Share This Article
Nga Ilirjan Lluri

Kostumi i prosopullave
Atë verë filluan punimet për rregullimin e shtëpisë së gjyshes. Shtëpia e madhe do të kishte tani dy hyrje të veçanta për dajat e mi, Janin dhe Gavrilin. Kështu përshtateshin njëherë e një kohë nga brenda shtëpitë e mëdha gjirokastrite. Deri sa të mbaronin punë ustallarët gjyshja do të qëndronte nga ne. Mes raqurinave që u vendosën në katoqin e shtëpisë, më tërhoqi vëmendjen një kanistër. Ngjyrat e rrobave të vendosura në të ishin të pazakonta për veshjet tona të përditëshme. Ishte një kostum shumëngjyrësh për fëmijë. Bluzë, pantallona dhe një shami koke në qendër të së cilës ishte kapur me qepje një medaljon me gur të kuq. I vesha nga kërshëria megjithëse më rrinin pak të ngushta. Pjesa fundore e bluzës përbëhej nga trekëndësha të përmbysur në kulmin e së cilave qëndronin gogla metalike ngjyrë ari. Më thanë se ato rroba visheshin në kohën e Prosopullave (Karnavaleve) para Pashkëve, por unë as që e dija se ç’farë ishin Prosopullat. Ishte viti 1970 dhe kisha e lagjes kishte tre vjet që ishte mbyllur

Dita e verës – Dita e PANIT
Përpara Karnavaleve, festohet dita që i dedikohet natyrës, dita e verës. Dikur ajo quhej “Dita e Panit”, sepse i kushtohej Perëndisë PAN, që bekonte pyjet, lumenjtë, shpellat dhe bagëtitë. E njohur si një festë Pagane, perëndia Pan është paraqitur duke mbajtur në duar cylën dyjare (dy grykëshe), që në Labëri njihet me emrin Longare. Ky instrument muzikor ka shoqëruar gjatë shekujve barinjtë e kësaj zone. Dita e verës pra, dhe Karnavalet i paraprijnë festës së Pashkëve.
Imitimi
Njeriu e ka nisur aktin e imitimit në hershmri. Veshja e tij e parë ka qënë huazuar nga natyra. “Rrobat” e tij të para ishin gjethet e pemëve dhe lëkura e kafshëve. I shtyrë nga nevoja për mbijetesë, për të siguruar ushqim, ai shfrytëzoi në mënyrë krijuese mundësitë për ta kapur sa më lehtë gjahun. Një nga mënyrat lidhej sigurisht me përpjekjen për ti “ngjarë” gjahut. Ai e imitoi gjahun jo vetëm në pamje, (veshje) por edhe në zë, Ky aktivitet i tij i shtrirë në shekuj, ka zënë vend në ceremonialet e ndryshme festive. E gjithë kjo eksperiencë ka mbritur deri tek ne, por me ndryshime sigurisht.

Prosopullat – Karnavalet
Largimi i të keqes përmes lumturisë, ky është motivi i festës së Karnavaleve që organizohet përpara Pashkëve. Për këtë arsye në fillimet e tyre në këtë festë merrnin pjesë besimtarët ortodoksë dhe katolikë, ndërkohë që tashmë ka ndryshuar gjithçka. “Karnevale” do të thotë: të mos konsumosh mish! Kjo është arsyeja që Karnavalet festohen përpara kreshmës, agjërimit. Kjo festë njihet në jug me disa emra; gjirokastritët i thonë Prosopulla, përmetarët Llazore dhe korçarët Karnavale. Emri Prosopullë rrjedh nga gjuha greke, ku rrënja e fjalës është fytyra (prosopo). Pra që nënkupton ndryshimin e fytyrës apo fshehjen e saj. Në fakt emri Prosopullë duket më i sakti për këtë festë, ku veprimi bazë është mbulimi e fytyrës. Në se emri Karnavale shpreh përmbajtjen, (në lidhje me ushqimin), emri Prosopullë shpreh formën. Karnavalet apo Prosopullat janë të lidhura me stinën e Pranverës, kur natyra lulëzon dhe nisin mbjelljet e reja. Djegja e Dordolecit në fund të festës, lidhet me largimin e fatit të keq dhe ardhjen e mbarësisë. Maskat, humori, muzika, dordoleci, gajtanaqi, dhe vallja rreth tij dhe zjarrit pranveror, janë disa nga elementët më të rëndësishëm të festës. Duke pasur në qendër spektaklin, Karnavalet kanë edhe aktorët e tyre. Megjithëse festa dallohet për përdorimin masiv të maskave, Karnavalet e Gjirokastrës, nuk kanë qënë asnjëherë një ballo maskash, si ato të Venecias.

110 -vjet ndalimi i Karnavaleve (1916-2026)
Ne nuk e kemi sot të dokumentuar datën se kur kanë filluar të festohen Karnavalet në Gjirokastër. Por gjithsesi dimë që ato janë festuar në mënyrë të pandërprerë deri në largimin e ushtrisë greke nga Gjirokastra. Pushtimi grek i Gjirokastrës i 16 marsit 1913, u pasua nga ai italian tre vjet më vonë. Një bisedë e shkurtër me prefektin dhe drejtorin grek të policisë Kallokristaqin, vendosi largimin e ushtrisë greke në orën 4 të mbasdites së 2 tetorit 1916. Vendin e tyre e zunë italianët. Në qytet u vendos çensura postare, telegrafike e telefonike, si dhe ndalim qarkullimi pas orës 8 të mbrëmjes. Në 7 nëntor 1916 u botua nga italianët Rregullorja e Sigurimit Publik ku jepeshin udhëzime mbi grumbullimet, shfaqet publike, tipografinë, botimet, fotografët, pushkët etj. Rregullorja me 56 pika e nënshkruar 110 vjet më parë nga kryekomandanti Oreste Bandini, përcaktoi edhe fatin e keq të ndalimit të festimit të karnavaleve.
Rikthimi i Karnavaleve 1921
Karnavalet ju rikthyen qytetit 5 vjet më vonë, kur pas Luftës së Madhe të Vlorës, italianët e lanë Shqipërinë. Por rikthimit të tyre i mungoi shkëlqimi i dikurshëm. Disa detaje mbi rikthimin e Karnavaleve i gjeta në një artikull të datës 17 mars 1921 ku mes të tjerash gazetari pohon: U çudita kur pashë përpara disa ditëve maskat të figurojnë qartazi në vitrinat e dyqaneve: kapetanër, nusera, doktorë, dadora, plaka, arapë e alaulë. Megjithëse personazhet e Karnavaleve ishin të njëjtë si përpara luftës, atyre ju mungonte madhështia dhe atmosfera e dikurshme. Gazetari me pseudonimin (B) e shpalos të vërtetën përmes disa pyetjeve afirmative: Ku i ke kapetanët e parë, divër me maska të sirmëta, me opinga me thumba? Po gajtanaq’ e bojatisur me çapare të gjata e të bukura? Po vjolë e Zices, apo Duli? Ato valle, atë shkëlqim të vjetër? Festimeve të Karnavaleve të 1921 ju mungoi pra orkestra, violina e Zices dhe shokut të tij orkestrant me emrin Duli. Ju munguan maskat me sirmë, (rrjetë teli e hollë që gratë gjirokastrite e përdornin për të larë dyshemetë e drurit). Personazhet e Karnavaleve të vitit 1921 ishin pa opingat me proka (thumba metalikë që bënin zhurmë mbi kalldrëm). Por më shumë në sy ra mungesa e gajtanaqit dhe vallja pas së cilës thurrej gërsheti shumëngjyrëshm, simbol i shpresës dhe fatit të mirë.
Ndalimi i dytë i karnavaleve 1967
Ndërprerja e dytë e festimit të Karnavaleve lidhet me ndalimin e ushtrimit të besimit fetar në Shqipëri. Kjo ndodhi 59 vite më parë, pas fjalimit të Enver Hoxhës në shkurt të vitit 1967. Ishte koha kur në emër të luftës kundër fesë, shumë objekte kulti u shkatërruan. Në këtë atmosferë ashtu si “pa dashje” u harrua edhe festa e Karnavaleve.
Riti i dasmës dhe karnavalet
Zgjedhja e ritit të dasmës brenda festës së karnavaleve është një simbol domethënës. Përtëritja e jetës i ngjason përtëritjes së natyrës. Por veç kësaj, natyra festive që shoqëron dasmën, siguron edhe pjesmarrjen masive; orkestrën, këngëtarët dhe sehirxhinjtë e rrugës. Një arsye tjetër është personazhi i Nuses. Një burrë i veshur si grua, nuk emocionon më shumë se sa një burrë i veshur si nuse. Humori në këtë rast ishte i garantuar. Karnavaleve nuk ju mungonte edhe personazhi i Ariut. Për shumë kohë arinjtë e zbutur kanë argëtuar banorët rrugicave të qytetit. Pas arrinjve të cirkut të Raq Paskalit të viteve 1975-1980, ariu u rishfaq përsëri si një mundësi argëtimi pas viteve 90. Me një def në dorë antarë të komunitetit rom, ashtu si dikur në vitet 60 – 70, e shëtisnin atë të lidhur me zinxhir, dhe e vinin të hidhte valle nën ritmin e një defi. Ariu bënte disa rrotullime duke argëtuar kryesisht fëmijët që për herë të parë kishin mundësi të shihnin nga afër një kafshë të egër e kaq të dashur. Ata mund ta preknin dhe të bënin fotografi me të.
HISTORIA E KARNAVALEVE NË FOTO
Është pak e çuditëshme që sot mungojnë fotografitë nga festimi i dikurshëm i Karnavaleve, megjithëse qyteti në çdo kohë ka pasur fotografët e tij. Ndoshta një pjesë e tyre pas ndalimit të fesë në Shqipëri, janë asgjësuar nga frika. Gjithsesi unë munda të siguroj tre foto, të cilat flasin shumë:
Arkivi Poseli
Fotografia e vitit 1940 i takon arkivit të familjes italiane Poseli që banonte në Gjirokastër. Pushtuesi italian i 1939 nuk e ndaloi festimin e karnavaleve si dikur në 1916. Në këtë fotografi vihet re një grup aktorësh të maskuar duke kërcyer përpara godinës së ish Prefekturës. Ata janë të veshur me rroba kombëtare dhe maskat e tyre nuk janë gjë tjetër veçse “çorape xhami”. Këtë emër e kanë marrë pikërisht nga tejdukshmëria e tyre. Mes grupit të aktorëve ndodhen edhe dy maska të veçanta, të prodhuara me plastikë ose karton. Përmes Karnavaleve janë parodizuar dhe goditur fenomenet negative të jetës. Kjo foto tregon edhe varfërinë në kostumografinë e karnavaleve, krahasuar me ato të viteve të mëparëshme.

Arkivi Llukani
Në një tjetër fotografi të kësaj feste, të nxjerrë nga arkivi i familjes Llukani, besoj e pas viteve 1920, paraqitet një grup aktorësh të Karnavaleve të lagjes Meçite. Vlera e saj qëndron jo vetëm për numrin e madh të aktorëve të fiksuar mbi të, por edhe për faktin se të gjithë ata janë të identifikuar falë ndihmës së mikut tim Vaso Llukani. Në fotografi paraqiten dy grupe; aktorët dhe orkestra. Tre nga aktorët e karnavaleve vijnë nga familja Llukani: mjeshtri i njohur i kalldrëmeve të gurit Simi Llukani, Koço Llukani dhe Josif Llukani. Në të janë fiksuar gjithashtu Mihal Kostandini, Kiço Lula Aleks Koçollari dhe Lipe Dhoska babai i aktorit të njohur Niko Dhoska. Bashkë me mjeshtërokët e krishterë, ndodhen edhe banorët muslimanë të kësaj lagjeje, të cilët bënë emër në aktivitetin e tyre të mëvonshëm profesional: Muzafer Asllani, Neshet Jupi, Mehmet Drasa, Ferhat Karagjozi dhe Dule Mezini. Orkestra përbëhet nga 4 instrumenta muzikore: klarineta, violina dhe dy llahuta. Më i njohuri ndër orkestrantët popullorë është Teme Dule. Në fotografi janë fiksuar edhe Aleks Andoni dhe Malo Konea. Aktorët janë veshur me veshjet popullore të plotësuara me arsenalin e armve të dikurshme: pisqolla me strall, shpata, thika me bishtin e harkuar dhe kamzhiku prej lëkure.

Arkivi Lile
Fotografia e tretë vjen nga arkivi i familjes Lile nga lagjja “Pazar i Vjetër”, për të cilën më kishte vënë në dijeni poseduesi i saj, Mino Lile. Largimi në Amerikë i pamundësoi vijueshmërinë e kërkimeve të mia për karnavalet. Por gjithmonë ka një zgjidhje. Për të përfunduar këtë shkrim më ndihmoi bashkëlagjasi dhe miku Vasil Muka. Fotografia e familjes Lile, tregon një nga aktorët e Karnavaleve të lagjes “Pazar i Vjetër”, Shozho Lile. Në këtë fotografi shihen aktorët më të mirë të karnavaleve në qytet. Ata përfaqësojnë lagjet; Pazar i Vjetër, Varrosh dhe Çetemel. Mes aktorëve ndodhen edhe Ando Kabili, Niko Gjovreku dhe Stefan Bleco. Sa keq që nuk kemi të dhëna për emrat e pjesmarrësve të tjerë. Por le të shpresojmë që pas leximit të këtij shkrimi do të ketë lexues apo familjarë që të mund të ndihmojnë me identifikimin e plotë të tyre

KARNAVALET NË 25-VJETORIN E PAVARËSISË
Fotografia e trashëguar nga arkivi Lile, që i ka shpëtuar mrekullisht shkatërrimit dhe harresës, ka një vlerë të rëndësishme historike. Në këtë grup prej 17 aktorësh ajo që bie në sy është kostumografia. Nuk e dimë kush e ka ideuar dhe realizuar atë, por simbolika e saj është domethënëse. Ajo është e vështirë për tu pikasur në foton origjinale, bardh e zi. Por kthimi i saj me ngjyra ma ndryshoi krejtësisht atmosferën që ajo përcjell. Një ndihmë të madhe më dha pronari i saj, Mino Lile. Lidhjen telefonike me të ma siguroi punonjësi dhe menaxheri i njohur i kulturës, Stefan Arseni në orën 13 me orën shqiptare, në dt.2.5.2026. Minua më informoi se grupi i karnavaleve ku babai i tij luante rolin e kapedanit dhe Stefan Bleco rolin e një gruaje, në 1937 mori pjesë në festimet e 25-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Sipas kujtimeve të babait të tij, Zogu i pa nga dritarja dhe në shenjë vlerësimi ju hodhi edhe një monedhë floriri në shenjë falënderimi. Ngjyrat kuq e zi që mbizotërrojnë në foto, janë më befasuese tek jelekët, ku pjesët ballore janë dy ngjyrëshe, kuq e zi. Në këtë foto evidentohen për herë të parë elementët e fillimit të profesionit të kostumografit në Gjirokastër. Dikur shiritat e Gajtanaqit kanë qënë kuq e zi, – më ka dëshmuar aktori i moshuar i karnavaleve, 90 vjeçari Apostol Ura. Fatkeqësisht dikujt nuk i pëlqeu që ne ta risillnim këtë detaj gjatë organizimit të karnavaleve 2023, duke ma prerë shkurt: nuk më pëlqen. Megjithëse kanë kaluar vite nga ajo kohë, ende nuk jam qartësuar; nuk pëlqenin ngjyrat kuq e zi të flamurit kombëtar, apo ishte thjesht një artikulim në kuadër të modës së “ylberit” të përhapur shumë në atë kohë. Shozho Lile me grupin e karnavaleve e thurrte dhe e shthurthte gërshetin e Gajtanaqit mjeshtërisht. Orkestra shoqëruese merej nga Dropulli. Fotografia e arkivit “Lile” është një dëshmi historike emocionuese rreth Karnavaleve, të cilat veç shfaqes përpara Pashkëve, si pjesë e teatrit të rrugës, janë organizuar edhe në evente me rëndësi kombëtare, si në rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë Shqiptare.


Kapeleja – element identifikues
Për datimin e kësaj fotografie më ndihmoi edhe një e dhënë tjetër e rëndësishme; Ligji i Përdorimit të Kapeles. Në fletoren zyrtare të 30 prillit 1937 është botuar ligji “Mbi caktimin e llojit të mbulesës së kres (kokës) për mashkuj”. Në këtë ligj saktësohet se mbulesa e kokës për meshkujt shqiptarë për ata që vishen me rroba civile është shapka (kapelja) me strehë. Krahasuar me fotot e tjera të Karnavaleve në këtë foto shohim përdorimin në masë të kapeles me strehë.
Karnavalet pjesë e aktiviteteve të FFK 2003
Karnavalet pas viteve 90 u rikthyen për herë të parë në Dropull. Rrugëtimi i karvanit të karnavaleve të rinisë minoritare përfshinte disa fshatra të dy komunave të Dropullit, për të ndaluar në fund në fshatin Dervician, ku bëhej edhe djegja e dordolecit. Pikërisht ky grup do të performonte për herë të parë edhe në qytet, duke paralajmëruar në një farë mënyre rikthimin e karnavaleve të Gjirokastrës.

Duke u marrë me ceremonialin e Mirseardhjes në FFK 2003, mendova se prania e karnavaleve të Dropullit do të ishte një risi në buqetën me 14 aktivitete që do të shoqëronte mbritjen e festivalistëve në sheshin e Çerçizit dhe hapjen e FFK. Më ndihmoi të vendos kontakt me grupin e aktorëve minoritarë poeti dhe gazetari Petrit Beqiri i cili e kishte filmuar aktivitetin e tyre rregullisht. Karnavalet do të dilnin plot zhurmë nga tuneli poshtë kalasë që të çon në lagjen Manalat. Në ceremoninë e hapjes së Festivalit mori pjesë edhe kryeministri i kohës Fatos Nano. Vonesa e tij bëri që grupi i karnavaleve të dilte nga skenari. Ata e braktisën tunelin dhe zbritën plot zhurmë në mesin e pazarit dhe u drejtuan drejt lokal Fantazisë ku ndodhej kryeministri. Kjo ishte edhe shfaqja e parë e karnavaleve në qytet pas lejimit të fesë.

Rikthimi i dytë i karnavaleve – 2020
Kjo ndodhi në vitin 2020 kur një grup pune i kryesuar nga Loena Bakuli, drejtoreshë e sektorit të trashëgimisë në Bashki dhe unë si drejtues artistik (rregjisor dhe specialist i trashëgimisë) u ngarkuam nga institucioni për organizimin e festës së karnavaleve, të “harruara” që nga 1967. Në fakt një grup intelektualësh gjirokastritë kishin kohë që përpiqeshin për rikthimin e tyre, por pa mundur të siguronin mbështetjen financiare. Mes tyre bënin pjesë arkeologu dhe historiani i njohur Vladimir Qirjaqi, Konsulli i Nderit i Italisë në Gjirokastër, Teodor Bilushi dhe tre petagogë të Universitetit Eqerem Çabej, mes të cilëve edhe artisti Llambi Margariti.


Këmbëngulja e nën/kryetares së Bashkisë Jorida Muho, fitoi mbi sugjerimin tonë, dhe karnavalet u festuan pa marrë parasysh motin e ftohtë, dhe as lidhjen e tyre me Pashkët ortodokse. Në ceremoninë festive morën pjesë të gjitha shkollat e qytetit, të cilat për hir të së vërtetës, në mënyrë jo fort të organizuar i kishin nisur festimet e karnavaleve në rang klasash, disa vite më parë. Përpjekja për të aktivizuar disa aktorë nga trupa e teatrit të qytetit dështoi për mungesë financimi. Për të nxitur fantazinë krijuese në ideimin e kostumeve që do të përdoreshin, ne organizuam edhe një juri që do të shpallte shkollën fituese për cilësinë dhe shumëllojshmërinë e kostumeve. Në krye të këtij komisioni ku bënin pjesë edhe piktori Pullumb Puci dhe aktori Viktor Çaro, u vendos etnologu i njohur “Mjeshtri i madh” Stavri Çati.

Ajo që ra në sy ishte fakti se shumë nxënës kishin huazuar kostume të personazheve nga filmat artistikë, dhe shumë pak prej tyre ishin përfaqësuar me kostumin tonë popullor. Në këtë ceremonial surprizoi me pjesmarrje edhe shkolla e Lazaratit. Në këtë festë ashtu si dikur, nuk munguan edhe tregëtarët e maskave artizanale apo të fabrikuara. Ceremonia u shoqërua nga fanfara e qytetit nën drejtimin e dirigjentit Aldi Llano, ndërkohë që koncerti festiv i zhvilluar në sheshin e Çerçizit u drejtua nga artisti Gentian Selfo. Aktiviteti u memorizua nga fotot dhe videot e Vilson Kuçit dhe Evis Imeraj. Lidhjen e parë televizive mbi rikthimin e Prosopullave të Gjirokastrës e realizoi Top Chanel përmes gazetares Kristina Fidhi dhe operatorit Evis Ballo.



Karnavalet – promovim i thashethemeve?!
Në një reklamë televizive të përgatitur për karnavalet Gjirokastër 2026, konstatova me keqardhje një gabim jo vetëm të datimit të festimit të Karnavaleve në qytetin tonë, por edhe të përmbajtjes së kësaj feste. Përmes kujtimeve të gjyshes, personazhi i reklamës ju rrëfente aktorëve të rinj se sipas gjyshes së tij: Karnavalet ishin thjesht një mundësi për thashetheme ku për shkak të maskimit, nuk merej vesh autori i vërtetë i përhapjes së tyre. Është e tepërt të pohoj se pavarësisht respektit që kam për gjyshet, jo gjithçka që ato thonë është domozdoshmërisht e saktë. Gjirokastrës ashtu si çdo qyteti shqiptar as i kanë munguar, dhe as nuk do ti mungojnë ndonjëherë thashethemet. Por asnjëherë gjirokastritët e mençur nuk i kanë “institucionalizuar” ato, duke ju kushtuar edhe një ditë feste. Më e trishtë bëhet situata kur kjo e pavërtetë, i serviret opinionit publik duke shtuar: Gjatë festës së karnavaleve, burrat visheshin si gra, dhe gratë si burra. Historikisht në Gjirokastër në festimin e karnavaleve kanë marrë pjesë vetëm burrat. Tjetër mentalitet e rrethonte shoqërinë gjirokastrite në ato kohë. Për të kuptuar diçka më shumë në këtë drejtim mjafton të përmendim një pohim të historianit Evlia Çelebi: Vetëm një herë në vit gratë vizitojnë prindrit e tyre dhe nuk shëtisin fare gjetkë. Ato janë shumë të ndershme dhe mund të krahasohen me zonjën e shenjtë Rabije Adivije. Këtë mënyrë sjelljeje me fare pak ndryshime, gruaja gjirokastrite e rruajti deri në fillim të viteve 1920.

Në dramën e parë shqiptare “Dasma Lunxhote”, të Koto Hoxhit, roli i nuses u interpretua nga një djalë i shkollës Normale Greke të Qestoratit. Kështu ndodhi edhe në 1909 kur patriotët gjirokastritë të klubit “Drita” vendosën në skenë dramën “Besa” të Sami Frashërit, roli i gruas u luajt nga një burrë. Krejt ndryshe ndodhi me shkollën e vajzave të Varroshit. Në pjesët dramatike që vendosi në skenë me nxënëset e saj “Mësuesja e Popullit”, Urani Rumbo, e interpretonte vetë rolin e burrit. Kjo ndodhte sepse në Gjirokastrën e viteve 1920-1930, vajza 12 apo 13 vjeçare mbyllej brenda mureve të shtëpisë në pritje të fatit të martesës. Këtë “rit” nuk e prishi dot as hapja e Liceut Francez, i pari lice miks në Shqipëri (djem e vajza), Edhe në këtë shkollë shumë të emancipuar për kohën, roli i femrës në teatër u luajt nga meshkujt. Kjo sigurisht bëhej nga halli, dhe jo nga “malli”, siç ndodh sot, kur në dhjetra shfaqe humori, shikon aktorë meshkuj që interpretojnë plot pasion rolet femërore, si një rrugë e lehtë për të fituar duartrokitjen.

Dramë nga thashethemet
Si në shumë vende edhe në Gjirokastër thashethemet janë pasuar nga ngjarje tragjike. Një dramë e nxitur nga thashethemet, ka qënë më prezente, sesa një “festë thashethemesh” si ajo që gjyshja i kishte servirur nippit të saj, (aktorit të reklamës).
Ngjarje të tilla e kanë shenjuar për keq Gjirokastrën e hershme. Si kërkesë për ruajtjen e kodit moral, familjet gjirokastrite shpikën “mbrojtësin” e nderit. Kështu lindi profesioni i vrasësit me porosi. Ky vrasës i “ligjshëm” apo “qëllim-mirë”, merrte porosi nga vetë prindërit, për t’ju vrarë vajzën, pse ajo kishte guxuar të shkelte kodin e familjes. Mbytja në pus apo “në jukun e rrobave”, kanë qënë mënyrat e egzekutimit të asaj kohe. Por nuk ka munguar edhe përdorimi i armës. Kjo dëshmi vjen nga vargjet e këngës së njohur “Mu tek ura e Zerzebilit”:
Mu tek ura e Zerzebilit
Hanushe bijë e Bakirit
Të vrau plumb’ i qafirit
Se loze perçen e syrit

Maska – perçe e vënë mbi fytyrë sipas rrëfimit të nipit të reklamës televizive, duhet të ishte “mbrojtje” për paudhësitë dhe thashethemet, ndërkohë që ndodhte krejt e kundërta. Hanushja e bën “paudhësinë” duke e hequr maskën – perçe, dhe jo duke u fshehur pas saj.
Artistët e rinj të teatrit gjirokastrit duhet të mësojnë se për herë të parë gruaja gjirokastrite për shkak të mentalitetit të kohës, u ngjit në skenën teatrore në vitin 1939, ndërkohë që sipas gjyshes së “nipit – gjysh”, femrat dolën në shesh për karnavalet të fshehura nën kostume burrash a djemsh, në vitin 1934. U mora gjatë me këtë fakt sepse sektori i trashëgimisë në qytet nuk duhet të zhvlerësojë të dhënat historike mbi karnavalet të afruara nga aktiviteti i rikthimit të tyre në 2020. Ti vlerësojmë gjyshet, por mos harrojmë edhe faktin se, as mosha dhe as thinjat nuk janë kriter i së vërtetës.

Urani Rumbo – vallja popullore në sheshin e Çerçizit
Karnavalet e një viti më vonë sigurisht do të jenë ndryshe. Të tjerë personazhe filmash do të parakalojnë në rrugët e qytetit. Në bazë të tematikës ndërtohen edhe idetë mbi kostumet që do të përdoren gjatë festës. Por si pjesë e historisë së zhvillimit të Karnavaleve shpresoj shumë që atyre të mos ju mungojë kurrë kostumi i tyre i parë; kostumi kombëtar. Mes kostumeve të shumtë, pjesë e prodhimeve filmike ndërkombëtare, do të doja që fëmijët dhe rinia të adhuronin edhe heronjtë e historisë lokale e kombëtare: Karnavalet e Gjirokastrës do të bëheshin më të bukura, në se në to do të paraqiteshin: kostumi i Koto Hoxhit, Bajos dhe Çerçizit, Hasan Xhikut, Thoma Papapanos, Jorgji Meksit, Musine Kokalarit, Dino Çiços, Bule Naipit. Ndoshta një galeri me personazhe nga teatri profrsionist i qytetit do të kishte tjetër vlerë.

Duke u bërë pjesë e programacionit të aktiviteteve shkollore, karnavalet nuk mund ti shmangen qëllimit të tyre edukues përmes argëtimit. Në ceremonialin e këtij viti duhet të kishte zënë vend edhe kostumi i Urani Rumbos dhe kapelja e saj karakteristike. Ajo është gruaja e parë që ka hedhur valle në sheshin e Çerçizit me nxënëset e shkollës së Varroshit. Kjo do të merrte tjetër vlerë po të kujtojmë se marsi i këtij viti përkoi me 90-vjetorin e ndarjes së saj nga jeta.


Mësime jo vetëm për mbesën time…
Karnavalet u ndaluan nga një gjeneral italian në Luftën e Parë Botërore, ndërkohë që në grupin e intelektualëve që punuan për rikthimin e tyre një shekull më vonë, bënte pjesë edhe Konsulli Italian i Nderit në Gjirokastër, Teodor Bilushi.
Në Gjirokastrën ku gjenerali Italian ndaloi karnavalet, lindi e u rit Edmond Angoni, i cili ngriti në Shkodër biznesin e prodhimit të maskave që tregëtohen sot edhe në kryeqytetin europian të karnavaleve, në Venecia të Italisë.

Shfaqja e maskave Veneciane në Karnavalet Gjirokastër 2026 dhe kërcimi klasik në vend të atij popullor në Qafën e Pazarit nga aktorët e rinj, do të kishte marë tjetër vlerë dhe nuk do të dukej si zgjidhje formale, në se do të shoqërohej me këto të dhëna mbi të talentuarin Edmond Angoni.
Vendosja e parë masive e maskave Veneciane në Gjirokastër u bë gjatë festimit të 40 vjetorit të maturës 1977. Si ish nxënës i kësaj mature, mjeshtri Edmond Angoni ju dhuroi shokëve dhe shoqeve të tij gjimnazistë nga një maskë veneciane, që mbanin autorësinë e tij.
Fotografitë me maska që shtrihen në dy shekuj brenda një familje janë ato të Muzafer Asllanit si pjesë e grupit të “Meçites” dhe djalit të tij Ylli Asllani si pjesë e maturës 1977.
Maskat teatrore u prdorën për her të parëë në një teatër Antik, nga aktorë të rinj italianë, të cilët shfaqën në teatrin e Adrianopolit në Sofratikë të Gjirokastrës, tragjedinë greke “Bakantët”.

Simi Llukani, mjeshtri i kalldrëmit në kompleksin muzeal “Qafa e Pazarit”, duhet të vlerësohet jo vetëm si actor, por edhe faktor i rëndësishëm në ruajtjen e traditës së ceremonialit të “Prosopullave” të Gjirokastrës.
Ndër emrat e famshëm të organizimit të karnavaleve në Gjirokastër me kontribut dhjetra vjeçar, njihen Çavo Kekezi, Tolo Njocko, Miho Burdhima, Shozho Lile, Stefan Bleco dhe Apostol Ura. Dikur kjo festë organizohej nga Pallati i Kulturës që funksiononte tek Godina Çene, në pazarin e qytetit. Sipas Mihallaq Kaftanit, babai i tij Koço Kaftani luante rolin e plakut.
Rikthimi i valles së Gajtanaqit u bë në Karnavalet e vitit 2023, dhe vallja u kërcye në Qafën e Pazarit. Të kërcesh këtë valle duhet të jesh i zoti. Ajo kërcehet nga e majta në të djathtë dhe anasjelltas, duke realizuar thurrjen dhe ç’thurjen e gërshetit mbi gajtanaq.
Grupet e aktorëve të “Prosopullave” dikur niseshin nga lagjet e qytetit dhe takoheshin në sheshin e Çerçizit, ku spektatorët vlerësonin kostumet më të bukura të grupeve. Edhe vallja rreth gajtanaqit kërcehej nga të gjitha grupet duke parë se kush prej tyre e thurrte më mire dhe më shpejt gërshetin mbi të.
Posteri i parë në rikthimin e karnavaleve u punua nga Evis Imeraj, ndërkohë që logo e parë e tyre me motive Gjirokastrite u ideua nga “Mjeshtri i madh” Stavri Çati.


Ajo paraqet dy shtëpi gjirokastrite me “tipare njerëzore”. Kjo gjetje mund të shërbejë si nxitje për prodhimin e maskave mbështetur në detaje lokale.
Mbesa ime Eisi! Gjyshi e veshi vetëm njëherë në jetë kostumin e karnavaleve. Ishte kostumi shumwngjyrwsh që gjyshe Aspasia e ruante në një nga kanistrat e saj.

Në festën e Prosopullave gjyshi nuk ka gjetur dot elementë të mirëfilltë fetarë, por ajo që bie më shumë në sy është ekspozimi i elementëve etnografikë; kostumi kombëtar, armët e trashëguara, këngët dhe vallet.
Gjirokastra duhet të ruajë identitetin e vet në këtë ceremonial, duke nisur që nga emërtesa e tyre, “Prosopullat”, Duke u vlerësuar si element i rëndësishëm i traditës lokale Karnavalet do të jenë një aset kulturor sa i rëndësishëm, po aq dhe befasues për vizitorët vendas dhe të huaj.

Mbyllje
Mendoj se në Kanavalet e ardhshme, në respekt të traditës disa nga aktorët pjesmarës do të vishen me kostum kombëtar. Ndoshta dikush prej tyre do të mbajë në duar Longaren e Labërisë, si vazhdimësi kuptimplote e cylës dyjare të perëndisë PAN.

E dashur mbesë, ti more pjesë për herë të parë në ceremonialin e karnavaleve të vitit 2022, kur djegja e Dordolecit me pishtarin që ti mban në duar në këtë fotografi u shoqërua nga vallet e Asamblit Lunxhëria me drejtuesin e saj legjendë, Koço Vasili. Me kohën që ka ardhur jam i bindur se dita e vënies së maskave do të zëvendësohet nga dita e heqjes së tyre. Sot fatkeqësisht fallsiteti është “modë e kohës”. Ditë feste duhet të jetë jo vënia, por heqja e maskave. Kjo ndoshta do të kishte edhe më shumë lidhje me kishën e shenjtë, qëllimi fisnik i së cilës është pastrimi ynë shpirtëror.


