
Share This Article
Nga Ilirjan Lluri
6 prill 1925-2025

Viti 2025 shënon 100 vjetorin e botimit të gazetës “Demokratia” të Gjirokastrës, iniciativë kjo e Xhevat Kallajxhiut. Lindja e saj u kushtëzua nga disa ngjarje që kaloi vendi. Më së pari ato lidhen me ndryshimet e kursit politik në Shqipëri. Kjo është arsyeja pse përpara së të flas për hapjen e gazetës “Demokratia” duhet të ndalem paksa në arsyet e mbylljes së gazetës, “Drita” të Veli Hashorvës, në të cilën shprehja e njohur popullore, “Uji flë, hasmi s’flë” ishte kthyer në, Uji flë, bejlerët s’flenë! Dështimi i Revolucionit të qershorit 1924, rrëzimi i Qeverisë Noli dhe ardhja në pushtet e Ahmet Zogut, lanë gjurmë në gazetarinë kombëtare dhe lokale. Një nga gazetat më të njohura të kohës “Drita” e hapur në 27 mars 1920 në Gjirokastër, përfundoi rrugëtimin e botimit të saj.
“DRITA” – GAZETA QË U MBARS NË AMERIKË DHE LINDI NË GJIROKASTËR
Botuesi i “Dritës” Veli Hashorva u kthye në Shqipëri nga Amerika si misionar.
Është kjo arsyeja pse gazeta e tij doli në shtyp në prag të Luftës së Madhe të Vlorës. Gazeta “Drita” i parapriu në një farë mënyre rilindjes së kombit. Në ditën e inagurimit të saj, Veli Hashorva shpalli:
Gazeta jonë të cilën e pagëzuam “Drita”, është e para që ndrin në gjuhën tonë t’ëmbël. Po puna më e madhe e “Dritës” është këtu në Gjinokastër, ku kemi tu rrëfejmë atyre që duan të fitojnë në kurrizin tonë se, ky vend është copa e pa ndarë e Shqipërisë, që ka zotn’ e vet ata që rrojnë mbi të, dhe nën të. Me këtë organ do t’jua bëjmë të ditur miqve dhe armiqve tanë, që gjuha dhe sentimentet e këtij vendi, thërrasin e do të thërresin për shqiptarinë.
“Drita” u botua nga viti 1920 deri në dhjetor të vitit 1924. Botimi i saj u ndërpre pas emigrimit të Veli Hashorvës..

EMIGRIMI I DYTË I VELI HASHORVËS
Për aktivitetin e tij të dendur politik në mbrojtje të kufijve të Shqipërisë së Jugut, dhe i njohur si Fanolist, Veli Hashorva, një nga miqtë e Avni Rustemit, u kërcënua me vdekje nga kundërshtarët e tij politikë. Ishte koha kur Ahmet Zogu përgatitej të hynte në Shqipëri nga Jugosllavia, ndërkohë që në gazetat serbe botoheshin shpifje kundër Fan Nolit. Krejt e paqetë ishte situata edhe në Jugun e vendit, ku ngjarja e Kakavijës i vuri “vulën” faktit se; disa politikanë shqiptarë në jug e në veri, të ndihmuar nga fqinjët e pangopur nga rrëmbimi i trojeve tona, organizuan përmbysjen e Qeverisë, po shqiptare të Nolit:
Në 14 të muajit duke u gdhirë e diel pas mesnate, ushtarët kufizorë (kufirit) të Kakavijes e zunë dhe e lidhën në jatak oficerin Zejnel Bënja dhe ftuan të vinin atje Veis Sevrani, Mufit Libohova dhe Petro Harito, që prisnin përtej kufirit, dhe që e kishin përgatitur këtë komplot. Kështu që në mëngjes, Kakavija ishte pushtuar prej të arratisurve dhe ushtarëve të kufirit, ndërkohë që nëpunësit e kufirit ishin burgosur.
Veli Hashorva në jetën e tij si gazetar, i kishte shpëtuar një atentati, ndërkohë që ishte kërcënuar edhe nga Mufit Libohova. Pas ardhjes në pushtet të Ahmet Zogut, kërcënimet kundër tij u ritën ndjeshëm. Në kushte të tilla, ashtu si një pjesë e madhe e inteligjencës së vendit, ai u largua drejt Turqisë. Ky ishte emigrimi i tij i dytë, pas atij të 1913 kur Gjirokastra u pushtua nga grekët. Emigrimi i dytë fatkeqësisht ishte pa kthim. Gjirokastra dhe vendi mbetën pa gazetën e tyre kombëtare “Drita”, e para gazetë në gjuhën shqipe në Gjirokastër.

Veli Harshova
GAZETA E XHEVAT KALLAJXHIUT
Në artikullin “Gazeta Jonë”, Xhevat Kallajxhi jep edhe aryset që e nxitën drejt botimit të një gazete. Arsyeja lidhej me mbylljen e gazetës “Drita”. Prej katër muajsh Gjirokatra kishte mbetur pa gazetën e saj. Numri i fundit i “Dritës” ishte botuar në fundit të dhjetorit 1924. Ja si shprehet Xhevati:
Ne si gjirokastritë, dhe aq më tepër si shqiptarë, mërziteshim dhe nuk na e donte zemra që Gjirokastra të mos kishte një gazetë shqipe. Nisëm nga puna e rëndë por atdhetare, dhe në 6 prill 1925 nxuarëm numrin e parë të saj.
Xhevat Kallajxhi dëshironta ta botonte gazetën dy herë në javë, por në pamundësi finaciare, ajo ju afrua lexuesit vetëm një herë në javë. Ai ishte i bindur se gazeta e Gjirokastrës kishte një rëndësi të madhe si nga pikpamja sociale, ashtu edhe nga ajo politike. Kjo është arsyeja pse ai e mbajti gjallë atë, duke sakrifikuar shumë financiarisht.

NGA “IDEA KOMBËTARE” TEK “DEMOKRATIA”
Gazeta që botoi Xhevat Kallajxhi në rrugëtimin e saj historik mban dy tituj. Në fillim ajo titullohej, “Idea Kombëtare”. Këtë titull ajo e mbajti nga dt. 6 prill 1925 deri në javën e tretë të nëntorit të po këtij viti. Pas kësaj gazeta u pagëzua me emrin “Demokratia”. Shkaku i ndryshimit të emrit të gazetës ju bë e ditur lexonjësve përmes një njoftimi:
Me një telegram të Ministrisë së Punëve të Brendëshme, me Nr 5531 dt.24.11.1925 urdhërohemi që titullin e gazetës ta ndrojmë, meqë një fletore e re me titullin “Idea Kombëtare” ka filluar më parë se tona, të botohej në Berat. Pra, nga ky shkak fletoren tonë e pagëzuam me titullin “Demokratia”, dhe lusim që ky emër të jetë i fundit.
Xhevat Kallajxhi ishte drejtori përgjegjës i gazetës “Demokratia”, ndërkohë që miku i tij Halil Tuqi ishte administrator i saj. Të dy katër vjet më parë në maj të vitit 1921 kishin botuar artikuj në faqet e gazetës “Drita”, madje në të njëjtin numur gazete. Halil Tuqi është autor i artikullit, “Zakone të pëlqyera” dhe Xhevat Kallajxhi i artikullit, “Shkolla e natës”. Halil Tuqi ishte ndërkohë edhe drejtor i shtypshkronjës “Labëria”, ku shtypej Gazeta “Demokratia”. Këtë e mësojmë përmes njoftimit të botuar në faqet e gazetës:
Ata djem që dëshirojnë të marin mësime dhe të vënë në duar një mjeshtëri me tërë hollësitë e saj, për të siguruar të arthmen, le të meren vesh me drejtorin e shtypshkronjës “Labëria” z. Halil Tuqi.
Në faqet e gazetës botuan shkrime gazetarë dhe autoritete të spikatur të kohës siJorgji Meksi, Urani Rumbo, Ramis Harxhi, Bajo Topulli, Lumo Skëndo, Thoma Papapano, Vangjel Koça, Hajrullah Harxhi e Branko Merxhani.

Makina ku u shtyp Drita dhe Demokratia
BAJO TOPULLI DHE XHEVAT KALLAJXHI
Shkrimet e “Demokratisë” u shoqëruan shpesh me debate. Një nga rastet më të veçanta lidhet me ish kryetarin e bashkisë, Bajo Topulli. Në gazetën e shtatorit 1927 Xhevat Kallajxhi i kujton Bajos një shkrim të tij në gazetën “Labëria” të datës 4 maj 1925:
Si përkrahës të grupit të Mufit Beut, nuk mund të përkrahnim dot kundërshtarin e tij në zgjedhjet parlamentare, zotin Bajo Topulli. E kupton besojmë edhe zotëria e tij, se patriotizma dhe mendimet politike, janë dy gjëra të ndryshme.
Përmes pohimit të Xhevat Kallajxhiut: ”…si përkrahës të Mufit Beut”, ne mund ta kuptojmë fare mirë sot, se lindja e gazetës “Demokratia”, erdhi si rezultat i “vdekjes” së gazetës “Drita”. Gazeta i botonte edhe kritikën kundër saj. Bajo Topulli i akuzonte gazetarët e “Demokratisë” dhe “Labërisë” si të pashkollë e pa diploma. Ja si përgjigjet Xhevat Kallajxhiu në këtë rast:
E quajmë për nder që jemi pa diplloma dhe të jemi të zotë të botojmë një gazetë shumë më të mirë, nga disa të tjerë që kanë diplloma. Nuk mjafton vetëm diplloma që të jetë njeriu i zoti.
Por probleme e debate “Demokratia” pati jo vetëm me vendasit, por edhe me fqinjët.

KONSULLATA GREKE REFUZON “DEMOKRATINË”
Gazeta “Demokratia” i dërgohej të gjitha konsullatave dhe legatave të huaja në Shqipëri. E vetmja konsullatë që e refuzoi marjen e saj ishte Konsullata Greke e Sarandës. Ja si e përcjell këtë moment Xhevat Kallajxhi:
Sipas rregullit të përgjithshëm ne ja dërguam të ndershmes Konsullatë “Demokratinë”, një nderim i posaçëm kjo për të, e cila në vend të një sjelljeje si edhe e jona, na përgjigjet pas gjashtë muajsh me një: “Se pranoj”.
Por qëndrimi kritik ndaj gazetës, shfaqej herë pas here edhe nga ana e shtypit grek. Në faqet e “Demokratisë” gjejmë “artikuj – përgjigje”, drejtuar gazetave “Ipirotikos Agon” në lidhje me problemin çam dhe gazetës “Pellazgos”, që i akuzone shqiptarët si përbuzës së gjuhës greke.

GAZETA HUMORISTIKE PIF – PAF
Dy vjet pas nisjes së botimit të “Demokratisë” Xhevat Kallajxhi do të njoftonte daljen në dritë të një gazete të re. Në gazetën “Demokratia” të datës 1 tetor 1927 në faqen e parë lexohet ky njoftim:
Për së shpejti del në dritë si botim i veçantë i “Demokratisë”, gazeta e përdyjavëshme satirike PIF-PAF. Do të botohet me të ardhur leja.
Sipas ligjit të kohës, leja për botimin e një gazete lëshohej nga Ministria e Punëve të Brendëshme.

XHEVATI DHE LUMO SKËNDO
Xhevat Kallajxhi interesohej ti jepte gazetës gjithmonë e më tepër shkëlqim. Ai e dinte se kjo vinte përmes penave të arira. Në një letër të siguruar nga AQSH ai e siguronte Mitat Frashërin, (Lumo Skëndon) se në faqet e gazetës “Demokratia” do të zinin vend shkrimet e tij:
I nderuar z. Lumo Skëndo. Artikullat që më dërguat me telegrafistin e këtushmë i mora dhe fillova ti botoj, tue nisur së pari nga ai me titullin,”Nevoja e një vëllazërie literare”, si do ta shihni në Nr 88 të “Demokratisë”. Shënoj se në shtypshkronjën tonë mungojnë gërmat me thekse si psh: e, a,o, u, etj, prandaj në shumë vende të artikullit në fjalë, nuk i kemi përdorur. Numrat 56 dhe 76 të “Demokratisë” ua dërguam me postën e kësaj jave. Numri 3 i “Diturisë” nuk na ardhi. Në se ju ndodhen ju lutem na i dërgoni, se nuk duam të na çalojë koleksioni. Zoti Meksi ka tre javë që është kthyer nga Italia. Si jeni nga sytë, a u shkuan? Të fala Xhevat Kallajxhi.

Ps. Shënoj se Baba Selimit ja dhashë letrën që shkruanit për të.
Në gazetën “Demokratia” nën titullin “Prej të gjithave nga pak”, Xhevati jep njoftimin se pas 17 vjetësh rifilloi revista “Dituria” e cila e kishte nisur botimin 1910 në Selanik nga Lumo Skëndo. Kjo ishte e vetmja revistë e kohës e botuar në Shqipëri.

VOTIMET – THIRRJA E GAZETËS
Një shekull më parë në Gjirokastër zhvilloheshin zgjedhjet për në Këshillin e Bashkisë. Përmes gazetës “Demokratia”, pavarësisht bindjeve të tij personale, në respekt të lexuesve të gazetës, Xhevati i drejtoi këtë thirrje popullit të Gjirokastrës:
Popull!
Për pak ditë cilido prej nesh do të shkojë në Bashki që të votojë për Këshillin e ri të Bashkisë. I këshillojmë bashkëqytetarët tanë: Votoni atje ku t’ju pëlqejë, duke zgjedhur njerëzit e meritës.
- Ç’dokush njeri është i lirë që ta japë votën aty ku dëshiron.
- Votoni njerëzit e ndershëm!
- Votoni njerëzit e zotë, energjikë e punëtorë!
- Voto ata, nga të cilët pret shërbime të larta e serioze!
- Voto njerëzit e provuar në shërbime dhe ata që mund të shërbejnë!
- Mos u vur veshin fjalëve të bukura e gurrëve në trastë!
- Mos u hiq prej hunde, por jepe votën ku të dëshirojë zemra!
- Mos shiko akraballëk e miqësi!
- Mos e jepni votën kundër ndërgjegjes, me hatër e interes!
- Mejtoju një ditë kur do të japësh votën, që të mos vuash katër vjet me radhë!
Thirrja e tij ka të njëjtën vlerë edhe 100 vjet më vonë.
KONGRESI I GAZETARISË
Xhevat Kallajxhi është i pari gazetar shqiptar që hodhi tezën e organizimit të një kongresi gazetarësh në Shqipëri.
I vetmi komb në botë që ka shtypin më të varfër është Shqipëria. Fletorizma (gazetaria) është kontroll për një shtet. Gjithë veprimet misterioze që janë bërë në ndonjë shtet: abuzimet dhe ilegalitetet, vetëm shtypi ka qënë në pozitë ti nxjerrë lakuriq në shesh. Gazeta është dritë për një komb. Një vend që s’ka shtyp të mire, u jep të kuptojnë të huajve se atje s’ka opinion, s’ka shpirt shoqëror. Le të shpresojmë se do të vendoset mbledhja e këtij kongresi jetëdhënës i të drejtave të fletorizmës shqiptare.

“Gazetaria është syri i popullit”, deklaronte aso kohe Ahmet Zogu për korespodentin e gazetës greke, “Elefteron-Vima”. Xhevat Kallajxhiu ishte i bindur se, të mbaje një gazetë në Gjirokastër, ishte shumë e vështirë. Shkaku kryesor ishte varfëria. Sipas tij në Shqipëri, një gazetë vdiste pak pasi kishte lindur. Fati e deshi që Gazeta e tij, ti rezistojë kohës e të jetonte gjatë. Në 7 prill të 1939, një ditë pasi “Demokratia” kishte festuar 14 vjetorin e botimit të saj, vendi u pushtua nga Italia fashiste. Pas këtij pushtimi, “Demokratia” nuk u botua më.

XHEVATI DHE ZËRI I AMERIKËS
Në kuadër të 100 vjetorit të vendosjes së mardhënieve Shqipëri-SHBA ideova një aktivitet, pjesë e të cilit do të ishte edhe kontributi që dhanë gazetarët gjirokastritë në këtë drejtim. Në këtë pikë menjëherë kujtdo i shkon mendja tek “Zëri i Amerikës”. Një nga zërat brilantë të saj, ishte padyshim edhe ai i Xhevat Kallajxhiut, për të cilin Enver Hoxha gjatë një vizite në shtëpinë e tij muze në Gjirokastër kishte deklaruar:
Këtu e ka pasur shtëpinë një … që tani tërë ditën shan Shqipërinë nga Amerika.
Bëhej fjalë për Xhevat Kallajxhiun. Një audio-kronikë e tij e asaj kohe, do ti fliste shumë festës së 100 vjetorit të vendosjes së mardhënieve midis dy vendeve, mardhënie këto të ndërprera gjatë rregjimit të Hoxhës.Ndoshta asnjëherë unë nuk do ta mar vesh arsyen e vërtetë të rrefuzimit të një ndihmese kaq modeste nga Seksioni Shqip i “Zërit të Amerikës”, i cili për fat drejtohej nga një gjirokastrit. Por me sa u pa, ky nuk ishte fat i mirë në përmbushjen e qëllimit tim. Konspiracioni që shoqëronte njerëzit që dëgjonin Xhevatin përmes valëve të radios të njohur dikur, padashur ishte zëvendësuar nga konspiracioni apo burokracia e Seksionit të saj në gjuhën shqipe.

FATET E NGJAJSHME TË DY BOTUESVE
Të dy gazetat e Gjirokastrës e mbyllën aktivitetin pas një pushtimi. “Drita” pas “pushtimit” nga vendasit (bejlerët) Zogu e Mufit Libhova, për të cilët Veli Hashorva shkruante në dhjetor të 1924, “Uji flë, bejlerët s’flenë!”, ndërsa “Demokratia” pas pushtimit Italian të Shqipërisë. Të dy pronarët – botues, patën si “fund” të tyre, emigrimin. Veli Hashorva emigroi drejt Turqisë, Xhevat Kallajxhiu drejt Amerikës. Të dy botuesit e provuan jetën e emigrantit në Amerikë, por në momente të ndryshme të profesionit të tyre si gazetarë. Veliu e nisi botimin e “Dritës” pasi u kthye nga Amerika, ndërkohë që Xhevati u nis drejt Amerikës, pasi mbylli “Demokratinë”. Në vitin 1943-1944 kur Shqipëria ishte e pushtuar nga gjermanët Xhevat Kallajxhiu kreu detyrën e kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës. Në se nuk do të kishin ndjekur fatin e emigrantit, të dy do të kishin pasur të njëjtin fat tragjik. I pari do të ishte vrarë me siguri nga kundërtshtarët e tij politikë, i dyti nga diktatura që u instalua në 1945, e cila me siguri do ta kishte cilësuar bashkëpunëtor të nazizmit. Ne duhet të jemi krenarë që në faqet e gazetave të Gjirokastrës, ata pasqyruan në gjuhën shqipe, ngjarjet dhe zhvillimet më të rëndësishme të kohës. U trajtuan tema të historisë dhe kulturës. Gjirokastritët Veli Hashorva dhe Xhevat Kallajxhiu përfaqësojnë sot dy emra të rëndësishëm në gazetarinë shqiptare. Ata vijuan rrugën e atyre gjirokastritëve të mençur, trima e kurajozë si Koto Hoxhi, Bajo e Çerçiz Topulli, Thoma Papapano etj, që e vendosën Gjirokastrën në krye të qyteteve Shqiptare në luftën për mbrojtjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Përmes faqeve të gazetave të tyre, u ritën dhe shpalosën dijen e talentin dhjetra gazetarë. Përmes shkrimeve të tyre, u emnancipua jo vetëm shoqëria gjirokastrite, por edhe ajo shqiptare. “Drita” dhe ”Demokratia” ekspozuan vlerat e rralla të traditës dhe të folklorit brilant të jugut. Pavarësisht bindjeve të ndryshme që kishin për rrugën se si mund të bëhej Shqipëria, gazetat e këtyre dy kolosëve të gazetarisë, mbeten dëshmia më e mirë se megjithëse të kundërt në ide, dashuria për vendin kishte të njëjtën forcë tek të dy. Ata e shpalosën me mënçuri këtë dashuri dhe luftuan me të gjithë forcën e intelektit dhe të shpirtit, për një të ardhme ndryshe të Shqipërisë dhe Gjirokastrës së tyre të shtrenjtë.