotë, që të punojnë pas një programi të hapur. (transparent). Se kështu Shqipëria s’do të ketë më frikë se mos ky shtet bie në duart e vagabondëve, e të atyre që janë influencuar nga të huajt. Vetëm kështu politika e jashme e këtij shteti do të ecë mbi një program kombëtar, gjersa të formohet ndonjë tjetër parti e ndershme kundërshtare. Në shtypin e muajit shkurt 1921 u botua programi i Partisë Demokratike Popullore. Por organizimi i saj i plotë u njoftua në shtyp në datën 1 maj 1921: U formua “Partia Popullore” nën kryesinë e Nolit. Një muaj më vonë, në 23 maj 1921 shtypi njoftoi përsëri; U formua parta “Progresi” nën kryesinë e Mehdi Frashërit. Përpara partive politike, në vend funksiononin tarafet. Në mënyrë paradoksale sot një pjesë e partive politike shqiptare ju janë rikthyer tarafeve si dikur.

KRIZA E PARË POLITIKE
Fillimi i viteve 20’ u shoqërua nga disa ngjarje: atentati kundër Zogut në Parlament dhe vrasja e dy tregëtarëve amerikanë. Po ajo që e acaroi situatën ishte vrasja e Avni Rustemit. Në këtë kohë shfaqen problemet e para serioze në politikën shqiptare. Në artikullin “Kriza e Demokracisë” theksohet: Në horizontin politik shqiptar shfaqen dy tendenca të kundërta: Demokracia dhe Feudalizmi. Shqipëria për fat të keq deri më sot është sunduar nga pazotësia klasike. Po të vijojnë gabimet e sotme, populli shqiptar mund të përsëriti shprehjen e Volterit: Dua më mirë të sundohem nga një luan i një race të mirë, se sa nga njëqind minj të farefisit tim. Në datën 5 maj 1924 shoqata “Bashkimi”, përmes zv.kryetarit të saj Dr. Fuad Asllani i drejtoi këtë thirrje djalërisë shqiptare: Bashkohu nën flamurin e shoqërisë Bashkimi, për të krijuar një trup të pa tronditur idealistësh të vërtetë, që të vënë tërë fuqinë e vet për shpëtimin e Atdheut, duke u bërë ballë rreziqeve dhe duke luftuar në ç’do kohë abuzimet e padrejtësitë. Ajo kërkonte dorëheqjen e qeverisë, duke këshilluar se problemi do të zgjidhej pasi të tërhiqeshin dy partitë kundërshtare, dhe situata të merrej në dorë nga një fuqi e tretë e pa anëshme, dhe e pa trazuar në intrigat e shkuara.

USHTRIA KOMBËTARE
Rolin e fuqisë së tretë e mori përsipër Ushtria Kombëtare. Ndërhyrjen ajo e argumentoi në faqet e shtypit dt. 2 qershor 1924; Ushtria Kombëtare e cila e ka për detyrë të lartë patriotike të shpëtojë Atdheun nga rreziku, nuk mund të rrijë sehirxhi e me duar të lidhura përpara kësaj pamjeje tragjike të përgjithëshme. Ushtria Kombëtare e larguar nga rrymat e partizanisë dhe e ambicjeve politike, e frymëzuar vetëm nga qëllimi i shenjtë për të shpëtuar Atdheun, vendosi të zhduki fuqitë personale jashtë shtetërore, të cilat paralizojnë fuqitë e Qeverisë dhe eliminojnë lirinë personale, e të krijojë një atmosferë të pastër që të munden të bashkëpunojnë me liri të plotë të fjalës e siguri të jetës, përfaqësuesit e Kombit në Tiranë. Në këto momente delikate për vendin, shtypi nuk i doli në krah politikës, po mbështeti Ushtrinë Kombëtare; Shteti Shqiptar pati fatin e keq të qeveriset nga njerëz të errët pa pikë ndërgjegje kombëtare, me axhendë të interesave të huaja. Një gjëndje e tillë nuk mund të merte fund me pallavrat parlamentare. Kishte nevojë për Hekur të kuq. Ushtria Kombëtare e pa për detyrë ta mbrojë këtë vend të shenjtë nga armiqtë e brendshëm. Ajo marshon për në folenë e feudalizmës e të turpit. Dikur akuzohej Qeveria se disa antarë të saj vepronin sipas axhendave të shteteve të huaja, ndërkohë që në protestën e vitit 2026, qeveria akuzon protestuesit se mes tyre fshihen axhendat e armiqve të jashtëm.

HYRJA E USHTRISË KOMBËTARE NË TIRANË
Në datën 13 qershor 1924 në vend u vendos përsëri qetësia. Në orën tre të pasdites tregu u mbyll dhe populli dhe nxënësit e shkollave, u mblodhën në sheshin “Çerçiz Topulli”. Në krye qëndronin liceistët me Flamurin Kombëtar. Telegrami për hyrjen e Ushtrisë Kombëtare në Tiranë u lexua nga zv.kryetari i Bashkisë z. Zuhdi Karagjozi. Po se sa dakort ishte ai me atë që kishte ndodhur, e jep kjo fjali e gazetarit Vangjel Koça: Më në fund Zuhdi Karagjozi shtoi disa fjalë të maçalisura e të ngrira mbi rëndësinë e lëvizjes. Në fjalën e tij gazetari i njohuri vlerësoi dhjetë ditët e luftës së Ushtrisë Kombëtare, si ditët që i shtuan historisë shqiptare mbase faqen e saj më heroike dhe më të vyer për të nesërmen e popullit shqiptar. Ai e përkufizoi kështu rrugëtimin e shtetit shqiptar deri në ato çaste; Shqipëria që kur u ngreh si shtet, pati fatin e zi, të bjerë në pjesën më të madhe në duar të njerzve që nuk e kishin dashur kurrë, po përkundrazi e kishin luftuar. Pas prishjes së Perandorisë Turke një pjesë e nëpunësve të saj u turrën si sorrat mbi foshnjën e sapolindur, të dobët, pa gjak; mbi Shqipërinë. Ç’ngjau e dimë. Shkuan tetë vjet të tëra midis farsës, dramës dhe tragjedisë. Po nacionalizma që mbajti ndezur me vuajtje e me gjak, kandilen e Hyjnisë Kombëtare, nuk flinte. Shpirtin e saj e gjejmë në Kongresin e Lushnjës, në Luftën e Vlorës, në Pushkën e Parisit, të cilat e ngritën përsëri në këmbë këtë shtet. Shqipëria e pas 1920 sipas gazetarit Vangjel Koça rrezikohej përsëri nga një grup njerzish që si një turmë vagabondësh e parazitësh u vërtitnë në Tiranë. Ç’do vlerë morale dhe kombëtare u shkelmua. Natyrisht një Shqipëri të tillë e priste pa një pa dy fati i Shqipërisë së 1912; Po nacionalizma vendosi ta ndalë këtë gjë me ç’do mjet. Dhe hodhi zarin. I shpalli luftë feudalizmës, u shpalli luftë njerzve të errët dhe pa ndërgjegje kombëtare. Kjo luftë është një ide. Përkrahjen e Revolucionit të qershorit gazetari e argumentoi duke na kujtuar një shprehje të Napoleon Bonopartit: Ecni në krye të t’ideve të kohës suaj dhe këto do t’ju vijnë pas e do t’ju mbrojnë; ecni pas tyre dhe do t’ju tërheqin; ecni KUNDRA dhe do t’ju DËRMOJNË. Njerzit që e ç’qeverisën Shqipërinë nuk ishin të kohës. Ora e tyre kishte shkuar. Tani ishte rradha për njerëzit e rinj, që do ta shpinin Shqipërinë atje ku e ëndërronin që në krye të kohës idealistët shqiptarë. Si mbështetës i lëvizjes Vangjel Koça këshillonte; Nuk luftojnë Fan Noli me Ahmet Zogun. Përpiqen dy botë krejt të kundërta; demokracia me feudalizmin, drita me errësirën.

INDIFERENTËT E SHOQËRISË
Koha ka vërtetuar se pavarësisht ngjarjeve që ka kaluar vendi, jo të gjithë njerzit kanë reaguar njësoj. Gjithmonë janë shfaqur indiferentët. Dikur një qëndrim i tillë ndëshkohej rrëndë. Kush nuk rrokte armët për të mbrojtur trojet shqiptare i digjej shtëpia. Sepse mbrojtja e tokës shqiptare, përpara se të ishte dëshirë, ishte detyrë e shenjtë. Kështu ndodhi gjatë kryengritjes së veriut në 1911. Indiferentizmi ndaj çështjes kombëtare u evidentua edhe në 1920, kur në shtyp u botua ky artikull: Pse s’përparon shoqëria? Sepse s’dimë nga mbledhjet e shoqëritë. Na vjen mirë të bëjmë muhabet në kafehane, sesa të vemi në mbledhje e në metingje. Një shekull më vonë po ndodh e njëjta gjë. Protestuesit i ftojnë indiferentët të lënë kafenetë për t’ju bashkuar protestës.
PARULLAT
Një nga parullat më të hershmet që noh është “As për mua, as për ty, po për gjithë Shqipëri”. Parulla “Ja vdekje, ja Liri” ishte betimi ushtarak i luftëtarëve të çetës së Çerçiz Topullit. Lufta e Dytë Botërore nxorri në pah dy parulla të ndryshme; partizanët me parullën “Vdekje fashizmit, Liri Popullit” dhe nacionalistët me parullën “Shqipëria e shqiptarëve, Vdekje tradhëtarëve”. Lëvizja për demokraci e bashkoi popullin shqiptar nën parullën “E duam Shqipërinë, si gjithë Europa”. Por megjithëse kanë kaluar 36 vjet nga revolta popullore e 1990, Europa për shqiptarin, ka mbetur ende larg. Reformat e cunguara, ligjet klienteliste, shitja e pronës publike, shpronësimet e dyshimta dhe korrupsioni galopant, i kanë ringritur edhe njëherë shqiptarët në protestë. Tetëdhjetë e dy vjet pas Luftës së Dytë Botërore, papritur u ridëgjua parulla nacionaliste; “Shqipëria e shqiptarëve, Vdekje tradhëtarëve”, “Rama jepe dorëheqjen” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”.
ETIKETIMET E PROTESTUESVE
Tek ne koha ka provuar se Qeveritë, sado demokratike të kenë qënë, (në se kanë qënë ndonjëherë), e kanë refuzuar herë me elegancë e herë me brutalitet zërin e popullit. Për këtë arsye protestuesit e çdo kohe janë anatemuar. Ky zakon nisi me antarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në një raport të funksionarëve të perandorisë të 22 majit 1880 mes të tjerash lexojmë: Po organizohet qëndresa e shqiptarëve nga i famshmi Abdyl Frashëri, i cili ka ditur të ngrejë “harbutërinë”, vegjëlinë kundër bejlerëve. Në 1920 Mufit Bej Libohova i etiketonte djemtë e ardhur nga Amerika “hamallë”, ndërkohë që Partia e Punës i etiketoi “rrugaçë” “tradhëtarë” dhe “jashtëqitje e kombit” të gjithë ata që u futën në ambasada në 1990. Në kohën e demokracisë protestuesit vlonjatë të 97’ u ironizuan me frazën ”vlonjatët bëjnë xhiro, si zakonisht”. Diku diku protestuesit janë etiketuar si “banditë” e “kokëpalarë”. Etiketimet nuk kanë munguar edhe për protestuesit e qershorit 2026; si “sharlatanë”, “hipokritë” dhe “llum”. Madje drejtuesit e protestës një politikan i ka quajtur “çakenj”. Protestuesit e ç’do kohe na kujtojnë shprehjen e Plutarkut – Shpirti nuk është një vazo për tu mbushur, por një zjarr për tu ndezur. Në këtë aspekt sado “harbutë”, “hamallë”, “rrugaçë”, “fshatarë”, “sharlatanë” dhe “hipokritë” të etiketohen protestuesit, koha ka vërtetuar se në përgjithësi ata kanë qënë avangarda e ndezjes së shpirtrave dhe ndryshimeve shoqërore. Në krye të revoltave shoqërore, dalin më të guximshmit, dhe jo domozdoshmërisht më të bukurit dhe më të mençurit.
Qershori i dytë
Qershori i 2026 është shoqëruar nga protesta popullore të papara ndonjëherë për nga numri, vazhdimësia dhe sjellja e pjesmarrësve. Një shekull më parë pika që derdhi gotën ishte vrasja e Avni Rustemit në qendër të Tiranës, sot është tërheqja zvarrë e një banori të Zvërnecit që mbronte tokën e tij. Shumë e “moderuar” sjellja e tërheqjes zvarrë, krahasuar me plumbat mbi Avni Rustemin.

PROTESTUESIT – USHTRIA KOMBËTARE
Surpriza e protestës 2026 qëndron në faktin se përmes saj kërkohet ndëshkimi i të dy krerëve të partive më të mëdha në vend, Edi Ramës dhe Sali Berishës. Në një farë mënyre protestuesit e 2026 po lozin rolin që luajti Ushtria Kombëtare në 1924. Ata kanë ruajtur barazlargimin nga dy forcat e mëdha politike të vendit, duke mos shpallur ambicje të qarta politike, për të mbrojtur përbërjen heterogjene, e cila realizon masivitetin e protestës. Prania e emigrantëve të shumtë të risjell menjëherë në kujtesë rolin që lozën Vatranët një shekull më parë. Ashtu si qershori i Fan Nolit, edhe qershori i këtij viti, ka si fushë beteje Tiranën. A jemi përsëri vallë në prag të krijimt të partive të reja politike shqiptare ashtu si në 1920?

AMERIKANËT DHE POLITIKA SHQIPTARE
Në datën 6 prill 1924 në Mamuras u vranë dy shtetas amerikanë; Coleman, djali i një amerikani të pasur nga Kalifornia, dhe George De Long nga New Yorku. Ngjarja e rëndë u shoqërua nga kjo deklaratë: Qeveria Shqiptare është e bindur se ky krim është bërë me qëllim politik, për të na diskretituar përpara të huajve. Vrasësit kishin rrëmbyer valixhet, varëset e floririt dhe kuletat e amerikanëve. Por qëllimi i vrasjes nuk ishte grabitja. I arratisuri Bazi Canit kërkonte të siguronte influencë për zgjedhjet e ardhshme në funksion të një politikani, i cili në këmbim, do t’i siguronte kriminelit lirinë. Një shekull më vonë dy tregëtarë amerikanë u vendosën në qendër të vëmendjes pas lajmit të përhapur se ata do të investonin në ishullin e superfortifikuar të Sazanit. Madje u fol se ishulli ishte shitur. Protesta popullore po etiketohet nga qeveria si protestë kundër investimeve amerikane në Shqipëri.
SFIDA POPULL
Një shekull më parë populli shqiptar e përcolli përmes dhimbjes së thellë humbjen e jetës së dy tregëtarëve amerikanë. Pesë mijë vetë e pritën në Tiranë makinën ku u transportuan trupat e tyre, ndërkohë që edhe Asambleja Kombëtare mbajti 5 minuta zi në nderim të tyre. Propaganda se “protestuesit janë kundër investimeve amerikane në Shqipëri”, besoj se do të ç’vlerësohet nga protesta e lajmëruar e 4 korrikut, ditës kur Kombi Amerikan feston 250 vjetorin e Pavarësisë.
DREJTËSIA
Një shekull më parë në gjyqin për vrasësit e amerikanëve, dëshmitarët pohuan se nxitës i krimit ishte Ahmet Zogu i cili u dënua me 10 vjet burg në mungesë. Bashkë me të u dënuan edhe bashkëpunëtorë nga radhët e policisë dhe pushtetit lokal. Gjyqtari i famshëm i asaj kohe ishte Ali Tabaku. Zogu nuk e kreu kurrë dënimin e dhënë. Gjashtë muaj më vonë nga Revolucioni i qershorit, në 24 dhjetor i ndihmuar nga serbët ai mori pushtetin në Shqipëri. Zogu e burgosi gjyqtarin Ali Tabaku, i cili vdiq i helmuar në burg. Vetëm Faik Konica ka folur dhe e ka vlerësuar këtë gjyqtar model. Në 1928 Zogu u shpall mbret i vendit. Një shekull më vonë një sërë politikanësh, përfaqësues të pushtetit lokal dhe punonjës policie, janë dënuar nga drejtësia. Prokurori më i njohur por edhe i anatemuar mbetet Altin Dumani.

FOLKLORI – DËSHMITAR NË SPAK
Akuzat për tjetërsimin e pronave në Zvërnec të Vlorës e kanë nxitur Spakun drejt hetimit. Kam bindjen se prokurorët nuk do të lënë jashtë kësaj dosje një dokument të dalë së fundi; teksti i këngës labe; “O Avdul ç’mënde që pate”. të cilën ing. arkitekt Kreshnik Merxhani e postoi në fb; O Avdul çmënde që pate/Që shite ç’pate ku pate/me çifliqe e me irate/– Avdul Frashër, Avdul be/ Po Zvërnecin kujt ja dhe? – E bleu Dalan Kanina/ për dy karroqe stërlina/. Por që ky tekst kënge të përfshihet në dosjen hetimore, do të duhej ta dorëzonte në Spak një grup lab i Vlorës. Sepse kjo këngë popullore, është në fakt dokumentimi më autentik i një akti noterial i Perandorisë Otomane, ku fallsifikimi mbi të është i pamundur. Por jo vetëm kaq. Ajo do t’ju risjellë në kujtesë të gjithëve se ndryshe nga sot, rilindasit e dikurshëm dhanë pasurinë për të bërë Shqipërinë. Vlora e shenjtë e 1912, Vlora e shenjtë e 1920, mos vallë përmes Sazanit dhe Zvërnecit po na paralajmëron për një risi në politikën Shqiptare?! Përdorimi qeleshes nga protestuesit para Kryeministrisë mbetet një akt domethënës, po të sjellim në kujtesë se në manifestimin e fitores së Luftës së Vlorës, çdo luftëtari ju dhurua një qeleshe në shenjë nderimi.

DETI QË U BË OQEAN
Revolucioni demokratiko-Borgjez i qershorit 1924, kishte për qëllim pastrimin e politikës dhe rritjen ekonomike të vendit. Vangjel Koça deklaronte; Lëvizja ka për program të krijojë shpirtin e Shqipërisë s’ëndërrave tona, dhe do të na shpjerë në një botë tjetër (Europë) të shëndoshë e të pastër, nga e cila na ndan vetëm një det. Ka kaluar një shekull nga ajo ditë që foli gazetari i nderuar, dhe Europa vijon të mbetet përsëri një ëndërr. Politika shqiptare dhe jo vetëm ajo ndoshta, u “kujdes” aq shumë, sa Detin që duhej kaluar për në Europë, na e bëri Oqean.

NDERIMI I AMERIKËS
Mbledhja e një Senati Shqiptar ka dështuar dy herë: Pas shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor 1912, dhe në 25 Tetor 1918. Këshilli i parë Kombëtar i Shqipërisë u mblodh në 27 mars 1920. Në fjalën e çeljes u falënderua Presidenti amerikan Uillson:
Në këtë çast historik e shohim si një detyrë të nderit që ti kujtojmë me falënderime të posaçme ndërmjetësinë njerëzore dhe drejtësore që po bën i nalti dhe i shkëlqyeri Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Uillson. Kjo mirësi nuk është për të harruar kurrë nga ana e kombit shqiptar.
Një nga seancat Parlamentare të kësaj jave duhej ti ishte kushtuar vlerësimit të mardhënieve mes dy vendeve tona në kuadër të 250 vjetorit të Pavarësisë së SHBA. Në këtë rast parlamentarët tanë të nderuar, do ti bashkoheshin vullnetit të popullit shqiptar këndej dhe andej kufirit, që nuk kanë për ta harruar kurrë se Shqipëria dhe Kosova mbijetuan falë përkrahjes së jashtëzakonshme të SHBA-ve. Qofsh e bekuar përjetë Amerikë!
