
Share This Article
NGA: Ilirjan Lluri
ZJARRI QË DOGJI “Kronikën në dru”
NGA: Ilirjan Lluri
Dedikuar mikut tim, historianit dhe muzeologut, Sedat Kale në kuadër të 18 majit, Ditës Botërore të Muzeve
ARKIVI I PARË NË SHQIPËRI
Si nuk folët një fjalë për largimin e arkivit nga qyteti? – Ishte arkivi i parë i ndërtuar në Shqipëri? U zgjodh ky qytet sepse gjirokastritët nuk shisnin e blinin me një fjalë goje, po me dokumente të hartuara nga avokatët.
Kisha shkuar për ngushëllim tek Sedat Kale. Bashkëshortja e tij, mësuesja e njohur e anglishtes Meri, kishte pak ditë ndarë nga jeta. Hyrja e njerëzve të tjerë për ngushëllim, i ndërpreu fjalën të zotit të shtëpisë. Më duhet të pohoj se, pikërisht në atë moment unë po e kuptoja, që makinat ushtarake që shkonin e vinin prej ditësh në oborrin e vogël të arkivit të qytetit, po shkaktonin “vdekjen” e këtij institucioni. Duke u larguar me dhimbjen e natyrshme për mësuesen e papërtuar Meri, gjykova aty për aty: E more Sedat, i fortë je. Edhe në dhimbjen tënde, gjen kohë ti kthesh sytë nga arkivi. Kisha shkuar me dhjetra herë në shtëpinë e tyre në lagjen Granicë, ku kryefamiljarët gëzonin një jetë të qetë, rrethuar nga dashuria e fëmijëve të tyre shembullorë; Ari, Arminda dhe Nevila. Duke ju afruar kafenesë së Raqit që ndodhej ngjitur me godinën e arkivit, pashë përsëri dy makinat e mëdha ushtarake që kishin zënë të gjithë vend-parkimin përpara saj. Ndjeva një trishtim të thellë dhe në çast i thira mendjes: Mos u nxitova që e paragjykova reagimin e Sedatit, për largimin kaq në heshtje (gati fshehurazi) të arkivit të qytetit?

DODONA – Muzeu i parë në Gjirokastër
Tashmë që lëvizja turistike në qytet është ritur ndjeshëm, duam apo s’duam sytë do ti kthejmë gjithmonë nga muzeumet si destinacionet e preferuara të vizitorëve. Ndërtimi i muzeut të parë në Gjirokastër kishte si synim jo thjesht shuarjen e kërshërisë së të huajve për qytetin, por edukimin e brezit të ri përmes njohjes së historisë së vendit. Kjo ishte arsyeja që e nxiti patriotin e njohur Idrizi Guri, të ideonte ndërtimin e muzeut të parë në qytet. Në shtëpinë e tij ai ngriti një odë muze të quajtur jo rastësisht, “Dodona”. Pjesën më të madhe të punimeve të ekspozuara në të, e zinin punimet në dru. Mbi to ishte e gdhendur jo vetëm historia e Gjirokastrës, por edhe ngjarjet me rëndësi kombëtare. Xha Idrizi kishte gdhendur në një farë mënyre “Kronikën në dru”. Por qëllimi i këtij shkrimi nuk është të ndalem në kronikën dhe artin brilant të këtij atdhetari. Asaj do ti kushtohet më vonë një studim shumë më i hollësishëm. Qëllimi është për të nënvizuar faktin se ky patriot i flaktë ishte i pari që ideoi dhe evidentoi rëndësinë e ngritjes së një muzeu në qytet, ndërkohë që në rang vendi, një ide të tillë e kishte hedhur Mitat Frashëri, por pa e bërë dot realitet. Prandaj pra veprimin e xha Idriz Gurit do të duhej ta nënvizonim me krenari prej gjirokastriti në një ditë të veçantë si kjo e 18 majit, Ditës Botërore të Muzeve.

DYLBITË E HASAN XHIKUT
Pas më shumë se 25 vjetësh, dylbitë e Hasan Xhikut, ish komandantit të forcës së parë ushtarake legale në Gjirokastër, e cila mori në mbrojtje patriotët që ngritën flamurin kombëtar në kala në 4 dhjetor 1912, mbeten objekti i vetëm i blerë për të pasuruar fondin e muzeut tonë. Në një nga takimet e zhvilluara në kuadër të realizimit të një projekti (me donacion të huaj) për muzetë e qytetit, ngrita me shqetësim nevojën e parashikimit të një fondi për blerjen e objekteve të karakterit etnografik dhe historik. I fshirë për arsye ekonomike nga buxhetet e pas viteve 1990, ky zë financiar fatkeqësisht vijon të mungojë ende. Sigurimi i objekteve të grumbulluara deri tani në arkivin e muzeut është bërë përmes aktit zemërgjerë të dhurimit.

MUZEU KADARE
Edhe rikonceptimi i Muzeut “Kadare” nuk kishte asnjë zë buxhetor për blerjen e objekteve të shkrimtarit, sepse në projekt nuk ishte parashikuar ekspozimi i objekteve të përdoruara prej tij. Por zëri i arsyes fitoi mbi absurdin, dhe shkrimtari e në mënyrë të veçantë bashkëshortja e tij, Elena ju përgjigjën kërkesës sonë duke na ndihmuar me disa objekte. Ato janë sot pjesë e fondit të këtij muzeu. Një pjesë janë ekspozuar, ndërkohë që disa prej tyre janë të arkivuara. Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeumeve gjej rastin ta rifalënderoj përzemërsisht Elenën për bashkëpunimin e shkëlqyer me sektorin e trashëgimisë të Bashkisë. Duke dashur të surprizojmë pjesmarrësit në ditën e inagurimit të rikonstruksionit të muzeut, një pjesë të objekteve të siguruara, e ekspozuam në një nga sallat e katit të tij të parë. Por si për çudi… askush nuk e “vuri re” dhe askush nuk foli mbi këtë vlerë të shtuar (jashtë projektit) të siguruar pa pagesë.

Ekspozita – 90 vjet energji elektrike
Një tjetër dashamirës dhe dhurues për sektorin e trashëgimisë së qytetit është Anesti Kosta. Në kuadër të 90 vjetorit të instalimit të energjisë elektrike në Gjirokastër (1932 – 2022), ai afroi kontributin e tij të çmuar për të realizuar për herë të parë një ekspozitë të plotë mbi historinë e rrugëtimit të dritës elektrike në qytet. Objektet e grumbulluara me shumë mund, janë sot pjesë e arkivit të Muzeut. Ato do ti flasin përherë publikut për atë periudhë të largët, kur rrezet e dritës elektrike rranë mbi kalldrëmet e qytetit. Një nga shtyllat elektrike të vendosura në atë kohë u rrëzua në vigjilje të këtij përvjetori, pasi e kishte braktisur edhe zogu i fundit që kishte bërë folenë në një zgavër që koha kishte hapur në trupin e drunjtë. Ky fond është gati. A nuk mund të ngrihet një pavion muzeu mbi këtë ngjarje? Në vesh të shurdhër ra fatkeqësisht edhe kërkesa ime drejtuar Konsullatës Italiane të Vlorës për të mundësuar realizimin e një instalacioni artistik mbi këtë ngjarje të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të qytetit. Në heshtje nuk kanë rënë vetëm gjuetarët e pasurisë publike. Një nga shtyllat metalike të instaluara mbi kabinën e lagjes Teqe, që përcillte energjinë drejt kalasë, ishte bërë gati për tu grabitur për shitje. Por vlera financiare e përfituar prej shitjes së hekurit të saj, do të ishte qesharake krahasuar me vlerën e historisë së vendosjes së saj mbi atë shkëmb.


Trofetë e basketbollit
Pjesë e arkivit të muzeut të Gjirokastrës falë kontributit të Ilia Kuros, (ish shef i klubit shumë sportësh në qytet), është bërë edhe një set i tërë me trofetë e fituara falë talentit të vajzave të basketbollit të ekipit “Luftëtari”. Janë tetë trofe të fituara në tre sezone. Ato e renditën ekipin e vajzave basketbolliste në krye të ekipeve të vendit. A nuk do t’ja vlente ekspozimi i një arritjeje të tillë spektakolare, ku falë mbështetjes financiare të vëllezërve Tavo, kontribuan jo vetëm vajza gjirokastrite por edhe sportiste që vinin nga Tirana, Fieri dhe shtete si Rumania dhe Amerika. Gazetari i njohur i sporteve Sokrat Papadhopulli i ka dedikuar kësaj ngjarje të madhe sportive librin “Tetë trofe, në tre sezone”.


Objekti me simbolet hebraike
Në kërkim të elementëve të rinj pasurues të arkivit të muzeut të Gjirokastrës, në një nga dyqanet e antikuarëve në pazarin karakteristik, ndesha një tepsi mbi të cilën ishin gdhendur një seri simbolesh, krejtësisht të panjohura për mua. E fotografova me detaje dhe kërkova diku një këshillë. Përgjigjja ishte kjo:
Fotot tregojnë për origjinën hebraike të saj. Në to shihet Ylli i Davidit. Edhe mbishkrimi është hebraik.
Kjo përforconte edhe fjalën e shitëses, e cila më kishte pohuar se objekti vinte nga një banesë ku kishin jetuar antarë të komunitetit hebre. Ishte e njëjta shitëse që më kishte afruar dikur dylbitë e Hasan Xhikut. I besoja si vetes time. U gëzova për objektin me simbole hebraike. Përmes tij do të mundja të provoja jo vetëm jetesën, por dhe ritet e ndjekura nga një familje hebre e ardhur nga Janina në vitin 1920. Me disa familje hebre që jetuan në Gjirokastër, lidhej edhe akti brilant i banorëve të lagjes Varrosh të cilët i morën në mbrojtje ato, kur qyteti u pushtua nga ushtria gjarmane në Luftën e Dytë Botërore. Por vonesa në kthimin e përgjigjes e nxori nga besa e “fjalës së dhënë” shitësen e nderuar. Ajo ja afroi atë një blerësi amerikan që e donte për muzeun hebraik të ngritur në Berat. Në fakt nuk e di në se objekti në fjalë, është bërë pjesë e këtij muzeu, apo jo. Por e di që shumë nga objektet që ky komunitet kishte përdorur, të cilat flisnin për përkatësinë e tij etnike, humbën. Me premtimin e hapjes së një muzeu në Greqi, ato u grumbulluan nga një shoqatë kulturore nga Janina, e cila e shkeli fjalën e dhënë dhe nuk i ktheu më kurrë mbrapsht ato. Kjo e bën edhe më të dhimbshme humbjen e një objekti të tillë nga sektori i trashëgimisë.


LUGINA E DRINOSIT
U bënë kohë që nga promovimi i librit “Lugina e Drinosit”, shkruar nga arkeologu i parë i Gjirokastrës Vladimir Qirjaqi. Puna e mikut tim të shtrenjtë të larguar tashmë nga jeta, përveç librit është shoqëruar edhe me gjetje arkeologjike, të cilat janë magazinuar në muzeun e qytetit. Ato përfshijnë gjetje gjatë gërmimeve në Adrianopol, Kalivaç, Labovë, Selo, Melan dhe Urën e Kardhiqit. Vite të tëra pas kësaj, gërmimet kanë vijuar në Adrianopol, Antigone e Palokastër. Shpesh gërmimet janë kryer në bashkëpunim me arkeologët italianë. Ja vlen sot të pyesim; ku ndodhen të magazinuar gjetjet arkeologjike të nxjerra nga nën toka pas viteve 1990? A ka ardhur koha për të ngritur një muze arkeologjik dedikuar “Luginës së Drinos”? A nuk do të ishte kjo një mundësi më shumë për rritjen jo vetëm sasiore por edhe cilësore të muzeumeve në qytet?





Qyteti ushtarak i Europës 1941
Reparti ushtarak i Gërhotit ndërtuar nga italianët, është qyteti i vetëm ushtarak në
Europë i mbetur nga Lufta e Dytë Botërore, më pohoi një ditë Konsulli i Nderit të Italisë në Gjirokastër, Teodor Bilushi. Gjatë kohës së diktaturës ai i shërbeu ushtrisë shqiptare. Por pas viteve 90’ ai ju dorëzua shkatërrimit, i cili kulmoi me rrevoltat e 1997. Duke qënë një nga qytetet ushtarake të vetme në Europë, ai do të ishte po i tillë, në se do të ishte kthyer në një muze. Do të ishte pra i vetmi që do ti fliste Europës për 80 vite më parë. Kjo mundësi me sa kam dëgjuar tashmë është shuar përfundimisht, sepse një projekt i ri ka marrë rrugë në teritorin e gjerë të këtij qyteti. Gjithsesi do të ishte krejt normale që brenda projektit të ri urbanizues, të parashikohej ndoshta një muze ku të flitej për qytetin ushtarak të Gërhotit, për planimetrinë dhe mënyrën e ndërtimit të objekteve në të, për godinat e spitalit ushtarak, për pishinën madhështore dhe për vilat ku strehohej komanda e lartë e këtij qyteti, Sigurisht brenda këtyre rrëfimeve do të zinte vend edhe tregëtia që banorët e qytetit bënin me ushtarët italianë përmes gardhit të telave me gjëmba që rrethonte zonën. Por aty do të zinte një vend në veçanti ajo ngjarje tragjike, kur në portat e këtij qyteti ushtarak, pas kapitullimit të ushtrisë italiane u vranë shumë nacionalistë.

MUZE I HAPUR
Tashmë kanë kaluar disa vjet që nga lindja e idesë, së ngritjes së një muzeu të hapur në qytet. Arsyeja është e thjeshtë. Mbyllja e Muzeut të Rilindjes Kombëtare i njohur ndryshe si “Muzeu Topulli”, më nxiti në gjetjen e një mundësie të re për të ekspozuar shumë personalitete të Gjirokastrës, të cilët kanë lënë gjurmë jo vetëm në historinë lokale, por edhe në atë kombëtare. Jam i sigurtë që lista e tyre është e njohur për shumicën prej nesh. Ajo fillon me Koto Hoxhin për të vijuar me Papa Kristo Negovanin (Humelica), Bajo Topullin, At Papapanon, baba Manen, Thoma Papapanon, Urani Rumbon, Hysen Hoxhën, Veli Hashorvën etj. Idea ime u materializua në ndërtimin e një skice nga arkitekti dhe miku im Reshat Gega. Por që prej asaj kohe, idea ka mbetur në letër. Me sa kam dëgjuar së fundi është prezantuar diku si projekt dhe më vjen mirë që ndoshta ajo do të mund të bëhet realitet. Vendi ideal për ngritjen e tij është fasada e murit përpara shtëpisë Babameto në Bashtenë e Teqesë. Ajo do të jetë një mundësi më shumë për ta njohur më mirë Gjirokastrën, atdhetarët e së cilës mbeten gurrë të rrëndë në themelet e Shqipërisë.


Zjarri që dogji “Kronikën në dru”
Ata që e rivizituan më vonë ”Odën Dodona” të Idriz Gurit, vunë re se prej saj mungonin shumë nga gdhëndjet në dru, qëndisjet dhe fotografitë e varura në mur. Por në fakt kjo ishte vetëm një pjesë e dramës së ndodhur. Pjesa tjetër e panjohur ishte edhe më e dhimbshme se kaq. Ajo mu besua nga miku im, Sedat Kale. Duke e përcjellë për në stacionin e autobuzit në sheshin e Çerçizit, e pyeta rreth aktivitetit të Idriz Gurit. Pasi mori frymë thellë me një psherëtimë që i dilte nga thellësia e shpirtit më tha; Më vjen të vë ulurimën sa herë më kujtohet kjo ngjarje. Duke e ritur ndjeshëm intesitetin e frymëmarrjes së tij gjatë rrëfimit, ai më dha disa hollësi pas të cilave po mbetesha pa frymë edhe unë.
Një ditë pas çlirimit të vendit në zyrën e sekretarit të parë të rrethit, u paraqit një grua e cila banonte me qera në shtëpinë e patriotit. Aty ku banoj – i tha ajo Sekretarit të Parë, ndodhet një sunduk me bastune të Idriz Gurit. Si të bëj me to? Digji, i tha Sekretari i Parë pa u menduar dy herë. Ja kështu, kaq mizorisht pjesa më e madhe e “Kronikës në Dru”, i shërbeu gruas-qeraxheshë për të vluar një apo dy herë ujin në kazanin e larjes së rrobave.
Kështu, me të njëjtën sjellje absurde u zhduk edhe blloku me shënimet e Idriz Gurit në të cilin zbërtheheshin simbolet e përdorura në gdhendjet e tij – do ta përfundonte rrëfimin e tij të trishtë Sedati.
Miku im Sedat…
Ndarjen nga jeta të Sedat Kales e përjetova nga larg. Ky lajm i hidhur më shuajti shpresat se një ditë do të vijoja me të, jo vetëm bisedën e lënë në mes mbi trashëgiminë dhe artin plot simbole të Idriz Gurit, por edhe të një ngjarjeje tjetër të panjohur; atë të djegjes në një nga kaldajat e qytetit, të një dhome plot me dokumenta të arkivuara të paraçlirimit. Arsyeja ishte nga më banalet. Në mungesë të druve, zyrtarët urdhëruan ndezjen e kaldajës me këto dokumenta të trashëguara nga koha e Zogut. Do të doja ta nderoja mikun tim me gjestin e fundit njerëzor; atë të lamtumirës së përjetëshme. Kjo jo vetëm në zbatim të ritit mortor, por edhe si një kërkesë ndjese e vonuar, për nxitimin dhe paragjykimin tim të disa viteve më parë, kur Meri e tij e dashur u nda nga jeta, dhe ai ngrinte me shqetësim problemin e largimit të Arkivit nga qyteti. Në fakt me largimin e këtij institucioni sot po e kuptojmë, se ne të gjithëve na u largua përfundimisht mundësia për të pasur edhe një muze tjetër në qytet; atë të arkivit të parë të ndërtuar në Shqipëri. Ky ishte shqetësimi që historiani Sedat, gjeti mundësinë ta shprehte atë mbasdide megjithëse ai dhe familja ishin në zi. Ka personalitete në shoqërinë tonë, ku pasioni i profesionit nxjerr krye, pavarësisht rrethanave që ju afron jeta. Sepse pasioni ndaj profesionit, nuk njeh pensionim. Një pasionant i tillë ishte edhe miku im, historiani dhe muzeologu Sedat Kale, që jo rastësisht e kujtova me mall e respekt në ditën e 18 majit, Ditës Botërore të Muzeumeve.

Me hapin e kohës
Shtimi i lëvizjes turistike në Gjirokastër e bën të domosdoshme ngritjen e muzeumeve të reja. Ndoshta ne nuk do të mbrijmë kurrë në rezultatet e Lefter Dilos, Sedat Kales, Teuta Kallajxhiut, Vladimir Qirjaqit dhe shumë punonjësve të nderuar të këtij sektori në vite, por së paku duhet të përpiqemi për të ringritur e ndoshta rikonceptuar të paktën dy muzeume. Kur Gjirokastra nuk ishte marë në mbrojtje nga UNESKO kishim dy muzeume me status “Kombëtar”: muzeun e Armëve dhe Muzeun e Rilindjes Kombëtare (Topulli). Gjirokastra e Uneskos, sot nuk ka asnjë muze të tillë. Të dya muzetë e dikurshëm nuk e kanë më këtë status, ndërkohë që njeri prej tyre (Topulli) nuk funksionon prej vitesh. Më e thjeshta si mundësi zgjidhje në këtë drejtim është ngritja e një Mozaiku pavionesh muze, në ish godinën e shkollës “Bajo Topulli” e braktisur prej vitesh. Mes pavionëve të përmendura më sipër, me siguri do të ishte jo vetëm pavioni me pikturat e Gjirokastrës të vitit 1848 të lëna si dëshmi nga Eduart Lir, por edhe ai i fotografive të rralla që dëshmojnë mbi elementët e humbur në vite, të arkitekturës mahnitëse të Gjirokastrës së dikurshme. Mes pikturave dhe fotove ndodhet edhe
Ura e Ujësjellësit të Ali Pashë Tepelenës, një këmbë e së cilës mbështetej dikur në sheshin e ish shkollës në fjalë.


Propozim
“Muze Etnografik”- ky është emri që kanë në përgjithësi të gjitha institucionet e këtij lloji në botë. Do të doja që ky i yni të kishte diçka më shumë se kaq. Emri i tij duhet të ishte Muzeu Etnografik “Idriz Guri”. E gjitha kjo, në nderim të atij patrioti që jo vetëm hodhi i pari idenë e një muzeu në Gjirokastër, por edhe e ngriti atë në një nga dhomat e shtëpisë së tij. “Oda Dodona” është pararendëse e muzeumeve të sotëm. Imagjinoni, u ngrit në atë kohë kur shumëkush nuk e mendonte se qyteti do të vizitohej një ditë nga kaq shumë vizitorë. Këtë e bëri realitet Idriz Guri, sepse si patriot i flaktë ai e kuptoi se trashëgimia historike dhe kulturore, mbetet “çelësi i artë” për mbijetesën e shpirtit të një kombi.
18 MAJ 2025
